Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 13

«Unë e dua Atin»

«Unë e dua Atin»

1, 2. Çfarë zbuloi apostulli Gjon për mbrëmjen e fundit që kaluan apostujt me Jezuin?

 NJË burrë i moshuar ngjyen penën në bojë e ndërkohë në mendje i vërshojnë kujtimet. E quajnë Gjon dhe është i fundit që ka mbetur gjallë nga apostujt e Jezu Krishtit. Tashmë rreth 100 vjeç, Gjoni sjell ndër mend një mbrëmje të paharrueshme afro 70 vjet më parë​—mbrëmjen e fundit që apostujt kaluan me Jezuin para se të vdiste. Falë ndihmës së frymës së shenjtë të Perëndisë, Gjoni arrin t’i kujtojë e t’i shkruajë me hollësi ato ngjarje.

2 Atë natë Jezui e tha qartë se shumë shpejt do ta vritnin. Vetëm Gjoni zbulon arsyen pse Jezui tha se do t’i nënshtrohej atij fundi të tmerrshëm: «Që bota ta dijë se unë e dua Atin, ashtu si Ati më ka urdhëruar të bëj, kështu po bëj. Ngrihuni, le të ikim që këtu.»​—Gjoni 14:31.

3. Si e tregoi Jezui se e donte Atin e tij?

3 «Unë e dua Atin.» Për Jezuin s’kishte gjë më të rëndësishme se kjo. Jo se ai e përsëriste sa e sa herë këtë shprehje. Madje Gjoni 14:31 është i vetmi varg i Biblës ku Jezui e shpreh kaq hapur dashurinë për Atin e tij. Megjithatë, Jezui jetoi sipas atyre fjalëve. Dashuria që kishte për Jehovain dukej çdo ditë. Guximi i Jezuit, bindja dhe qëndrueshmëria e tij ishin që të gjitha dëshmi të dashurisë që kishte për Perëndinë. Kjo dashuri motivoi gjithë shërbimin e tij.

4, 5. Te cila lloj dashurie e përqendron vëmendjen Bibla dhe ç’mund të thuhet rreth dashurisë që kishte Jezui për Jehovain?

4 Sot disa mendojnë se është një dobësi të tregosh dashuri. Ndoshta u shkon mendja te poezitë dhe këngët e dashurisë ose edhe te dalldisja që shoqëron nganjëherë dashurinë romantike. Në fakt, Bibla flet për dashurinë romantike, ndonëse në një mënyrë më dinjitoze se ç’flitet sot. (Proverbat 5:15-21) Por në Fjalën e Perëndisë i kushtohet shumë më tepër vëmendje një lloj tjetër dashurie. Kjo dashuri nuk është thjesht një pasion a një emocion i çastit, as është një filozofi e ftohtë intelektuale, por përfshin si mendjen, edhe zemrën. Ajo vjen nga brenda, udhëhiqet nga parime fisnike dhe është në përputhje me to, si edhe shprehet me veprime pozitive. S’ka lidhje fare me tekat ose trillet. Në Fjalën e Perëndisë thuhet: «Dashuria nuk shuhet kurrë.»​—1 Korintasve 13:8.

5 Jezui e ka dashur Jehovain më tepër se kushdo tjetër që ka jetuar këtu në tokë. Askush s’ka bërë më shumë se ai për të përmbushur fjalët që i citoi si urdhrin më të madh të Perëndisë: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Marku 12:30) Si e zhvilloi Jezui këtë dashuri? Si e mbajti të fortë dashurinë për Perëndinë, gjatë kohës kur ishte në tokë? E si mund ta imitojmë?

Lidhja më e vjetër dhe më e fortë e dashurisë

6, 7. Si e dimë që te Proverbat 8:22-31 përshkruhet Biri i Perëndisë, e jo thjesht mençuria si cilësi?

6 A ke punuar ndonjëherë bashkë me një shok për një projekt dhe ke parë se gjatë asaj kohe u afruat më shumë dhe u bëtë miq më të ngushtë? Kjo përvojë e këndshme mund të na bëjë të kuptojmë ç’lloj dashurie u zhvillua mes Jehovait dhe Birit të tij të vetëmlindur. E kemi përmendur disa herë shkrimin e Proverbave 8:30, por le ta shqyrtojmë më nga afër këtë varg në kontekstin e tij. Në vargjet 22 deri 31, gjejmë një përshkrim të frymëzuar të mençurisë së personifikuar. Si e dimë se këto fjalë i referohen Birit të Perëndisë?

