Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 4

«Ja . . . Luani që është nga fisi i Judës»

«Ja . . . Luani që është nga fisi i Judës»

«Unë jam»

1-3. Cili rrezik i kanoset Jezuit dhe si reagon ai?

 NJË turmë njerëzish ka dalë të kapë Jezuin. Janë të armatosur me shpata e kërbaçë dhe kanë me vete disa ushtarë. Është një turmë e madhe. Si një trup i vetëm me një qëllim dashakeq, ata ecin nëpër rrugët e errëta të Jerusalemit, kalojnë luginën e Kidronit dhe arrijnë në Malin e Ullinjve. Hëna është e plotë, por ata mbajnë me vete pishtarë e llamba. Mos i duan për të bërë dritë, ngaqë dritën e hënës e bllokojnë retë? Apo mendojnë se ai që po kërkojnë, fshihet skutave të errëta? Një gjë është e sigurt: ata që mendojnë se Jezui do të struket nga frika, nuk e njohin fare.

2 Jezui e di që po afrohet rreziku. Megjithatë, qëndron aty ku është dhe pret. Turma afrohet, e udhëhequr nga Juda, dikur një mik i besuar. Pa pikë turpi, Juda e tradhton Jezuin, duke e identifikuar ish-zotërinë e tij me një përshëndetje hipokrite dhe me një puthje. Prapëseprapë, Jezui e mban veten. Pastaj, del para turmës. «Kë po kërkoni?»​—i pyet. «Jezuin, nazareasin»,—​përgjigjen ata.

3 Shumica e njerëzve do të dridheshin nga tmerri para një turme të tillë të armatosur. Ndoshta këtë mendon edhe turma për njeriun që po qëndron para tyre. Por Jezui nuk struket nga frika, nuk ia mbath dhe as thotë ndonjë gënjeshtër sa për të dalë nga situata. Jo, ai thotë thjesht: «Unë jam.» Kaq i qetë dhe kaq trim është, saqë burrat shtangen. Ata sprapsen dhe bien përtokë.​—Gjoni 18:1-6; Mateu 26:45-50; Marku 14:41-46.

4-6. (a) Me çfarë krahasohet Biri i Perëndisë dhe përse? (b) Cilat janë tri aspektet ku shfaqi guxim Jezui?

4 Si ka mundësi që Jezui e përballoi këtë rrezik të madh me një gjakftohtësi dhe një qetësi të plotë? Përgjigjja është një fjalë e vetme: guxim. Kjo është një nga cilësitë më të domosdoshme dhe më të admirueshme te një udhëheqës. Në këtë aspekt, asnjë njeri s’e ka arritur kurrë Jezuin, e jo më t’ia kalojë. Në kapitullin e mëparshëm, mësuam sa i përulur e zemërbutë ishte Jezui. Me të drejtë u quajt «Qengji». (Gjoni 1:29) Por falë guximit që e karakterizonte, i është bërë edhe një përshkrim krejt i ndryshëm. Bibla thotë për Birin e Perëndisë: «Ja . . . Luani që është nga fisi i Judës.»​—Zbulesa 5:5.

5 Shpesh luanin e lidhin me guximin. Të ka ndodhur ndonjëherë të jesh ballë për ballë me një luan me krifë? Nëse po, me siguri të ndante një pengesë e sigurt nga ajo bishë, ndoshta rrjeta e kopshtit zoologjik. Po prapëseprapë, mund të jetë një përvojë tronditëse. Kur e sheh në fytyrë këtë krijesë të stërmadhe e të fuqishme dhe ai t’i ngul sytë, vështirë të mendosh se luani mund t’ia mbathë ndonjëherë nga frika. Bibla flet për ‘luanin, që është më i fuqishmi ndër kafshët dhe që nuk zmbrapset para askujt’. (Proverbat 30:30) Këtë lloj guximi ka Krishti.

6 Le të shqyrtojmë se si Jezui shfaqi një guxim prej luani në tri aspekte: për të mbrojtur të vërtetën, për të përkrahur drejtësinë dhe për të përballuar kundërshtimin. Do të shohim edhe se të gjithë ne, qofshim ose jo guximtarë nga natyra, mund ta imitojmë Jezuin e të tregojmë guxim.

