Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 18

«Vazhdo të më ndjekësh»

«Vazhdo të më ndjekësh»

1-3. (a) Në cilën mënyrë u nda Jezui prej apostujve të tij dhe përse kjo nuk ishte një ndarje lamtumire? (b) Pse duhet të dimë më shumë për jetën që ka bërë Jezui që kur u kthye në qiell?

 NJËMBËDHJETË burra janë së bashku në një mal. Me dashuri dhe admirim të madh, po shohin një person të dymbëdhjetë. Ky është në formë njeriu, por, në fakt, është Jezui i ringjallur, i cili është përsëri biri më i fuqishëm frymor i Jehovait. Jezui i ka mbledhur apostujt që t’i takojë në Malin e Ullinjve për herë të fundit.

2 Me siguri që Jezuit i sjell shumë kujtime ky mal ose kodër e lartë, pjesë e një vargu kodrash gëlqerore përgjatë luginës së Kidronit, që zënë fill nga Jerusalemi. Në këto shpate ndodhet fshati i Betanisë, ku Jezui ringjalli Lazarin. Vetëm disa javë më parë, Jezui u nis nga Betfaga, që ndodhet aty afër, dhe hyri triumfues në Jerusalem. Ka mundësi që në Malin e Ullinjve të ndodhej edhe kopshti i Getsemanisë, ku Jezui kaloi orët e ankthit para se ta arrestonin. Tani, në të njëjtin mal, Jezui përgatitet për t’u larguar prej miqve të tij më të ngushtë që e kanë ndjekur. Fjalët e fundit që u thotë janë të ngrohta. Pastaj ai fillon të ngrihet nga toka! Apostujt qëndrojnë aty si të ngrirë, duke vështruar Zotërinë e tyre të dashur ndërsa ngjitet në qiell. Së fundi, një re ua fsheh nga sytë dhe nuk e shohin më.​—Veprat 1:6-12.

3 A të duket kjo skenë si një fund i trishtuar, si një ndarje lamtumire? Nuk është e tillë. Në fakt, siç u thonë dy engjëj edhe apostujve, historia e Jezuit nuk mbaron me kaq. (Veprat 1:10, 11) Në shumë aspekte, ngjitja e tij drejt qiellit është vetëm një fillim. Fjala e Perëndisë nuk na lë në errësirë për atë që ndodhi më tej me Jezuin. Për ne është me rëndësi të mësojmë se ç’jetë ka bërë Jezui që kur u largua nga toka. Përse? Kujto fjalët që i tha Jezui Pjetrit: «Vazhdo të më ndjekësh.» (Gjoni 21:19, 22) Të gjithë duhet t’i bindemi këtij urdhri, dhe kjo nuk duhet të jetë thjesht një zgjedhje e përkohshme, por mënyra se si jetojmë. Për të bërë këtë, duhet të kuptojmë çfarë po bën tani Zotëria ynë dhe çfarë caktimesh ka marrë në qiell.

Jeta e Jezuit që kur u largua nga toka

4. Si e kishte treguar që më përpara Bibla se çfarë do të ndodhte në qiell pasi të kthehej Jezui atje?

4 Për sa i përket vajtjes së Jezuit në qiell, mirëpritjes që i bënë dhe ribashkimit të gëzuar me Atin e tij, Shkrimet nuk thonë gjë. Megjithatë, Bibla kishte thënë që më përpara çfarë do të ndodhte në qiell pak pasi të kthehej atje Jezui. Për më shumë se 15 shekuj, populli jude kishte parë rregullisht një ceremoni të shenjtë. Një ditë në vit, kryeprifti hynte në Më të Shenjtën e tempullit dhe para arkës së besëlidhjes spërkaste me gjakun e flijimeve të Ditës së Shlyerjes. Atë ditë, kryeprifti paraqiste Mesinë. Jezui e përmbushi një herë e mirë kuptimin profetik të asaj ceremonie, pasi u kthye në qiell. Ai hyri në praninë madhështore të Jehovait në qiell, në vendin më të shenjtë në univers, dhe i paraqiti Atit vlerën e flijimit të tij shpërblyes. (Hebrenjve 9:11, 12, 24) A e pranoi Jehovai atë?

5, 6. (a) Cila dëshmi bëri të qartë se Jehovai e kishte pranuar flijimin shpërblyes të Krishtit? (b) Kush nxjerr dobi nga shpërblesa dhe si?

