Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 6

«Mësoi bindjen»

«Mësoi bindjen»

1, 2. Pse kënaqet një baba i dashur kur sheh të birin që i bindet dhe si pasqyrojnë ndjenjat e tij ato ndjenja që ka Jehovai?

 NJË baba sheh nga dritarja djalin e vet të vogël që po luan me shokët. Topi del nga oborri dhe përfundon në rrugë. Djali sheh me dëshirim andej nga shkoi topi. Një shok i thotë të dalë me vrap në rrugë dhe ta marrë, por djali tund kokën dhe ia kthen: «Më kanë thënë të mos e bëj këtë.» Babai buzëqesh i kënaqur.

2 Pse është kaq i kënaqur ky baba? Sepse ai i ka thënë të birit të mos dalë në rrugë vetëm. Kur djali bindet, edhe pse nuk e di që babai po e sheh, i ati e di se i biri po mëson të jetë i bindur dhe do të jetë shumë më i mbrojtur. Ky baba ndihet njësoj si Ati ynë qiellor, Jehovai. Perëndia e di se për të qëndruar besnikë e për të parë të ardhmen e mrekullueshme që ka ruajtur për ne, duhet të mësojmë t’i besojmë atij dhe t’i bindemi. (Proverbat 3:5, 6) Për këtë qëllim, na dërgoi mësuesin më të mirë njerëzor.

3, 4. Si e «mësoi bindjen» dhe «u bë i përsosur» Jezui? Ilustroje.

3 Bibla thotë diçka mahnitëse për Jezuin: «Edhe pse ishte Bir, mësoi bindjen nga ato që vuajti dhe, pasi u bë i përsosur, u bë shkak për shpëtimin e përhershëm të të gjithë atyre që i binden.» (Hebrenjve 5:8, 9) Ky Bir i parëlindur kishte ekzistuar në qiell për shekuj të panumërt. Ai pa kur Satanai dhe engjëjt e tjerë rebelë nuk u bindën, por nuk u bashkua kurrë me ta. Në profecinë e frymëzuar, për të thuhen këto fjalë: «Unë nuk kam ngritur krye.» (Isaia 50:5) Po atëherë, si mund të zbatoheshin për këtë Bir që bindej në mënyrë të përsosur, fjalët «mësoi bindjen»? Si mundej një krijesë e tillë e përsosur ‘të bëhej i përsosur’?

4 Ta ilustrojmë. Një ushtar ka një shpatë hekuri. Edhe pse nuk është provuar kurrë në betejë, kjo shpatë ka formë të përsosur dhe është punuar mirë. Megjithatë, ai e këmben me një shpatë çeliku të derdhur, që është material më i fortë. Kjo shpatë e dytë është provuar tashmë me sukses në betejë. A s’është i mençur ky këmbim? Në mënyrë të njëjtë, bindja që tregonte Jezui para se të vinte në tokë ishte pa asnjë të metë. Por, pas qëndrimit këtu në tokë, bindja e tij fitoi një cilësi krejt tjetër. Tani ishte e sprovuar, më e fortë, e provuar në rrethana që Jezui nuk do t’i kishte hasur kurrë në qiell.

5. Pse ishte kaq e rëndësishme bindja e Jezuit dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë kapitull?

5 Bindja ishte thelbësore për misionin që kishte Jezui këtu në tokë. Si «Adami i fundit», ai erdhi këtu për të bërë atë që nuk bënë prindërit tanë të parë: t’i mbetej i bindur Perëndisë Jehova edhe në sprova. (1 Korintasve 15:45) Megjithatë, bindja e Jezuit nuk ishte thjesht mekanike. Ai bindej me gjithë mendjen, zemrën dhe shpirtin e tij. Dhe këtë e bënte me gëzim. Për të, bërja e vullnetit të Atit ishte më e rëndësishme se ushqimi. (Gjoni 4:34) Çfarë do të na ndihmojë të imitojmë bindjen që tregoi Jezui? Së pari, le të shqyrtojmë motivet pse bindej. Nëse kemi edhe ne të njëjtat motive, do të na ndihmojnë t’u kundërvihemi tundimeve dhe të bëjmë vullnetin e Perëndisë. Më pas, do të shohim disa shpërblime që vijnë kur tregojmë bindje si Krishti.

Motivet pse bindej Jezui

6, 7. Cilat ishin disa motive pse bindej Jezui?

