Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 5

«Të gjitha thesaret e mençurisë»

«Të gjitha thesaret e mençurisë»

1-3. Në cilat rrethana e mban Jezui fjalimin e tij, një ditë pranvere të vitit 31 të e.s., dhe pse mahniten dëgjuesit e tij?

 ËSHTË një ditë pranvere e vitit 31 të erës sonë. Jezu Krishti ndodhet pranë Kapernaumit, një qytet i zhurmshëm në bregun veriperëndimor të detit të Galilesë. Ai është lutur gjithë natën i vetëm, në një mal aty afër. Kur bëhet ditë, thërret dishepujt dhe zgjedh prej tyre 12, të cilët i quan apostuj. Ndërkohë, një turmë e madhe njerëzish (disa prej të cilëve kanë ardhur nga shumë larg) e ka ndjekur Jezuin deri këtu dhe është mbledhur në një vend të sheshtë të malit. Ata mezi presin të dëgjojnë çfarë do t’u thotë e të shërohen nga sëmundjet e tyre. Jezui nuk i zhgënjen.​—Luka 6:12-19.

2 I afrohet turmës dhe shëron të gjithë të sëmurët. Së fundi, kur mes tyre nuk ka më asnjë që vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë, ai ulet dhe nis t’i mësojë. * Fjalët që thotë atë ditë të freskët pranvere, me siguri i habitin dëgjuesit. Po, habiten sepse nuk kanë dëgjuar kurrë ndonjë tjetër të mësojë si ai. Për t’u dhënë peshë mësimeve të tij, ai nuk përdor as traditat gojore, as fjalët e rabinëve të mirënjohur judaikë. Përkundrazi, citon vazhdimisht nga Shkrimet e frymëzuara Hebraike. Mesazhi i tij është i drejtpërdrejtë, fjalët janë të thjeshta dhe domethënia e tyre e qartë. Kur mbaron së foluri, turmat mbeten të mahnitura, dhe me të drejtë. Sapo kanë dëgjuar njeriun më të mençur që ka jetuar ndonjëherë!​—Mateu 7:28, 29.

«Turma mbeti e mahnitur nga mënyra se si mësonte»

3 Ai fjalim, si edhe shumë gjëra të tjera që tha e që bëri Jezui, janë dokumentuar në Fjalën e Perëndisë. Duhet të gërmojmë në këtë dokumentim të frymëzuar për të parë ç’thotë për Jezuin, sepse tek ai janë «të gjitha thesaret e mençurisë». (Kolosianëve 2:3) Ku e gjeti Jezui këtë mençuri, që është aftësia për të zbatuar në mënyrë praktike njohurinë dhe kuptueshmërinë? Si e shfaqi mençurinë dhe si mund ta ndjekim shembullin e tij?

«Ku e gjeti ky njeri këtë mençuri?!»

4. Ç’pyetje bënë dëgjuesit e Jezuit në Nazaret dhe përse?

4 Në një nga udhëtimet e tij të predikimit, Jezui shkoi në Nazaret, në qytetin ku ishte rritur, dhe nisi të mësonte në sinagogën e atjeshme. Shumë nga dëgjuesit u mahnitën dhe pyetën: «Ku e gjeti ky njeri këtë mençuri?!» Ata ia njihnin familjen​—prindërit, vëllezërit dhe motrat,—​dhe e dinin se ishte rritur në kushte shumë të thjeshta. (Mateu 13:54-56; Marku 6:1-3) Pa dyshim, e dinin edhe se ky zdrukthëtar kaq i gojës nuk kishte ndjekur asnjë nga shkollat e famshme rabinike. (Gjoni 7:15) Pra, pyetja e tyre dukej logjike.

5. Nga cili burim e kishte marrë mençurinë Jezui, siç tha edhe vetë?

5 Mençuria që shfaqi Jezui, nuk ishte thjesht produkt i mendjes së tij të përsosur. Pak më vonë gjatë shërbimit, kur po mësonte para të gjithëve në tempull, Jezui zbuloi se mençuria e tij vinte nga një burim shumë më i lartë. Ai tha: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16) Po, burimi i vërtetë i mençurisë së Jezuit ishte Ati i tij, i cili e dërgoi në tokë. (Gjoni 12:49) Por, si e mori Jezui mençurinë nga Jehovai?