E mbrojti me guxim të vërtetën

7-9. (a) Çfarë ndodhi kur Jezui ishte 12 vjeç dhe a do të druheshe ti nga ajo situatë? (b) Si tregoi guxim Jezui kur foli me mësuesit në tempull?

7 Në këtë botë të sunduar nga Satanai, «ati i gënjeshtrës», shpeshherë duhet guxim për të mbrojtur të vërtetën. (Gjoni 8:44; 14:30) Jezui nuk priti derisa të rritej, për ta bërë këtë. Kur ishte 12 vjeç, ai u nda nga prindërit pas festës së Pashkës në Jerusalem. Për tri ditë, Maria dhe Jozefi nga s’e kërkuan. Më në fund, e gjetën në tempull. Ç’po bënte atje? Ishte ‘ulur mes mësuesve, i dëgjonte dhe i pyeste’. (Luka 2:41-50) Mendo për rrethanat e asaj bisede.

8 Historianët thonë se disa nga udhëheqësit fetarë më të shquar e kishin zakon të qëndronin në tempull pas festave dhe të mësonin njerëzit në një nga portikët e mëdhenj që ndodheshin atje. Njerëzit uleshin te këmbët e tyre për t’i dëgjuar e për t’i pyetur. Këta mësues ishin njerëz të shkolluar. Ishin njohës shumë të mirë të Ligjit të Moisiut, si edhe të ligjeve e të traditave të pafundme e të ndërlikuara që kishin krijuar njerëzit dhe që ishin shumëfishuar ndër vite. Si do të ishe ndier ti atje, i ulur mes tyre? Do të druheshe? Kjo do të ishte më se e natyrshme. Por, po sikur të ishe vetëm 12 vjeç? Shumë fëmijë janë të ndrojtur. (Jeremia 1:6) Disa përpiqen me çdo kusht që të mos tërheqin vëmendjen e mësuesve të tyre në shkollë; kanë frikë se mos i thërrasin në mësim, se mos vihen në qendër të vëmendjes ose se mos i vënë në siklet a i tallin.

9 E megjithatë, ja tek e gjejmë Jezuin, të ulur mes atyre njerëzve të shkolluar, duke i pyetur pa frikë për gjëra të thella. Dhe jo vetëm kaq. Tregimi thotë: «Të gjithë ata që e dëgjonin, mahniteshin me kuptueshmërinë dhe përgjigjet e tij.» (Luka 2:47) Bibla nuk na tregon se çfarë tha ai në atë rast, por mund të jemi të sigurt se nuk përsëriti si papagall mashtrimet që ata mësues fetarë i pëlqenin aq shumë. (1 Pjetrit 2:22) Jo, ai mbrojti të vërtetën e Fjalës së Perëndisë dhe me siguri dëgjuesit e tij u mahnitën se si një 12-vjeçar mund të shprehej me kaq kuptueshmëri e guxim.

Shumë të rinj të krishterë flasin me guxim me të tjerët për besimin e tyre

10. Si e imitojnë sot fëmijët e krishterë guximin e Jezuit?

10 Sot ka shumë e shumë fëmijë të krishterë që ndjekin gjurmët e Jezuit. Kuptohet, nuk janë të përsosur si djaloshi Jezu. Por edhe ata, njësoj si ai, nuk presin derisa të rriten, për të mbrojtur të vërtetën. Në shkollë ose në lagjen ku banojnë, ata me takt u bëjnë pyetje të tjerëve, dëgjojnë dhe u flasin me respekt për të vërtetën. (1 Pjetrit 3:15) Si grup, këta fëmijë kanë ndihmuar shokë shkolle, mësues dhe fqinj që të bëhen ithtarë të Krishtit. Sa duhet të kënaqet Jehovai me guximin e tyre! Në Fjalën e tij, ata krahasohen me bulëzat e vesës​—freskuese, të këndshme dhe të shumta.—​Psalmi 110:3.

11, 12. Si tregoi guxim për të mbrojtur të vërtetën Jezui, edhe kur u rrit?

11 Edhe kur u rrit, Jezui tregoi gjithnjë guxim për të mbrojtur të vërtetën. Madje që në fillim të shërbimit u ballafaqua me një situatë që shumë veta do ta quanin tmerruese. Tashmë jo si kryeengjëlli i fuqishëm, por si një njeri prej mishi e gjaku, Jezui u ndesh përballë me Satanain, armikun më të fortë e më të rrezikshëm të Jehovait. Jezui e kundërshtoi Satanain dhe përgënjeshtroi shtrembërimin që i bëri ai Shkrimit të frymëzuar. Pastaj i dha fund atij ballafaqimi duke e urdhëruar me guxim: «Ik tutje, Satana!»​—Mateu 4:2-11.