5 Përgjigjen e gjejmë kur shqyrtojmë çfarë ndodhi disa ditë pasi Jezui ishte ngjitur në qiell. Një grup i vogël me rreth 120 të krishterë ishin mbledhur në Jerusalem, në një dhomë të sipërme, kur vendin e mbushi papritur një zhurmë si ajo e një ere të furishme. Atyre iu shfaqën mbi kokë gjuhë si prej zjarri, u mbushën me frymë të shenjtë dhe filluan të flitnin në gjuhë të ndryshme. (Veprat 2:1-4) Kjo ngjarje shënoi lindjen e një kombi të ri, të Izraelit frymor, i cili tani ishte ‘raca e zgjedhur’ dhe ‘priftëria mbretërore’ e Perëndisë për të kryer vullnetin e tij në tokë. (1 Pjetrit 2:9) Është e qartë se Perëndia Jehova e kishte pranuar flijimin shpërblyes të Krishtit dhe e kishte miratuar. Derdhja e frymës së shenjtë në këtë rast ishte ndër bekimet e para që u bënë të mundura me anë të shpërblesës.

6 Që nga ajo kohë, shpërblesa e Krishtit u ka sjellë dobi ithtarëve të tij në mbarë botën. Të gjithë nxjerrim dobi nga flijimi tij: qoftë ‘kopeja e vogël’ e mirosur, anëtarët e së cilës do të sundojnë me Krishtin në qiell, qoftë ‘delet e tjera’ që do të jetojnë nën sundimin e tij në tokë. (Luka 12:32; Gjoni 10:16) Ky flijim është baza për shpresën tonë dhe për faljen e mëkateve. Për sa kohë që vazhdojmë ‘të tregojmë besim’ tek ajo shpërblesë, duke e ndjekur dita-ditës Jezuin, mund të kemi një ndërgjegje të pastër dhe një shpresë të bukur për të ardhmen.​—Gjoni 3:16.

7. Ç’autoritet iu dha Jezuit pasi u kthye në qiell dhe si mund ta mbështetësh ti Jezuin?

7 Çfarë ka bërë Jezui në qiell që kur u kthye atje? Ai ka një autoritet shumë të madh. (Mateu 28:18) Po, Jehovai e caktoi që të sundojë mbi kongregacionin e krishterë, caktim të cilin Jezui e ka përmbushur me dashuri e drejtësi. (Kolosianëve 1:13) Siç ishte parathënë, Jezui ka siguruar burra përgjegjës që të kujdesen për nevojat e kopesë së tij. (Efesianëve 4:8) Për shembull, ai e zgjodhi Pavlin që të ishte «apostull i kombeve» dhe e dërgoi të përhapte lajmin e mirë në vende të largëta. (Romakëve 11:13; 1 Timoteut 2:7) Aty nga fundi i shekullit të parë, Jezui dha mesazhe që përmbanin lavdërime, këshilla dhe ndreqje për shtatë kongregacione që ndodheshin në provincën romake të Azisë. (Zbulesa, kapitujt 2, 3) A e pranon Jezuin si Kreun e kongregacionit të krishterë? (Efesianëve 5:23) Që të vazhdosh ta ndjekësh, duhet të nxitësh në kongregacionin tënd një frymë bindjeje dhe bashkëpunimi.

8, 9. Ç’autoritet iu dha Jezuit në vitin 1914 dhe si duhet të ndikojë kjo në vendimet që marrim?

8 Jezuit iu dha edhe më shumë autoritet në vitin 1914. Atë vit, u emërua Mbret i Mbretërisë mesianike të Jehovait. Kur filloi sundimi i Jezuit, «në qiell shpërtheu lufta». Me çfarë përfundimi? Satanai dhe demonët e tij u hodhën poshtë në tokë, dhe kjo shënoi fillimin e një epoke mjerimi. Luftërat, krimet, terrori, sëmundjet, tërmetet dhe zia e bukës që kanë goditur vazhdimisht e pa mëshirë botën moderne, na kujtojnë se tani Jezui po sundon në qiell. Satanai ende është «sundimtari i kësaj bote» edhe për «një periudhë kohe të shkurtër». (Zbulesa 12:7-12; Gjoni 12:31; Mateu 24:3-7; Luka 21:11) Megjithatë, Jezui po u jep njerëzve kudo në botë mundësinë që të pranojnë sundimin e Tij.

