Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 7

‘Shqyrto me kujdes atë që ka qëndruar’

‘Shqyrto me kujdes atë që ka qëndruar’

1-3. (a) Ç’ankth e pushton Jezuin në kopshtin e Getsemanisë dhe përse? (b) Ç’mund të themi për shembullin e qëndrueshmërisë që la Jezui, dhe cilat pyetje lindin?

 PRESIONI është shumë i fortë. Jezui nuk ka përjetuar kurrë më parë një shtrëngim të tillë të brendshëm mendor dhe emocional. Po kalon orët e fundit të jetës së tij këtu në tokë. Bashkë me apostujt, vjen në një vend të njohur, në kopshtin e Getsemanisë. Ai është takuar shpesh me ta në këtë vend, por këtë natë ka nevojë të qëndrojë pak vetëm. Kështu, i lë apostujt dhe hyn më thellë në kopsht, bie në gjunjë dhe nis të lutet. Lutet me kaq zjarr dhe e pushton një ankth i tillë, saqë djersa i bëhet ‘si pika gjaku që bien përtokë’.​—Luka 22:39-44.

2 Po pse është kaq i trazuar Jezui? Ai e di se së shpejti do t’i duhet të provojë vuajtje fizike të papërshkrueshme, por nuk është kjo arsyeja pse ndien ankth. Në mendje i rëndojnë çështje shumë më të rëndësishme. Ai është shumë në merak për emrin e Atit të tij dhe e kupton se e ardhmja e familjes njerëzore varet nga ai, nëse do të qëndrojë besnik apo jo. Jezui e di sa jetësore është që të qëndrojë përballë vështirësive. Po të dështojë, do t’i sjellë sharje të rëndë emrit të Jehovait. Por Jezui nuk dështon. Më vonë po atë ditë, disa çaste para se të japë frymën e fundit, njeriu që la shembullin më të mirë të qëndrueshmërisë në tokë, thotë fitimtar: «U krye!»​—Gjoni 19:30.

3 Bibla na nxit ‘të shqyrtojmë me kujdes atë [Jezuin] që ka qëndruar’. (Hebrenjve 12:3) Pra, lindin disa pyetje të rëndësishme: cilat janë disa sprova që duroi Jezui? Si arriti të qëndronte? Si mund ta ndjekim shembullin e tij? Por, para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të shqyrtojmë se çfarë përfshin qëndrueshmëria.

Çfarë është qëndrueshmëria?

4, 5. (a) Çfarë do të thotë fjala «qëndrueshmëri»? (b) Si mund ta ilustrojmë se qëndrueshmëria nuk do të thotë thjesht të kalosh vështirësi të cilave s’ke si t’u shpëtosh?

4 Herë pas here, të gjithë ‘hidhërohemi nga sprova të ndryshme’. (1 Pjetrit 1:6) Por, vetëm sepse po kalojmë një sprovë, a do të thotë kjo medoemos se po tregojmë qëndrueshmëri gjatë saj? Jo. Fjala greke e përkthyer «qëndrueshmëri» do të thotë «aftësia për të rezistuar ose për të mos u dorëzuar përpara vështirësive». Një dijetar biblik e shpjegon kështu atë lloj qëndrueshmërie për të cilën folën shkrimtarët biblikë: «Ajo është fryma që mund t’i durojë gjërat, jo thjesht me nënshtrim, por me shpresë të zjarrtë . . . Është kjo cilësi që e mban një njeri në këmbë, me fytyrën kthyer kundër erës. Është virtyti që mund ta shndërrojë sprovën më të rëndë në lavdi, sepse përtej dhembjes sheh synimin që duhet arritur.»

5 Pra, të qëndrosh nuk do të thotë thjesht të kalosh vështirësi të cilave s’ke si t’u shpëtosh. Në kuptimin biblik, qëndrueshmëria përfshin të jesh i palëkundur, të mbash qëndrimin e duhur mendor dhe një pikëpamje pozitive përballë sprovave. Ta ilustrojmë: dy burra janë në burg dhe jetojnë në të njëjtat kushte, por për arsye shumë të ndryshme. Njëri, një kriminel i rëndomtë, e kryen dënimin tërë mllef, me një nënshtrim nga halli e me fytyrë të trishtuar. Tjetri, një i krishterë i vërtetë që e kanë burgosur për besnikërinë e tij, është i palëkundur dhe mban një qëndrim pozitiv, sepse këtë situatë e sheh si një mundësi për të treguar besimin e tij. Krimineli patjetër që s’mund të konsiderohet shembull qëndrueshmërie, kurse i krishteri besnik është mishërimi i kësaj cilësie të shkëlqyer.​—Jakovi 1:2-4.