6 Bindja e Jezuit buronte nga ajo që kishte në zemër. Siç e pamë në kapitullin e tretë, Krishti ishte i përulur në zemër. Krenaria arrogante i bën njerëzit ta përçmojnë bindjen, kurse përulësia na ndihmon t’i bindemi me dëshirë Jehovait. (Dalja 5:1, 2; 1 Pjetrit 5:5, 6) Për më tepër, bindja e Jezuit vinte nga gjërat që donte dhe nga ato që urrente.

7 Para së gjithash, Jezui donte Atin e tij qiellor, Jehovain. Në kapitullin e 13-të do të flasim më me hollësi për këtë dashuri. Ajo e shtynte Jezuin t’i frikësohej Perëndisë. Kaq e fortë ishte dashuria e tij për Jehovain, kaq i thellë nderimi për të, saqë kishte frikë mos i shkaktonte pakënaqësi Atit të tij. Frika nga Perëndia ishte një arsye pse lutjet e Jezuit u dëgjuan. (Hebrenjve 5:7) Gjithashtu, frika nga Jehovai është një tipar i spikatshëm i sundimit të Jezuit si Mbret mesianik.​—Isaia 11:3.

A tregon zbavitja që zgjedh, se ti e urren të keqen?

8, 9. Siç ishte profetizuar, si ndihej Jezui për drejtësinë e për ligësinë dhe si i shfaqi këto ndjenja?

8 Dashuria për Jehovain përfshin edhe urrejtjen për gjërat që Jehovai urren. Për shembull, shiko këtë profeci që i drejtohej Mbretit mesianik: «Ti e do drejtësinë dhe e urren ligësinë. Ja pse Perëndia, Perëndia yt, të ka mirosur me vajin e ngazëllimit më shumë se shokët e tu.» (Psalmi 45:7) «Shokët» e Jezuit ishin mbretërit e tjerë në linjën familjare të mbretit David. Më shumë se kushdo prej tyre, Jezui ka shkak për t’u ngazëllyer ose për t’u gëzuar tej mase me mirosjen e tij. Përse? Sepse shpërblimi i tij është shumë më i madh se shpërblimi i tyre dhe mbretërimi i tij ku e ku më i dobishëm. Ai shpërblehet sepse dashuria për drejtësinë dhe urrejtja për ligësinë e shtynë t’i bindej Perëndisë në çdo gjë.

9 Si i bëri të qarta Jezui ndjenjat e tij për drejtësinë dhe për ligësinë? Për shembull, si reagoi ai kur ithtarët e tij iu bindën udhëzimeve që u dha për veprën e predikimit dhe u bekuan? U mbush me gëzim. (Luka 10:1, 17, 21) Dhe si u ndie kur populli i Jerusalemit vazhdimisht tregoi mosbindje, duke mos i pranuar përpjekjet e tij të dashura për t’i ndihmuar? Ai qau për shkak të udhës rebele të atij qyteti. (Luka 19:41, 42) Jezui prekej shumë nga sjellja e njerëzve, qoftë e mirë, qoftë e keqe.

10. Cilat ndjenja duhet të zhvillojmë kur bëhet fjalë për sjelljen e drejtë dhe atë të gabuar, e çfarë do të na ndihmojë për këtë?

10 Meditimi rreth ndjenjave të Jezuit na ndihmon të shqyrtojmë motivet tona pse i bindemi Jehovait. Sado që jemi të papërsosur, mund të zhvillojmë dashuri të thellë për sjelljen e mirë dhe urrejtje të fortë për sjelljen e gabuar. Duhet t’i lutemi Jehovait, duke i kërkuar të na ndihmojë të zhvillojmë ndjenja si të tijat dhe si të Birit të tij. (Psalmi 51:10) Në të njëjtën kohë, duhet të shmangim ndikimet që i gërryejnë këto ndjenja. Është thelbësore të zgjedhim me kujdes zbavitjen dhe shoqërinë. (Proverbat 13:20; Filipianëve 4:8) Në qoftë se zhvillojmë motivet që kishte Krishti, bindja jonë nuk do të jetë sa për sy e faqe. Do të bëjmë atë që është e drejtë sepse gjejmë ëndje në këtë. Do t’i shmangim veprimet e gabuara jo nga frika se mos na zbulojnë, por sepse e urrejmë këtë sjellje.

«Nuk kreu asnjë mëkat»

11, 12. (a) Çfarë i ndodhi Jezuit që në fillim të shërbimit të tij? (b) Si e tundoi fillimisht Satanai Jezuin, dhe cilat taktika dinake përdori?

