Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 1

«Bëhu ithtari im»: Ç’donte të thoshte Jezui?

«Bëhu ithtari im»: Ç’donte të thoshte Jezui?

«Çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?»

1, 2. Cila është ftesa më e çmuar që mund të marrë një njeri dhe cilën pyetje duhet t’i bëjmë vetes?

 CILA është ftesa më e çmuar që ke marrë ndonjëherë? Mbase të kujtohet kur të ftuan në një rast të veçantë, ndoshta në dasmën e dy njerëzve që i do shumë. Ose të kujtohet dita kur të ftuan në një punë të rëndësishme. Nëse të kanë bërë ftesa të tilla, me siguri je ndier i lumtur, madje i nderuar, që t’i kanë bërë ty. Por, në fakt, ti ke marrë një ftesë tjetër, shumë më të çmuar. Madje këtë ftesë e ka marrë secili prej nesh. Mënyra se si vendosim t’i përgjigjemi, do të ndikojë thellë te ne. Është vendimi më i rëndësishëm që do të marrim në jetë.

2 Çfarë ftese është? Është një ftesë që na e bën Jezu Krishti, Biri i vetëmlindur i Perëndisë së Plotfuqishëm, Jehovait. E gjejmë në Bibël. Te Marku 10:21 lexojmë fjalët e Jezuit: «Eja e bëhu ithtari im.» Në të vërtetë, Jezui këtë ftesë ia ka bërë secilit prej nesh. Duhet të pyesim veten: ‘Si do të përgjigjem?’ Ndoshta ty të duket fare e qartë përgjigjja. E kush nuk do ta pranonte një ftesë të tillë të mrekullueshme? Por, sado e habitshme të duket, shumica e njerëzve nuk e pranojnë. Përse?

3, 4. (a) Për çfarë mund ta kishin pasur zili të riun që iu afrua Jezuit dhe e pyeti për jetën e përhershme? (b) Çfarë cilësish të mira mund të ketë parë Jezui tek i riu i pasur?

3 Për shembull, shqyrto rastin e një njeriu që e mori këtë ftesë personalisht nga Jezui rreth 2.000 vjet më parë. Ishte një njeri shumë i respektuar. Kishte të paktën tri gjëra që normalisht njerëzit i shohin si të dëshirueshme, madje i kanë zili: rininë, pasurinë dhe pozitën. Bibla thotë se ishte një ‘i ri’, «shumë i pasur» dhe «një nga krerët». (Mateu 19:20; Luka 18:18, 23) Por, ky i ri kishte diçka edhe më të rëndësishme. Kishte dëgjuar për Mësuesin e Madh, Jezuin, dhe i pëlqente ajo që kishte dëgjuar.

4 Në ato ditë, shumica e krerëve nuk tregonin respektin e duhur për Jezuin. (Gjoni 7:48; 12:42) Kurse ky udhëheqës veproi ndryshe. Në Bibël lexojmë: «Ndërsa [Jezui] po bëhej gati të ikte, një njeri erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: ‘Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?’» (Marku 10:17) Ai vërtet që dëshironte shumë të fliste me Jezuin, pasi vrapoi për tek ai në sy të të gjithëve, siç do të kishte bërë cilido njeri i varfër dhe i thjeshtë. Jo vetëm kaq, por u ul në gjunjë me respekt para Krishtit. Pra, kishte njëfarë përulësie dhe ishte i vetëdijshëm se kishte nevojë të mësonte për Perëndinë. Jezui i vlerësonte këto cilësi të mira. (Mateu 5:3; 18:4) Ja pse lexojmë që, kur «Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të». (Marku 10:21) Si iu përgjigj ai pyetjes së këtij të riu?

Një ftesë shumë e rrallë

5. Si iu përgjigj Jezui të riut të pasur dhe si e dimë se ajo «gjë» që i mungonte atij, nuk ishte varfëria? (Shih edhe shënimin.)