6. Si e zhvillojmë qëndrueshmërinë?

6 Qëndrueshmëria është thelbësore për të marrë shpëtimin. (Mateu 24:13) Por ne njerëzit nuk lindim me këtë cilësi të domosdoshme. Qëndrueshmërinë duhet ta zhvillojmë. Po si? «Shtrëngimi sjell qëndrueshmëri»,​—thuhet te Romakëve 5:3. Po, nëse duam të zhvillojmë vërtet qëndrueshmëri, s’mund të sprapsemi me frikë para çdo sprove besimi. Duhet t’i përballojmë ato. Qëndrueshmëria vjen kur, ditë pas dite, përballemi me sprova të mëdha e të vogla dhe i kapërcejmë. Çdo sprovë që kalojmë, na forcon për të përballuar tjetrën që do të vijë. Natyrisht, qëndrueshmërinë nuk e zhvillojmë dot me forcat tona. Ne ‘varemi nga forca që jep Perëndia’. (1 Pjetrit 4:11) Që të na ndihmojë të qëndrojmë të palëkundur, Jehovai na ka dhënë mjetin më të mirë, domethënë shembullin e Birit të tij. Le ta shqyrtojmë më nga afër rrugën e patëmetë të qëndrueshmërisë që ndoqi Jezui.

Çfarë duroi Jezui?

7, 8. Çfarë duroi Jezui ndërsa po i afrohej fundit të jetës së tij në tokë?

7 Ndërsa po i afrohej fundit të jetës në tokë, Jezui duroi mizori njërën pas tjetrës. Përveç ankthit të jashtëzakonshëm mendor që kishte natën e fundit, mendo sa i zhgënjyer dhe i poshtëruar duhet të jetë ndier. Një shok i tij e tradhtoi, miqtë më të ngushtë e braktisën, gjyqi që iu bë ishte i paligjshëm dhe, gjatë tij, anëtarët e gjykatës më të lartë fetare të vendit e tallën, e pështynë dhe e goditën me grushte. E megjithatë, ai e duroi gjithçka me dinjitet, qetësi dhe forcë të brendshme.​—Mateu 26:46-49, 56, 59-68.

8 Në orët e fundit të jetës, Jezui duroi vuajtje fizike të papërshkrueshme. E rrahën rëndë me kamxhik, në një mënyrë që thuhet se shkakton «çarje të thella të stërgjatura dhe humbje të mëdha gjaku». E gozhduan në shtyllë dhe e ekzekutuan në një mënyrë që çonte në «një vdekje të ngadaltë, me dhembjet e vuajtjet më të mëdha të mundshme». Mendo për dhembjet therëse që duhet të ketë ndier ndërsa i ngulnin në duar e në këmbë gozhdë të mëdha, duke e mbërthyer në shtyllë. (Gjoni 19:1, 16-18) Përfytyro dhembjen e padurueshme që ndjeu kur shtylla u vendos drejt dhe pesha e trupit iu var te gozhdët e kurrizi i bërë copë iu fërkua pas shtyllës. Këtë vuajte fizike kaq të skajshme ai e duroi ndërkohë që mbante edhe peshën emocionale që u përshkrua në fillim të kapitullit.

9. Çfarë përfshin të marrim ‘shtyllën tonë të torturës’ dhe të ndjekim Jezuin?

9 Çfarë mund të na duhet të durojmë neve si ithtarë të Krishtit? Jezui tha: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le . . . të marrë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Mateu 16:24) Këtu, shprehja ‘shtylla e torturës’ përdoret në kuptimin e figurshëm dhe përfaqëson vuajtjet, turpin ose edhe vdekjen. Të ndjekësh Krishtin nuk është një rrugë e lehtë. Normat tona të krishtere na bëjnë të ndryshëm nga të tjerët. Kjo botë na urren, sepse nuk jemi pjesë e saj. (Gjoni 15:18-20; 1 Pjetrit 4:4) Gjithsesi, jemi të gatshëm të marrim shtyllën tonë të torturës; po, jemi gati që më mirë të vuajmë e madje edhe të vdesim, sesa të heqim dorë nga ndjekja e Modelit tonë.​—2 Timoteut 3:12.

10-12. (a) Përse papërsosmëritë e atyre që e rrethonin përbënin një sprovë qëndrueshmërie për Jezuin? (b) Cilat ishin disa situata sprovuese që duroi Jezui?