11 Jezui u sprovua që në fillim të shërbimit të tij për sa i përket urrejtjes për mëkatin. Pas pagëzimit, ai kaloi 40 ditë e 40 net në shkretëtirë pa ngrënë. Në fund të asaj periudhe, Satana Djalli erdhi për ta tunduar. Shiko se sa dinak u tregua!​—Mateu 4:1-11.

12 Së pari, Satanai i tha: «Nëse je bir i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë.» (Mateu 4:3) Si ndihej Jezui pasi kishte agjëruar për një kohë të gjatë? Bibla thotë hapur: «E mori uria.» (Mateu 4:2) Pra Satanai shfrytëzoi dëshirën e natyrshme për ushqim dhe, pa dyshim, priti qëllimisht derisa Jezui të dobësohej fizikisht. Por, shiko edhe shprehjen tallëse që përdor Satanai: «Nëse je bir i Perëndisë.» Sikur s’e dinte që Jezui ishte «i parëlinduri i gjithë krijimit»! (Kolosianëve 1:15) Gjithsesi, Jezui nuk lejoi që Satanai ta provokonte që të bëhej i pabindur. Jezui e dinte se nuk ishte vullneti i Perëndisë që ai ta përdorte fuqinë e tij për arsye egoiste. Nuk pranoi ta bënte këtë, duke treguar se mbështetej me përulësi te Jehovai për ushqim e për drejtim.​—Mateu 4:4.

13-15. (a) Cili ishte tundimi i dytë dhe i tretë që i bëri Satanai Jezuit dhe si u përgjigj ky? (b) Si e dimë që Jezui nuk mund ta ulte kurrë vigjilencën ndaj Satanait?

13 Për tundimin e dytë, Satanai e çoi Jezuin te një pikë e lartë, në bedenat e tempullit. Duke shtrembëruar me dinakëri Fjalën e Perëndisë, Satanai e tundoi Jezuin që të bënte një shfaqje para të tjerëve, duke u hedhur nga ajo lartësi, me qëllim që engjëjt ta shpëtonin. Në rast se turma në tempull do të shihte një mrekulli të tillë, a do të dyshonte pastaj ndonjëri prej tyre se Jezui ishte Mesia i premtuar?! E nëse, falë kësaj shfaqjeje, turmat e pranonin Jezuin si Mesinë, a nuk do të shmangte shumë vështirësi e probleme? Ndoshta. Por Jezui e dinte se vullneti i Jehovait ishte që Mesia ta kryente veprën e tij me përulësi, jo t’i shtynte njerëzit që të besonin tek ai me anë të shfaqjeve spektakolare. (Isaia 42:1, 2) Edhe një herë, Jezui nuk pranoi të ishte i pabindur ndaj Jehovait. Fama nuk e joshte aspak.

14 Po pushteti, a do ta joshte? Në orvatjen e tretë, Satanai propozoi t’i jepte Jezuit të gjitha mbretëritë e botës, nëse ky do t’i bënte një akt të vetëm adhurimi. A e shqyrtoi seriozisht Jezui ofertën e Satanait? Përgjigjja e tij ishte: «Ik tutje, Satana!» Pastaj shtoi: «Sepse është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’» (Mateu 4:10) Asgjë s’do ta shtynte ndonjëherë Jezuin të adhuronte perëndi të tjerë. Asnjë propozim për pushtet ose autoritet në këtë botë, nuk do ta bindte që të shkelte ligjet.

15 A u dorëzua Satanai? Vërtet që u largua kur e urdhëroi Jezui. Por, në Ungjillin sipas Lukës thuhet se Djalli «u largua nga ai, duke pritur një kohë tjetër të volitshme». (Luka 4:13) Po, Satanai do të gjente raste të tjera për ta sprovuar e për ta tunduar Jezuin, deri në fund. Bibla na thotë se Jezui ‘u sprovua në çdo aspekt’. (Hebrenjve 4:15) Pra ai nuk mund ta ulte asnjëherë vigjilencën, dhe as ne nuk mundemi.

