Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 15

«I shtyrë nga mëshira»

«I shtyrë nga mëshira»

«Të na hapen sytë, Zotëri»

1-3. (a) Si përgjigjet Jezui kur dy lypës të verbër i luten t’i ndihmojë? (b) Çfarë do të thotë shprehja «i shtyrë nga keqardhja»? (Shih shënimin.)

 DY TË verbër janë ulur buzë rrugës, në të dalë të Jerikosë. Vijnë çdo ditë, gjejnë një vend ku zakonisht kalojnë shumë njerëz dhe kërkojnë lëmoshë. Por sot do të përjetojnë diçka që do t’ua ndryshojë krejt jetën.

2 Papritur lypësit dëgjojnë shumë zhurmë. Ngaqë nuk e shohin se ç’po ndodh, njëri prej tyre pyet pse gjithë ky trazim, dhe i thonë: «Po kalon Jezui, nazareasi!» Jezui po shkon për herë të fundit në Jerusalem. Por nuk është vetëm, sepse nga pas e ndjek një turmë e madhe. Kur dëgjojnë se kush po kalon, lypësit krijojë rrëmujë duke thërritur: «Zotëri, ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!» Turma bezdiset dhe u thotë lypësve të heshtin, por ata janë të dëshpëruar e asgjë s’ua mbyll dot gojën.

3 Jezui i dëgjon thirrmat e tyre përmbi rrëmujën e turmës. Ç’do të bëjë? Në mendje e në zemër ka shumë gjëra që i peshojnë. Po nis java e fundit e jetës së tij në tokë. E di se në Jerusalem e presin vuajtje dhe një vdekje mizore. Gjithsesi, nuk i shpërfill ato thirrje këmbëngulëse. Ndalon dhe kërkon që t’ia sjellin ata që po thërrasin. Ata luten: «Të na hapen sytë, Zotëri.» «I shtyrë nga keqardhja» Jezui u prek sytë dhe ata rifitojnë shikimin. * Menjëherë pas kësaj, nisin ta ndjekin.​—Luka 18:35-43; Mateu 20:29-34.

4. Si e përmbushi Jezui profecinë se ‘do t’i dhimbsej i përvuajturi’?

4 Ky s’ishte një rast i veçuar. Në shumë raste dhe në rrethana të ndryshme, Jezui u shty nga zemra të tregonte dhembshuri. Në profecinë biblike ishte parathënë se atij ‘do t’i dhimbsej i përvuajturi’. (Psalmi 72:13) Tamam sipas këtyre fjalëve, Jezui i kuptonte ndjenjat e të tjerëve dhe ishte i ndjeshëm ndaj tyre. Ai i ndihmonte njerëzit me nismën e vet. Dhembshuria ishte një forcë motivuese në predikimin e tij. Le të shohim se si e zbulojnë Ungjijtë dhembshurinë e butë që qëndron pas fjalëve dhe veprave të Jezuit, e të shqyrtojmë se si mund të tregojmë edhe ne një dhembshuri të tillë.

Mendonte për ndjenjat e të tjerëve

5, 6. Cilët shembuj tregojnë se Jezui ndiente empati për të tjerët?

5 Jezui ndiente shumë empati për të tjerët. I kuptonte dhe bashkohej me ndjenjat e atyre që vuanin. Edhe pse nuk i kaloi gjithë rrethanat e tyre, e ndiente vërtet në zemër dhembjen që kishin. (Hebrenjve 4:15) Kur shëroi një grua që kishte vuajtur për 12 vjet nga një rrjedhje gjaku, ai e përshkroi sëmundjen e saj si një ‘sëmundje të rëndë’, duke pranuar se ajo sëmundje i kishte shkaktuar asaj shumë shqetësime e vuajtje. (Marku 5:25-34) Kur pa Marinë dhe të tjerët që po qanin në vdekjen e Lazarit, u prek kaq shumë nga hidhërimi i tyre, sa u trazua përbrenda. Ndonëse e dinte se pas pak do ta ringjallte Lazarin, Jezui u mallëngjye aq sa iu mbushën sytë me lot.​—Gjoni 11:33, 35.

