Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 17

«Nuk ka dashuri më të madhe se kjo»

«Nuk ka dashuri më të madhe se kjo»

1-4. (a) Ç’ndodh kur Pilati ia paraqet Jezuin turmës së zemëruar që është mbledhur para pallatit të guvernatorit? (b) Si reagon Jezui ndaj poshtërimeve dhe vuajtjeve, e cilat pyetje të rëndësishme lindin?

 «JA, NJERIU!» Me këto fjalë, guvernatori romak Ponc Pilati ia paraqet Jezu Krishtin turmës së zemëruar që është mbledhur ndaj të gdhirë para pallatit të guvernatorit, në Pashkën e vitit 33 të e.s. (Gjoni 19:5) Vetëm disa ditë më parë, turmat e nderuan Jezuin kur hyri triumfues në Jerusalem, si Mbreti i caktuar nga Perëndia. Kurse tani turma armiqësore e sheh krejt ndryshe atë.

2 Jezuit i kanë hedhur në trup një veshje të sipërme të purpurt si ajo që mbajnë mbretërit, dhe në kokë i kanë vënë një kurorë. Por kjo veshje e hedhur përsipër kurrizit të gjakosur e të bërë copë nga kamxhiku, si dhe kurora e thurur me gjemba dhe e ngulur në ballin e gjakosur, janë vënë për ta tallur gjoja se është mbret. Populli, i nxitur nga krerët e priftërinjve, nuk e do njeriun e keqtrajtuar që qëndron para tyre. Priftërinjtë bërtasin: «Vëre në shtyllë! Vëre në shtyllë!» Me zemrën e etur për vrasje, populli thërret: «Ai duhet të vdesë.»​—Gjoni 19:1-7.

3 Me dinjitet e me guxim, Jezui e duron poshtërimin dhe vuajtjet pa u ankuar fare. * Është plotësisht i përgatitur të vdesë. Më vonë, atë ditë të Pashkës, ai i nënshtrohet vullnetarisht një vdekjeje të dhembshme në shtyllën e torturës.​—Gjoni 19:17, 18, 30.

4 Duke dhënë jetën, Jezui e tregoi veten se ishte një mik i vërtetë për ithtarët e tij. «Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet»,​—tha ai. (Gjoni 15:13) Por këtu lindin disa pyetje të rëndësishme. A ishte vërtet e nevojshme që Jezui të kalonte tërë ato vuajtje e pastaj të vdiste? Pse ai ishte i gatshëm ta bënte këtë? Si ta imitojmë shembullin e tij ne që jemi «miqtë» dhe ithtarët e tij?

Pse ishte e nevojshme që Jezui të vuante e të vdiste?

5. Si i dinte Jezui sprovat specifike që e prisnin?

5 Si Mesia i premtuar, Jezui e dinte ç’do t’i ndodhte. I njihte profecitë e shumta në Shkrimet Hebraike që parathoshin me hollësi vuajtjet dhe vdekjen e Mesisë. (Isaia 53:3-7, 12; Danieli 9:26) Më shumë se një herë, i përgatiti dishepujt duke u përmendur sprovat që e prisnin. (Marku 8:31; 9:31) Rrugës për në Jerusalem, ku do të kalonte Pashkën e tij të fundit, ua tha shkoqur apostujve: «Birin e njeriut do ta dorëzojnë në dorë të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje dhe do t’ua dorëzojnë paganëve, që do të tallen me të, do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin.» (Marku 10:33, 34) Këto s’ishin fjalë të kota. Siç e pamë, Jezuin vërtet e tallën, e pështynë, e fshikulluan dhe e vranë.

