Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 21

Plaga e dhjetë

Plaga e dhjetë

Moisiu i premtoi faraonit se s’do të shkonte më tek ai. Por, para se të largohej, i tha: «Në mesnatë, i parëlinduri i çdo egjiptiani, nga djali i faraonit deri te djemtë e skllevërve, do të vdesë.»

Jehovai u tha izraelitëve të përgatitnin një vakt të veçantë. Ai u tha: «Therni një qengj ose një kec mashkull njëvjeçar dhe vini ca nga gjaku i tij te porta e shtëpisë. Piqeni mishin dhe hajeni me bukë pa maja. Vishni rrobat, sandalet dhe bëhuni gati të ikni. Këtë natë do t’ju çliroj.» E përfytyron dot sa të lumtur duhet të kenë qenë izraelitët?

Në mesnatë, engjëlli i Jehovait shkoi te çdo shtëpi në Egjipt. Te shtëpitë ku nuk kishte gjak te porta, djali i parëlindur vdiq. Por engjëlli i kaloi shtëpitë që kishin shenjën e gjakut. Çdo familje egjiptiane, e pasur ose e varfër, humbi një fëmijë. Ama, asnjë nga fëmijët e izraelitëve nuk vdiq.

Vdiq edhe djali i vetë faraonit. Faraoni u dorëzua. Menjëherë i tha Moisiut dhe Aaronit: «Ngrihuni, largohuni që këtu. Shkoni e adhuroni Perëndinë tuaj. Merrni kafshët tuaja dhe ikni!»

Nën dritën e hënës së plotë, izraelitët dolën nga Egjipti, të organizuar sipas familjeve dhe fiseve. Ishin 600.000 burra izraelitë dhe shumë gra e fëmijë. Bashkë me ta shkuan edhe shumë njerëz të tjerë që të adhuronin Jehovain. Më në fund, izraelitët ishin të lirë!

Për të kujtuar se si i kishte shpëtuar Jehovai, ata do të përgatitnin të njëjtin vakt të veçantë çdo vit. Kjo u quajt Pashkë që do të thotë «kalim».

«Pikërisht për këtë shkak të kam lënë gjallë, që në rastin tënd të tregoj fuqinë time dhe që emri im të shpallet në gjithë tokën.»​—Romakëve 9:17