7vargun 22, mençuria thotë: «Jehovai më bëri, dhe unë jam fillimi i aktivitetit të tij, më e hershmja e arritjeve të tij kohë më parë.» Këtu s’duhet të jetë fjala vetëm për mençurinë, sepse kjo cilësi nuk ‘u bë’ ndonjëherë. Ajo nuk ka pasur fillim, sepse Jehovai ka ekzistuar gjithnjë dhe ka qenë gjithnjë i mençur. (Psalmi 90:2) Kurse Biri i Perëndisë ishte «i parëlinduri i gjithë krijimit». Ai u bë ose u krijua; ishte më i hershmi i arritjeve të Jehovait. (Kolosianëve 1:15) Siç përshkruhet te Proverbat, Biri ka ekzistuar më përpara se toka dhe qiejt. Duke qenë Fjala, pra Zëdhënësi i Perëndisë, ai ishte personifikimi i përsosur i mençurisë së Jehovait.​—Gjoni 1:1.

8. Me se merrej Biri gjatë ekzistencës së tij paranjerëzore dhe për çfarë mund të mendojmë, kur admirojmë krijimin?

8 Me se merrej Biri gjatë gjithë asaj kohe para se të vinte në tokë? Në vargun 30 lexojmë se ai ishte pranë Perëndisë si «kryemjeshtër». Ç’do të thotë kjo? Te Kolosianëve 1:16 shpjegohet: «Me anë të tij u krijua gjithçka tjetër në qiej dhe në tokë. . . . Gjithçka tjetër u krijua nëpërmjet tij dhe për të.» Pra Jehovai që është Krijuesi, përdori Birin e tij, Kryemjeshtrin, për të sjellë në ekzistencë çdo krijesë tjetër​—që nga krijesat frymore në qiell deri tek universi i paanë fizik, te toka me shumëllojshmërinë e saj mahnitëse të bimëve e të kafshëve, e deri te kurorëzimi i krijimit tokësor, njeriu. Në disa aspekte, këtë bashkëpunim Atë e Bir mund ta krahasojmë me bashkëpunimin e një arkitekti me një sipërmarrës ndërtimesh, që është specializuar për të zbatuar projektet mjeshtërore të arkitektit. Kur mahnitemi me ndonjë aspekt të krijimit, faktikisht ia japim meritën Arkitektit të Madh. (Psalmi 19:1) Megjithatë, mund të mbajmë në mendje edhe bashkëpunimin e gjatë e të lumtur mes Krijuesit dhe ‘kryemjeshtrit’ të tij.

9, 10. (a) Çfarë e forcoi lidhjen ndërmjet Jehovait dhe Birit të tij? (b) Ç’mund ta forcojë lidhjen tënde me Atin qiellor?

9 Kur dy njerëz të papërsosur punojnë ngushtësisht, nganjëherë e kanë të vështirë të shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Po s’ishte kështu për Jehovain dhe Birin e tij! Biri punoi për epoka të tëra përkrah Atit dhe ‘gëzohej para tij gjithë kohës’. (Proverbat 8:30) Pra, ai kënaqej në shoqërinë e Atit të tij, dhe kjo ndjenjë ishte reciproke. Është e natyrshme që Biri i ngjante gjithnjë e më shumë Atit të tij dhe mësoi t’i pasqyronte cilësitë e Perëndisë. Nuk është habi që lidhja e tyre Atë e Bir u bë kaq e fortë! Ajo mund të quhet me të drejtë lidhja më e vjetër dhe më e fortë e dashurisë në gjithë universin.

