Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 10

«Është shkruar»

«Është shkruar»

«Sot, ky shkrim . . . u përmbush»

1-3. Cilin përfundim të rëndësishëm dëshiron Jezui që të arrijnë banorët e Nazaretit dhe çfarë prove u paraqet për këtë?

 JEZUI sapo ka filluar shërbimin e tij dhe është kthyer në Nazaret, në qytetin e tij. Dëshiron t’i ndihmojë njerëzit që të arrijnë një përfundim të rëndësishëm: ai është Mesia i parathënë prej shumë kohësh! Çfarë provash paraqet?

2 Pa dyshim, shumë veta presin që të bëjë një mrekulli, sepse kanë dëgjuar për gjërat mahnitëse që ka bërë Jezui. Por ai nuk u jep asnjë shenjë të tillë. Në vend të kësaj, shkon në sinagogë, siç e kishte zakon, ngrihet të lexojë dhe i japin rrotullën e Isaisë. Është një rrotull e gjatë, me siguri e mbledhur në dy shkopinj. Jezui e rrotullon me kujdes dokumentin nga njëri shkop te tjetri, derisa gjen atë që po kërkon dhe lexon me zë pjesën që sot është Isaia 61:1-3.​—Luka 4:16-19.

3 Patjetër që auditori e njeh këtë pjesë. Është një profeci për Mesinë. Në sinagogë bie heshtja dhe të gjithë ia ngulin sytë Jezuit. Atëherë ai nis të shpjegojë, ndoshta më me hollësi: «Sot, ky shkrim që sapo dëgjuat, u përmbush.» Auditori mrekullohet me fjalët e tij plot hir, por, me sa duket, shumë veta ende duan të shohin ndonjë shenjë të jashtëzakonshme. Në vend të kësaj, me guxim Jezui përdor një shembull biblik për të nxjerrë në pah mungesën e besimit nga ana e tyre. Pas pak, banorët e Nazaretit orvaten ta vrasin!​—Luka 4:20-30.

4. Cilin model vendosi Jezui për shërbimin e tij dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë kapitull?

4 Në atë rast, Jezui vendosi modelin që mbajti gjatë gjithë shërbimit. Ai u mbështet shumë në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. Vërtet që mrekullitë e tij kishin rëndësi, pasi tregonin se kishte frymën e Perëndisë. Ama, për Jezuin, asgjë tjetër s’kishte më tepër peshë se Shkrimet e Shenjta. Le të shqyrtojmë shembullin që la ai në këtë drejtim. Do të shohim se si Zotëria ynë citoi nga Fjala e Perëndisë, si e mbrojti Fjalën e Perëndisë dhe si e shpjegoi Fjalën e Perëndisë.

Citoi nga Fjala e Perëndisë

5. Çfarë donte t’u tregonte medoemos Jezui dëgjuesve të tij dhe si e tregoi se fjalët që thoshte ishin të vërteta?

5 Jezui donte që njerëzit ta dinin se nga vinte mesazhi i tij. Ai tha: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16) Në një rast tjetër, tha: «Nuk bëj asgjë me nismën time, por i them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati.» (Gjoni 8:28) Më tej, tha: «Ato që ju them, nuk i them nga vetja, por Ati që qëndron në unitet me mua, po bën veprat e tij.» (Gjoni 14:10) Një mënyrë se si e tregoi Jezui vërtetësinë e këtyre komenteve ishte duke cituar vazhdimisht nga Fjala e shkruar e Perëndisë.

6, 7. (a) Deri në ç’masë citoi Jezui nga Shkrimet Hebraike dhe pse të bën përshtypje kjo? (b) Si ndryshonin mësimet e Jezuit nga ato të skribëve?