16. Si i tundon Satanai sot shërbëtorët e Perëndisë dhe si mund t’i hedhim poshtë përpjekjet e tij?

16 Satanai vazhdon t’i tundojë sot shërbëtorët e Perëndisë. Mjerisht, papërsosmëritë tona shpeshherë na bëjnë shënjestër të lehtë. Me dinakëri Satanai luan me prirjen tonë të trashëguar për të qenë egoistë, krenarë dhe për të lakmuar pushtet. Duke përdorur si karrem materializmin, Satanai madje mund t’i shfrytëzojë të gjitha këto prirje njëherësh! Është jetësore që herë pas here të ndalemi e të bëjmë një vetëshqyrtim të ndershëm. Bëjmë mirë të meditojmë rreth fjalëve të 1 Gjonit 2:15-17. Ndërkohë, mund të pyesim veten nëse dëshirat e mishit në këtë botë, dëshirimi i gjërave materiale dhe dëshira për t’u bërë përshtypje të tjerëve, na e kanë gërryer në ndonjë masë dashurinë për Atin tonë qiellor. Nuk duhet të harrojmë se kjo botë po kalon, e po ashtu edhe sundimtari i saj, Satanai. Le t’i hedhim poshtë përpjekjet e tij dinake që të na joshë drejt mëkatit! Të lëmë që të na frymëzojë shembulli i Zotërisë sonë, i cili «nuk kreu asnjë mëkat».​—1 Pjetrit 2:22.

«Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij»

17. Si ndihej Jezui kur i bindej Atit të tij, por çfarë kundërshtimi mund të ngrenë disa?

17 Bindja përfshin shumë më tepër sesa të mos mëkatosh. Krishti zbatoi me vendosmëri çdo urdhër të Atit të tij. Ai tha: «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.» (Gjoni 8:29) Kjo bindje i sillte shumë gëzim Jezuit. Natyrisht, disa mund të kundërshtojnë duke thënë se Jezui e kishte më të lehtë të bindej. Ndoshta mendojnë se ai i jepte llogari vetëm Jehovait, i cili është i përsosur, kurse ne duhet t’u japim llogari njerëzve të papërsosur që janë në pozita autoriteti. Por, e vërteta është se Jezui u bindej edhe njerëzve të papërsosur që kishin pozita autoriteti.

18. Çfarë shembulli la Jezui për bindjen kur ishte fëmijë?

18 Gjatë fëmijërisë Jezui ishte nën autoritetin e prindërve të tij njerëzorë të papërsosur, Jozefit dhe Marisë. Me siguri, më shumë se çdo fëmijë tjetër, ai mund të shihte të metat e prindërve të tij. Por, a u rebelua, duke dalë nga roli që i kishte caktuar Perëndia dhe duke u treguar si ta mbanin familjen? Shiko çfarë thuhet te Luka 2:51 për Jezuin 12-vjeçar: «Vazhdoi t’u nënshtrohej atyre.» Me këtë bindje, ai la një shembull të shkëlqyer për fëmijët e krishterë, të cilët përpiqen t’u binden prindërve dhe u tregojnë respektin e duhur.​—Efesianëve 6:1, 2.

19, 20. (a) Cilat sfida të veçanta hasi Jezui për sa i përket bindjes ndaj njerëzve të papërsosur? (b) Pse të krishterët e vërtetë sot duhet të jenë të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes tyre?

19 Kur bëhet fjalë për t’iu bindur njerëzve të papërsosur, Jezui hasi sfida që të krishterët e vërtetë sot s’kanë për t’i hasur kurrë. Mendo për epokën e pazakontë në të cilën jetoi. Për shumë kohë Jehovai kishte miratuar sistemin fetar judaik, me tempullin në Jerusalem e me priftërinë, por së shpejti ai sistem do të hidhej poshtë dhe do të zëvendësohej me kongregacionin e krishterë. (Mateu 23:33-38) Ndërkohë, shumë nga udhëheqësit fetarë u mësonin njerëzve gënjeshtra që vinin nga filozofia greke. Në tempull, korrupsioni kishte plasur kaq sheshit, sa Jezui e quajti «shpellë kusarësh». (Marku 11:17) Por, a qëndroi Jezui larg tempullit dhe sinagogave? Jo! Jehovai ende po e përdorte atë sistem adhurimi. Derisa ndërhyri Perëndia për të bërë ndryshime, Jezui u bind dhe shkoi në festat që mbaheshin në tempull, si edhe në sinagogë.​—Luka 4:16; Gjoni 5:1.