6. Pse ishte e nevojshme që Jezui të vuante dhe të vdiste?

6 Por pse ishte e nevojshme që Jezui të vuante e të vdiste? Për disa arsye shumë domethënëse. Së pari, duke qëndruar besnik, Jezui do të tregonte integritetin e tij dhe do të përkrahte sovranitetin e Jehovait. Sill ndër mend se Satanai ngriti akuzën e rreme që njerëzit i shërbejnë Perëndisë vetëm për interesat e tyre egoiste. (Jobi 2:1-5) Duke qëndruar besnik «deri në vdekje . . . në një shtyllë torture», Jezui dha përgjigjen më të plotë për akuzën krejt pa baza të Satanait. (Filipianëve 2:8; Proverbat 27:11) Së dyti, vuajtjet dhe vdekja e Mesisë do të siguronin shlyerjen për mëkatet e të tjerëve. (Isaia 53:5, 10; Danieli 9:24) Jezui dha «shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz», duke na hapur rrugën që të kemi një marrëdhënie të miratuar me Perëndinë. (Mateu 20:28) Së treti, duke duruar çdo lloj vështirësie dhe vuajtjeje, Jezui «është sprovuar në çdo aspekt si ne». Prandaj është një Kryeprift i dhembshur, pasi është në gjendje ‘të bashkohet me ndjenjat tona në dobësitë që kemi’.​—Hebrenjve 2:17, 18; 4:15.

Pse Jezui ishte gati të jepte jetën e tij?

7. Nga çfarë hoqi dorë Jezui kur erdhi në tokë?

7 Për ta kuptuar saktë se çfarë ishte gati të bënte Jezui, mendo për këtë: cili njeri do të linte familjen dhe shtëpinë e tij e të shkonte në një vend të huaj, duke e ditur se banorët e atij vendi do ta refuzonin, do ta poshtëronin, do t’i shkaktonin vuajtje e në fund do ta vritnin? Tani mendo për atë që bëri Jezui. Para se të vinte në tokë, ai kishte një pozitë të lartësuar në qiell përkrah Atit. E megjithatë, vullnetarisht, Jezui la shtëpinë e tij në qiell dhe erdhi në tokë si njeri. E bëri këtë edhe pse e dinte që pjesa më e madhe e njerëzve do ta refuzonin, do ta poshtëronin në mënyrë mizore, do t’i shkaktonin vuajtje të mëdha e një vdekje të dhembshme. (Filipianëve 2:5-7) Çfarë e motivoi Jezuin të bënte një sakrificë të tillë?

8, 9. Çfarë e motivoi Jezuin të jepte jetën e tij?

8 Para së gjithash, Jezuin e motivonte dashuria e thellë për Atin e tij. Qëndrueshmëria që shfaqi, ishte tregues i dashurisë së tij për Jehovain. Ngaqë kishte këtë dashuri, Jezui ishte në merak për emrin e për reputacionin e Atit të tij. (Mateu 6:9; Gjoni 17:1-6, 26) Më shumë se çdo gjë tjetër, Jezui donte që emri i Atit të pastrohej nga sharjet që i ishin bërë. Prandaj, për të ishte nderi dhe privilegji më i madh të vuante për hir të drejtësisë, pasi e dinte se integriteti i tij do të ndihmonte për të shenjtëruar emrin e bukur e të mirë të Atit të tij.​—1 Kronikave 29:13.

9 Jezui kishte edhe një motiv tjetër pse dha jetën e vet: dashurinë për njerëzimin. Kjo dashuri zuri fill që në fillim të historisë njerëzore. Shumë kohë para se Jezui të vinte në tokë, Bibla zbulon se si ndihej ai: «I kisha për zemër gjërat që kishin lidhje me bijtë e njerëzve.» (Proverbat 8:30, 31) Kur Jezui ishte në tokë, kjo dashuri e tij ishte shumë e dukshme. Siç e pamë në tre kapitujt e mëparshëm të këtij libri, Jezui e tregoi në shumë mënyra dashurinë për njerëzit në përgjithësi e për ithtarët e tij në veçanti. Por më 14 nisan të vitit 33 të e.s., ai dha vullnetarisht shpirtin e tij për ne. (Gjoni 10:11) Vërtet, nuk kishte mënyrë më madhështore se si ta tregonte dashurinë e tij. A duhet ta imitojmë në këtë drejtim? Po. Madje na është dhënë urdhri për ta bërë këtë.