10 Por, si mund të na vlejë kjo neve? Ndoshta ti mendon se kurrë nuk do të arrish të kesh një lidhje të tillë me Jehovain. Kuptohet që asnjë nga ne nuk ka pozitën e lartësuar të Birit. Megjithatë, kemi një mundësi të jashtëzakonshme. Sill ndër mend që Jezui u afrua më shumë me Atin duke punuar përkrah Tij. Me dashuri, Jehovai na jep edhe neve mundësinë që të jemi «bashkëpunëtorë» të tij. (1 Korintasve 3:9) Ndërsa ndjekim shembullin e Jezuit në shërbim, duhet të mbajmë gjithnjë në mend se jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë. Kështu dashuria që na lidh e na bashkon me Jehovain sa vjen e forcohet. A mund të ketë privilegj më të madh se ky?

Si e mbajti të fortë Jezui dashurinë për Jehovain?

11-13. (a) Pse është me dobi ta mendojmë si diçka të gjallë dashurinë? Si e mbajti të fortë Jezui dashurinë për Jehovain, kur ishte i vogël? (b) Si tregoi Biri i Perëndisë interes për t’u mësuar nga Jehovai, para se të vinte në tokë dhe pastaj kur ishte njeri?

11 Ka shumë dobi po ta mendojmë si diçka të gjallë dashurinë që kemi në zemër. Ashtu si një bimë e bukur që mbajmë në vazo, dashuria duhet ushqyer e kultivuar, që të rritet e të lulëzojë. Po të lihet pas dore e të mos ushqehet, ajo vyshket dhe thahet. Jezui nuk e mori si një gjë të zakonshme dashurinë e tij për Jehovain. Ai e mbajti të fortë e të gjallë atë dashuri gjatë gjithë jetës këtu në tokë. Le të shohim se si.

12 Mendo përsëri për rastin kur Jezui i vogël ishte në tempullin në Jerusalem dhe u shpreh për lidhjen që kishte me Jehovain. Të kujtohen fjalët që u tha prindërve të tij të shqetësuar: «Pse duhej të më kërkonit? A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?» (Luka 2:49) Nga sa duket, kur ishte i vogël, Jezuit nuk i kujtohej ende ekzistenca e tij paranjerëzore. Po gjithsesi, dashuria që kishte për Atin e tij, Jehovain, ishte shumë e fortë. Ai e dinte se kjo dashuri shprehej natyrshëm në adhurim. Prandaj për Jezuin s’kishte vend më tërheqës në tokë, sesa shtëpia e adhurimit të pastër të Atit të tij. Ai dëshironte me zjarr të ishte atje dhe s’donte të ikte prej andej. Për më tepër, nuk rrinte thjesht si spektator atje. Kishte zell për të mësuar për Jehovain dhe për të shprehur atë që dinte. Këto ndjenja nuk i filluan kur ishte 12 vjeç dhe as mbaruan në atë moshë.

13 Gjatë ekzistencës paranjerëzore, Biri kishte mësuar me zell nga Ati i tij. Një profeci që e gjejmë tek Isaia 50:4-6 zbulon se Jehovai i dha Birit të vet një arsimim të veçantë lidhur me rolin që do të kishte si Mesia. Edhe pse gjatë atij arsimimi mori vesh për disa vështirësi që do t’i ndodhnin të Mirosurit të Jehovait, Biri mësoi gjithë zell. Më vonë, pasi erdhi në tokë dhe u bë burrë, Jezui vazhdoi të kishte zell për të shkuar në shtëpinë e Atit të tij, për të adhuruar atje e për t’u mësuar njerëzve rreth Jehovait, siç dëshironte Ai. Kështu Bibla tregon se Jezui shkonte besnikërisht në tempull e në sinagogë. (Luka 4:16; 19:47) Nëse duam ta mbajmë të gjallë e të fortë dashurinë për Jehovain, duhet të jemi të zellshëm për të shkuar në mbledhjet e krishtere, ku adhurojmë Jehovain dhe thellojmë njohuritë e mirënjohjen për të.

«U ngjit vetëm në mal që të lutej»

14, 15. (a) Pse e kërkonte vetminë Jezui? (b) Si tregojnë afrimitet dhe respekt lutjet që i bënte Jezui Atit të tij?

