Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 14

«Iu afrua një turmë e madhe»

«Iu afrua një turmë e madhe»

«Lërini fëmijët të vijnë tek unë»

1-3. Ç’ndodh kur prindërit sjellin fëmijët e tyre te Jezui dhe çfarë tregon për Jezuin ky episod?

 JEZUI e di se po i afrohet me të shpejtë fundi i jetës këtu në tokë. I kanë mbetur vetëm disa javë, por ka ende kaq shumë për të bërë! Ai po predikon bashkë me apostujt në Pere, një krahinë që ndodhet në lindje të lumit Jordan. Po shkojnë drejt jugut, për në Jerusalem, ku Jezui do të kremtojë Pashkën e tij të fundit, që do të ketë një kulm dramatik.

2 Pas një diskutimi të rëndësishëm të Jezuit me disa udhëheqës fetarë, bëhet disi rrëmujë. Njerëzit po sjellin fëmijët që të shohin Jezuin. Me sa duket, fëmijët janë të moshave të ndryshme, pasi Marku i përshkruan me të njëjtën fjalë që përdori më parë për një 12-vjeçare, kurse Luka përdor një fjalë që mund të përkthehet edhe «foshnja». (Luka 18:15; Marku 5:41, 42; 10:13) Natyrisht, kudo ku ka fëmijë, ka edhe zhurmë e rrëmujë. Dishepujt e Jezuit i qortojnë prindërit, ndoshta sepse mendojnë që Zotëria është deri në fyt me punë dhe s’ka nge të merret me fëmijët. Çfarë bën Jezui?

3 Kur sheh ç’po ndodh, Jezui zemërohet. Po me kë? Me fëmijët? Me prindërit? Jo, me dishepujt e tij! Ai u thotë: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos u mundoni t’i ndalni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si këta. Vërtet po ju them: kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë kurrsesi në të.» Pastaj Jezui i merr fëmijët «në krahë» dhe i bekon. (Marku 10:13-16) Gjuha që përdor këtu Marku lë të kuptohet se Jezui i përqafon me përzemërsi, e ndoshta, siç thotë një përkthim tjetër, edhe i përkund foshnjat në krahë. Kuptohet qartë se Jezui i do shumë fëmijët. Megjithatë nga ky episod mësojmë diçka tjetër për të: është njeri i afrueshëm.

4, 5. (a) Pse jemi të sigurt se Jezui ishte i afrueshëm? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë kapitull?

4 Po qe se Jezui do të kishte qenë i ashpër, i ftohtë ose krenar, nuk do t’i tërhiqte fëmijët dhe as prindërit nuk do të ishin ndier të lirshëm për t’iu afruar. Përfytyroje pak atë skenë. A i sheh fytyrat e kënaqura të prindërve ndërsa ky njeri i dashur u tregon përzemërsi fëmijëve të tyre dhe flet për vlerën që kanë në sytë e Perëndisë e i bekon? Po, edhe pse mbante mbi supe një përgjegjësi shumë të rëndë, Jezui mbeti deri në fund njeriu më i afrueshëm.

5 Kush tjetër mendonte se Jezui ishte i afrueshëm? Pse ishte kaq e lehtë t’i afroheshe atij? E si të mësojmë të jemi si Jezui në këtë drejtim? Le të shohim.

Kush mendonte se Jezui ishte i afrueshëm?

6-8. Me kë shoqërohej shpesh Jezui dhe si ndryshonte qëndrimi që kishte ndaj tyre nga ai i udhëheqësve fetarë?

6 Teksa lexon tregimet e Ungjillit, me siguri të bën përshtypje sa shumë veta i afroheshin pa ngurrim Jezuit. Për shembull, kur lexojmë për të, shpesh lexojmë edhe për «turma të mëdha». «Turma të mëdha e ndiqnin nga Galilea.» «Përreth iu mblodh një turmë e madhe.» «Iu afrua një turmë e madhe.» «Bashkë me Jezuin po udhëtonin turma të mëdha.» (Mateu 4:25; 13:2; 15:30; Luka 14:25) Po, shpesh Jezui ishte i rrethuar nga turma të mëdha njerëzish.

