Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 3

«Jam . . . i përulur në zemër»

«Jam . . . i përulur në zemër»

«Ja, mbreti yt po vjen te ti»

1-3. Si hyn Jezui në Jerusalem dhe pse mund të kenë mbetur të habitur disa nga turma?

 JERUSALEMI zien nga bisedat entuziaste. Po vjen një njeri i shquar! Jashtë qytetit, njerëzit mblidhen në të dy anët e rrugës. Duan ta mirëpresin këtë njeri, sepse disa thonë që është trashëgimtar i mbretit David dhe Sundimtari legjitim i Izraelit. Shumë prej tyre sjellin gjethe palmash për ta përshëndetur me to, kurse të tjerë shtrojnë përtokë veshjet e tyre dhe degë pemësh, për t’i sheshuar rrugën. (Mateu 21:7, 8; Gjoni 12:12, 13) Me siguri, shumë veta janë kureshtarë se si do të hyjë në qytet.

2 Ndoshta disa presin një shfaqje madhështore. Sigurisht, ata kanë dëgjuar për njerëz të rëndësishëm që kanë hyrë në qytet me pompozitet. Për shembull, Absalomi, biri i Davidit, e shpalli veten mbret dhe urdhëroi që 50 burra të vraponin para karrocës së tij. (2 Samuelit 15:1, 10) Jul Cezari, sundimtari romak, donte edhe më shumë salltanete: një herë, ai i priu një procesioni fitimtar deri në kapitolin romak, me 40 elefantë që ecnin anash dhe mbanin llamba! Por tani populli i Jerusalemit po pret një njeri shumë më të shquar. E kuptojnë apo jo plotësisht, ai është Mesia, njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë në tokë. Gjithsesi, disa mbeten të habitur kur hyn në qytet ky Mbret i ardhshëm.

3 Ata nuk shohin as karroca, as njerëz që vrapojnë para tij, as kuaj e, pa diskutim, as elefantë. Përkundrazi, Jezui ka hipur në një gomar, një kafshë barre e rëndomtë. * As ai dhe as kafsha në të cilën ka hipur nuk janë zbukuruar me rroba luksoze të sofistikuara. Në vend të një samari të kushtueshëm, ka disa veshje që i kanë vënë mbi kurrizin e kafshës ithtarët më të ngushtë të Jezuit. Po pse Jezui vendos të hyjë në Jerusalem në këtë mënyrë të përulur, kur njerëz shumë më pak të rëndësishëm se ai kanë këmbëngulur që të kishin një ceremoni shumë më të bujshme e me më tepër salltanete?

4. Çfarë parathoshte Bibla për mënyrën se si do të hynte në Jerusalem Mbreti mesianik?

4 Jezui po përmbush një profeci: «Gëzohu me të madhe . . . Brohorit me ngadhënjim, o bijë e Jerusalemit. Ja, mbreti yt po vjen te ti. Ai është i drejtë dhe ka shpëtuar, është i përulur dhe i hipur në një gomar.» (Zakaria 9:9) Kjo profeci tregonte se i Mirosuri i Perëndisë, Mesia, do t’u shfaqej një ditë banorëve të Jerusalemit si Mbreti i caktuar nga Perëndia. Jo vetëm kaq, por edhe mënyra si do të shfaqej, duke përfshirë edhe kafshën që do të zgjidhte për të udhëtuar, do të zbulonte një cilësi të bukur që kishte në zemër: përulësinë.

5. Pse prekemi kur meditojmë për përulësinë e Jezuit? Përse është jetësore që të mësojmë ta imitojmë Jezuin në këtë aspekt?

5 Përulësia është një ndër cilësitë më tërheqëse të Jezuit. Është një cilësi që të prek shumë kur mediton për të. Siç e trajtuam në kapitullin e mëparshëm, vetëm Jezui është «udha, e vërteta dhe jeta». (Gjoni 14:6) Është e qartë se nga miliarda e miliarda njerëzit që kanë jetuar këtu në tokë, asnjë nuk ka qenë aq i rëndësishëm sa Biri i Perëndisë. E megjithatë, Jezui nuk shfaqi kurrë as edhe një gjurmë krenarie, fodullëku ose mendjemadhësie që mundon sa e sa njerëz të papërsosur. Për të qenë ithtarë të Krishtit, duhet ta luftojmë prirjen për t’iu dorëzuar krenarisë. (Jakovi 4:6) Mos harro që Jehovai e urren fodullëkun. Prandaj është jetësore të mësojmë të imitojmë përulësinë e Jezuit.