6, 7. Si mori mençuri Jezui nga Ati i tij?

6 Në zemrën dhe në mendjen e Jezuit vepronte fryma e shenjtë e Jehovait. Isaia kishte parathënë për Jezuin kur të vinte si Mesia i premtuar: «Tek ai do të prehet fryma e Jehovait, fryma e mençurisë dhe e kuptueshmërisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës nga Jehovai.» (Isaia 11:2) Meqë fryma e Jehovait prehej te Jezui dhe e drejtonte në mendime e në vendime, a është për t’u habitur që fjalët dhe veprimet e tij pasqyronin mençurinë e pashoqe të Jehovait?

7 Jezui e mori mençurinë nga Ati i tij edhe në një mënyrë tjetër thelbësore. Siç e pamë në kapitullin e dytë, gjatë ekzistencës së tij paranjerëzore që kishte zgjatur epoka të panumërta, Jezui pati mundësi të përvetësonte mendimet e Atit të tij për gjërat. As e marrim dot me mend thellësinë e mençurisë që fitoi Biri përkrah Atit të tij, duke punuar si «kryemjeshtër» i Perëndisë për krijimin e gjithë gjërave të tjera, me jetë e pa jetë. Me arsye të vlefshme, Biri në ekzistencën e tij paranjerëzore përshkruhet si personifikimi i mençurisë. (Proverbat 8:22-31; Kolosianëve 1:15, 16) Gjatë gjithë shërbimit, Jezui pati mundësi të përdorte mençurinë që kishte fituar kur kishte qenë në qiell, përkrah Atit të tij. * (Gjoni 8:26, 28, 38) Prandaj, nuk duhet të habitemi me njohurinë e gjerë dhe kuptueshmërinë e thellë që pasqyrohet në fjalët e Jezuit ose me gjykimin e shëndoshë që duket në çdo veprim të tij.

8. Si mund të fitojnë mençuri ithtarët e Jezuit?

8 Si ithtarë të Jezuit, edhe ne duhet të drejtohemi te Jehovai si burimi i mençurisë. (Proverbat 2:6) Natyrisht, Jehovai nuk na jep mençuri me anë të ndonjë mrekullie. Megjithatë, u përgjigjet lutjeve tona të sinqerta për mençurinë e nevojshme që të përballojmë me sukses sfidat e jetës. (Jakovi 1:5) Kërkohen shumë përpjekje nga ana jonë, për të fituar këtë mençuri. Duhet të vazhdojmë të kërkojmë për të «si për thesare të fshehura». (Proverbat 2:1-6) Po, vazhdimisht duhet të gërmojmë thellë e më thellë në Fjalën e Perëndisë, ku zbulohet mençuria e tij, dhe ta përputhim jetën tonë me atë që mësojmë. Shembulli i Birit të Jehovait është veçanërisht me vlerë pasi na ndihmon të fitojmë mençuri. Le të shqyrtojmë disa fusha në të cilat shfaqi mençuri Jezui dhe të mësojmë si ta imitojmë.

Fjalë të mençura

Mençuria e Perëndisë është zbuluar në Bibël

9. Pse ishin kaq të mençura mësimet e Jezuit?

9 Turma njerëzish vërshonin te Jezui vetëm që ta dëgjonin kur fliste. (Marku 6:31-34; Luka 5:1-3) Nuk është për t’u habitur, pasi nga goja e Jezuit dilnin fjalë që pasqyronin një mençuri të pashoqe. Mësimet e tij pasqyrojnë një njohuri të thellë për Fjalën e Perëndisë dhe një aftësi të pashoqe për të shkuar në rrënjë të problemeve. Ato tërheqin njerëz kudo dhe zbatohen në çdo kohë. Le të shohim disa shembuj të mençurisë që gjendej në fjalët e Jezuit, për të cilin ishte parathënë se do të ishte «Këshilltar i Mrekullueshëm».​—Isaia 9:6.

10. Çfarë cilësish të mira na nxit të zhvillojmë Jezui dhe përse?