5 Jezui tregoi se Ati i tij kishte dhënë tashmë informacione rreth pyetjes së rëndësishme se si mund të fitohet jeta e përhershme. Ai e drejtoi vëmendjen te Shkrimet dhe i riu pohoi se po i bindej pikë për pikë Ligjit të Moisiut. Mirëpo Jezui, me gjykimin e tij shumë të mprehtë, dalloi te ky njeri diçka që shkonte më thellë. (Gjoni 2:25) E kuptoi se ai kishte një problem të madh, që ndikonte në marrëdhënien e tij me Perëndinë. Prandaj i tha: «Vetëm një gjë të mungon.» Ç’ishte kjo «gjë»? Jezui tha: «Shko, shit gjithçka që ke [dhe] jepua të varfërve.» (Marku 10:21) A donte të thoshte Jezui se dikush duhet të jetë pa asnjë dysh në xhep, që t’i shërbejë Perëndisë? Jo. * Krishti po zbulonte diçka me rëndësi të madhe.

6. Cilën ftesë bëri Jezui dhe çfarë zbuloi përgjigjja e të riut të pasur për sa i përket zemrës së tij?

6 Për t’i treguar qartë atij të riu se çfarë i mungonte, Jezui i ofroi një mundësi të mrekullueshme: «Eja e bëhu ithtari im.» Mendo: Biri i Perëndisë Më të Lartë e ftoi drejtpërdrejt atë njeri që ta ndiqte! Gjithashtu, Jezui i premtoi një shpërblim që as ia priste mendja. I tha: «Do të kesh një thesar në qiell.» A e rrëmbeu menjëherë ai udhëheqës i ri e i pasur këtë mundësi, këtë ftesë të mrekullueshme? Tregimi vazhdon: «Ai u trishtua nga këto fjalë dhe iku i hidhëruar, sepse kishte shumë zotërime.» (Marku 10:21, 22) Pra, këto fjalë të befasishme të Jezuit zbuluan një problem që kishte në zemër ai njeri. Ishte tepër i lidhur me zotërimet e tij dhe, pa dyshim, edhe me pushtetin e prestigjin që sillnin ato. Mjerisht, dashuria për këto gjëra ishte shumë herë më e madhe se dashuria që mund të kishte për Krishtin. Pra, ajo «gjë» që i mungonte ishte dashuria e sinqertë dhe vetëmohuese për Jezuin e për Jehovain. Ngaqë s’kishte këtë dashuri, ai i ri hodhi poshtë një ftesë që s’do t’i vinte më! Po, ç’lidhje ka kjo me ty?

7. Pse mund të jemi të sigurt se ftesa e Jezuit na përfshin edhe ne sot?

7 Ftesa e Jezuit nuk ishte vetëm për atë njeri dhe as vetëm për disa njerëz. Jezui tha: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le . . . të më ndjekë vazhdimisht.» (Luka 9:23) Shiko që këtu thuhet «ndokush», pra është e papërcaktuar, kështu që kushdo mund të bëhet ithtar i Krishtit, nëse «dëshiron» vërtet. Perëndia i tërheq këta njerëz me zemër të sinqertë drejt Birit të tij. (Gjoni 6:44) Jo vetëm të pasurve, jo vetëm të varfërve, jo vetëm njerëzve të një race ose kombi dhe jo vetëm atyre që jetuan në atë kohë, por të gjithëve u jepet mundësia të pranojnë ftesën e Jezuit. Prandaj, fjalët e Jezuit, «eja e bëhu ithtari im», zbatohen edhe për ty. Përse duhet të dëshirosh të bëhesh ithtar i Krishtit? E çfarë përfshin kjo?

Pse të jesh ithtar i Krishtit?

8. Çfarë nevoje kanë të gjithë njerëzit dhe përse?

8 Duhet të pranojmë një të vërtetë: ne kemi shumë nevojë për një udhëheqje të mirë. Jo të gjithë njerëzit e pranojnë se e kanë këtë nevojë, por gjithsesi ajo ekziston. Jeremia, një profet i Jehovait, u frymëzua të hidhte me shkrim këtë të vërtetë absolute: «Unë e di mirë, o Jehova, se nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Njerëzit nuk kanë as aftësinë dhe as të drejtën të vetëqeverisen. Me të vërtetë, historia njerëzore tregon kryesisht për udhëheqës të paaftë. (Eklisiastiu 8:9) Në kohën e Jezuit, udhëheqësit i shtypnin, i keqtrajtonin dhe i mashtronin njerëzit. Me zgjuarsi, Jezui vërejti se njerëzit e thjeshtë ishin «si dele pa bari». (Marku 6:34) E njëjta gjë vlen për njerëzimin sot. Si grup dhe si individë, kemi nevojë për një udhëheqës të cilit mund t’i besojmë e që mund ta respektojmë. A është Jezui një udhëheqës i tillë? Shiko disa arsye pse përgjigjemi po.