6 Në një rast tjetër, një i lebrosur iu afrua Jezuit dhe iu lut: «Po të duash, ti mund të më pastrosh.» Si u përgjigj Jezui, një njeri i përsosur që vetë s’kishte qenë asnjëherë sëmurë? I pikoi në zemër për të lebrosurin. Po, ndjeu ‘keqardhje’. (Marku 1:40-42) Pastaj bëri një gjë të mrekullueshme. Ai e dinte fare mirë se, sipas Ligjit, të lebrosurit ishin të papastër dhe nuk duhej të përziheshin me të tjerët. (Levitiku 13:45, 46) Patjetër që Jezui e kishte aftësinë ta shëronte këtë njeri pa e prekur fare. (Mateu 8:5-13) Gjithsesi, vendosi të zgjaste dorën e ta prekte të lebrosurin, duke i thënë: «Dua. Pastrohu.» Menjëherë lebra u zhduk. Sa shumë empati tregoi Jezui!

Trego «ndjenja të përbashkëta»

7. Ç’mund të na ndihmojë të zhvillojmë empatinë dhe si mund të shprehet kjo cilësi?

7 Si të krishterë na kërkohet ta imitojmë Jezuin e të tregojmë empati. Bibla na nxit të kemi «ndjenja të përbashkëta». * (1 Pjetrit 3:8) Ndoshta s’e kemi të lehtë ta kuptojmë si ndihen ata që vuajnë nga një sëmundje kronike ose nga depresioni, sidomos nëse nuk i kemi kaluar vetë këto vuajtje. Por të mos harrojmë se empatia nuk lind kur kemi rrethana të njëjta me dikë tjetër. Jezui ndjeu empati për të sëmurët, edhe pse vetë nuk kishte qenë kurrë sëmurë. Atëherë, si mund ta zhvillojmë empatinë? Duke dëgjuar me durim kur na zbrazin zemrën dhe na tregojnë si ndihen ata që po vuajnë. Mund të pyesim veten: ‘Po të isha në vendin e tyre, si do të ndihesha?’ (1 Korintasve 12:26) Nëse mendojmë më shumë për ndjenjat e të tjerëve, do të kemi mundësi ‘t’u flasim në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar’. (1 Selanikasve 5:14) Nganjëherë empatia mund të shprehet jo vetëm me fjalë, por edhe me lot. «Qani me ata që qajnë»,​—thuhet te Romakëve 12:15.

8, 9. Si tregoi Jezui se mendonte për ndjenjat e të tjerëve?

8 Jezui mendonte thellë për të tjerët dhe vepronte në mënyra që nuk u lëndonin ndjenjat. Kujto rastin kur i sollën një njeri që ishte i shurdhër dhe i mbahej goja. Me sa duket Jezui ndjeu se ky njeri s’ishte rehat, prandaj bëri diçka që zakonisht nuk e bënte kur shëronte: «Ai e mori [njeriun] veçmas, larg turmës.» E shëroi në një vend të veçuar, larg syve të turmës.​—Marku 7:31-35.

9 Jezui veproi njësoj edhe kur i sollën një të verbër e i kërkuan ta shëronte. Ai «e mori të verbrin për dore» dhe «e çoi jashtë fshatit». Pastaj e shëroi me disa faza. Ndoshta kjo e ndihmoi të verbrin që truri dhe sytë t’i mësoheshin dalëngadalë me pamjet verbuese e të ndërlikuara të botës gjithë dritë që e rrethonte. (Marku 8:22-26) Sa shumë mendonte Jezui për të tjerët!

10. Si mund të tregojmë se mendojmë për ndjenjat e të tjerëve?

10 Të jemi ithtarë të Jezuit kërkon që të mendojmë për ndjenjat e të tjerëve. Prandaj bëjmë kujdes kur flasim, sepse e dimë që mund t’u lëndojmë ndjenjat të tjerëve, nëse e përdorim gjuhën pa u menduar. (Proverbat 12:18; 18:21) Fjalët e ashpra, komentet përçmuese dhe ironia therëse nuk kanë vend mes të krishterëve, të cilët janë të ndjeshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve. (Efesianëve 4:31) Po ju pleq, si mund të tregoni se mendoni për ndjenjat e të tjerëve? Kur jepni këshilla, zbutini fjalët me mirëdashjen, në mënyrë që dëgjuesit të mos i cenohet dinjiteti. (Galatasve 6:1) Ju prindër, si mund të tregoni se mendoni për ndjenjat e fëmijëve tuaj? Kur i disiplinoni, përpiquni ta bëni këtë në mënyra që të mos i vini në siklet kot më kot.​—Kolosianëve 3:21.