9 Është jetësore të marrim anën e Mbretit mesianik. Në çdo vendim që marrim përditë, duhet të kërkojmë miratimin e tij, jo të kësaj bote të korruptuar. Ndërsa ky «Mbret i mbretërve dhe Zotëri i zotërinjve» heton njerëzimin, zemra e tij e drejtë zien nga zemërimi, por edhe gufon nga gëzimi. (Zbulesa 19:16) Përse?

Zemërimi dhe gëzimi i Mbretit mesianik

10. Si është nga natyra Jezui, Zotëria ynë, e megjithatë çfarë e mbush me zemërim të drejtë?

10 Ashtu si Ati i vet, edhe Zotëria ynë është i lumtur nga natyra. (1 Timoteut 1:11) Kur ishte në tokë, Jezui nuk ishte as kritik dhe as tepër i vështirë për t’u kënaqur. Megjithatë, sot në botë po ndodhin shumë gjëra që e mbushin me zemërim të drejtë. S’ka dyshim se ai është i zemëruar me të gjitha ato organizata fetare që në mënyrë të rreme pohojnë se përfaqësojnë atë. Ai e kishte parathënë këtë: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por do të hyjë ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: ‘Zotëri, Zotëri, . . . a nuk kryem shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’ E megjithatë unë do t’u them atyre: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni paligjshmëri!’»​—Mateu 7:21-23.

11-13. Pse disa mund të çuditen nga fjalët e ashpra që u tha Jezui atyre që kishin kryer «shumë vepra të fuqishme» në emrin e tij, e megjithatë pse është i zemëruar ai? Ilustroje.

11 Shumë veta sot që e quajnë veten të krishterë mund të çuditen me këto fjalë të tij. Pse do t’u thoshte fjalë kaq të ashpra Jezui njerëzve që kishin kryer «shumë vepra të fuqishme» në emër të tij? Kishat «e krishtere» kanë bërë vepra bamirësie, kanë ndihmuar të varfrit, kanë ndërtuar spitale e shkolla dhe kanë kryer shumë vepra të tjera. Po për të kuptuar pse i kanë shkaktuar zemërim Jezuit, le të shqyrtojmë një ilustrim.

12 Në një familje, babai dhe mamaja duhet të bëjnë një udhëtim. S’i marrin dot me vete fëmijët, prandaj punësojnë një dado që të kujdeset për ta. I japin porosi të thjeshta: «Kujdesu për fëmijët tanë. Ushqeji, sigurohu që të jenë të pastër dhe të mos rrezikojnë.» Mirëpo, kur kthehen, prindërit tronditen sepse shohin që fëmijëve të tyre po u grijnë zorrët. Janë të pistë, të sëmurë dhe në gjendje të mjeruar. Qajnë për t’i tërhequr vëmendjen dados, por ajo as që ua vë veshin. Pse? Se ka hipur në një shkallë e po lan dritaret. Të zemëruar në kulm, prindërit i kërkojnë shpjegim. Dadoja përgjigjet: «Por shikoni tërë ato gjëra që ju kam bërë! A s’janë të pastra dritaret? Kam bërë riparime edhe në shtëpi. Të gjitha për ju i kam bërë!» A do t’i bënte kjo prindërit të ndiheshin më mirë? Sigurisht që jo! Ata as që i kishin kërkuar t’i bënte këto punë, thjesht donin që ajo të kujdesej për fëmijët. Normale që u zemëruan shumë kur ajo s’kishte zbatuar porositë e tyre.

13 Krishterimi i rremë ka vepruar si kjo dado. Jezui u la përfaqësuesve të tij udhëzime që t’i ushqenin frymësisht njerëzit duke u mësuar të vërtetën e Fjalës së Perëndisë dhe duke i ndihmuar që të ishin të pastër frymësisht. (Gjoni 21:15-17) E megjithatë, krishterimi i rremë i ka shpërfillur në mënyrë flagrante udhëzimet e tij. I ka lënë njerëzit të uritur frymësisht, të ngatërruar nga ide të rreme dhe të paditur për sa u përket të vërtetave themelore biblike. (Isaia 65:13; Amosi 8:11) As përpjekjet që ka bërë për të përmirësuar këtë botë, nuk ia justifikojnë mosbindjen me dashje. Fundja, kjo botë është si një shtëpi që i ka rënë plani të shembet! Fjala e Perëndisë e bën të qartë se bota e Satanait do të shkatërrohet së shpejti.​—1 Gjonit 2:15-17.