7 Përgjithësisht këta ishin njerëz të thjeshtë, të cilët udhëheqësit fetarë i quanin me përbuzje «njerëz të tokës». Farisenjtë dhe priftërinjtë thoshin hapur: «Kjo turmë që nuk e njeh Ligjin, janë njerëz të mallkuar.» (Gjoni 7:49) Shkrime të mëvonshme rabinike e vërtetojnë këtë qëndrim. Shumë udhëheqës fetarë i shihnin këta njerëz si të përçmuar, nuk hanin me ta, nuk blinin gjë prej tyre dhe as shoqëroheshin me ta. Madje disa ngulnin këmbë se për këta nuk kishte shpresë ringjalljeje, sepse nuk e njihnin ligjin gojor! Me siguri, shumë njerëz të thjeshtë u rrinin larg këtyre udhëheqësve, në vend që të shkonin e t’u kërkonin ndihmë a drejtim. Kurse Jezui ishte ndryshe.

8 Jezui shoqërohej lirshëm me njerëzit e thjeshtë. Hante bukë me ta, i shëronte, i mësonte dhe u jepte shpresë. Natyrisht, Jezui ishte realist dhe e kuptonte se shumica e njerëzve nuk do ta pranonin mundësinë që po u jepej për t’i shërbyer Jehovait. (Mateu 7:13, 14) Megjithatë, ai shihte me shpresë çdo njeri dhe te shumë prej tyre shihte se kishin aftësinë të vepronin drejt. Çfarë ndryshimi nga ata priftërinj e farisenj zemërgur! Madje, është për t’u habitur që Jezuit i afroheshin edhe priftërinjtë e farisenjtë, e disa prej tyre bënë ndryshime në jetë dhe e ndoqën. (Veprat 6:7; 15:5) Edhe disa njerëzve të pasur e me pushtet, Jezui u dukej i afrueshëm.​—Marku 10:17, 22.

9. Pse grave u dukej i afrueshëm Jezui?

9 Gratë nuk ngurronin t’i afroheshin Jezuit. Shpeshherë ato duhet ta kenë ndier përbuzjen poshtëruese të udhëheqësve fetarë. Në përgjithësi rabinët nuk ishin dakord që dikush të mësonte gratë. Në fakt, gratë nuk i lejonin të dëshmonin në gjyq, sepse nuk i konsideronin të besueshme si dëshmitare. Madje rabinët kishin një lutje ku falënderonin Perëndinë që nuk ishin gra! E megjithatë gratë nuk gjetën te Jezui asnjë gjurmë përçmimi të tillë. Shumë gra iu afruan atij me dëshirën për të mësuar. Për shembull, lexojmë se Maria, motra e Lazarit, rrinte ulur te këmbët e Zotërisë, gjithë sy e vesh për të kapur fjalët e Jezuit, ndërkohë që e motra, Marta, vinte vërdallë tërë ankth nëpër shtëpi për të përgatitur ushqim. Jezui e lavdëroi Marinë që u kishte dhënë përparësi gjërave të duhura.​—Luka 10:39-42.

10. Si ndryshonte Jezui nga udhëheqësit fetarë për mënyrën si i trajtonte të sëmurët?

10 Të sëmurët, po ashtu, shkonin me turma te Jezui, ndonëse shpesh trajtoheshin nga udhëheqësit fetarë si të përjashtuar nga shoqëria. Në Ligjin e Moisiut urdhërohej që të lebrosurit të viheshin në karantinë për arsye shëndetësore, por s’kishte asnjë bazë për t’u treguar shpirtligj me ta. (Levitiku, kapitulli 13) Kurse, sipas rregullave të mëvonshme rabinike, të lebrosurit ishin po aq të neveritshëm sa jashtëqitjet. Disa udhëheqë fetarë arrinin deri aty sa u gjuanin me gurë të lebrosurve për t’i mbajtur larg. E kemi të vështirë ta përfytyrojmë se si ata që ishin trajtuar në mënyrë të tillë mund të merrnin guximin për t’iu afruar ndonjë mësuesi, por ja që të lebrosurit i afroheshin Jezuit. Njëri prej tyre tha edhe këtë shprehje të famshme që tregonte besimin e tij: «Zotëri, po të duash, ti mund të më pastrosh.» (Luka 5:12) Përgjigjen e Jezuit do ta shqyrtojmë në kapitullin vijues. Për tani, mjafton të themi që kjo është prova më e gjallë se Jezui ishte i afrueshëm.

11. Cili shembull tregon se njerëzit e rënduar nga ndjenjat e fajit ndiheshin të lirshëm t’i afroheshin Jezuit dhe përse është e rëndësishme kjo?