Ka shfaqur përulësi prej kohësh

6. Çfarë është përulësia? Si e dinte Jehovai se Mesia do të ishte i përulur?

6 Përulësia është të qenët i përulur në mendje, mungesa e fodullëkut ose e krenarisë. Zë fill në zemrën e njeriut, i cili pastaj e shfaq këtë cilësi në të folur, në sjellje dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Si e dinte Jehovai se Mesia do të ishte i përulur? Ai e dinte që Biri pasqyronte shembullin e Tij të përsosur të përulësisë. (Gjoni 10:15) Por e kishte parë përulësinë e Birit të tij edhe në praktikë. Kur?

7-9. (a) Si tregoi përulësi Mikaeli kur u ballafaqua me Satanain? (b) Si mund ta imitojnë të krishterët Mikaelin për sa i përket përulësisë?

7 Në letrën e Judës zbulohet një shembull mbresëlënës: «Kur kryeengjëlli Mikael pati një mosmarrëveshje me Djallin dhe bëri fjalë me të për trupin e Moisiut, nuk guxoi të jepte kundër tij një gjykim me fjalë sharëse, por tha: ‘Jehovai të qortoftë!’» (Juda 9) Mikael është një emër që përdoret për Jezuin​—para dhe pas jetës së tij në tokë—​në lidhje me rolin e tij si kryeengjëlli ose si kreu i ushtrisë qiellore të engjëjve të Jehovait. * (1 Selanikasve 4:16) Por shiko si e përballoi Mikaeli këtë ballafaqim me Satanain.

8 Në tregimin e Judës nuk na thuhet se ç’donte të bënte Satanai me trupin e Moisiut. Por me siguri që bluante në mendje ndonjë qëllim të lig. Ndoshta donte t’i nxiste njerëzit që ta përdornin gabim në adhurimin e rremë trupin e atij njeriu besnik. Ndonëse e kundërshtoi planin e lig të Satanait, Mikaeli tregoi edhe shumë vetëpërmbajtje. S’kishte dyshim që Satanai e meritonte një qortim. Por Mikaeli, i cili në kohën kur bëri fjalë me Satanain nuk kishte marrë ende në dorë gjithë autoritetin për të gjykuar, mendonte se këtë gjykim duhej ta jepte vetëm Perëndia Jehova. (Gjoni 5:22) Si kryeengjëll, Mikaeli kishte autoritet të madh. Megjithatë, me përulësi ia la në dorë Atij çështjen, në vend që të përpiqej të fitonte edhe më tepër autoritet. Përveç përulësisë, ai tregoi edhe modesti, domethënë ishte i vetëdijshëm për kufizimet e tij.

9 Juda u frymëzua të shkruante rreth këtij episodi për një arsye të veçantë. Mjerisht, disa të krishterë në kohën e tij nuk ishin të përulur. Me fodullëk ata ‘shanin të gjitha gjërat që në të vërtetë nuk i dinin’. (Juda 10) Sa e lehtë është për ne njerëzit e papërsosur të lëmë të na pushtojë krenaria! Si reagojmë kur nuk e kuptojmë diçka që bëhet në kongregacionin e krishterë, ndoshta diçka që ka të bëjë me një vendim të trupit të pleqve? A nuk do të tregonim mungesë përulësie, nëse do të fillonim të flitnim në mënyrë negative e madje kritikuese, ndonëse nuk i dimë të gjithë faktorët që janë pas këtyre vendimeve? Le të imitojmë Mikaelin, pra Jezuin, e të mos gjykojmë çështje për të cilat Perëndia nuk na ka dhënë autoritet.

10, 11. (a) Çfarë ka të veçantë gatishmëria e Birit të Perëndisë për të pranuar caktimin që të vinte në tokë? (b) Si mund ta imitojmë përulësinë e Jezuit?