14 Jezui e mbajti të fortë dashurinë për Jehovain edhe duke u lutur rregullisht. Ndonëse ishte njeri i shoqërueshëm dhe miqësor, të bën përshtypje kur lexon se ai e vlerësonte edhe vetminë. Për shembull, te Luka 5:16 thuhet: «Ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej.» Po ashtu, te Mateu 14:23 thuhet: «Pasi e kishte nisur turmën, u ngjit vetëm në mal që të lutej. Edhe pse u bë vonë, ai ishte atje vetëm.» Jezui donte të ishte vetëm në këto dy raste dhe në raste të tjera, jo sepse ishte njeri i tërhequr ose s’donte shoqërinë e të tjerëve, por sepse donte të ishte vetëm për vetëm me Jehovain, të fliste lirshëm me Atin e tij në lutje.

15 Kur lutej, Jezui disa herë përdorte shprehjen «Abba, o Atë». (Marku 14:36) Në kohën e Jezuit, «Abba» ishte një fjalë e përzemërt për «baba», që përdorej brenda familjes. Shpesh ishte ndër fjalët e para që mësonte fëmija, e megjithatë, shprehte respekt. Nga njëra anë, kjo fjalë tregonte afrimitetin e Birit që fliste me Atin e tij të dashur, por nga ana tjetër tregonte respekt të thellë për autoritetin e Jehovait si një Atë. Këtë ndërthurje të afrimitetit me respektin e gjejmë në të gjitha lutjet e Jezuit që janë hedhur me shkrim. Për shembull, në kapitullin e 17-të të Gjonit, apostulli Gjon shkroi lutjen e gjatë e të ndier që bëri Jezui natën e fundit kur ishte në tokë. Është vërtet nxitëse ta studiojmë atë lutje dhe është jetësore ta imitojmë. Jo duke përsëritur fjalët e Jezuit, por duke gjetur mënyra për t’i folur Atit tonë qiellor me gjithë zemër dhe sa më shpesh të mundemi. Kjo do të na e mbajë të gjallë e të fortë dashurinë për të.

16, 17. (a) Si e shprehu me fjalë Jezui dashurinë për Atin e tij? (b) Si e përshkroi Jezui bujarinë e Atit të tij?

16 Siç e thamë më sipër, Jezui nuk i përsëriste vazhdimisht fjalët «unë e dua Atin». Gjithsesi, shumë herë ai e shprehte me fjalë dashurinë që kishte për Atin. Si e bënte këtë? Vetë Jezui tha: «Unë të lëvdoj publikisht, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës.» (Mateu 11:25) Kur studiuam pjesën e dytë të këtij libri, pamë që Jezuit i pëlqente shumë ta lëvdonte Atin e tij duke i ndihmuar njerëzit që ta njihnin Atë. Për shembull, ai e krahasoi Jehovain me një baba që dëshironte kaq shumë ta falte djalin e tij rebel, saqë e priste të kthehej. Pasi e pa që larg të riun, ai vrapoi ta takonte dhe iu hodh në qafë. (Luka 15:20) Kush nuk preket kur lexon këtë pjesë të Biblës dhe sheh se si e përshkruan Jezui dashurinë dhe faljen e Jehovait?

17 Shpesh Jezui e lëvdoi Atin e tij për bujarinë që tregon. Ai përdori shembullin e prindërve të papërsosur për të treguar se duhet të jemi krejtësisht të sigurt që Ati do të na japë gjithë frymën e shenjtë që na duhet. (Luka 11:13) Gjithashtu, Jezui foli për shpresën që jep me shumë bujari Ati i tij. Ai përshkroi me dëshirë të zjarrtë edhe shpresën për t’u rivendosur në vendin që kishte pranë Atit në qiell. (Gjoni 14:28; 17:5) U tregoi ithtarëve të tij për shpresën që i jep Jehovai ‘kopesë së vogël’ të Krishtit​—të shkojnë në qiell e të sundojnë bashkë me Mbretin mesianik. (Luka 12:32; Gjoni 14:2) Edhe keqbërësin që po vdiste e ngushëlloi me shpresën e jetës në Parajsë. (Luka 23:43) Me siguri, ngaqë fliste kaq shumë për bujarinë e madhe të Atit të tij, Jezuit i forcohej dashuria për Jehovain. Shumë ithtarë të Krishtit kanë parë se asgjë tjetër nuk ua forcon më shumë dashurinë për Jehovain ose besimin tek ai, sesa kur flasin me të tjerët për të e për shpresën që u jep atyre që e duan.