11 Jezuit i afroheshin lirisht edhe ata që ndiheshin të rënduar nga ndjenja e fajit. Për shembull, në një rast ai ishte shtruar për të ngrënë në shtëpinë e një fariseu. Aty hyri një grua që ishte e njohur si mëkatare, u gjunjëzua te këmbët e Jezuit dhe qau, sepse e ndiente veten fajtore. Lotët i ranë mbi këmbët e Jezuit dhe ajo ia fshiu me flokët e saj. I zoti i shtëpisë u spraps me përbuzje dhe e gjykoi ashpër Jezuin që e lejoi këtë grua t’i afrohej, kurse Jezui me dashamirësi e lavdëroi gruan për pendimin e sinqertë dhe e siguroi se Jehovai e kishte falur. (Luka 7:36-50) Sot, më shumë se kurrë, njerëzit që janë të rënduar nga ndjenja e fajit, kanë nevojë të ndihen të lirë për t’iu afruar atyre që mund t’i ndihmojnë për t’i ndrequr gjërat me Perëndinë! Por, pse ishte kaq i afrueshëm Jezui?

Pse ishte i afrueshëm Jezui?

12. Pse nuk habitemi që Jezui ishte i afrueshëm?

12 Mos harro se Jezui imitonte me përsosmëri Atin e tij të dashur qiellor. (Gjoni 14:9) Bibla na kujton se Jehovai «nuk është larg nga secili prej nesh». (Veprat 17:27) ‘Dëgjuesi i lutjes’, Jehovai, është gjithnjë pranë shërbëtorëve të tij besnikë dhe kujtdo tjetër që dëshiron vërtet ta gjejë e t’i shërbejë. (Psalmi 65:2) Vetëm të mendosh që Personi më i fuqishëm e më i rëndësishëm në univers është edhe Personi më i afrueshëm! Edhe Jezui, ashtu si Ati i tij, i do njerëzit. Në kapitujt që do të vijojnë, do të shqyrtojmë dashurinë që Jezuit i buronte nga thellësia e zemrës. Por kryesisht njerëzit i afroheshin lirisht sepse e dallonin lehtë dashurinë që kishte për ta. Le të shqyrtojmë disa tipare të Jezuit që e bënin të qartë këtë dashuri.

13. Si mund ta imitojnë prindërit Jezuin?

13 Njerëzit e ndienin menjëherë se Jezui interesohej personalisht për ta. Ky interesim nuk zhdukej kur Jezui ishte nën presion. Siç e kemi parë tashmë, kur ata prindër i sollën fëmijët që ta shihnin, Jezui i pranoi, edhe pse ishte i zënë me punë, i ngarkuar me përgjegjësi të mëdha. Sa shembull të shkëlqyer la për prindërit! Në botën e sotme është sfidë të rritësh fëmijë. Megjithatë, është jetësore që fëmijët të ndiejnë se prindërit e tyre janë të afrueshëm. Nëse je prind, ti e di se ka raste kur je tepër i zënë dhe nuk i kushton dot fëmijës vëmendjen që kërkon. Gjithsesi, a mund ta sigurosh se do të rrish me të sapo të kesh mundësi? Po ta mbash fjalën, fëmija yt do të mësojë se durimi shpërblehet. Do të mësojë edhe se është gjithnjë i mirëpritur të të afrohet për çdo problem ose shqetësim.

14-16. (a) Cilat rrethana çuan në mrekullinë e parë të Jezuit dhe përse ishte një vepër e mrekullueshme? (b) Çfarë tregon për Jezuin mrekullia që bëri në Kanë dhe çfarë mësimi përmban për prindërit?