«Ta doni njëri-tjetrin . . . siç ju kam dashur unë»

10, 11. Cili është urdhërimi i ri që u dha Jezui ithtarëve të vet, çfarë përfshin dhe pse është e rëndësishme ta zbatojmë?

10 Natën para se të vdiste, Jezui u tha dishepujve të tij më të afërt: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34, 35) Pse shprehja «ta doni njëri-tjetrin» quhet një ‘urdhërim i ri’? Në Ligjin e Moisiut tashmë kishte një urdhër: «Duaje tjetrin [ose të afërmin] si veten.» (Levitiku 19:18) Por urdhërimi i ri kërkon të kemi një dashuri më të madhe, një dashuri që do të na shtynte të jepnim edhe jetën për të tjerët. Jezui vetë e bëri të qartë këtë: «Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë. Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet.» (Gjoni 15:12, 13) Me fjalë të tjera, urdhërimi i ri është: «Duaji të tjerët jo si veten, por më shumë se veten.» Me mënyrën si jetoi dhe me vdekjen e tij, Jezui ishte vërtet një shembull i qartë i kësaj dashurie.

11 Pse është e rëndësishme t’i bindemi urdhërimit të ri? Kujto çfarë tha Jezui: «Nga kjo [dashuri vetëmohuese] do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi.» Po, dashuria vetëmohuese na identifikon si të krishterë të vërtetë. Mund ta krahasojmë këtë dashuri me distinktivin që shërben për t’u identifikuar. Nëpër kongreset vjetore të Dëshmitarëve të Jehovait, delegatët mbajnë që të gjithë distinktivë. Ky distinktiv e identifikon atë që e mban, pasi tregon emrin dhe kongregacionin e tij. Dashuria vetëmohuese për njëri-tjetrin është «distinktivi» që identifikon të krishterët e vërtetë. Me fjalë të tjera, dashuria që tregojmë për njëri-tjetrin duhet të jetë kaq e dukshme sa të shërbejë si një shenjë ose distinktiv, duke u treguar atyre që na shohin se jemi vërtet ithtarë të Krishtit. Secili prej nesh duhet të pyesë veten: ‘A është i dukshëm në jetën time «distinktivi» i dashurisë vetëmohuese?’

Çfarë përfshin dashuria vetëmohuese?

12, 13. (a) Deri në ç’pikë duhet të jemi gati ta tregojmë dashurinë tonë për njëri-tjetrin? (b) Ç’do të thotë të jemi vetëmohues?

12 Si ithtarë të Jezuit, ne duhet ta duam njëri-tjetrin siç na deshi ai. Kjo do të thotë që të jemi gati të bëjmë sakrifica për bashkëbesimtarët. Deri në ç’pikë duhet të jemi gati ta bëjmë këtë? Bibla na thotë: «Nga kjo e kemi njohur dashurinë, sepse ai dha shpirtin për ne, dhe ne kemi detyrimin të japim shpirtin për vëllezërit tanë.» (1 Gjonit 3:16) Ashtu si Jezui, edhe ne duhet të jemi gati të vdesim për njëri-tjetrin, po të jetë e nevojshme. Në kohë përndjekjeje, më mirë japim jetën tonë, sesa të tradhtojmë vëllezërit tanë në besim e t’u vëmë jetën në rrezik. Në vende të përçara nga konfliktet racore ose etnike, jemi gati të rrezikojmë jetën tonë për të mbrojtur vëllezërit, pavarësisht nga prejardhja e tyre racore ose etnike. Kur kombet luftojnë kundër njëri-tjetrit, më mirë pranojmë burgosjen ose edhe vdekjen, sesa të marrim armët e të dalim kundër bashkëbesimtarëve tanë ose edhe kundër kujtdo tjetër.​—Gjoni 17:14, 16; 1 Gjonit 3:10-12.

