Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 16

«Jezui . . . i deshi ata deri në fund»

«Jezui . . . i deshi ata deri në fund»

1, 2. Si e kalon Jezui mbrëmjen e tij të fundit me apostujt dhe përse këto çaste të fundit janë të çmuara për të?

 JEZUI i mbledh apostujt në dhomën e sipërme të një shtëpie në Jerusalem, duke e ditur se kjo është mbrëmja e fundit që do të kalojë me ta. Po afrohet koha që ai të kthehet tek Ati i tij. Vetëm pak orë më vonë, Jezuin do ta arrestojnë dhe besimi i tij do të sprovohet si kurrë më parë. E megjithatë, as vdekja që po i kanoset nuk e shpërqendron nga kujdesi për nevojat e apostujve.

2 Jezui i ka përgatitur apostujt për ikjen e tij, por ende ka disa gjëra për të thënë, që t’i forcojë për atë që i pret. Prandaj, këto çaste të fundit të çmuara i kalon duke u dhënë mësime jetësore që do t’i ndihmojnë të qëndrojnë besnikë. Fjalët që thotë janë ndër më të përzemërtat e më të ngrohtat që u ka thënë ndonjëherë. Por, pse Jezui është i shqetësuar më shumë për apostujt sesa për veten? Pse këto orë të fundit që kalon me ta janë kaq të çmuara për të? Me një fjalë të vetme, përgjigjja është: dashuria. Dashuria që ndien për ta është shumë e thellë.

3. Si e dimë që Jezui nuk priti deri sa të vinte ajo mbrëmje e fundit për t’u treguar dashuri ithtarëve të tij?

3 Disa dhjetëvjeçarë më vonë, në fillim të tregimit të tij të frymëzuar për ngjarjet që ndodhën atë mbrëmje, apostulli Gjon shkroi: «Jezui e dinte që përpara festës së pashkës se i kishte ardhur ora të largohej nga kjo botë për tek Ati. Dhe, meqë i kishte dashur të vetët që ishin në botë, ai i deshi ata deri në fund.» (Gjoni 13:1) Mirëpo Jezui nuk priti deri sa të vinte ajo mbrëmje për t’u treguar dashurinë e tij ‘të vetëve’. Gjatë gjithë shërbimit, në gjëra të vogla e të mëdha, ai dha prova të dashurisë së tij për dishepujt. Na bën mirë të shqyrtojmë disa mënyra se si e tregoi ai dashurinë, sepse duke e imituar në këtë drejtim, tregojmë se jemi dishepuj të vërtetë të tij.

Tregonte durim

4, 5. (a) Pse i duhej durim Jezuit në marrëdhënien me dishepujt? (b) Si reagoi Jezui kur tre apostujt nuk qëndruan vigjilentë në kopshtin e Getsemanisë?

4 Dashuria dhe durimi janë të gërshetuara me njëra-tjetrën. Te 1 Korintasve 13:4 thuhet se «dashuria është shpirtgjerë», dhe shpirtgjerësia përfshin të durosh të tjerët. A i duhej durim Jezuit në marrëdhëniet e tij me dishepujt? S’diskutohet që po! Siç e pamë në kapitullin e tretë, apostujt s’e kishin të lehtë të zhvillonin përulësinë. Më shumë se një herë, debatuan me njëri-tjetrin se kush ishte më i madhi prej tyre. Si reagoi Jezui? A u zemërua e u përgjigj me indinjatë ose inat? Jo, arsyetoi me durim me ta, edhe mbrëmjen e fundit që ishin bashkë, kur lindi «një debat i zjarrtë» për këtë çështje.​—Luka 22:24-30; Mateu 20:20-28; Marku 9:33-37.

5 Pak më vonë po atë natë, kur Jezui shkoi në kopshtin e Getsemanisë me 11 apostujt besnikë, prapë iu vu në provë durimi. Ai la pas tetë apostuj, mori me vete Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin e hyri më thellë në kopsht. Këtyre të treve u tha: «Shpirti im është thellësisht i hidhëruar, madje për vdekje. Rrini këtu dhe qëndroni vigjilentë.» Vetë shkoi pak më larg dhe nisi të lutej me zjarr. Pasi u lut për një kohë të gjatë, u kthye te tre apostujt. Ç’po bënin ata? Në këtë orë, kur Jezuin e priste sprova më e madhe, ata i kishte zënë gjumi! A i qortoi ai për mungesën e vigjilencës? Jo, i nxiti me durim. Nga fjalët e tij të buta u duk qartë se e kuptonte stresin që kishin, si dhe dobësitë e tyre. * «Sigurisht, fryma është gati,​—tha ai,—​por mishi është i dobët.» Jezui nuk e humbi durimin atë natë, edhe kur erdhi e i gjeti prapë në gjumë jo një, por dy herë të tjera!​—Mateu 26:36-46.