10 Gjatë shërbimit Jezui hasi edhe sprova të tjera, të shkaktuara nga papërsosmëritë e atyre që e rrethonin. Mos harro se ai ishte «kryemjeshtër» dhe Jehovai e përdori për të krijuar tokën dhe jetën në të. (Proverbat 8:22-31) Pra, Jezui e dinte ç’kishte pasur si qëllim Jehovai për njerëzimin; ata duhej të pasqyronin cilësitë e Tij dhe të gëzonin jetën me një shëndet të përsosur. (Zanafilla 1:26-28) Kur erdhi në tokë, Jezui i pa nga një këndvështrim tjetër pasojat tragjike të mëkatit​—tashmë ishte vetë njeri, me aftësinë për të pasur ndjenja dhe emocione njerëzore. Sa duhet të jetë hidhëruar kur pa me sytë e vet se sa poshtë kishin rënë njerëzit nga përsosmëria që kishte pasur Adami dhe Eva! Kështu, Jezui u përball me një sprovë qëndrueshmërie. A do të shkurajohej e të dorëzohej, duke i parë njerëzit mëkatarë si një rast i pashpresë? Le të shohim.

11 Indiferenca e judenjve e dëshpëroi kaq shumë Jezuin, sa qau haptazi. Por, a lejoi që kjo indiferencë t’ia ulte zellin apo ta bënte që të mos predikonte më? Përkundrazi, ai «mësonte përditë në tempull». (Luka 19:41-44, 47) Pandjeshmëria e farisenjve, të cilët po e vëzhgonin me kujdes për të parë a do ta shëronte një njeri në sabat, e bëri të ndihej «krejt i hidhëruar». Por a lejoi që ta frikësonin ata kundërshtarë që e mbanin veten për të drejtë? Absolutisht jo! Ai qëndroi i palëkundur dhe e shëroi atë njeri, pikërisht aty, në qendër të sinagogës!​—Marku 3:1-5.

12 Kishte edhe diçka tjetër që duhet të ketë qenë një sprovë për Jezuin​—dobësitë e dishepujve që i mbante shumë afër. Siç mësuam në kapitullin e tretë, ata vazhdimisht shfaqnin dëshirën për t’u shquar mbi të tjerët. (Mateu 20:20-24; Luka 9:46) Jezui i këshilloi disa herë me radhë që të ishin të përulur. (Mateu 18:1-6; 20:25-28) E megjithatë, ata nuk reaguan menjëherë. Madje, natën e fundit që ai ishte me ta, dishepujt hynë në ‘një debat të zjarrtë’ se kush ishte më i madhi! (Luka 22:24) A u dorëzua Jezui, duke arsyetuar se s’kishte më shpresë për ta? Jo. Me durimin që e karakterizonte gjithnjë, ai vazhdoi të ishte optimist e të kishte shpresë, të shihte cilësitë e mira tek ata. E dinte se në zemër e donin Jehovain dhe dëshironin vërtet të bënin vullnetin e Tij.​—Luka 22:25-27.

A do të lejojmë që kundërshtimi të na ulë entuziazmin, apo do të vazhdojmë të predikojmë me zell?

13. Cilat sprova të ngjashme me ato që duroi Jezui mund të hasim edhe ne?

13 Edhe ne mund të hasim sprova të ngjashme me ato që duroi Jezui. Për shembull, mund të takojmë njerëz që janë indiferentë ose edhe kundërshtarë ndaj mesazhit të Mbretërisë. A do të lejojmë që reagime të tilla negative të na shkurajojnë, apo do të vazhdojmë të predikojmë me zell? (Titit 2:14) Sprova të tjera mund të na vijnë si pasojë e papërsosmërive të vëllezërve tanë të krishterë. Mund të na lëndojë një fjalë e thënë pa u menduar ose një veprim i nxituar i të tjerëve. (Proverbat 12:18) A do të lëmë që mangësitë e bashkëbesimtarëve të na bëjnë të heqim dorë prej tyre, apo do të vazhdojmë t’ua durojmë të metat dhe të kërkojmë gjërat e mira që kanë?​—Kolosianëve 3:13.

Pse qëndroi Jezui në sprova?