12 Kështu, Jezui përcaktoi modelin që do të ndiqte gjatë shërbimit, duke e mbrojtur me trimëri Fjalën e Atit të tij nga përpjekjet për ta shtrembëruar ose për ta keqpërdorur. Në atë kohë, pandershmëria në çështjet fetare ishte më se e zakonshme, siç është edhe tani. Jezui u tha udhëheqësve fetarë të ditëve të tij: «Me anë të traditës që u përcillni të tjerëve, e bëni fjalën e Perëndisë të pavlefshme.» (Marku 7:13) Ata burra përnderoheshin nga populli në përgjithësi, kurse Jezui pa frikë i demaskoi si udhërrëfyes të verbër dhe hipokritë. * (Mateu 23:13, 16) Si mund ta imitojmë këtë aspekt të shembullit të guximshëm që la Jezui?

13. Çfarë duhet të mbajmë parasysh kur imitojmë Jezuin, e megjithatë ç’privilegj kemi?

13 Natyrisht, ne e mbajmë parasysh se nuk kemi as aftësinë e Jezuit për të lexuar zemrat dhe as autoritetin e tij për të gjykuar. Megjithatë, mund të imitojmë guximin me të cilin e mbronte ai të vërtetën. Për shembull, duke demaskuar mashtrimet fetare, domethënë gënjeshtrat që shpesh u mësohen njerëzve për Perëndinë, për qëllimet e tij dhe për Fjalën e tij, hedhim dritë në një botë të errësuar nga propaganda e Satanait. (Mateu 5:14; Zbulesa 12:9, 10) I ndihmojmë njerëzit të çlirohen nga skllavëria e mësimeve të rreme të cilat u shtijnë në zemër një frikë të sëmurë dhe ua dëmtojnë rëndë marrëdhënien me Perëndinë. Kemi vërtet një privilegj të pashoq të shohim përmbushjen e premtimit të Jezuit: «E vërteta do t’ju lirojë.»​—Gjoni 8:32.

E përkrahu me guxim drejtësinë

14, 15. (a) Cila ishte një mënyrë se si e bëri të qartë Jezui «ç’është drejtësia»? (b) Cilat paragjykime nuk ndikuan te Jezui, kur foli me gruan samaritane?

14 Profecitë biblike parathoshin se Mesia do t’ua bënte të qartë kombeve «se ç’është drejtësia». (Mateu 12:18; Isaia 42:1) S’ka dyshim se Jezui filloi ta bënte këtë kur ishte në tokë. Me shumë guxim, ai u tregua gjithnjë i drejtë dhe i paanshëm në marrëdhëniet me njerëzit. Për shembull, edhe pse ishin shumë të përhapura në botën përreth tij, ai nuk i pranoi as paragjykimet, as fanatizmin, që pa dyshim ishin jobiblike.

15 Kur Jezui foli me një grua samaritane te burimi i Siharit, dishepujt e tij u habitën. Përse? Sepse në ato ditë, judenjtë në përgjithësi kishin neveri për samaritanët, dhe kjo situatë ekzistonte prej shumë vitesh. (Ezdra 4:4) Për më tepër, disa rabinë i trajtonin me përbuzje gratë. Sipas rregullave rabinike, që më vonë u hodhën me shkrim, një burrë nuk duhej të bisedonte me një grua. Madje ato linin të kuptohej se gratë nuk meritonin t’u mësohej Ligji i Perëndisë. Sidomos gratë samaritane konsideroheshin të papastra. Por Jezui nuk u ndikua fare nga këto paragjykime të pathemelta dhe e mësoi hapur gruan samaritane (e cila në atë kohë bënte një jetë imorale), duke i zbuluar madje se ishte Mesia.​—Gjoni 4:5-27.

