Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 85

Jezui shëroi në sabat

Jezui shëroi në sabat

Farisenjtë e urrenin Jezuin dhe donin të gjenin një arsye për ta arrestuar. Thoshin se Jezui nuk duhej të shëronte njerëzit e sëmurë në sabat. Një ditë sabati, Jezui pa një burrë që kishte lindur i verbër teksa lypte në rrugë. Ai u tha dishepujve: «Shihni si do ta ndihmojë fuqia e Perëndisë këtë burrë.» Jezui përzieu pështymën e vet me pluhur dhe bëri argjilë, të cilën ia vendosi te sytë. Jezui i tha: «Shko të lash sytë në pellgun e Siloamit.» Kur burri bëri kështu, për herë të parë në jetën e tij, arriti të shikonte.

Njerëzit ngelën me gojë hapur. Ata thanë: «A nuk është ky ai që rrinte ulur dhe lypte apo është dikush që i ngjan?» Burri u përgjigj: «Unë jam!» Njerëzit e pyetën: «Çne që nuk je më i verbër?» Kur ai u tregoi ç’kishte ndodhur, ata e çuan te farisenjtë.

Burri u tha farisenjve: «Jezui më vuri argjilë mbi sy dhe më tha të shkoja ta shpëlaja. Ashtu bëra dhe tani shikoj.» Farisenjtë thanë: «Nëse Jezui shëron në sabat, fuqia e tij s’mund të jetë nga Perëndia.» Të tjerë thoshin: «Nëse fuqia e tij nuk do të ishte nga Perëndia, nuk do të ishte fare në gjendje të shëronte.»

Farisenjtë thirrën prindërit e tij dhe i pyetën: «Si ka mundësi që djali juaj tani shikon?» Prindërit ishin të frikësuar ngaqë farisenjtë kishin thënë se, kushdo që besonte te Jezui, do të përjashtohej nga sinagoga. Prandaj u përgjigjën: «Nuk e dimë. Pyeteni vetë.» Farisenjtë i bënë pyetje të tjera derisa burri ua ktheu: «Ju thashë gjithçka që di. Pse vazhdoni të më pyesni?» Farisenjtë u zemëruan dhe e flakën jashtë.

Jezui shkoi ta kërkonte dhe e pyeti: «A ke besim te Mesia?» Burri iu përgjigj: «Po, nëse do ta dija kush është.» Jezui i tregoi: «Unë jam Mesia.» A nuk ishte kjo diçka e dashur nga ana e Jezuit? Jo vetëm e shëroi, por edhe e ndihmoi të kishte besim.

«E keni gabim, sepse nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë.»​—Mateu 22:29