Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 54

Jehovai u tregua i duruar me Jonain

Jehovai u tregua i duruar me Jonain

Në një qytet të Asirisë, që quhej Ninevi, njerëzit ishin shumë të këqij. Jehovai i tha profetit Jona të shkonte në Ninevi dhe t’i paralajmëronte ninevitët të kthenin rrugë. Por Jonai ia mbathi në drejtim të kundërt. Ai hipi në një anije që shkonte në Tarshish dhe lundroi për atje.

Kur anija ishte në det, papritur filloi një furtunë e madhe dhe marinarët u tmerruan. Ata iu lutën perëndive të tyre dhe pyetën: «Pse po ndodh e gjithë kjo?» Në fund, Jonai u tha: «Është faji im. Unë po ia mbath që të mos bëj çfarë më kërkoi Jehovai. Më hidhni në det dhe furtuna do të pushojë.» Marinarët nuk donin, por Jonai këmbënguli. Kur e hodhën në det, furtuna pushoi.

Jonai mendoi se do të vdiste. Teksa zhytej gjithnjë e më thellë, iu lut Jehovait. Prandaj Jehovai dërgoi tek ai një peshk gjigant që e gëlltiti, por Jonai nuk vdiq. Nga barku i peshkut, Jonai u lut: «Të premtoj se do të të bindem gjithmonë.» Jehovai bëri që Jonai të ishte i sigurt brenda peshkut për tri ditë dhe pastaj që peshku ta nxirrte në tokë të thatë.

Meqë Jehovai e shpëtoi Jonain, a do të thoshte kjo se Jonait nuk do t’i duhej më të shkonte në Ninevi? Jo. Jehovai i tha përsëri Jonait të shkonte atje. Këtë herë Jonai u bind, shkoi dhe u tha atyre njerëzve të këqij: «Për 40 ditë, Ninevia do të shkatërrohet.» Kur ja, diçka e papritur ndodhi: ninevitët ia vunë veshin dhe kthyen rrugë. Mbreti i Ninevisë i tha popullit të tij: «Thirrini Perëndisë dhe pendohuni. Ndoshta ai nuk do të na shkatërrojë.» Kur Jehovai pa se njerëzit u penduan, nuk e shkatërroi Ninevinë.

Jonai u zemërua që qyteti nuk u shkatërrua. Mendo pak: Jehovai u tregua i duruar dhe i mëshirshëm me Jonain, kurse ai nuk u tregua i mëshirshëm me njerëzit e Ninevisë. Në vend të kësaj, u ul jashtë qytetit, nën hijen e bimës së kungullujësit dhe vari buzët. Pastaj bima u tha dhe Jonai u nxeh. Prandaj Jehovai i tha: «Ty të erdhi keq për një bimë. Po mua, a nuk duhej të më vinte keq për njerëzit në Ninevi?! Unë u tregova mëshirë dhe ata shpëtuan.» Cili ishte mësimi? Njerëzit e Ninevisë ishin më të rëndësishëm se çdo lloj bime.

«Jehovai . . . është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin.»​—2 Pjetrit 3:9