9. Çfarë e dallon Jezuin nga gjithë udhëheqësit e tjerë?

9 Së pari, Jezuin e zgjodhi Perëndia Jehova. Shumicën e udhëheqësve njerëzorë i zgjedhin njerëzit e papërsosur, të cilët shpesh mashtrohen dhe kanë prirjen të mos gjykojnë drejt. Jezui është një lloj tjetër udhëheqësi. Vetë titulli i tij na e thotë këtë. Fjala «Krisht», njësoj si fjala «Mesia», do të thotë «i Mirosuri». Po, Jezui u miros ose u caktua posaçërisht në pozitën e tij të shenjtë nga vetë Zotëria Sovran i universit. Perëndia Jehova tha për Birin e tij: «Ja, shërbëtori im, të cilin e zgjodha, i dashuri im, të cilin shpirti im e miratoi! Unë do të vë tek ai frymën time.» (Mateu 12:18) Askush nuk e di më mirë se Krijuesi ynë se ç’lloj udhëheqësi na duhet. Mençuria e Jehovait është e pafund, prandaj kemi arsye të forta për t’i besuar zgjedhjes së tij.—Proverbat 3:5, 6.

10. Pse shembulli i Jezuit është më i miri që mund të ndjekin njerëzit?

10 Së dyti, Jezui na la një shembull të përsosur dhe frymëzues. Udhëheqësi më i mirë duhet të ketë cilësi që nënshtetasit e tij t’i admirojnë e t’i imitojnë. Ai udhëheq me anë të shembullit të tij, duke i frymëzuar të tjerët që të bëhen njerëz më të mirë. Cilat cilësi do të vlerësonit më shumë te një udhëheqës? Guximin? Mençurinë? Dhembshurinë? Po qëndrueshmërinë përballë vështirësive? Ndërsa studion jetën e Jezuit në tokë, do të shohësh se ai i kishte këto cilësi, e madje edhe shumë të tjera. Jezui ishte pasqyrimi i përsosur i Atit të tij qiellor dhe e shfaqte në masë të plotë çdo cilësi të Tij. Ishte tamam një njeri i përsosur, në çdo drejtim. Prandaj, në çdo gjë që bëri, në çdo fjalë që tha e në çdo ndjenjë që shfaqi, gjejmë diçka që ia vlen ta imitojmë. Bibla thotë se ai na la ‘një model, që të ndjekim me kujdes gjurmët e tij’.—1 Pjetrit 2:21.

11. Si tregoi Jezui se ishte «bariu i shkëlqyer»?

11 Së treti, Krishti jetoi plotësisht në përputhje me pohimin e tij: «Unë jam bariu i shkëlqyer.» (Gjoni 10:14) Njerëzit në kohët biblike e kuptonin mirë këtë krahasim. Barinjtë punonin shumë për t’u kujdesur për delet që kishin në ngarkim. Një ‘bari i shkëlqyer’ do ta vinte sigurinë dhe mirëqenien e kopesë para së tijës. Për shembull, paraardhësi i Jezuit, Davidi, kishte qenë bari në rininë e tij dhe më shumë se një herë e kishte rrezikuar jetën për të ruajtur delet nga sulmet e bishave grabitqare. (1 Samuelit 17:34-36) Jezui shkoi edhe më tej, për të mirën e ithtarëve të tij njerëzorë. Ai dha jetën për ta. (Gjoni 10:15) Sa udhëheqës kanë këtë frymë vetësakrifikuese?

12, 13. (a) Si i njeh bariu delet e tij dhe si e njohin ato bariun? (b) Pse dëshiron të kesh udhëheqjen e Bariut të Shkëlqyer?