A do ta imitosh dashurinë që kishte Jezui për Jehovain?

18. Cila është mënyra më e rëndësishme se si duhet ta ndjekim Jezuin dhe përse?

18 Nga gjithë mënyrat se si duhet ta ndjekim Jezuin, më e rëndësishmja është ta duam Jehovain me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë. (Luka 10:27) Se sa shumë e kemi këtë dashuri, nuk matet vetëm nga intensiteti i ndjenjave, por edhe nga veprimet që bëjmë. Jezui nuk kënaqej thjesht duke ndier dashuri për Atin e tij dhe as duke thënë «unë e dua Atin». Ai tha: «Që bota ta dijë se unë e dua Atin, ashtu si Ati më ka urdhëruar të bëj, kështu po bëj.» (Gjoni 14:31) Satanai kishte ngritur akuzën që asnjë njeri nuk do t’i shërbente Jehovait nga dashuria, pa pasur interes. (Jobi 2:4, 5) Për t’i dhënë përgjigjen më të fortë shpifjes së ligë të Satanait, Jezui me guxim i tregoi botës se sa shumë e donte ai Atin. U bind deri aty sa dha edhe jetën e tij. A do ta ndjekësh ti Jezuin? A do t’i tregosh botës se e do vërtet Perëndinë Jehova?

19, 20. (a) Për cilat arsye të rëndësishme duhet t’i ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere? (b) Si duhet ta shohim studimin personal, meditimin dhe lutjen?

19 Ne kemi një nevojë të thellë frymore për të treguar një dashuri të tillë. Jehovai ka marrë masa që ta adhurojmë në një mënyrë që të ushqejmë e të forcojmë dashurinë për Të. Kur ndjek mbledhjet e krishtere, përpiqu të mbash në mendje se je aty për të adhuruar Perëndinë tënd. Ky adhurim përfshin të bashkohesh në lutjet e përzemërta, të këndosh këngë lavdie, të dëgjosh me vëmendje dhe të marrësh pjesë me komente kur është e mundur. Këto mbledhje të japin mundësi edhe të inkurajosh të krishterët e tjerë. (Hebrenjve 10:24, 25) Nëse e adhuron rregullisht Jehovain në mbledhjet e krishtere, do të të forcohet gjithnjë e më e shumë dashuria për të.

20 Të njëjtën gjë mund të themi për studimin personal, meditimin dhe lutjen. Mendoji këto si mënyra për të qenë vetëm për vetëm me Jehovain. Ndërsa studion Fjalën e shkruar të Perëndisë dhe mediton rreth saj, Jehovai po të përcjell mendimet e tij. Kur lutesh, po ia zbraz zemrën atij. Mos harro se lutja nuk përfshin vetëm t’i kërkosh gjëra Perëndisë. Lutja është edhe një mundësi që ta falënderosh Jehovain për bekimet që ke marrë dhe ta lëvdosh për veprat e tij të mrekullueshme. (Psalmi 146:1) Veç kësaj, mënyra më e mirë për ta falënderuar Jehovain e për t’i treguar se e do, është duke e lëvduar publikisht me gëzim e me entuziazëm.

21. Sa e rëndësishme është dashuria për Jehovain dhe çfarë do të shqyrtohet në kapitujt vijues?

21 Dashuria për Perëndinë është çelësi për të pasur lumturi të përjetshme. Është gjithçka që do t’i ishte dashur Adamit dhe Evës për t’ia dalë mbanë, dhe e vetmja gjë që nuk arritën të zhvillonin. Është gjëja më e rëndësishme që do të të duhet për të kaluar çfarëdo sprove besimi, për të hedhur poshtë çdo tundim dhe për të duruar çdo sprovë. Është në thelb të asaj që do të thotë të jesh ithtar i Jezuit. Natyrisht, dashuria për Perëndinë është e lidhur edhe me dashurinë për të tjerët. (1 Gjonit 4:20) Në kapitujt që do të vijojnë, do të shqyrtojmë si e tregoi Jezui dashurinë për njerëzit. Në kapitullin vijues, do të shohim pse shumë vetave i dukej i afrueshëm Jezui.