13 Por gatishmëria për të dhënë jetën për vëllezërit nuk është e vetmja mënyrë për të treguar dashuri vetëmohuese. Në fakt, pak prej nesh do të duhet ndonjëherë të bëjnë këtë sakrificë supreme. Megjithatë, po qe se i duam vëllezërit tanë kaq shumë sa jemi gati të vdesim për ta, a nuk duhet të jemi gati të bëjmë edhe sakrifica më të vogla, duke bërë çmos t’i ndihmojmë tani? Të jemi vetëmohues do të thotë të heqim dorë nga rehatia ose përfitimi ynë, për dobinë e të tjerëve. I vëmë nevojat dhe mirëqenien e të tjerëve para tonave, edhe në qoftë se kjo nuk na volit. (1 Korintasve 10:24) Në cilat mënyra praktike mund të tregojmë dashuri vetëmohuese?

Në kongregacion dhe në familje

14. (a) Çfarë sakrificash duhet të bëjnë pleqtë? (b) Çfarë mendon për pleqtë e palodhur të kongregacionit tënd?

14 Pleqtë e kongregacionit bëjnë shumë sakrifica ‘për të kullotur kopenë’. (1 Pjetrit 5:2, 3) Përveçse duhet të kujdesen për familjen e tyre, mund të harxhojnë kohë gjatë mbrëmjeve ose në fundjavë për t’u kujdesur për çështjet e kongregacionit, si: përgatitjen për pjesët e mbledhjeve, vizitat baritore dhe çështjet gjyqësore. Shumë pleq bëjnë edhe sakrifica të tjera, duke punuar pa u lodhur nëpër asamble e kongrese dhe duke shërbyer si anëtarë të Komitetit të Lidhjes me Spitalet, të Grupeve të Asistencës dhe të Komiteteve Rajonale të Ndërtimit. Pleq, kurrë mos harroni se duke shërbyer me gatishmëri, domethënë duke harxhuar kohën, energjitë dhe burimet tuaja për të kullotur kopenë, po tregoni dashuri vetëmohuese! (2 Korintasve 12:15) Përpjekjet tuaja altruiste vlerësohen jo vetëm nga Jehovai, por edhe nga kongregacioni për të cilin kujdeseni.​—Filipianëve 2:29; Hebrenjve 6:10.

15. (a) Cilat janë disa sakrifica që bëjnë gratë e pleqve? (b) Çfarë mendon për gratë që sakrifikojnë, me qëllim që burrat e tyre të kalojnë kohë për t’u kujdesur edhe për kongregacionin tënd?

15 Por ç’të themi për gratë e pleqve? A nuk bëjnë sakrifica edhe këto gra që mbështetin burrat e tyre, me qëllim që ata të kujdesen për kopenë? Sigurisht që për një grua është sakrificë kur, kohën që mund ta kalonte me familjen, i shoqi ua kushton çështjeve të kongregacionit. Mendo edhe për gratë e mbikëqyrësve udhëtues e për sakrificat që bëjnë ato duke shoqëruar burrat nga njëri kongregacion në tjetrin e nga njëri qark në tjetrin. Ato pranojnë të mos kenë shtëpinë e tyre, e ndoshta u duhet të flenë në shtretër të ndryshëm çdo javë. Gratë që me gatishmëri vënë interesat e kongregacionit para interesave të tyre, janë për t’u lavdëruar për shprehjet bujare të dashurisë vetëmohuese.​—Filipianëve 2:3, 4.

16. Çfarë sakrificash bëjnë prindërit e krishterë për fëmijët e tyre?