6. Si ta imitojmë Jezuin në marrëdhëniet tona me të tjerët?

6 Na ngrohet zemra kur vërejmë se Jezui nuk hoqi dorë nga apostujt e tij. Durimi i tij u shpërblye në fund, sepse këta burra besnikë e mësuan se ishte e rëndësishme të ishin të përulur e vigjilentë. (1 Pjetrit 3:8; 4:7) Si ta imitojmë ne Jezuin në marrëdhëniet me të tjerët? Në veçanti pleqtë duhet të jenë të duruar. Bashkëbesimtarët mund të shkojnë te një plak për problemet e tyre në një moment kur plaku është për vete i lodhur ose e ka mendjen te hallet e veta. Nganjëherë, ata që kanë nevojë për ndihmë mund të mos u përgjigjen shpejt këshillave. Megjithatë, pleqtë e duruar do t’i mësojnë «me butësi» dhe «do ta trajtojnë kopenë me zemërbutësi». (2 Timoteut 2:24, 25; Veprat 20:28, 29) Edhe prindërit bëjnë mirë të imitojnë Jezuin që tregonte durim, sepse nganjëherë fëmijët mund të mos u përgjigjen shpejt këshillave ose disiplinës. Dashuria dhe durimi do t’i ndihmojë prindërit të mos heqin dorë nga përpjekjet për të stërvitur fëmijët e tyre. Shpërblimet e këtij durimi janë vërtet të mëdha.​—Psalmi 127:3.

Kujdesej për nevojat e tyre

7. Si u kujdes Jezui për nevojat fizike e materiale të dishepujve?

7 Dashuria duket nga veprimet altruiste. (1 Gjonit 3:17, 18) Ajo «nuk kërkon interesat e veta». (1 Korintasve 13:5) Dashuria e shtynte Jezuin të kujdesej për nevojat fizike e materiale të dishepujve të tij. Shpesh ai ua plotësonte nevojat edhe më përpara se t’ia shprehnin ato. Kur pa që ishin të lodhur, u sugjeroi ta shoqëronin ‘veçmas në një vend të vetmuar dhe të pushonin pak’. (Marku 6:31) Kur kuptoi se ishin të uritur, me nismën e vet i ushqeu ata, si edhe mijëra të tjerë që kishin ardhur tek ai për ta dëgjuar teksa mësonte.​—Mateu 14:19, 20; 15:35-37.

8, 9. (a) Nga duket se Jezui i kuptonte nevojat frymore të dishepujve të tij dhe kujdesej për to? (b) Si e tregoi Jezui, kur ishte në shtyllën e torturës, interesimin e thellë për nënën e tij?

8 Jezui i kuptonte nevojat frymore të dishepujve dhe kujdesej për to. (Mateu 4:4; 5:3) Kur mësonte të tjerët, shpesh ai u kushtonte vëmendje të veçantë dishepujve të tij. Predikimin në Mal e mbajti sidomos për dobinë e dishepujve. (Mateu 5:1, 2, 13-16) Kur mësonte me ilustrime, «dishepujve të tij u shpjegonte gjithçka veçmas». (Marku 4:34) Jezui paratha se do të emëronte një ‘skllav të besueshëm e të matur’ për t’u siguruar se ithtarët e Tij do të ushqeheshin mirë frymësisht gjatë ditëve të fundit. Ky skllav besnik, i përbërë nga një grup i vogël i vëllezërve të Jezuit këtu në tokë që janë të mirosur nga fryma, ka siguruar me besueshmëri ushqim frymor «në kohën e duhur» që nga viti 1919 i e.s.​—Mateu 24:45.