I ndihmonte të tjerët me nismën e vet

11, 12. Cilat tregime biblike bëjnë të qartë se nuk ishte e nevojshme që njerëzit t’i kërkonin Jezuit të tregonte dhembshuri?

11 Jezui nuk ishte nga ata që gjithnjë duhej t’i kërkoje, pa të tregonte dhembshuri. Faktikisht dhembshuria nuk është cilësi pasive, por një cilësi pozitive e aktive. Prandaj nuk habitemi që dhembshuria e shtynte Jezuin t’i ndihmonte të tjerët me nismën e tij. Për shembull, kur një turmë e madhe qëndroi tri ditë me të dhe nuk kishte asgjë për të ngrënë, s’kishte nevojë që dikush t’i thoshte Jezuit se njerëzit ishin të uritur ose t’i sugjeronte se duhej të bënte diçka. Tregimi thotë: «Jezui i thirri dishepujt e tij pranë dhe u tha: ‘Më vjen keq për turmën, sepse kanë tri ditë që qëndrojnë me mua dhe nuk kanë asgjë për të ngrënë. Nuk dua t’i nis pa ngrënë, se mos ligështohen rrugës.’» Pastaj, tërësisht me nismën e vet, e ushqeu turmën me anë të një mrekullie.​—Mateu 15:32-38.

12 Të shohim edhe një tregim tjetër. Në vitin 31 të e.s., teksa po i afrohej qytetit të Nainit, Jezui pa një skenë të trishtuar. Nga qyteti po dilte një kortezh, ndoshta drejt varrezave në kodrat aty afër, për të varrosur ‘djalin e vetëm të një vejushe’. E përfytyron dot dhembjen që ndiente në zemër ajo nënë? Po varroste djalin e saj të vetëm dhe s’kishte as të shoqin që ta ndante me të hidhërimin. Nga gjithë njerëzit që ishin në kortezh, Jezui «vuri re» vejushën që tani kishte mbetur pa fëmijë. U prek nga ajo që pa, «u shty nga keqardhja për të». S’kishte nevojë që dikush t’i përgjërohej Jezuit. Dhembshuria që ndiente në zemër e shtynte të vepronte me nismën e tij. Prandaj, «u afrua, preku arkivolin» dhe e riktheu në jetë djaloshin. Ç’ndodhi më tej? Me Jezuin po udhëtonte një turmë e madhe, por ai nuk i kërkoi të riut të bashkohej me ta. Përkundrazi, «ia dha së ëmës», duke i ribashkuar si familje dhe duke e siguruar vejushën se do të kishte dikë që të kujdesej për të.​—Luka 7:11-15.

Merr nismën për t’i ndihmuar ata që kanë nevojë

13. Si mund ta imitojmë Jezuin për t’i ndihmuar në mënyrë të përshtatshme nevojtarët me nismën tonë?

13 Si mund ta ndjekim shembullin e Jezuit? Natyrisht, ne nuk sigurojmë dot ushqim me anë të mrekullive dhe as ringjallim dot të vdekurit. Megjithatë mund ta imitojmë Jezuin duke i ndihmuar nevojtarët me nismën tonë. Ndoshta një bashkëbesimtar po vuan për shkak të vështirësive të mëdha financiare ose ka mbetur pa punë. (1 Gjonit 3:17) Shtëpia e një vejushe mund të ketë nevojë urgjente për t’u riparuar. (Jakovi 1:27) Ndoshta njohim ndonjë familje që u ka vdekur një familjar dhe ka nevojë për ngushëllim ose për ndihmë praktike. (1 Selanikasve 5:11) Kur shohim që ka vërtet nevojë, s’kemi pse të presim derisa të na kërkojnë ndihmë. (Proverbat 3:27) Dhembshuria do të na shtyjë të veprojmë vetë për të ndihmuar në mënyrë të përshtatshme të tjerët, për aq sa na e lejojnë rrethanat. Nuk duhet të harrojmë kurrë se një veprim i thjeshtë dashamirës ose dy fjalë ngushëlluese që na dalin nga zemra mund të jenë shprehje të fuqishme dhembshurie.​—Kolosianëve 3:12.