10 Biri i Perëndisë tregoi përulësi edhe duke pranuar caktimin që të vinte në tokë. Shqyrto se çfarë iu desh të linte pas. Ai ishte kryeengjëlli. Ishte edhe «Fjala», Zëdhënësi i vetë Jehovait. (Gjoni 1:1-3) Banonte në qiell, në ‘banesën shumë të lartë, të shenjtë dhe të bukur’ të Jehovait. (Isaia 63:15) E megjithatë, «e zbrazi veten dhe mori formë skllavi, duke u bërë ngjashëm njerëzve». (Filipianëve 2:7) Mendo se çfarë përfshinte caktimi i tij në tokë. Jehovai e kaloi jetën e këtij Biri në barkun e një judeje të virgjër, ku u zhvillua për nëntë muaj dhe lindi si një foshnjë njerëzore. Lindi në familjen e një zdrukthëtari të varfër, si një foshnjë që ishte e varur nga të tjerët për çdo gjë. Dalëngadalë u rrit derisa u bë adoleshent. Ndonëse ishte i përsosur, gjatë gjithë fëmijërisë iu nënshtrua prindërve të tij të papërsosur. (Luka 2:40, 51, 52) Ç’përulësi e jashtëzakonshme!

11 A mund ta imitojmë përulësinë e Jezuit, duke pranuar me gatishmëri caktime shërbimi që nganjëherë duken të ulëta? Për shembull, të shkosh t’u predikosh lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë njerëzve që reagojnë me apati, tallje ose armiqësi, mund të duket një përulje. (Mateu 28:19, 20) Por, nëse qëndrojmë të palëkundur në këtë vepër, mund të ndihmojmë të tjerë që të shpëtojnë jetën. Sido që të jetë, do të mësojmë shumë për përulësinë dhe do të ndjekim gjurmët e Zotërisë tonë, Jezu Krishtit.

Përulësia e Jezuit kur ishte njeri

12-14. (a) Si tregonte përulësi Jezui kur e lavdëronin njerëzit? (b) Në cilat mënyra u soll me përulësi Jezui me të tjerët? (c) Si e kuptojmë që përulësia e Jezuit nuk ishte thjesht çështje mirësjelljeje ose edukate?

12 Që nga fillimi e deri në fund, shërbimi i Jezuit në tokë u karakterizua nga përulësia. E tregoi përulësinë në mënyrën se si ia drejtonte Atit të tij të gjithë lavdinë. Disa herë njerëzit e lavdëronin Jezuin për mençurinë që gjendej në fjalët e tij, për fuqinë me të cilat kryente mrekulli, e madje edhe për mirësinë që e karakterizonte. Por Jezui gjithnjë e largonte këtë lavdi nga vetja dhe ia drejtonte Jehovait.​—Marku 10:17, 18; Gjoni 7:15, 16.

13 Jezui tregonte përulësi në mënyrën si i trajtonte njerëzit. Në fakt, ai e bëri të qartë se kishte ardhur në tokë jo që t’i shërbenin, por që t’u shërbente të tjerëve. (Mateu 20:28) Tregoi përulësi duke i trajtuar njerëzit me butësi e me arsyetueshmëri. Kur ithtarët e zhgënjenin, nuk i kritikonte ashpër, por përpiqej vazhdimisht t’u prekte zemrën. (Mateu 26:39-41) Kur turmat i prenë rrugën ndërsa po kërkonte një vend të qetë e të veçuar për të pushuar, nuk i dëboi, por e vuri veten në dispozicion të tyre dhe u mësoi «shumë gjëra». (Marku 6:30-34) Kur një grua joizraelite iu lut e iu lut që t’i shëronte të bijën, në fillim ai e tregoi qartë se nuk kishte ndër mend ta bënte këtë. Megjithatë, nuk e kundërshtoi tërë inat. Përkundrazi, duke parë besimin e saj të jashtëzakonshëm, së fundi ia plotësoi kërkesën, siç do ta shohim në kapitullin e 14-të.​—Mateu 15:22-28.

14 Jezui e tregoi në mënyra të panumërta se ishte tamam siç kishte thënë për veten: «Unë jam me natyrë të butë dhe i përulur në zemër.» (Mateu 11:29) Përulësia e tij nuk ishte sipërfaqësore, sa për të treguar mirësjellje ose edukatë. I vinte nga zemra, nga njeriu i brendshëm. Prandaj nuk habitemi që për Jezuin ishte parësore t’u mësonte ithtarëve të tij të ishin të përulur!