10 Predikimi në Mal, për të cilin folëm në fillim, është përmbledhja më e madhe e mësimeve të Jezuit e pandërprerë nga rrëfimi i shkrimtarit ose nga fjalët e të tjerëve. Në këtë fjalim, Jezui nuk na këshillon thjesht të flasim e të sillemi mirë. Këshillat e tij shkojnë shumë më thellë. Duke e ditur mirë se fjalët dhe veprimet lindin nga mendimet dhe ndjenjat, Jezui na nxit të zhvillojmë në mendje e në zemër cilësi të mira, si: natyrën e butë, urinë dhe etjen për drejtësi, prirjen për të qenë të mëshirshëm e paqebërës dhe dashurinë për të tjerët. (Mateu 5:5-9, 43-48) Teksa zhvillojmë në zemër cilësi të tilla, do të kemi një të folur dhe një sjellje të shkëlqyer, dhe kjo i pëlqen Jehovait, por nxit edhe marrëdhënie të mira me njerëzit.​—Mateu 5:16.

11. Si shkon në rrënjë të problemit Jezui, kur jep këshilla për sjelljen mëkatare?

11 Kur jep këshilla për sjelljen mëkatare, Jezui shkon gjer në rrënjë të problemit. Nuk na thotë thjesht të mos bëjmë veprime të dhunshme, por na paralajmëron që të mos e lëmë zemërimin të na vlojë përbrenda. (Mateu 5:21, 22; 1 Gjonit 3:15) Jo vetëm që ndalon kurorëshkeljen, por paralajmëron kundër pasionit që lind në zemër dhe që çon në tradhti bashkëshortore. Na këshillon të mos i lejojmë sytë të na zgjojnë dëshira të papërshtatshme dhe të na nxitin lakminë. (Mateu 5:27-30) Jezui trajton shkaqet e problemeve, jo thjesht simptomat. Ai përqendrohet te qëndrimet dhe dëshirat nga të cilat lindin veprimet mëkatare.​—Psalmi 7:14.

12. Si i konsiderojnë ithtarët e Jezuit këshillat e tij dhe përse?

12 Sa shumë mençuri që ka në fjalët e Jezuit! Është më se e kuptueshme pse «turma mbeti e mahnitur nga mënyra se si mësonte». (Mateu 7:28) Ne ithtarët e tij, i konsiderojmë si model për jetën tonë këshillat e mençura që dha. Përpiqemi të zhvillojmë cilësitë e mira që rekomandoi ai, si mëshirën, paqen dhe dashurinë, duke ditur se kështu po hedhim themelin për një sjellje që i pëlqen Jehovait. Përpiqemi të çrrënjosim nga zemra ndjenjat dhe dëshirat negative për të cilat paralajmëroi, si zemërimin e hidhur dhe dëshirat imorale, duke ditur se kjo do të na ndihmojë të shmangim sjelljen mëkatare.​—Jakovi 1:14, 15.

Mençuria e udhëhiqte në jetë

13, 14. Nga duket se Jezui përdori gjykim të shëndoshë kur zgjodhi drejtimin që do të ndiqte në jetë?

13 Jezui shfaqi mençuri jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. E gjithë jeta e tij​—vendimet që merrte, pikëpamja për veten dhe marrëdhëniet me të tjerët,—​pasqyronte aspektet e shumta të bukura të mençurisë. Të shohim disa shembuj që tregojnë se Jezui udhëhiqej nga ‘mençuria dhe aftësia për të menduar’.​—Proverbat 3:21.

14 Mençuria përfshin gjykimin e shëndoshë. Jezui përdori gjykim të shëndoshë kur zgjodhi drejtimin që do të ndiqte në jetë. E përfytyron dot se ç’jetë do të mund të kishte bërë, domethënë shtëpinë që mund të kishte ndërtuar, biznesin që mund të kishte ngritur ose famën botërore që mund të kishte arritur? Por Jezui e dinte se një jetë që u kushtohet këtyre gjërave «është kotësi dhe rropatje pas erës». (Eklisiastiu 4:4; 5:10) Një drejtim i tillë është marrëzi, e kundërta e mençurisë. Ai vendosi ta mbante të thjeshtë jetën. Nuk i interesonte të bënte para ose të grumbullonte gjëra materiale. (Mateu 8:20) Në përputhje me atë që u mësoi të tjerëve, e mbajti syrin të përqendruar në një qëllim të vetëm: të bënte vullnetin e Perëndisë. (Mateu 6:22) Me mençuri, Jezui ua kushtoi kohën dhe energjitë gjërave që kishin të bënin me Mbretërinë e Perëndisë, të cilat janë shumë më të rëndësishme dhe shpërblyese se gjërat materiale. (Mateu 6:19-21) Kështu la një shembull që ia vlen ta imitojmë.

