Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 22

Mrekulli në Detin e Kuq

Mrekulli në Detin e Kuq

Sapo faraoni mori vesh se izraelitët kishin ikur nga Egjipti, u bë pishman që i la të shkonin. Ai u dha urdhër ushtarëve të tij: «Bëni gati të gjitha karrocat e luftës që t’i ndjekim! Nuk duhej t’i kishim lënë të lirë!» Ata u nisën që të ndiqnin izraelitët.

Jehovai e drejtonte popullin e tij me anë të një reje ditën dhe me anë të një zjarri natën. Ai i çoi drejt Detit të Kuq dhe u tha të ngrinin kampin aty.

Më vonë, izraelitët panë faraonin dhe ushtrinë e tij që po i ndiqnin. Ata ishin zënë në kurth midis detit dhe ushtrisë egjiptiane. Të frikësuar, i thanë Moisiut: «Do të vdesim! Duhet të na kishe lënë në Egjipt.» Por Moisiu u tha: «Mos kini frikë. Pritni e shihni se si do të na shpëtojë Jehovai.» Moisiu kishte vërtet besim te Jehovai, apo jo?

Jehovai u tha izraelitëve të ngrinin kampin e të bëheshin gati për të ikur. Atë natë, Jehovai e lëvizi renë dhe e vuri midis egjiptianëve dhe izraelitëve. Në anën e egjiptianëve kishte errësirë, kurse në anën e izraelitëve kishte dritë.

Jehovai i tha Moisiut ta shtrinte dorën drejt detit. Pastaj, Jehovai bëri që tërë natën të frynte një erë e fortë. Deti u nda më dysh dhe në mes u krijua një rrugë. Miliona izraelitë kaluan në anën tjetër nëpër tokë të thatë, përmes mureve të ujit.

Ushtria e faraonit i ndoqi izraelitët nëpër shtratin e thatë të detit. Më pas, Jehovai e bëri rrëmujë ushtrinë. Karrocave filluan t’u dilnin rrotat. Ushtarët bërtitnin: «Ikim që këtu! Jehovai po lufton për ta.»

Jehovai i tha Moisiut: «Shtrije dorën drejt detit.» Në çast, muret e ujit vërshuan mbi ushtrinë egjiptiane. Faraoni dhe të gjithë njerëzit e tij vdiqën. Asnjëri nuk shpëtoi.

Nga ana tjetër e detit, turma e madhe e njerëzve i dha lavdi Perëndisë me një këngë: «Këndojini Jehovait, sepse shumë është lartësuar. Kalin e kalorësin në det i ka flakëruar.» Ndërsa populli këndonte, gratë kërcenin dhe u binin dajreve. Të gjithë ishin shumë të lumtur sepse tani ishin vërtet të lirë.

«Që të kemi shumë guxim dhe të themi: ‘Jehovai është ai që më ndihmon, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?’»​—Hebrenjve 13:6