16. Pse të krishterëve u duhet guxim që të jenë të ndryshëm, kur bëhet fjalë për paragjykimet?

16 Ke qenë ndonjëherë në shoqëri me njerëz që kanë paragjykime të shëmtuara? Ndoshta ata bëjnë shaka përçmuese për njerëzit e një race ose të një kombi tjetër, flasin me përbuzje për gjininë tjetër ose përçmojnë ata që janë të një shtrese më të ulët ekonomike a shoqërore. Ithtarët e Krishtit nuk i miratojnë këto pikëpamje keqdashëse, e madje punojnë fort për të çrrënjosur nga zemra e tyre çdo gjurmë paragjykimi. (Veprat 10:34) Secili nga ne duhet të zhvillojë guximin që nevojitet për të qenë i paanshëm në këtë drejtim.

17. Ç’veprim bëri Jezui në tempull dhe përse?

17 Gjithashtu, guximi e shtyu Jezuin ta mbronte me vendosmëri pastërtinë e popullit të Perëndisë dhe adhurimin e pastër. Që në fillim të shërbimit, ai u trondit kur hyri në zonën e tempullit në Jerusalem e pa tregtarët dhe këmbyesit e parave që merreshin me biznes atje. I mbushur me një zemërim të drejtë, Jezui i dëboi që andej ata njerëz lakmitarë bashkë me mallin e tyre. (Gjoni 2:13-17) Një veprim të ngjashëm bëri edhe më vonë, aty nga fundi i shërbimit të tij. (Marku 11:15-18) Me siguri, me këto veprime bëri disa armiq të fuqishëm, por kjo nuk e stepi. Përse? Sepse, që fëmijë ai e quante tempullin shtëpinë e Atit të tij dhe e kishte me tërë mend. (Luka 2:49) Ndotja e adhurimit të pastër që bëhej në tempull ishte një padrejtësi që ai s’mund ta falte kurrë. Zelli i dha guximin për të bërë ç’ishte e nevojshme.

18. Si mund të tregojnë guxim të krishterët sot, kur bëhet fjalë për pastërtinë e kongregacionit?

18 Edhe sot ithtarët e Krishtit kujdesen shumë për pastërtinë e popullit të Perëndisë dhe për adhurimin e pastër. Nëse shohin që një i krishterë tjetër kryen një keqbërje të rëndë, nuk bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh, por me guxim i flasin atij ose sigurohen që pleqtë e kongregacionit të informohen për këtë. (1 Korintasve 1:11) Pleqtë i ndihmojnë ata që janë të sëmurë frymësisht dhe veprojnë për të ruajtur pastërtinë e deleve të Jehovait.​—Jakovi 5:14, 15.

19, 20. (a) Ç’padrejtësi bëheshin sheshit në kohën e Jezuit dhe çfarë presioni i bënë atij? (b) Pse ithtarët e Krishtit nuk përfshihen në politikë e në dhunë, dhe si janë shpërblyer për këtë qëndrim?

19 Por, a duhet të nxjerrim përfundimin se Jezui luftoi kundër gjithë padrejtësive shoqërore që bëheshin në përgjithësi në botë? S’diskutohet që padrejtësi kishte plot rreth e përqark. Atdheun e tij e kishte pushtuar një fuqi e huaj. Romakët i shtypnin judenjtë me ushtritë e fuqishme që kishin vendosur atje, u vinin taksa të rënda dhe ndërhynin madje në zakonet e tyre fetare. S’është për t’u habitur që shumë njerëz donin që Jezui të përfshihej në politikën e asaj kohe. (Gjoni 6:14, 15) Këtu i duhej përsëri të shfaqte guxim.

20 Jezui shpjegoi se Mbretëria e tij nuk ishte pjesë e botës. Me anë të shembullit, ai i stërviti ithtarët e tij që të qëndronin larg konflikteve politike të kohës dhe të përqendroheshin në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Gjoni 17:16; 18:36) Jezui dha një mësim të fuqishëm për asnjanësinë, kur erdhi turma që ta arrestonte. Pjetri u hodh menjëherë në veprim, duke nxjerrë shpatën rrëmbimthi dhe duke plagosur një njeri. E kemi të lehtë ta kuptojmë Pjetrin. Nëse do të kishte ndonjë rast kur dhuna do të dukej e justifikuar, ishte atë natë, kur u sulmua Biri i pafajshëm i Perëndisë. E megjithatë, në atë çast Jezui vendosi normën që do të ndiqnin deri sot e kësaj dite ithtarët e tij këtu në tokë: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Mateu 26:51-54) Si në atë kohë, edhe sot, ithtarëve të Krishtit u është dashur guxim për të mbajtur këtë qëndrim paqësor. Për shkak të asnjanësisë së krishterë, shërbëtorët e Perëndisë sot kanë një emër të pastër sepse nuk janë përfshirë kurrë në luftërat e panumërta, në shfarosjet masive, në përleshjet dhe në akte të ngjashme dhune. Këto dëshmi të shkëlqyera janë një shpërblim për guximin që kanë treguar.