15. Si mund ta tregojnë ithtarët e Jezuit se po mbajnë një sy të thjeshtë e pse kjo është gjëja më e mençur?

15 Sot, ithtarët e Jezuit e kuptojnë sa e mençur është ta mbajnë syrin të thjeshtë. Prandaj, nuk e rëndojnë veten me borxhe të panevojshme dhe me synime materialiste që kërkojnë tepër vëmendje dhe energji. (1 Timoteut 6:9, 10) Shumë prej tyre kanë bërë hapa për ta thjeshtuar jetën, që t’i kushtojnë më tepër kohë shërbimit të krishterë, ndoshta edhe si lajmëtarë të Mbretërisë në kohë të plotë. Nuk ka drejtim më të mençur se ky, pasi, kur i vëmë interesat e Mbretërisë në vendin që u takon, kemi lumturinë dhe kënaqësinë më të madhe.​—Mateu 6:33.

16, 17. (a) Në cilat mënyra e tregoi Jezui se ishte modest dhe realist në atë që priste nga vetja? (b) Si mund ta tregojmë edhe ne se jemi modestë e realistë në atë që presim nga vetja?

16 Bibla e lidh mençurinë me modestinë, që do të thotë të jesh i vetëdijshëm për kufizimet e tua. (Proverbat 11:2) Jezui ishte modest dhe realist në atë që priste nga vetja. Ai e dinte se nuk do t’ia kthente dot besimin të gjithë atyre që e dëgjonin mesazhin e tij. (Mateu 10:32-39) Gjithashtu, e kuptonte se numri i njerëzve që do të takonte vetë do të ishte i kufizuar. Prandaj, me mençuri ua besoi ithtarëve të tij veprën e bërjes së dishepujve. (Mateu 28:18-20) Me modesti, pranoi se ata ‘do të bënin vepra më të mëdha’ se të tijat, sepse do të takonin më shumë njerëz, në një territor shumë më të madh dhe për një periudhë kohe më të gjatë. (Gjoni 14:12) Po ashtu, Jezui e kuptonte se edhe ai kishte nevojë për ndihmë. Pranoi ndihmën e engjëjve që erdhën t’i shërbenin në shkretëtirë dhe të engjëllit që erdhi për t’i dhënë forcë në Getsemani. Në çastin kur kishte më shumë nevojë, Biri i Perëndisë thirri për ndihmë.​—Mateu 4:11; Luka 22:43; Hebrenjve 5:7.

17 Edhe ne duhet të jemi modestë dhe realistë në atë që presim nga vetja. Natyrisht që duam të punojmë me gjithë shpirt dhe të përpiqemi fuqimisht në veprën e predikimit e të bërjes së dishepujve. (Luka 13:24; Kolosianëve 3:23) Por, në të njëjtën kohë, duhet të mbajmë në mend se Jehovai nuk na krahason me njëri-tjetrin dhe as ne s’duhet ta bëjmë këtë. (Galatasve 6:4) Mençuria praktike do të na ndihmojë të vëmë synime realiste në përputhje me aftësitë dhe rrethanat tona. Veç kësaj, mençuria do t’i udhëheqë ata që kanë pozita përgjegjësie që të kuptojnë se edhe vetë kanë kufizime dhe hera-herës kanë nevojë për ndihmë e mbështetje. Modestia do t’i bëjë që me mirësjellje ta pranojnë ndihmën, duke kuptuar se Jehovai mund të përdorë edhe një bashkëbesimtar që t’u bëhet «ndihmë fuqizuese».​—Kolosianëve 4:11.