12 Jezui ishte «bariu i shkëlqyer» edhe në një kuptim tjetër. Ai tha: «Unë . . . i njoh delet e mia, dhe delet e mia më njohin.» (Gjoni 10:14) Mendo për këtë përshkrim që bën Jezui. Për një kalimtar të rastësishëm, një kope me dele është thjesht një tufë bagëtish. Kurse bariu njeh çdo dele me imtësi. Ai e di se cilat dele do të kenë nevojë për ndihmën e tij së shpejti, kur të lindin qengjat. E di cilët qengja kanë nevojë t’i mbajë ende në krahë, sepse janë tepër të vegjël e të dobët që të ecin vetë për një rrugë të gjatë, dhe cilat dele kanë qenë sëmurë kohët e fundit ose janë plagosur. Por edhe delet e njohin bariun e tyre. Ato ia njohin zërin dhe nuk e ngatërrojnë kurrë me zërin e një bariu tjetër. Kur në zërin të bariut ka një ndjenjë alarmi ose urgjence, delet përgjigjen menjëherë. Ato e ndjekin kudo që i drejton ai. Dhe ai e di tamam vendin e duhur ku t’i drejtojë. E di ku është më i dendur dhe i gjelbër bari, ku janë të freskëta e të pastra rrjedhat e ujit, ku janë të sigurta kullotat. Ndërsa bariu vigjilon mbi to, delet e ndiejnë se janë të sigurta.—Psalmi 23.

13 A nuk ta dëshiron zemra një udhëheqje të tillë? Për Bariun e Shkëlqyer kemi shumë prova të pamohueshme se i trajtonte ithtarët e tij pikërisht kështu. Ai premton se do të të udhëheqë drejt një jete të lumtur e të kënaqshme tani, dhe drejt një të ardhmeje të përhershme! (Gjoni 10:10, 11; Zbulesa 7:16, 17) Atëherë duhet të dimë se çfarë përfshin të ndjekim Krishtin.

Ç’do të thotë të jesh ithtar i Krishtit?

14, 15. Pse, për të qenë ithtarë të Krishtit, nuk mjafton të pohojmë se jemi të krishterë ose të krijojmë një lidhje emocionale me Jezuin?

14 Qindra milionë njerëz sot mendojnë se tashmë e kanë pranuar ftesën e Krishtit. Fundja kanë zgjedhur të quhen të krishterë. Ndoshta i përkasin kishës ku i kanë pagëzuar prindërit. Ose mund të pohojnë se kanë një lidhje emocionale me Jezuin dhe e pranojnë si Shpëtimtarin e tyre. Por, a i bën kjo ithtarë të Krishtit? A kishte këtë në mendje Jezui, kur na ftoi për t’u bërë ithtarë të tij? Jo, përfshihet shumë më tepër.

15 Mendo për botën e krishterë, domethënë për ato kombe ku shumica e njerëzve thonë se janë ithtarë të Krishtit. A pasqyrojnë mësimet e Jezu Krishtit ato fe që quhen të krishtere? Apo shohim në ato vende urrejtje, shtypje, krime dhe padrejtësi njësoj si në pjesën tjetër të botës? Udhëheqësi i respektuar hinduist, Mohandas Gandi, tha njëherë: «Nuk njoh asnjë që të ketë bërë më shumë për njerëzimin sesa Jezui. Në të vërtetë, nuk ka asgjë të keqe te besimi i krishterë.» Por shtoi: «Problemi qëndron te ju të krishterët. Ju as nuk përpiqeni të jetoni sipas asaj që u mësoni të tjerëve.»

16, 17. Çfarë mungon shpesh tek ata që thonë se janë të krishterë, dhe çfarë i dallon ithtarët e vërtetë të Krishtit?