14 Jezui u bënte të ditur njerëzve se shqetësimet e tyre i interesonin atij. Për shembull, mendo për mrekullinë e parë që kreu. Ai ishte në një dasmë në Kanë, një qytet të Galilesë. Gjatë festës, lindi një problem i sikletshëm: mbaroi vera! Maria, nëna e Jezuit, i tregoi të birit për atë që kishte ndodhur. Çfarë bëri ai? U tha shërbyesve të mbushnin me ujë gjashtë shtamba të mëdha guri. Kur të parit të gostisë i çuan një gotë për ta provuar, ai tha se ishte verë e shkëlqyer! Mos ishte ky një mashtrim, ndonjë numër shpejtësie? Jo, uji «ishte kthyer në verë». (Gjoni 2:1-11) Njerëzit gjithnjë kanë ëndërruar të kthejnë një gjë në një tjetër. Për shekuj me radhë, burra të quajtur alkimistë u përpoqën të kthenin plumbin në ar. Nuk ia dolën mbanë kurrë, edhe pse në të vërtetë plumbi dhe ari janë elemente jashtëzakonisht të ngjashme. * Po uji dhe vera? Nga ana kimike, uji është i thjeshtë, një bashkim i dy elementeve bazë. Kurse vera përmban pothuajse një mijë substanca të përbëra nga shumë elemente bazë! Pse Jezui kreu një mrekulli të tillë për të zgjidhur këtë problem jo edhe aq të rëndësishëm, siç ishte mungesa e verës në një dasmë?

15 Problemi nuk ishte i parëndësishëm për dhëndrin e për nusen. Në lashtësi, në Lindjen e Mesme i kushtohej rëndësi e madhe mikpritjes së të ftuarve. Po të mbarohej vera në dasmë, do ta kishte vënë në siklet dhe do ta kishte bërë me turp dhëndrin dhe nusen, do t’ua kishte zymtësuar ditën e dasmës, si edhe kujtimet e saj në vitet që do të vinin. Ai problem ishte me rëndësi për ta, e po ashtu edhe për Jezuin. Prandaj bëri diçka për ta zgjidhur. A mund ta kuptosh pse njerëzit i afroheshin për problemet e tyre?

Tregoji fëmijës tënd se i qëndron afër dhe se interesohesh vërtet për të

16 Edhe këtu, prindërit mund të gjejnë një mësim me vlerë. Çfarë ndodh nëse fëmija vjen te ti, me një problem që e rëndon? Ndoshta reagimi yt i parë mund të jetë t’i thuash se po shqetësohet për diçka të parëndësishme. Madje mund të të vijë edhe për të qeshur me të. Në krahasim me hallet e tua, problemi i fëmijës mund të duket vërtet i papërfillshëm. Por mos harro se nuk është i tillë për fëmijën! Kur i intereson atij që ti e do shumë, a nuk duhet të të interesojë edhe ty? Nëse i bën të ditur fëmijës se interesohesh për problemet e tij, do të jesh edhe më i afrueshëm si prind.

17. Çfarë shembulli la Jezui për butësinë dhe përse kjo cilësi është tregues i forcës së brendshme?

17 Siç e shqyrtuam në kapitullin e tretë, Jezui ishte i butë e i përulur. (Mateu 11:29) Butësia është një cilësi e bukur, një provë e fuqishme e përulësisë që ka një njeri në zemër. Është pjesë e frytit të frymës së shenjtë të Perëndisë dhe lidhet me mençurinë hyjnore. (Galatasve 5:22, 23; Jakovi 3:13) Edhe nën provokimin më të fortë, Jezui shfaqi vetëkontroll. Butësia e tij s’ishte aspak dobësi. Një studiues tha se pas kësaj cilësie «ka forcë çeliku». Vërtet, shpeshherë na duhet forcë që të përmbajmë temperamentin tonë dhe t’i trajtojmë të tjerët me butësi. Por, ndërsa Jehovai bekon përpjekjet tona, mund ta imitojmë Jezuin e të tregojmë butësi, dhe kjo do të na bëjë më të afrueshëm.

18. Cili shembull nxjerr në pah arsyetueshmërinë e Jezuit dhe përse mendon se kjo cilësi do ta bënte të afrueshëm një njeri?

18 Jezui ishte i arsyeshëm. Në Tir atij iu afrua një grua që e kishte të bijën të «demonizuar keqas». Tri herë Jezui i bëri të ditur në mënyra të ndryshme se nuk kishte ndër mend të bënte çfarë donte ajo. Në fillim nuk foli, herën e dytë i dha një arsye pse nuk duhej të bënte atë që po i kërkonte dhe herën e tretë i bëri një ilustrim që e qartësonte edhe më shumë pikën. Gjithsesi, a e bëri këtë me ftohtësi e me kokëfortësi? A i la të kuptonte asaj gruaje se po rrezikonte duke guxuar të kundërshtonte fjalët e një njeriu kaq të madh? Jo, dukej qartë se gruaja ndihej e sigurt. Ajo jo vetëm që kërkoi ndihmë, por nguli këmbë, edhe pse u duk sikur ai nuk dëshironte ta ndihmonte. Jezui e pa besimin e jashtëzakonshëm që e shtynte atë grua të ngulmonte dhe ia shëroi të bijën. (Mateu 15:22-28) Sigurisht, arsyetueshmëria e Jezuit, gatishmëria e tij për të dëgjuar dhe për të hapur rrugë kur ishte e përshtatshme, i shtynte njerëzit që të dëshironin t’i afroheshin!