18, 19. (a) Nga e kuptojmë se Jezui ishte i arsyeshëm dhe mirëdashës në marrëdhëniet me dishepujt? (b) Pse themi që kemi shumë arsye për të qenë pozitivë e të arsyeshëm me njëri-tjetrin, dhe si ta bëjmë këtë?

18 «Mençuria nga lart është . . . e arsyeshme»,​—thuhet te Jakovi 3:17. Jezui ishte i arsyeshëm dhe mirëdashës në marrëdhëniet me dishepujt. Ai ishte i vetëdijshëm për të metat e tyre, e megjithatë kërkonte të gjente cilësitë e mira që kishin. (Gjoni 1:47) E dinte se do ta braktisnin natën kur të arrestohej, por nuk e vuri në dyshim besnikërinë e tyre. (Mateu 26:31-35; Luka 22:28-30) Pjetri mohoi tri herë se e njihte Jezuin. Po prapëseprapë, Jezui u përgjërua për Pjetrin dhe u shpreh i sigurt se ai do të ishte i besueshëm. (Luka 22:31-34) Në lutjen që i bëri Atit natën e fundit të jetës së tij në tokë, Jezui nuk u përqendrua te gabimet që kishin bërë dishepujt e tij. Jo, ai foli mirë për drejtimin që kishin ndjekur deri atë natë, duke thënë: «Ata e kanë zbatuar fjalën tënde.» (Gjoni 17:6) Pavarësisht nga papërsosmëritë e tyre, ai u la në dorë veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve. (Mateu 28:19, 20) Siguria dhe besimi që pati tek ata, pa dyshim i forcoi për të kryer veprën që i urdhëroi.

19 Ithtarët e Jezuit kanë arsye për të imituar shembullin e tij në këtë drejtim. Nëse Biri i përsosur i Perëndisë ishte i duruar me dishepujt e tij të papërsosur, aq më tepër ne si njerëz mëkatarë duhet të jemi të arsyeshëm në marrëdhëniet me njëri-tjetrin! (Filipianëve 4:5) Në vend që të përqendrohemi te të metat e bashkadhuruesve, duhet të kërkojmë cilësitë e mira tek ata. Bëjmë mirë të mbajmë në mend se i ka tërhequr Jehovai. (Gjoni 6:44) Pra, me siguri që ai sheh të mira tek ata, e po kështu duhet të bëjmë edhe ne. Fryma pozitive do të na ndihmojë jo vetëm që ‘të kapërcejmë fyerjet’, por edhe të kërkojmë mundësi për t’i lavdëruar të tjerët. (Proverbat 19:11, Diodati i Ri) Kur shprehim siguri te vëllezërit dhe te motrat tona në besim, i ndihmojmë të japin më të mirën në shërbim të Jehovait dhe të gjejnë gëzim në këtë shërbim.​—1 Selanikasve 5:11.

20. Ç’duhet të bëjmë me thesarin e mençurisë që gjendet në tregimet e Ungjijve, dhe përse?

20 Tregimet e Ungjijve për jetën dhe për shërbimin e Jezuit, janë vërtet një thesar mençurie! Ç’duhet të bëjmë me këtë dhuratë të paçmuar? Në përfundim të Predikimit në Mal, Jezui i nxiti dëgjuesit jo vetëm që t’i dëgjonin fjalët e tij të mençura, por edhe t’i zbatonin. (Mateu 7:24-27) Kur i modelojmë mendimet, motivet dhe veprimet tona sipas fjalëve dhe veprimeve të mençura të Jezuit, do të kemi jetën më të mirë që është e mundur sot për sot dhe do të qëndrojmë në rrugën drejt jetës së përhershme. (Mateu 7:13, 14) Pa dyshim, kjo është rruga më e mirë dhe më e mençur që mund të ndjekim!

^ Fjalimi që mbajti Jezui atë ditë, njihet me emrin Predikimi në Mal. Siç është dokumentuar te Mateu 5:3–7:27, përmban 107 vargje dhe ndoshta janë dashur pak a shumë 20 minuta për ta mbajtur si fjalim.

^ Me sa duket, kur «qiejt u hapën» në kohën e pagëzimit të Jezuit, atij iu rikthye kujtesa për ekzistencën e tij paranjerëzore.​—Mateu 3:13-17.