9 Ditën e vdekjes së tij, Jezui e tregoi në një mënyrë prekëse interesin për mirëqenien frymore të njerëzve të tij të dashur. Përfytyro këtë skenë: Jezui ishte i gozhduar në shtyllë dhe kishte dhembje të tmerrshme. Që të merrte frymë, duhej të ngrinte trupin duke shtyrë lart këmbët. Kjo pa dyshim i shkaktonte dhembje të forta, sepse pesha e trupit ia hapte më tej plagët e gozhdëve në këmbë dhe kurrizi tërë vraga nga kamxhiku i fërkohej pas shtyllës. Që të fliste, duhej të merrte frymë më thellë e më gjatë, e kjo patjetër duhet të ketë qenë e vështirë dhe e dhembshme. E megjithatë, pak para se të vdiste, Jezui tha disa fjalë që treguan dashurinë e tij të thellë për nënën, Marinë. Kur pa Marinë dhe apostullin Gjon që po rrinte pranë saj, me zë mjaft të fortë sa ta dëgjonin ata që ishin aty, Jezui i tha nënës: «Grua, ja, biri yt!» Pastaj i tha Gjonit: «Ja, nëna jote!» (Gjoni 19:26, 27) Jezui e dinte se ky apostull besnik do të kujdesej jo vetëm për nevojat fizike e materiale të Marisë, por edhe për mirëqenien e saj frymore. *

Prindërit e dashur janë të duruar dhe u sigurojnë fëmijëve gjërat e nevojshme

10. Si mund ta imitojnë prindërit Jezuin kur kujdesen për nevojat e fëmijëve të tyre?

10 Prindërit e dashur e shohin të dobishme të meditojnë rreth shembullit të Jezuit. Një baba që e do vërtet familjen, do t’i sigurojë gjërat e nevojshme materiale. (1 Timoteut 5:8) Kryefamiljarët e ekuilibruar e të dashur gjejnë kohë edhe që familja të pushojë e të zbavitet herë pas here. Ç’është më e rëndësishmja, prindërit e krishterë kujdesen për nevojat frymore të fëmijëve të tyre. Si e bëjnë këtë? Programojnë një studim biblik familjar të rregullt dhe përpiqen që t’i bëjnë inkurajuese dhe të këndshme për fëmijët këto raste studimi. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Me fjalët dhe me shembullin e tyre, prindërit u mësojnë fëmijëve se shërbimi është një vepër e rëndësishme dhe se përgatitja për mbledhjet e krishtere e ndjekja e tyre janë pjesë thelbësore e adhurimit.​—Hebrenjve 10:24, 25.

Ishte gati për të falur

11. Çfarë u mësoi për faljen Jezui ithtarëve të tij?

11 Falja është një tipar i dashurisë. (Kolosianëve 3:13, 14) Sipas 1 Korintasve 13:5, dashuria «nuk e mban llogari të keqen». Në shumë raste, Jezui u mësoi ithtarëve të tij sa e rëndësishme ishte të falnin. I nxiti t’i falnin të tjerët «jo shtatë herë, por shtatëdhjetë e shtatë herë», domethënë pa numërim. (Mateu 18:21, 22) U mësoi se duhet ta falin dikë që ka mëkatuar, nëse pendohet kur e qortojnë. (Luka 17:3, 4) Megjithatë, Jezui nuk ishte si farisenjtë hipokritë që mësonin vetëm me fjalë. Jo, ai mësonte edhe me anë të shembullit të tij. (Mateu 23:2-4) Le të shohim se si e tregoi Jezui që ishte gati për të falur, edhe kur e zhgënjeu një mik i besuar.

12, 13. (a) Si e zhgënjeu Pjetri Jezuin natën kur u arrestua? (b) Si duket qartë nga veprimet e Jezuit pas ringjalljes, se nuk e predikonte faljen vetëm me fjalë?

12 Jezui ishte shumë mik me apostullin Pjetër, një njeri me zemër të mirë, por që rrëmbehej nganjëherë. Ai i dalloi cilësitë e mira që kishte Pjetri dhe i dha privilegje të veçanta shërbimi. Së bashku me Jakovin dhe Gjonin, Pjetri pa me sytë e tij disa mrekulli që nuk i pa pjesa tjetër e apostujve. (Mateu 17:1, 2; Luka 8:49-55) Siç e kemi thënë më parë, Pjetri ishte një nga apostujt që e shoqëroi Jezuin kur shkoi më thellë në kopshtin e Getsemanisë, natën kur e arrestuan. Megjithatë, po atë natë, kur Jezuin e tradhtuan dhe e arrestuan, Pjetri dhe apostujt e tjerë e braktisën e ia mbathën. Pak më vonë, Pjetri mori guximin të shkonte e të rrinte përjashta ndërsa Jezuin po e gjykonin në mënyrë të paligjshme. Por pastaj e zuri frika dhe bëri një gabim të rëndë​—gënjeu tri herë, duke mohuar se e njihte Jezuin! (Mateu 26:69-75) Si reagoi Jezui? Si do të kishe reaguar ti, në qoftë se një miku yt i ngushtë do të të kishte zhgënjyer në këtë mënyrë?