20 Nëse Jezui u bind edhe në ato rrethana, aq më tepër duhet të jenë të bindur të krishterët e vërtetë sot! Në fund të fundit, ne jetojmë në një epokë shumë të ndryshme, në epokën e rivendosjes së adhurimit të vërtetë, të parathënë prej kohësh. Perëndia na siguron se nuk do ta lejojë kurrë Satanain të korruptojë popullin e tij të rivendosur. (Isaia 2:1, 2; 54:17) Vërtet që brenda kongregacionit të krishterë përballemi hera-herës me mëkate dhe papërsosmëri. Por, a duhet t’i përdorim papërsosmëritë e të tjerëve si justifikim për të mos iu bindur Jehovait, ndoshta duke mos ndjekur më mbledhjet e krishtere ose duke kritikuar pleqtë? Kurrë! Përkundrazi, ne i mbështetim me gjithë zemër ata që marrin drejtimin në kongregacion. Të bindur, ndjekim mbledhjet, asambletë e kongreset e krishtere dhe zbatojmë këshillat biblike që marrim atje.​—Hebrenjve 10:24, 25; 13:17.

Ne i zbatojmë me bindje ato që mësojmë në mbledhjet e krishtere

21. Si iu përgjigj Jezui presionit të njerëzve për të mos iu bindur Perëndisë dhe çfarë shembulli la për ne?

21 Jezui nuk i lejoi kurrë të tjerët, qoftë edhe miqtë e nisur nga qëllime të mira, ta pengonin që t’i bindej Jehovait. Për shembull, apostulli Pjetër u përpoq ta bindte Zotërinë e tij se s’ishte e nevojshme që të vuante e të vdiste. Me vendosmëri Jezui e hodhi poshtë këshillën qëllimmirë të Pjetrit, por që ishte e gabuar, që të tregohej i mirë me veten. (Mateu 16:21-23) Sot, ithtarët e Jezuit përballen shpeshherë me të afërmit e tyre që, ndonëse të nisur nga qëllime të mira, përpiqen t’u mbushin mendjen që të mos u binden ligjeve dhe parimeve të Perëndisë. Ashtu si ithtarët e Jezuit në shekullin e parë, ne besojmë se «duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve».​—Veprat 5:29.

Shpërblimet kur bindemi si Krishti

22. Cilës pyetje i dha përgjigje Jezui dhe si e bëri këtë?

22 Kur Jezui ishte përballë vdekjes, hasi sprovën më të madhe në lidhje me bindjen. Gjatë asaj dite të zymtë, ai e «mësoi bindjen» në kuptimin më të plotë. Bëri vullnetin e Atit të vet, jo të tijin. (Luka 22:42) Dhe me këtë la një shembull të përsosur integriteti. (1 Timoteut 3:16) Jezui dha përgjigjen e pyetjes që ishte bërë para shumë kohësh: a mund t’i mbetet i bindur Jehovait një njeri i përsosur, edhe në sprova? Adami kishte dështuar, e po ashtu edhe Eva. Pastaj këtu në tokë erdhi, jetoi dhe vdiq Jezui, duke siguruar përgjigjen e duhur. Krijesa më e lartë e Jehovait dha përgjigjen më të fortë që mund të jepej. Ai u bind edhe kur bindja i kushtoi shtrenjtë.

23-25. (a) Si lidhet bindja me integritetin? Ilustroje. (b) Çfarë do të trajtohet në kapitullin vijues?

23 Integriteti, domethënë përkushtimi me gjithë zemër ndaj Jehovait, shprehet me anë të bindjes. Ngaqë Jezui u bind, e ruajti integritetin e tij dhe i solli dobi gjithë njerëzimit. (Romakëve 5:19) Jehovai e shpërbleu shumë Jezuin. Ai do të na shpërblejë edhe neve, nëse i bindemi Zotërisë tonë, Krishtit. Bindja ndaj Krishtit çon në «shpëtimin e përhershëm»!​—Hebrenjve 5:9.

24 Për më tepër, integriteti është në vetvete një shpërblim. Te Proverbat 10:9 thuhet: «Kush ecën me integritet, do të ecë në siguri.» Në rast se integriteti do të krahasohej me një vilë të madhe të ndërtuar me tulla të forta, çdo akt bindjeje mund të krahasohej me një tullë. Një tullë mund të duket e papërfillshme, por secila ka vendin dhe vlerën e saj. Pastaj, kur vë shumë tulla bashkë, ndërtohet diçka me një vlerë shumë më të madhe. Kur aktet e bindjes mblidhen njëri pas tjetrit, ditë pas dite dhe vit pas viti, po e ndërtojmë integritetin tonë si një shtëpi e bukur.

25 Bindja e vazhdueshme na sjell ndër mend një cilësi tjetër: qëndrueshmërinë. Ky aspekt i shembullit që la Jezui do të trajtohet në kapitullin vijues.