Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 82

Jezui mësoi dishepujt si të luteshin

Jezui mësoi dishepujt si të luteshin

Çdo gjë që bënin farisenjtë ishte për t’u bërë përshtypje të tjerëve. Kur bënin ndonjë vepër të mirë, e bënin për të rënë në sy. Luteshin në publik që të shiheshin nga njerëzit. Farisenjtë mësonin përmendsh lutje të gjata dhe i përsëritnin në sinagoga e kryqëzime rrugësh ku të tjerët t’i dëgjonin. Prandaj njerëzit u habitën kur Jezui u tha: «Mos u lutni si farisenjtë. Ata mendojnë se Perëndisë i bëjnë përshtypje fjalët e shumta, por nuk është kështu. Lutja është diçka mes teje dhe Jehovait. Mos thuaj gjithmonë të njëjtat gjëra. Jehovai dëshiron që t’i thuash si ndihesh vërtet brenda teje.

Ja si duhet të luteni: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.’» Gjithashtu Jezui u tha të luteshin për ushqimin e përditshëm, për faljen e mëkateve dhe për gjëra të tjera personale.

Jezui tha: «Lutuni gjithmonë. Vazhdoni t’i kërkoni gjëra të mira Atit tuaj, Jehovait. Çdo prind do që t’i jap gjëra të mira fëmijës së vet. Nëse djali të kërkon bukë, a do t’i jepje një gur? Nëse të kërkon një peshk, a do t’i jepje një gjarpër?»

Më pas Jezui u shpjegoi mësimin: «Nëse ju dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati juaj, Jehovai, do t’u japë frymë të shenjtë! Gjithçka që duhet të bëni, është të kërkoni.» A e ndjek këshillën e Jezuit? Po ti, për çfarë lutesh?

«Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.»​—Mateu 7:7