E përballoi me guxim kundërshtimin

21, 22. (a) Ç’ndihmë iu dha Jezuit para se të përballej me sprovën e tij më të rëndë? (b) Si u tregua i guximshëm deri në fund Jezui?

21 Biri i Jehovait e dinte që më përpara se do të haste kundërshtim të ashpër kur të vinte në tokë. (Isaia 50:4-7) U bënë shumë përpjekje për ta vrarë; e fundit ishte ajo që u përshkrua në fillim të këtij kapitulli. Si e ruajti guximin Jezui përballë këtyre rreziqeve? Po mirë, çfarë po bënte ai para se të vinte turma për ta arrestuar? Po i lutej me zjarr Jehovait. E çfarë bëri Jehovai? Bibla na thotë se Jezui «u dëgjua». (Hebrenjve 5:7) Jehovai dërgoi një engjëll nga qielli për të forcuar Birin e tij trim.—Luka 22:42, 43.

22 Pak pasi ishte forcuar prej engjëllit, Jezui u tha apostujve: «Ngrihuni, le të shkojmë.» (Mateu 26:46) Mendo sa trimëri ka në këto fjalë. «Le të shkojmë»,​—tha ai, ndërkohë që e dinte se do t’i kërkonte turmës t’i kursente miqtë e tij, se ata miq do ta braktisnin e do t’ia mbathnin të gjithë dhe se do të ishte i vetëm përballë sprovës më të vështirë të jetës së tij. I vetëm përballoi një gjyq të paligjshëm e të padrejtë, tallje, tortura dhe një vdekje shumë të dhembshme. Por, gjatë gjithë kësaj kohe, nuk e humbi kurrë guximin.

23. Shpjegoni pse Jezui nuk po tregonte guxim prej kokëkrisuri me mënyrën si e përballoi rrezikun e arrestimit dhe kërcënimin e vdekjes.

23 Mos vallë Jezui po tregonte guxim prej kokëkrisuri? Jo, ky lloj guximi s’ka të bëjë fare me guximin e vërtetë. Në fakt, Jezui i mësoi ithtarët e tij të ishin të kujdesshëm, të tregoheshin të matur e të largoheshin nga rreziku, që të vazhdonin të bënin vullnetin e Perëndisë. (Mateu 4:12; 10:16) Por, në këtë rast, Jezui e dinte se s’kishte mënyrë për t’u larguar. E dinte cili ishte vullneti i Perëndisë. Jezui ishte i vendosur të mbante integritetin, prandaj e vetmja rrugë ishte të vazhdonte përpara, duke e përballuar sprovën ballëlart.

Dëshmitarët e Jehovait kanë treguar guxim përballë përndjekjes

24. Pse jemi të sigurt se mund të qëndrojmë me guxim përballë çdo sprove që mund të hasim?

24 Sa shpesh kanë ecur me guxim ithtarët e Jezuit në gjurmët e tij! Shumë prej tyre kanë qëndruar të palëkundur përballë talljeve, përndjekjes, arrestimit, burgimit, torturave, e madje edhe vdekjes. Ku e gjejnë këtë guxim njerëzit e papërsosur? Nuk lind thjesht nga brenda tyre. Ashtu si Jezui mori ndihmë nga lart, po njësoj është edhe me ithtarët e tij. (Filipianëve 4:13) Pra, kurrë mos ki frikë se çfarë mund të sjellë e ardhmja. Ji i vendosur të mbash integritetin, dhe Jehovai do të të japë guximin e nevojshëm. Vazhdo të marrësh forcë nga shembulli i Udhëheqësit tonë, Jezuit, i cili tha: «Merrni zemër! Unë e munda botën.»​—Gjoni 16:33.

^ Historianët kanë vënë re se varret e rabinëve nderoheshin njësoj si varret e profetëve dhe të patriarkëve.