U mësoi ithtarëve të ishin të përulur

15, 16. Çfarë dallimi bëri Jezui lidhur me qëndrimin e sundimtarëve në botë dhe qëndrimin që duhej të zhvillonin ithtarët e tij?

15 Apostujt e Jezuit po e mësonin me zor përulësinë, prandaj atij iu desh të përpiqej herë pas here që t’u prekte zemrën. Për shembull, një herë Jakovi dhe Gjoni, nëpërmjet nënës së tyre, i kërkuan Jezuit t’u premtonte pozita të larta në Mbretërinë e Perëndisë. Me modesti, Jezui u përgjigj: «Nuk më takon mua t’ju ul në të djathtën dhe në të majtën time. Ai vend u takon atyre që ua ka bërë gati Ati im.» Dhjetë apostujt e tjerë «u indinjuan» me Jakovin dhe Gjonin. (Mateu 20:20-24) Si e trajtoi Jezui këtë problem?

16 Me butësi, ai i qortoi që të gjithë, duke u thënë: «Ju e dini se sundimtarët e kombeve sillen si zotër me to dhe të mëdhenjtë ushtrojnë autoritet mbi to. Mes jush nuk është kështu. Kushdo që dëshiron të bëhet i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juaj, dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari ndër ju, të jetë skllavi juaj.» (Mateu 20:25-27) Apostujt me siguri e kishin parë sa krenarë, ambiciozë dhe egoistë mund të ishin «sundimtarët e kombeve». Jezui tregoi se ithtarët e tij duhet të jenë ndryshe nga ata tiranë të etur për pushtet. Ata duhet të jenë të përulur. A morën vesh apostujt?

17-19. (a) Në cilën mënyrë të paharrueshme i mësoi Jezui apostujt për përulësinë, natën para se të vdiste? (b) Cili ishte mësimi më i fuqishëm rreth përulësisë që dha Jezui si njeri?

17 Apostujt s’e kishin të lehtë. Kjo s’ishte as hera e parë dhe as e fundit që Jezui dha këtë mësim. Ca kohë më parë, kur kishin debatuar se cili ishte më i madhi, ai kishte vënë në mes të tyre një fëmijë të vogël dhe u kishte thënë që të ishin më shumë si fëmijët, të cilët në përgjithësi nuk kanë krenarinë, ambicien dhe merakun për pozitën, kaq të zakonshme te të rriturit. (Mateu 18:1-4) E megjithatë, edhe natën para se të vdiste, ai pa që apostujt ende po luftonin me krenarinë. Kështu që u dha një mësim të paharrueshëm. Mori një peshqir, e ngjeshi pas vetes dhe bëri punën më të përulur nga të gjitha, të cilën në atë kohë zakonisht e bënin shërbëtorët për mysafirët që vinin. Jezui i lau këmbët secilit apostull, madje edhe Judës, që pas pak do ta tradhtonte!​—Gjoni 13:1-11.

18 Jezui i ndihmoi të kapnin thelbin, duke u thënë: «Unë ju lashë modelin.» (Gjoni 13:15) A ua preku më në fund zemrën ky mësim? Mendo që pak më vonë debatuan përsëri se kush ishte më i madhi mes tyre! (Luka 22:24-27) Gjithsesi, Jezui vazhdoi të ishte i duruar me ta dhe i mësoi me përulësi. Pastaj u dha mësimin më të fuqishëm: «Ai e përuli veten dhe u bind madje deri në vdekje, po, vdekje në një shtyllë torture.» (Filipianëve 2:8) Me vullnet të lirë, Jezui iu nënshtrua një vdekjeje poshtëruese, i dënuar pa të drejtë si kriminel dhe blasfemues. Kështu, Biri i Perëndisë tregoi se ishte i pashoq, pasi nga të gjitha krijesat e Jehovait, ai e shfaqi përulësinë në mënyrë të përsosur e të plotë.

19 Ndoshta pikërisht ky mësim i fundit rreth përulësisë që dha Jezui si njeri, ua skaliti në mënyrë të pashlyeshme në zemër këtë cilësi apostujve besnikë. Bibla na thotë se edhe vite, madje dhjetëvjeçarë më vonë, këta njerëz po punonin me përulësi. Ç’të themi për ne?

A do të ndjekësh modelin që la Jezui?

