Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 94

Dishepujt morën frymën e shenjtë

Dishepujt morën frymën e shenjtë

Dhjetë ditë pasi Jezui u rikthye në qiell, dishepujt e tij morën frymën e shenjtë. Ishte festa e Ditës së Pesëdhjetë e vitit 33 të e.s., dhe njerëz nga shumë vende kishin ardhur në Jerusalem për ta festuar. Në dhomën e sipërme të një shtëpie ishin mbledhur rreth 120 dishepuj të Jezuit. Befas një gjë mahnitëse ndodhi. Diçka si flakë e vogël zjarri iu shfaq mbi kokë secilit dishepull dhe të gjithë filluan të flisnin në gjuhë të ndryshme. Një zhurmë e madhe si ajo e një ere të stuhishme ushtoi në shtëpi.

Vizitorë nga vende të tjera që ishin në Jerusalem, dëgjuan zhurmën dhe vrapuan te shtëpia për të parë ç’po ndodhte. U mahnitën kur dëgjuan dishepujt të flisnin në gjuhë të ndryshme. Ata thoshin: «Po këta njerëz janë nga Galilea! Si arrijnë të flasin në gjuhët tona?!»

Më pas Pjetri dhe apostujt e tjerë qëndruan para turmës. Pjetri u tregoi si u vra Jezui dhe se Jehovai e ngriti nga të vdekurit. Pjetri tha: «Tani Jezui është në qiell, në të djathtën e Perëndisë dhe ai derdhi frymën e shenjtë që kishte premtuar. Ja pse patë dhe dëgjuat këto mrekulli.»

Njerëzit u prekën thellë nga fjalët e Pjetrit dhe pyetën: «Çfarë të bëjmë?» Ai u përgjigj: «Pendohuni për mëkatet tuaja dhe pagëzohuni në emër të Jezuit. Edhe ju do të merrni dhuratën e frymës së shenjtë.» Atë ditë rreth 3.000 veta u pagëzuan. Që nga ajo kohë, numri i dishepujve në Jerusalem nisi të rritej shumë shpejt. Me ndihmën e frymës së shenjtë, apostujt formuan kongregacione të tjera, në mënyrë që t’u mësonin dishepujve të gjitha gjërat që u kishte urdhëruar Jezui.

«Po të shpallësh publikisht . . . se Jezui është Zotëri dhe po të tregosh besim në zemrën tënde se Perëndia e ngriti atë nga të vdekurit, do të shpëtosh.»​—Romakëve 10:9