16 Si mund të tregojmë dashuri vetëmohuese në familje? Ju prindër, bëni shumë sakrifica për t’u siguruar fëmijëve gjërat e nevojshme e për t’i rritur «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait». (Efesianëve 6:4) Mund t’ju duhet të punoni shumë orë e të bëni punë të lodhshme, vetëm për t’u siguruar ushqim, veshje e strehim të përshtatshëm. Jeni gati që më mirë të sakrifikoni vetë, sesa t’u sakrifikoni fëmijëve gjërat e nevojshme të jetës. Gjithashtu, bëni shumë përpjekje për të studiuar me fëmijët tuaj, për t’i marrë në mbledhjet e krishtere dhe për të dalë me ta në shërbim. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Dashuria juaj vetëmohuese i pëlqen Nismëtarit të familjes dhe mund t’u japë jetën e përhershme fëmijëve tuaj.​—Proverbat 22:6; Efesianëve 3:14, 15.

17. Si ta imitojnë burrat e krishterë qëndrimin altruist të Jezuit?

17 Ju burra, si mund ta imitoni Jezuin duke treguar dashuri vetëmohuese? Bibla përgjigjet: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.» (Efesianëve 5:25) Siç e kemi parë, Jezui i deshi kaq shumë ithtarët e vet, sa dha jetën për ta. Një burrë i krishterë imiton qëndrimin altruist të Jezuit, i cili «nuk kënaqi veten». (Romakëve 15:3) Ky burrë me gatishmëri vë nevojat dhe interesat e gruas para të tijave. Nuk ngul këmbë me kokëfortësi që të dalë e tija, por tregon gatishmëri për të hapur rrugë kur nuk përfshihen parime biblike. Burri që tregon dashuri vetëmohuese fiton miratimin e Jehovait dhe dashurinë e respektin e gruas e të fëmijëve të tij.

Ç’do të bësh?

18. Çfarë na motivon të zbatojmë urdhërimin e ri për të dashur njëri-tjetrin?

18 Nuk është e lehtë t’i bindemi urdhërimit të ri për të dashur njëri-tjetrin, por kemi një motiv të fuqishëm që na nxit ta bëjmë këtë. Pavli shkroi: «Dashuria që ka Krishti, na detyron, sepse kemi gjykuar që një njeri i vetëm vdiq për të gjithë . . . , dhe ai vdiq për të gjithë, që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit.» (2 Korintasve 5:14, 15) Meqë Jezui vdiq për ne, a nuk duhet të ndihemi të detyruar të jetojmë për të? Këtë mund ta bëjmë duke ndjekur shembullin e tij të dashurisë vetëmohuese.

19, 20. Cilën dhuratë të çmuar na ka dhënë Jehovai dhe si e tregojmë se e pranojmë?

19 Jezui nuk po e tepronte kur tha: «Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet.» (Gjoni 15:13) Gatishmëria për të dhënë shpirtin ishte shprehja më e madhe e dashurisë së tij për ne. Por është dikush tjetër që ka treguar dashuri edhe më të madhe për ne. Jezui shpjegoi: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Perëndia na do kaq shumë, sa dha Birin e tij si shpërblesë, duke na dhënë mundësi të çlirohemi nga mëkati e nga vdekja. (Efesianëve 1:7) Shpërblesa është një dhuratë e çmuar nga Jehovai, por ai nuk na detyron ta pranojmë.

20 I takon secilit prej nesh të zgjedhë nëse do ta pranojë dhuratën e Jehovait. Si mund ta bëjmë këtë? ‘Duke treguar besim’ te Biri i tij. Por besimi nuk shprehet vetëm me fjalë. Tregohet me vepra, me mënyrën si jetojmë. (Jakovi 2:26) E tregojmë besimin tonë te Jezu Krishti duke e ndjekur ditë pas dite. Kjo do të na sjellë shumë bekime tani dhe në të ardhmen, siç do të shpjegohet në kapitullin e fundit të këtij libri.

^ Dy herë atë ditë, Jezuin e pështynë, fillimisht krerët fetarë e pastaj ushtarët romakë. (Mateu 26:59-68; 27:27-30) Por, edhe këtë trajtim përbuzës, Jezui e duroi pa u ankuar, duke përmbushur fjalët profetike: «Nuk ua fsheha fytyrën poshtërimeve dhe të pështyrave.»​—Isaia 50:6.