16 Jezui tha se ithtarët e tij të vërtetë do të njihen jo vetëm nga ajo që thonë ose nga emri që mbajnë, por kryesisht nga ajo që bëjnë. Për shembull, ai tha: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por do të hyjë ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.» (Mateu 7:21) Po pse kaq shumë veta që thonë se Jezui është Zotëria i tyre, nuk bëjnë vullnetin e Atit të tij? Kujto udhëheqësin e ri e të pasur. Shumë shpesh, atyre që pohojnë se janë të krishterë, ‘u mungon një gjë’: dashuria me gjithë shpirt për Jezuin dhe për Atë që e dërgoi.

17 Po si ka mundësi? Ata miliona veta që thonë se janë të krishterë, a nuk pohojnë edhe se e duan Krishtin? Patjetër. Por dashuria për Jezuin e për Jehovain përfshin shumë më tepër sesa vetëm fjalë. Jezui tha: «Nëse dikush më do, ai do ta zbatojë fjalën time.» (Gjoni 14:23) E duke folur përsëri si një bari, tha: «Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin.» (Gjoni 10:27) Po, prova e vërtetë që japim për dashurinë tonë për Krishtin, nuk janë fjalët ose ndjenjat tona, por kryesisht veprimet.

18, 19. (a) Si duhet të ndikojë te ne ajo që mësojmë për Jezuin? (b) Cili është qëllimi i këtij libri dhe si do t’u sjellë dobi atyre që prej kohësh e konsiderojnë veten ithtarë të Krishtit?

18 Gjithsesi, veprimet tona duhet ta kenë burimin diku. Ato janë pasqyrim i njeriut që jemi përbrenda. Pikërisht këtu duhet të fillojmë të punojmë. Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Nëse marrim njohuri të saktë për Jezuin dhe meditojmë rreth saj, do të na preket zemra. Do të fillojmë ta duam gjithnjë e më shumë Jezuin, duke krijuar përbrenda një dëshirë gjithnjë e më të madhe për ta ndjekur ditë për ditë.

19 Ky është edhe qëllimi i këtij libri. Nuk ka si synim të bëjë një përmbledhje të plotë të jetës dhe të shërbimit të Jezuit, por të na ndihmojë të kuptojmë më qartë se si ta ndjekim. * Do të na ndihmojë të shihemi në pasqyrën e Shkrimeve dhe të pyesim veten: ‘A po e ndjek vërtet Jezuin?’ (Jakovi 1:23-25) Ndoshta ke shumë kohë që e konsideron veten një dele që udhëhiqet nga Bariu i Shkëlqyer. Por, a nuk mendon edhe ti se mund të ketë gjithnjë vend për të përmirësuar? Bibla na nxit: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.» (2 Korintasve 13:5) Ia vlen çdo përpjekje që bëjmë për t’u siguruar se po udhëhiqemi nga Bariu ynë i Shkëlqyer e i dashur, Jezui, të cilin e ka caktuar vetë Jehovai që të na udhëheqë.

20. Çfarë do të shqyrtojmë në kapitullin vijues?

20 Urojmë që studimi i këtij libri të të ndihmojë që ta shtosh dashurinë për Jezuin dhe për Jehovain. Duke u udhëhequr në jetë nga kjo dashuri, do të gjesh paqen dhe kënaqësinë më të madhe që është e mundur në këtë botë të vjetër, dhe do të jetosh për t’i dhënë lavdi përgjithmonë Jehovait, që ka siguruar për ne Bariun e Shkëlqyer. Natyrisht, studimi për jetën e Krishtit duhet bazuar në themelin e duhur, prandaj është me vend që në kapitullin e dytë të shqyrtojmë rolin e Jezuit në qëllimin që ka Jehovai për krijesat e tij.

^ Jezui nuk i kërkoi çdo ithtari të hiqte dorë nga të gjitha zotërimet e veta. E ndonëse tha se është e vështirë për një të pasur që të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë, ai shtoi: «Për Perëndinë gjithçka është e mundur.» (Marku 10:23, 27) Në fakt, disa të pasur u bënë ithtarë të Krishtit. Ata morën këshilla specifike në kongregacionin e krishterë, por nuk iu kërkua t’u jepnin gjithë pasurinë e tyre të varfërve.—1 Timoteut 6:17.

^ Për një përmbledhje të plotë kronologjike të ngjarjeve nga jeta dhe shërbimi i Jezuit, shih librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.