14. Cila vepër po e bën të lumtur sot Jezuin dhe përse?

14 Nga ana tjetër, Jezui duhet të jetë shumë i lumtur kur sheh nga qiejt se miliona njerëz po përmbushin detyrën për të bërë dishepuj, detyrë që ai ua la ithtarëve të vet para se të largohej nga toka. (Mateu 28:19, 20) Sa privilegj të madh kemi që t’ia shtojmë gëzimin Mbretit mesianik! Le të jemi të vendosur që të mos pushojmë kurrë së ndihmuari ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’. (Mateu 24:45) Ndryshe nga kleri i krishterimit të rremë, ky grup i vogël i vëllezërve të mirosur është treguar i bindur dhe ka marrë drejtimin në veprën e predikimit, si dhe i ka ushqyer me besnikëri delet e Krishtit.

15, 16. (a) Çfarë mendon Jezui për mungesën e dashurisë që mbizotëron në tokë dhe si e dimë këtë? (b) Pse e meriton krishterimi i rremë zemërimin e Jezuit?

15 Mund të jemi të sigurt se Mbreti ynë zemërohet kur sheh sa pak dashuri ka sot në tokë. Ndoshta e kujtojmë që farisenjtë e kritikuan Jezuin se kryente shërime në sabat. Kaq zemërgur ishin ata, kaq kokëfortë, sa nuk shihnin dot përtej interpretimit të tyre mendjengushtë të Ligjit të Moisiut dhe të ligjit gojor. Me anë të mrekullive të tij, Jezui bënte të mira që s’kishin të çmuar! Por për ata burra nuk kishte asnjë vlerë gëzimi, lehtësimi dhe forcimi i besimit që vinin si pasojë e këtyre mrekullie. Ç’mendonte Jezui për ta? Një herë, ai «pa rreth e rrotull me indinjatë, krejt i hidhëruar për zemrën e tyre të pandjeshme».​—Marku 3:5.

16 Sot Jezui sheh shumë më tepër gjëra që e bëjnë të ndihet «krejt i hidhëruar». Krerët e krishterimit të rremë janë të verbuar nga përkushtimi i tyre ndaj traditave dhe doktrinave që janë në kundërshtim me Shkrimet. Për më tepër, ata i acaron predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Në shumë pjesë të botës, kleri ka nxitur një përndjekje të ashpër kundër atyre të krishterëve që përpiqen sinqerisht të predikojnë mesazhin që predikoi Jezui. (Gjoni 16:2; Zbulesa 18:4, 24) Në të njëjtën kohë, shpesh këta klerikë i nxitin ithtarët e tyre të shkojnë në luftë e t’u marrin jetën të tjerëve, sikur kjo t’i pëlqente Jezu Krishtit!

17. Si ia gëzojnë zemrën Jezuit ithtarët e tij të vërtetë?

17 Ndryshe nga ata, ithtarët e vërtetë të Jezuit përpiqen të tregojnë dashuri për të tjerët. Pavarësisht nga kundërshtimi, u japin lajmin e mirë ‘njerëzve të çdo lloji’, njësoj si Jezui. (1 Timoteut 2:4) Dashuria që tregojnë për njëri-tjetrin është e pashoqe, është shenja kryesore që i identifikon. (Gjoni 13:34, 35) Duke i trajtuar të krishterët e tjerë me dashuri, respekt dhe dinjitet, ata po e ndjekin vërtet Jezuin dhe po ia gëzojnë zemrën Mbretit mesianik!

18. Çfarë e hidhëron Zotërinë tonë, por si mund ta kënaqim ne?

18 Nuk duhet të harrojmë edhe se Zotëria ynë hidhërohet kur ithtarët e tij nuk qëndrojnë përballë sprovave, lënë t’u ftohet dashuria për Jehovain e nuk i shërbejnë më. (Zbulesa 2:4, 5) Por Jezui kënaqet me ata që qëndrojnë deri në fund. (Mateu 24:13) Atëherë, le të bëjmë çmos që ta mbajmë gjithnjë në mend urdhrin e Krishtit: «Vazhdo të më ndjekësh.» (Gjoni 21:19) Tani të shqyrtojmë disa bekime që do t’u japë Mbreti mesianik atyre që qëndrojnë deri në fund.

Bekimet vërshojnë për shërbëtorët besnikë të Mbretit

19, 20. (a) Ç’bekime kemi që tani duke ndjekur Jezuin? (b) Si mund të na ndihmojë ndjekja e Krishtit për të përmbushur nevojën tonë për një atë?