13 Jezui ishte gati ta falte Pjetrin, sepse e dinte që atij i rëndonte pesha e mëkatit që kishte bërë. Po, madje ky apostull i penduar «s’u përmbajt dot dhe shpërtheu në lot». (Marku 14:72) Ditën kur u ringjall, Jezui iu shfaq Pjetrit, me siguri për ta ngushëlluar e për ta qetësuar apostullin. (Luka 24:34; 1 Korintasve 15:5) Më pak se dy muaj më vonë, Jezui e nderoi Pjetrin duke e lejuar të merrte drejtimin për t’u dhënë dëshmi turmave që ishin në Jerusalem në festën e Ditës së Pesëdhjetë. (Veprat 2:14-40) Të mos harrojmë edhe se Jezui nuk u mbajti mëri as si grup apostujve që e braktisën. Përkundrazi, pas ringjalljes, prapë i quajti ‘vëllezërit e mi’. (Mateu 28:10) A s’është e qartë se Jezui nuk e predikonte faljen vetëm me fjalë?

14. Pse duhet të mësojmë të falim të tjerët dhe si e tregojmë se jemi gati të falim?

14 Si dishepuj të Krishtit, ne na duhet të mësojmë të falim të tjerët. Përse? Sepse, ndryshe nga Jezui, ne jemi të papërsosur, siç janë edhe ata që mund të mëkatojnë ndaj nesh. Herë pas here, të gjithë pengohemi në fjalë e në veprime. (Romakëve 3:23; Jakovi 3:2) Duke falur të tjerët kur ka bazë për të treguar mëshirë, hapim rrugën që Perëndia të na i falë neve mëkatet. (Marku 11:25) Por, si ta tregojmë se jemi gati t’i falim ata që mund të mëkatojnë ndaj nesh? Në shumë raste, dashuria na ndihmon t’i anashkalojmë gabimet dhe të metat e vogla të të tjerëve. (1 Pjetrit 4:8) Kur ata që na kanë lënduar pendohen sinqerisht, siç u pendua Pjetri, natyrisht që do të imitojmë Jezuin dhe do të jemi gati të falim. Në vend që të mbajmë mëri, tregohemi të mençur e nuk mbajmë mllef brenda nesh. (Efesianëve 4:32) Duke vepruar kështu, ndihmojmë që të ketë paqe në kongregacion dhe të kemi ne vetë paqe në mendje e në zemër.​—1 Pjetrit 3:11.

U bënte të qartë se kishte besim tek ata

15. Pse u besonte Jezui dishepujve, pavarësisht nga mangësitë e tyre?

15 T’i duash të tjerët dhe t’u besosh atyre janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Dashuria «beson çdo gjë». * (1 Korintasve 13:7) I shtyrë nga dashuria, Jezui u tregua i gatshëm t’u besonte dishepujve të tij, pavarësisht se ishin të papërsosur. Kishte besim tek ata dhe ishte i bindur se në zemër e donin vërtet Jehovain dhe dëshironin të bënin vullnetin e Tij. Edhe kur bënin gabime, Jezui nuk i vinte në dyshim motivet e tyre. Për shembull, kur dy apostuj, Jakovi dhe Gjoni, e shtynë nënën e tyre t’i kërkonte Jezuit që t’i uleshin përkrah në Mbretërinë e tij, ai nuk dyshoi për besnikërinë e tyre dhe as mendoi t’i hiqte si apostuj.​—Mateu 20:20-28.

16, 17. Çfarë përgjegjësish u delegoi Jezui dishepujve?

16 Jezui e tregoi se u besonte dishepujve, duke u deleguar disa përgjegjësi. Në dy raste kur e shumëfishoi ushqimin me anë të një mrekullie dhe ushqeu turmat, u delegoi dishepujve përgjegjësinë për ta shpërndarë ushqimin. (Mateu 14:19; 15:36) Ndërsa përgatitej për Pashkën e tij të fundit, caktoi Pjetrin dhe Gjonin që të shkonin në Jerusalem e të përgatitnin gjërat. Ata u morën me blerjen e qengjit, të verës, të bukës pa maja, të barishteve të hidhura dhe të sendeve të tjera që nevojiteshin. Ky s’ishte një caktim i papërfillshëm, sepse kremtimi i Pashkës në mënyrën e duhur ishte kërkesë e Ligjit të Moisiut dhe Jezui duhej të jetonte sipas atij Ligji. Veç kësaj, më vonë po atë mbrëmje, Jezui i përdori verën dhe bukën pa maja si simbole të rëndësishme, kur themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij.​—Mateu 26:17-19; Luka 22:8, 13.