Dhembshuria e shtynte të predikonte

14. Pse Jezui i jepte përparësi predikimit të lajmit të mirë?

14 Siç e pamë në pjesën e dytë të këtij libri, Jezui la një shembull të jashtëzakonshëm në predikimin e lajmit të mirë. Ai tha: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:43) Pse i dha përparësi kësaj vepre? Kryesisht për shkak të dashurisë së tij për Perëndinë. Por Jezui kishte edhe një motiv tjetër. Dhembshuria e thellë e shtynte të plotësonte nevojat frymore të të tjerëve. Kjo mënyrë se si tregoi dhembshuri ishte më e rëndësishmja nga të gjitha. Le të shqyrtojmë dy ngjarje që tregojnë çfarë mendonte Jezui për njerëzit të cilëve u predikonte. Ky shqyrtim mund të na ndihmojë të analizojmë motivet tona pse marrim pjesë në shërbim.

15, 16. Përshkruaj dy ngjarje që tregojnë se ç’mendonte Jezui për ata të cilëve u predikonte.

15 Në vitin 31 të e.s., pasi kishte kushtuar afro dy vjet në shërbim, Jezui e zgjeroi veprimtarinë e tij duke shkuar «përqark nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat» e Galilesë. Ajo që pa, e preku thellë në zemër. Mateu, një nga apostujt, thotë: «Kur pa turmën, ai ndjeu keqardhje për ta, sepse ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari.» (Mateu 9:35, 36) Jezuit iu dhimbsën njerëzit e thjeshtë. Ai e kuptonte fare mirë gjendjen e tyre të mjerë frymore. E dinte se ishin të keqtrajtuar e të lënë pas dore pikërisht nga ata që duhej t’i kishin kullotur, domethënë nga udhëheqësit fetarë. I shtyrë nga një dhembshuri e thellë, Jezui punoi shumë për t’u përcjellë njerëzve një mesazh shprese. Kishin nevojë për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë më tepër se për çdo gjë tjetër.

16 Diçka e ngjashme ndodhi disa muaj më vonë, aty afër Pashkës së vitit 32 të e.s. Në këtë rast, Jezui dhe apostujt hipën në një barkë dhe lundruan përmes detit të Galilesë, për të gjetur një vend të qetë ku të pushonin. Por një turmë njerëzish vrapoi përgjatë bregut dhe mbërriti në anën tjetër më përpara se barka. Si reagoi Jezui? «Kur zbriti nga barka, Jezui pa një turmë të madhe dhe, i shtyrë nga keqardhja për ta, sepse ishin si dele pa bari, nisi t’u mësonte shumë gjëra.» (Marku 6:31-34) Edhe një herë, Jezui u ndie «i shtyrë nga keqardhja» për shkak të gjendjes së mjerë frymore të njerëzve. Tamam si «dele pa bari», ata po vdisnin urie në kuptimin frymor dhe ishin lënë t’i dilnin zot vetes. Dhembshuria, dhe jo ndjenja e detyrës, e motivonte Jezuin të predikonte.

Prediko me dhembshuri

17, 18. (a) Çfarë na motivon të marrim pjesë në shërbim? (b) Si mund të zhvillojmë dhembshurinë për të tjerët?

17 Çfarë na motivon ne si ithtarë të Jezuit, që të dalim në shërbim? Siç e pamë në kapitullin e nëntë të këtij libri, na është dhënë një urdhër, një përgjegjësi, për të predikuar e për të bërë dishepuj. (Mateu 28:19, 20; 1 Korintasve 9:16) Por motivi pse e bëjmë këtë vepër nuk duhet të jetë vetëm ndjenja e detyrës. Mbi të gjitha,dashuria për Jehovain na shtyn të predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë së tij. Gjithashtu, predikojmë sepse ndiejmë dhembshuri për ata që nuk kanë bindjet tona. (Marku 12:28-31) Atëherë, si mund ta zhvillojmë dhembshurinë?