19 Duke ndjekur Jezuin, do të kemi një jetë vërtet të bekuar që tani. Po ta pranojmë Krishtin si Zotërinë tonë, duke ndjekur drejtimin e tij dhe duke përdorur si udhërrëfyes shembullin e tij, do të gjejmë thesare që njerëzit në mbarë botën i kërkojnë, por më kot. Do të bekohemi me një punë që i jep kuptim e qëllim jetës sonë, me një familje bashkëbesimtarësh që i bashkon një lidhje e sinqertë dashurie, me një ndërgjegje të pastër dhe me paqe mendore. Me pak fjalë, do të kemi një jetë të pasur e të kënaqshme. Por nuk mbaron me kaq.

20 Jehovai e ka dhënë Jezuin si ‘Atë të Përjetshëm’ për ata që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë. Jezui zëvendëson Adamin, atin njerëzor që i la vërtet në baltë pasardhësit e vet. (Isaia 9:6, 7) Duke e pranuar Jezuin si ‘Atin tonë të Përjetshëm’ e duke treguar besim tek ai, kemi shpresën e sigurt për jetën e përhershme. Për më tepër, në këtë mënyrë afrohemi më shumë me Perëndinë Jehova. Siç kemi mësuar, përpjekjet për ta ndjekur çdo ditë shembullin e Jezuit janë mënyra më e mirë për t’iu bindur këtij urdhri të frymëzuar: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur.»​—Efesianëve 5:1.

21. Si pasqyrojnë ithtarët e Krishtit dritë në një botë të errët?

21 Ndërsa imitojmë Jezuin dhe Atin e tij, Jehovain, kemi një privilegj të mrekullueshëm. Pasqyrojmë një dritë të shndritshme. Në këtë botë të mbështjellë nga errësira, ku miliarda veta mashtrohen nga Satanai dhe imitojnë tiparet e tij, ne që ndjekim Krishtin përhapim dritën më të ndritshme​—dritën e të vërtetave biblike, dritën e cilësive të shkëlqyera të krishtere, dritën e gëzimit të vërtetë, të paqes dhe të dashurisë së vërtetë. Në të njëjtën kohë, afrohemi më shumë me Jehovain, dhe ky është synimi më i lartë e më fisnik i çdo krijese me aftësinë për të arsyetuar.

22, 23. (a) Ç’bekime të ardhshme do të kenë ata që vazhdojnë ta ndjekin me besnikëri Jezuin? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur?

22 Mendo edhe për atë që Jehovai dëshiron të bëjë për ty në të ardhmen, me anë të Mbretit të tij mesianik. Së shpejti, ky Mbret do të bëjë një luftë të drejtë kundër sistemit të lig të Satanait. Fitorja e Jezuit është e sigurt! (Zbulesa 19:11-15) Më pas, Krishti do të fillojë Mbretërimin e tij Mijëvjeçar mbi tokën. Qeveria e tij qiellore do t’u japë dobitë e shpërblesës të gjithë njerëzve besnikë, duke i çuar në përsosmëri. Përfytyroje veten me shëndet të plotë, gjithnjë i ri e i fortë, duke punuar i lumtur bashkë me një familje të bashkuar njerëzore për ta kthyer këtë tokë në parajsë! Në fund të atij Mijëvjeçari, Jezui do t’ia dorëzojë sundimin Atit të tij. (1 Korintasve 15:24) Nëse vazhdon të ndjekësh me besnikëri Krishtin, do të të jepet një bekim kaq i mrekullueshëm, saqë as e imagjinon dot: ‘liria e lavdishme e fëmijëve të Perëndisë’. (Romakëve 8:21) Po, të gjithë do të kemi bekimet që Adami dhe Eva i kishin, por i humbën. Si bij e bija të Jehovait këtu në tokë, do të lirohemi një herë e mirë nga njolla e mëkatit të Adamit. Po, «nuk do të ketë më vdekje».​—Zbulesa 21:4.

23 Të kujtohet i riu i pasur për të cilin folëm në kapitullin e parë? Ai nuk e pranoi ftesën e Jezuit: «Eja e bëhu ithtari im.» (Marku 10:17-22) Kurrë mos e bëj atë gabim! Pranoje me gëzim dhe entuziazëm ftesën e Jezuit! Ji i vendosur të qëndrosh deri në fund, të vazhdosh ta ndjekësh Bariun e Shkëlqyer ditë pas dite, vit pas viti dhe të jetosh për ta parë tek përmbush më në fund në mënyrë të lavdishme të gjitha qëllimet e Jehovait!