17 Jezui e pa të përshtatshme t’u besonte dishepujve të tij përgjegjësi edhe më të mëdha. Siç e kemi thënë më parë, ai u delegoi një grupi të vogël të ithtarëve të tij të mirosur në tokë përgjegjësinë e rëndësishme për të përgatitur e për të shpërndarë ushqimin frymor. (Luka 12:42-44) Gjithashtu, nuk harrojmë se u la në dorë dishepujve detyrën e rëndësishme për të predikuar e për të bërë dishepuj. (Mateu 28:18-20) Edhe tani, ndonëse është i padukshëm dhe sundon nga qielli, Jezui ua ka besuar kongregacionin e tij në tokë ‘dhuratave në njerëz’ që janë të kualifikuar frymësisht për t’u kujdesur për të.​—Efesianëve 4:8, 11, 12.

18-20. (a) Si ta tregojmë se u besojmë bashkëbesimtarëve dhe kemi siguri tek ata? (b) Si ta imitojmë gatishmërinë e Jezuit për t’u deleguar përgjegjësi të tjerëve? (c) Çfarë do të shqyrtohet në kapitullin tjetër?

18 Si ta ndjekim shembullin e Jezuit në marrëdhëniet tona me të tjerët? Kur u besojmë bashkëbesimtarëve dhe kemi siguri tek ata, po tregojmë dashurinë tonë. Le të mos harrojmë se dashuria është pozitive, jo negative. Kur të tjerët na zhgënjejnë​—dhe kjo ka për të ndodhur hera-herës—​dashuria nuk do të na lejojë të nxjerrim menjëherë përfundimin se kanë motive të këqija. (Mateu 7:1, 2) Nëse mbajmë një pikëpamje pozitive për bashkëbesimtarët, do t’i trajtojmë në mënyra që ndërtojnë, jo që rrëzojnë.​—1 Selanikasve 5:11.

19 A mund ta imitojmë gatishmërinë e Jezuit për t’u deleguar përgjegjësi të tjerëve? Ata që kanë përgjegjësi në kongregacion do të nxjerrin dobi duke u deleguar të tjerëve punë të përshtatshme e domethënëse, me besimin se ata do të bëjnë më të mirën. Kështu, pleqtë me përvojë mund t’u japin një stërvitje të nevojshme e të vlefshme më të rinjve që janë të kualifikuar, të cilët po ‘synojnë’ të ndihmojnë kongregacionin. (1 Timoteut 3:1; 2 Timoteut 2:2) Kjo stërvitje është jetësore. Jehovai po vazhdon ta shpejtojë rritjen e veprës së Mbretërisë, prandaj do të duhet të stërviten burra të kualifikuar për t’u kujdesur për këtë rritje.​—Isaia 60:22.

20 Jezui na la një shembull të mrekullueshëm me dashurinë që u tregonte të tjerëve. Nga gjithë mënyrat se si mund ta ndjekim, më e rëndësishmja është të imitojmë dashurinë e tij. Në kapitullin vijues, do të shqyrtojmë shprehjen më të madhe të dashurisë së Jezuit për ne, domethënë gatishmërinë për të dhënë jetën e tij.

^ Kjo përgjumje e apostujve nuk vinte vetëm nga lodhja fizike. Tregimi paralel te Luka 22:45 thotë se Jezui «i gjeti duke dremitur ngaqë ishin të hidhëruar».

^ Me sa duket, në atë kohë Maria kishte mbetur e ve dhe fëmijët e tjerë të saj nuk ishin ende dishepuj të Jezuit.​—Gjoni 7:5.

^ Natyrisht, kjo nuk do të thotë se dashuria është naive. Përkundrazi, nënkupton se dashuria nuk bëhet vend e pa vend kritike ose dyshuese. Dashuria nuk nxitohet për të gjykuar motivet e të tjerëve e nuk nxjerr menjëherë përfundimin e keq për ta.