18 Duhet t’i shohim njerëzit siç i shihte Jezui​—«të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari». Mendo sikur ke gjetur një qengj që ka humbur dhe është i pambrojtur. Kjo krijesë e gjorë po ngordh urie dhe ka etje, se nuk e ka bariun pranë që ta drejtojë në kullota të gjelbra dhe në burime uji. A nuk do të të vinte keq për këtë qengj? A nuk do të bëje çmos që t’i jepje për të ngrënë e për të pirë? Si ky qengj janë shumë njerëz që ende s’e dinë lajmin e mirë. Barinjtë e rremë fetarë i kanë lënë pas dore, prandaj në kuptimin frymor ata njerëz po vdesin urie dhe janë të etur, s’kanë asnjë shpresë reale për të ardhmen. Ne kemi pikërisht atë që u nevojitet: ushqimin e shëndetshëm frymor dhe ujërat freskuese të së vërtetës që gjenden në Fjalën e Perëndisë. (Isaia 55:1, 2) Kur mendojmë për nevojat frymore të atyre që na rrethojnë, ndiejmë dhembshuri për ta. Nëse thellë brenda vetes ndiejmë dhembshuri për njerëzit, siç ndiente Jezui, do të bëjmë çmos t’u japim shpresën e Mbretërisë.

19. Ç’mund të bëjmë për ta motivuar një student biblik të kualifikuar, që të dalë në shërbim?

19 Si t’i ndihmojmë të tjerët të ndjekin shembullin e Jezuit? Ta zëmë se duam të nxitim një student biblik që është i kualifikuar, të fillojë të dalë në predikim. Ose ndoshta duam të ndihmojmë një lajmëtar joaktiv që të rifillojë të marrë pjesë plotësisht në shërbim. Si t’i ndihmojmë? Duhet të përpiqemi t’u prekim zemrën. Në fillim Jezuit i lindte «keqardhja» për njerëzit, pastaj ajo e shtynte t’i mësonte. (Marku 6:34) Pra, nëse arrijmë t’i ndihmojmë që të zhvillojnë dhembshuri, zemra do t’i shtyjë të jenë si Jezui dhe t’u flasin të tjerëve për lajmin e mirë. Mund t’i pyesim: «Si ka ndryshuar për mirë jeta jote që kur ke pranuar mesazhin e Mbretërisë? Po njerëzit që ende s’e dinë këtë mesazh, a nuk kanë nevojë edhe ata për lajmin e mirë? Ç’mund të bësh për t’i ndihmuar?» Natyrisht, motivi më i fortë që na shtyn të dalim në shërbim është dashuria për Perëndinë dhe dëshira për t’i shërbyer atij.

20. (a) Çfarë do të thotë të jesh ithtar i Jezuit? (b) Çfarë do të shqyrtohet në kapitullin tjetër?

20 Të jemi ithtarë të Jezuit nuk do të thotë vetëm të përsëritim fjalët e tij dhe të kopjojmë veprimet e tij. Duhet të zhvillojmë të njëjtin «qëndrim mendor» që kishte ai. (Filipianëve 2:5) Prandaj duhet të jemi vërtet mirënjohës që Bibla na zbulon mendimet dhe ndjenjat që qëndronin pas fjalëve dhe veprimeve të Jezuit! Duke e njohur mirë «mendjen e Krishtit», do të jemi më në gjendje të zhvillojmë ndjeshmërinë dhe dhembshurinë e përzemërt e kështu t’i trajtojmë të tjerët siç i trajtonte Jezui njerëzit në përgjithësi. (1 Korintasve 2:16) Në kapitullin tjetër, do të shohim mënyrat e ndryshme se si tregoi dashuri Jezui për ithtarët e tij në veçanti.

^ Fjala greke e përkthyer «i shtyrë nga keqardhja» është cilësuar si një nga fjalët më të fuqishme të gjuhës greke për të përcjellë ndjenjën e dhembshurisë. Në një vepër referimi thuhet se kjo fjalë tregon «jo vetëm një ndjenjë dhembjeje kur sheh vuajtje, por edhe një dëshirë të fortë për të sjellë lehtësim e për të hequr vuajtjen».

^ Termi grek i përkthyer «ndjenja të përbashkëta», fjalë për fjalë do të thotë «të vuash me».