A je i afrueshëm?

19. Si ta kuptojmë nëse jemi vërtet të afrueshëm?

19 Njerëzve u pëlqen të mendojnë se janë të afrueshëm me të tjerët. Për shembull, disa njerëz me autoritet e thonë tërë mburrje se kanë një politikë me dyer të hapura, se vartësit e tyre janë gjithnjë të lirë t’u afrohen. Por Bibla përmban këtë paralajmërim të fuqishëm: «Shumë njerëz do ta shpallin dashamirësinë e tyre, por kush mund të gjejë një njeri të besueshëm?» (Proverbat 20:6) Është e lehtë të themi se jemi të afrueshëm, por, a po e imitojmë vërtet me besnikëri këtë aspekt të dashurisë së Jezuit? Përgjigjen e kësaj pyetjeje nuk do ta gjejmë në pikëpamjen që kemi ne për veten, por në pikëpamjen që kanë të tjerët për ne. Pavli tha: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit.» (Filipianëve 4:5) Secili bën mirë të pyesë: ‘Si më njohin të tjerët? Çfarë reputacioni kam?’

Pleqtë përpiqen të jenë të afrueshëm

20. (a) Pse është e rëndësishme që pleqtë e krishterë të jenë të afrueshëm? (b) Pse duhet të jemi të arsyeshëm në atë që presim nga pleqtë në kongregacion?

20 Në veçanti pleqtë e krishterë përpiqen të jenë të afrueshëm. Ata dëshirojnë shumë të jetojnë në përputhje me përshkrimin që gjejmë tek Isaia 32:1, 2: «Secili do të jetë si një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkrepi të madh në një tokë të shkretë.» Një plak mund ta sigurojë këtë mbrojtje, freskim dhe lehtësim vetëm nëse vazhdon të jetë i afrueshëm. Kuptohet, kjo nuk është gjithnjë e lehtë, sepse në këto kohë të vështira pleqtë mbajnë një peshë të madhe përgjegjësie. Gjithsesi, ata përpiqen të mos u japin kurrë të tjerëve përshtypjen se janë tepër të zënë me punë e nuk kujdesen dot për nevojat e deleve të Jehovait. (1 Pjetrit 5:2) Pjesëtarët e tjerë të kongregacionit përpiqen të jenë të arsyeshëm në atë që presin nga këta burra të besueshëm, duke treguar një frymë përulësie dhe bashkëpunimi.​—Hebrenjve 13:17.

21. Si mund të jenë gjithnjë të gatshëm prindërit ndaj fëmijëve dhe çfarë do të shqyrtojmë në kapitullin tjetër?

21 Prindërit përpiqen të mos jenë asnjëherë të zënë për fëmijët e tyre. Çështja është mjaft serioze! Ata duan që fëmijët e tyre ta dinë se mund t’i hapen pa problem babit ose mamit. Prandaj, prindërit e krishterë bëjnë kujdes që të jenë të butë e të arsyeshëm, të shmangin reagimet e tepruara kur fëmija u rrëfen një gabim ose thotë ndonjë mendim të pasaktë. Ndërkohë që i stërvitin me durim fëmijët, prindërit përpiqen të jenë përherë të gatshëm për të dëgjuar e për të komunikuar. Në fakt, të gjithë ne duam të jemi gjithnjë të afrueshëm, ashtu si Jezui. Në kapitullin tjetër, do të flasim për dhembshurinë e përzemërt të Jezuit, një nga cilësitë kryesore që e bënin të afrueshëm.

^ Ata që studiojnë kiminë e dinë se plumbi dhe ari janë shumë afër në sistemin periodik të elementeve. Thjesht, një atom plumbi ka në bërthamë tre protone më tepër se ari. Fizikanët e sotëm kanë arritur madje të kthejnë në ar sasi të vogla plumbi, por ky proces harxhon kaq shumë energji, sa nuk ia vlen për nga kostoja.