20. Si mund ta dimë nëse jemi të përulur në zemër?

20 Pavli këshillon secilin prej nesh: «Mbani po atë qëndrim mendor që kishte edhe Krishti Jezu.» (Filipianëve 2:5) Ashtu si Jezui, ne duhet të jemi të përulur në zemër. Si mund ta dimë nëse e kemi apo jo përulësinë në zemër? Po ja, Pavli na kujton se nuk duhet të bëjmë asgjë «nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duke i parë të tjerët si më të lartë se veten». (Filipianëve 2:3) Pra, çelësi ka të bëjë me mënyrën si i shohim të tjerët, në krahasim me veten. Duhet t’i shohim si më të lartë, si më të rëndësishëm se ne. A do ta zbatosh këtë këshillë?

21, 22. (a) Pse mbikëqyrësit e krishterë duhet të jenë të përulur? (b) Si mund ta tregojmë se jemi ngjeshur me përulësinë?

21 Shumë vjet pas vdekjes së Jezuit, apostulli Pjetër ende po mendonte për rëndësinë e përulësisë. Ai i mësoi mbikëqyrësit e krishterë që t’i kryejnë me përulësi detyrat e tyre, duke mos u sjellë kurrë si zotër me delet e Jehovait. (1 Pjetrit 5:2, 3) Përgjegjësia nuk i jep askujt të drejtën të jetë krenar. Përkundrazi, përgjegjësitë e shtojnë nevojën për të qenë vërtet të përulur. (Luka 12:48) Natyrisht, kjo cilësi është jetësore jo vetëm për mbikëqyrësit, por për çdo të krishterë.

22 Me siguri Pjetri s’e harroi më atë natë kur Jezui i lau këmbët, pavarësisht se ai kundërshtoi. (Gjoni 13:6-10) Pjetri u shkroi të krishterëve: «Ngjishuni të gjithë me përulësi mendjeje ndaj njëri-tjetrit.» (1 Pjetrit 5:5) Fjala «ngjishuni» na bën të mendojmë për një shërbëtor që ngjesh ose vë përparësen, për të bërë punë krahu. Madje kjo fjalë mund të na kujtojë rastin kur Jezui ngjeshi pas vetes një peshqir dhe u ul në gjunjë për t’u larë këmbët apostujve. Nëse imitojmë Jezuin, a ka ndonjë caktim teokratik për të cilin mund të mendojmë se na e ul dinjitetin?! Në qoftë se jemi të përulur në zemër, kjo duhet të jetë e dukshme për të gjithë, sikur ta kishim ngjeshur pas vetes këtë cilësi.

23, 24. (a) Pse duhet t’i kundërvihemi çdo prirjeje për t’u bërë fodullë? (b) Cila pikëpamje e gabuar për përulësinë do të ndreqet në kapitullin vijues?

23 Fodullëku është si helm. Pasojat e tij mund të jenë shkretuese. Ky tipar mund ta bëjë të padobishëm për Perëndinë edhe njeriun më të talentuar në botë. Kurse përulësia mund ta bëjë shumë të dobishëm për Jehovain edhe njeriun më të thjeshtë në botë. Nëse e zhvillojmë çdo ditë këtë cilësi të çmuar, duke u përpjekur të ecim me përulësi në gjurmët e Krishtit, shpërblimi ka për të qenë i mrekullueshëm. Pjetri shkroi: «Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur.» (1 Pjetrit 5:6) Pa dyshim, Jehovai e lartësoi Jezuin, i cili e përuli veten në mënyrë kaq të plotë. Po njësoj, Perëndia do të të shpërblejë me kënaqësi për përulësinë që tregon.

24 Mjerisht, disa mendojnë se përulësia është shenjë dobësie. Shembulli i Jezuit na ndihmon të kuptojmë sa e gabuar është kjo pikëpamje, pasi njeriu më i përulur në tokë ishte edhe më i guximshmi nga të gjithë. Kjo do të shqyrtohet në kapitullin vijues.

^ Kur shqyrton këtë ngjarje, një vepër referimi thotë se këto kafshë «janë krijesa të rëndomta» dhe shton: «Ato janë të ngadalta, kokëforta, kafshë pune të zakonshme për të varfrit dhe jo shumë tërheqëse.»

^ Për më shumë prova se Mikaeli është Jezui, shih faqet 218 dhe 219 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.