14. Cilët ishin dy faktorë që e ndihmuan Jezuin të qëndronte i palëkundur?

14 Çfarë e ndihmoi Jezuin të qëndronte i palëkundur dhe të mbante integritetin, pavarësisht nga gjithë poshtërimet, zhgënjimet dhe vuajtjet që hasi? E ndihmuan dy faktorë të veçantë. Së pari, Jezui shihte lart, domethënë i lutej ‘Perëndisë që jep qëndrueshmëri’. (Romakëve 15:5) Së dyti, shihte para, domethënë përqendrohej te përfundimi që do të vinte nga qëndrueshmëria e tij. Le t’i shqyrtojmë një më një këta faktorë.

15, 16. (a) Si e kuptojmë që Jezui nuk mbështetej te forcat e veta për të qëndruar? (b) Çfarë sigurie kishte Jezui tek Ati i tij dhe përse?

15 Edhe pse ishte Biri i përsosur i Perëndisë, Jezui nuk u mbështet në forcat e veta për të qëndruar. Ai iu drejtua Atit të tij qiellor dhe iu lut atij për ndihmë. Apostulli Pavël shkroi: «Me klithma të forta dhe lot, Krishti i bëri përgjërime dhe kërkesa Atij që ishte në gjendje ta shpëtonte nga vdekja.» (Hebrenjve 5:7) Siç e shikon, Jezui «bëri» jo vetëm kërkesa, por edhe përgjërime. Fjala «përgjërim» ka të bëjë me një lutje veçanërisht të ndier e me ngulm, me fjalë të tjera, të lypësh ndihmë. Përdorimi i saj në shumës, pra «përgjërime», tregon se Jezui iu lut më shumë se një herë Jehovait në këtë mënyrë. Për shembull, në kopshtin e Getsemanisë, ai u lut disa herë me radhë dhe tërë zjarr.​—Mateu 26:36-44.

16 Jezui ishte plotësisht i sigurt se Jehovai do t’u përgjigjej përgjërimeve të tij, sepse e dinte që Ati i tij është ‘Dëgjuesi i lutjes’. (Psalmi 65:2) Gjatë ekzistencës paranjerëzore, Biri i parëlindur kishte parë se si u ishte përgjigjur Ati i tij lutjeve të adhuruesve besnikë. Për shembull, Biri ishte dëshmitar okular në qiell kur Jehovai dërgoi një engjëll për t’iu përgjigjur lutjes së ndier të profetit Daniel, madje para se ta përfundonte lutjen. (Danieli 9:20, 21) Atëherë, si s’do t’i përgjigjej Birit të tij të vetëmlindur, kur i zbrazi zemrën «me klithma të forta dhe lot»? Jehovai iu përgjigj vërtet përgjërimeve të Birit të tij dhe dërgoi një engjëll që ta forconte të mos dorëzohej para mundimeve që do të kalonte.​—Luka 22:43.

17. Pse duhet të shohim lart për të qëndruar dhe si mund ta bëjmë këtë?

17 Që të qëndrojmë të palëkundur, edhe ne duhet të shohim lart, domethënë te Perëndia ‘që jep fuqi’. (Filipianëve 4:13) Nëse edhe Biri i përsosur i Perëndisë e ndiente nevojën t’i përgjërohej atij për ndihmë, aq më shumë duhet ta ndiejmë ne këtë nevojë! Ashtu si Jezui, mund të jetë e nevojshme t’i përgjërohemi disa herë me radhë Jehovait. (Mateu 7:7) Edhe pse nuk shpresojmë të na vijë ndonjë engjëll, mund të jemi të sigurt se Perëndia ynë i dashur do t’u përgjigjet lutjeve të të krishterëve besnikë që ‘ngulmojnë në përgjërime e në lutje natë e ditë’. (1 Timoteut 5:5) Çfarëdo sprove të hasim, qoftë probleme shëndetësore, vdekjen e një të afërmi ose përndjekjen nga kundërshtarët, Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona të zjarrta për të pasur mençuri, guxim dhe forcë për të qëndruar.​—2 Korintasve 4:7-11; Jakovi 1:5.

Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona të zjarrta për ndihmë që të qëndrojmë

18. Si shihte përpara Jezui, përtej vuajtjeve?

18 Faktori i dytë që e ndihmoi Jezuin të qëndronte, ishte se shihte përpara, përtej vuajtjeve, tek ajo që e priste. Bibla thotë për Jezuin: «Për gëzimin që iu vu përpara, ai duroi një shtyllë torture.» (Hebrenjve 12:2) Shembulli i Jezuit ilustron se si bashkëveprojnë shpresa, gëzimi dhe qëndrueshmëria. Mund të përmblidhet kështu: shpresa sjell gëzim dhe gëzimi qëndrueshmëri. (Romakëve 15:13; Kolosianëve 1:11) Jezui kishte para tij një të ardhme të mrekullueshme. E dinte se besnikëria e tij do të ndihmonte për shfajësimin e sovranitetit të Atit të tij dhe do t’i jepte mundësi ta riblente familjen njerëzore nga mëkati e nga vdekja. Gjithashtu, Jezui kishte shpresën që të sundonte si Mbret dhe të shërbente si Kryeprift, për t’u sjellë bekime të mëtejshme njerëzve të bindur. (Mateu 20:28; Hebrenjve 7:23-26) Duke u përqendruar tek e ardhmja dhe te shpresa që kishte, Jezui provoi një gëzim të madh, dhe kjo e ndihmoi të qëndronte.

19. Si t’i lëmë të bashkëveprojnë shpresa, gëzimi dhe qëndrueshmëria kur kemi sprova besimi?

19 Ashtu si Jezui, edhe ne duhet të lëmë që shpresa, gëzimi dhe qëndrueshmëria të bashkëveprojnë për dobinë tonë. Apostulli Pavël tha: «Gëzoni në shpresë.» Pastaj shtoi: «Qëndroni në shtrëngime.» (Romakëve 12:12) A je përballë një sprove të rëndë besimi? Atëherë, përpiqu me të gjitha forcat të shohësh përpara. Mos e hiq nga mendja se si do t’i sjellë lavdi emrit të Jehovait qëndrueshmëria jote. Mbaje të qartë shpresën e çmuar të Mbretërisë. Përfytyroje veten në botën e re të Perëndisë, ndërsa përjeton bekimet e Parajsës. Duke përfytyruar përmbushjen e gjërave të mrekullueshme që ka premtuar Jehovai​—shfajësimin e sovranitetit të tij, heqjen e ligësisë nga toka dhe zhdukjen e sëmundjeve e të vdekjes,—​do të të mbushet zemra me gëzim dhe gëzimi mund të të ndihmojë t’i qëndrosh çfarëdo sprove. Kur mendon për përmbushjen e shpresës së Mbretërisë, çdo vuajtje në këtë botë është vërtet ‘kalimtare dhe e lehtë’.​—2 Korintasve 4:17.

«Ndiqni me kujdes gjurmët e tij»

20, 21. Çfarë pret Jehovai nga ne për sa i përket qëndrueshmërisë dhe për çfarë duhet të jemi të vendosur?

20 Jezui e dinte se do të ishte e vështirë të ishe ithtar i tij, do të ishte një rrugë që do të kërkonte qëndrueshmëri. (Gjoni 15:20) Ai ishte gati ta bënte këtë vetë i pari, duke ditur se shembulli i tij do të forconte të tjerët. (Gjoni 16:33) Kuptohet, Jezui dha shembullin e përsosur të qëndrueshmërisë, mirëpo ne jemi larg përsosmërisë. Atëherë, çfarë pret nga ne Jehovai? Pjetri shpjegon: «Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjetrit 2:21) Me mënyrën si i përballoi sprovat, Jezui la «një model», një shembull për t’u kopjuar. * Qëndrueshmërinë që ai e tregoi gjithnjë, mund ta krahasojmë me «gjurmët». Vërtet që s’i ndjekim dot në mënyrë të përsosur këto gjurmë, por ama mund t’i ndjekim «me kujdes».

21 Atëherë, le të jemi të vendosur të ndjekim sa më mirë të mundemi shembullin e Jezuit! Kurrë të mos harrojmë që, sa më me kujdes t’i ndjekim gjurmët e Jezuit, aq më të përgatitur do të jemi për të qëndruar «deri në fund», qoftë ky fundi i këtij sistemi të vjetër ose fundi i jetës sonë të tanishme. Nuk e dimë cili do të vijë më parë, por dimë këtë: Jehovai do të na shpërblejë gjatë gjithë përjetësisë për qëndrueshmërinë tonë.​—Mateu 24:13.

^ Fjala greke e përkthyer «model», fjalë për fjalë do të thotë «të shkruash nën të». Apostulli Pjetër është shkrimtari i vetëm i Shkrimeve të Krishtere Greke që përdor këtë fjalë, për të cilën thonë se ka kuptimin «‘një shembull’ në fletoren e një fëmije, një germë ose fjalë e shkruar bukur, të cilën fëmija duhet ta kopjojë ashtu siç është, me sa të mundet».