6 Duke studiuar me hollësi fjalët e dokumentuara të Jezuit, zbulojmë se ai citoi drejtpërdrejt ose iu referua tërthorazi më shumë se gjysmës së librave të Shkrimeve Hebraike. Në pamje të parë, kjo mund të mos duket kushedi çfarë. Dikush mund të pyesë pse, për tre vjet e gjysmë që mësoi dhe predikoi, nuk citoi nga të gjithë librat e frymëzuar që ishin në atë kohë. Por, në të vërtetë ai mund ta ketë bërë fare mirë këtë. Mos harro që është dokumentuar vetëm një pjesë e vogël e fjalëve dhe e veprave të Jezuit. (Gjoni 21:25) Madje, po t’i lexosh me zë, mund t’i mbarosh brenda pak orësh të gjitha fjalët e dokumentuara të Jezuit. Tani, mendo sikur të flasësh vetëm për pak orë rreth Perëndisë dhe Mbretërisë së tij, e të arrish të citosh më shumë se gjysmën e librave të Shkrimeve Hebraike! Për më tepër, në shumicën e rasteve, Jezui nuk kishte në dorë rrotulla të shkruara. Kur mbajti Predikimin e famshëm në Mal, përmendi me dhjetëra referime të drejtpërdrejta e të tërthorta nga Shkrimet Hebraike, të gjitha përmendësh!

7 Në citimet e Jezuit dallojmë respektin e thellë që kishte për Fjalën e Perëndisë. Dëgjuesit e tij «mahniteshin me mënyrën se si mësonte, sepse ai mësonte si një që ka autoritet e jo si skribët». (Marku 1:22) Kur mësonin popullin, skribët kishin qejf të përmendnin atë që quhej ligji gojor, të citonin rabinë të ditur të së kaluarës. Jezui nuk citoi as edhe një herë si autoritet ligjin gojor ose ndonjë rabin. Si autoritetin absolut ai shihte vetëm Fjalën e Perëndisë. Vazhdimisht thoshte: «Është shkruar.» Këto fjalë ose fjalë të ngjashme i përdorte gjithnjë kur mësonte ithtarët e tij dhe kur ndreqte idetë e gabuara.

8, 9. (a) Si e përkrahu Jezui autoritetin e Fjalës së Perëndisë kur pastroi tempullin? (b) Si treguan sheshit mungesë respekti për Fjalën e Perëndisë mësuesit fetarë në tempull?

8 Kur pastroi tempullin në Jerusalem, Jezui tha: «Është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje’, kurse ju po e bëni shpellë kusarësh.» (Mateu 21:12, 13; Isaia 56:7; Jeremia 7:11) Një ditë më parë, ai kreu shumë mrekulli. Disa djem të vegjël, të mahnitur nga këto mrekulli, filluan t’i jepnin lavdi. Mirëpo, mësuesit fetarë e pyetën gjithë zemërim Jezuin a e dëgjonte çfarë po thoshin ata fëmijë. Ai u përgjigj: «Po. Nuk e keni lexuar kurrë këtë: ‘Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave të gjirit ke marrë lavdi.’» (Mateu 21:16; Psalmi 8:2) Jezui donte që ata burra ta dinin se ajo që po ndodhte aty ishte e miratuar në Fjalën e Perëndisë.

9 Më vonë ata mësues fetarë u mblodhën bashkë dhe i dolën para Jezuit, duke e pyetur: «Me ç’autoritet i bën këto gjëra?» (Mateu 21:23) Jezui e kishte bërë më se të qartë cili ishte Burimi i autoritetit të tij. Ai nuk kishte sjellë ide të reja, duke shpikur doktrina të tjera. Thjesht po zbatonte atë që thuhej në Fjalën e frymëzuar të Atit të tij. Pra, në të vërtetë, ata priftërinj e skribë po tregonin sheshit mungesë respekti për Jehovain dhe për Fjalën e tij. E meritonin plotësisht qortimin e Jezuit, i cili i demaskoi motivet e tyre të liga.​—Mateu 21:23-46.

10. Si mund ta imitojmë Jezuin në mënyrën se si e përdorim Fjalën e Perëndisë? Çfarë mjetesh kemi ne që Jezui nuk i kishte?

10 Ashtu si Jezui, të krishterët e vërtetë sot mbështeten në Fjalën e Perëndisë kur janë në shërbim. Dëshmitarët e Jehovait njihen në të gjithë botën për zellin me të cilin shpallin mesazhin e Biblës. Në botimet tona ka me shumicë referime dhe citime nga Bibla. Edhe në shërbim bëjmë të njëjtën gjë, duke u përpjekur të lexojmë nga Shkrimet sa herë që flasim me njerëzit. (2 Timoteut 3:16) Sa kënaqemi kur dikush na lejon t’i lexojmë një pjesë nga Bibla dhe të diskutojmë për vlerën dhe domethënien e Fjalës së Perëndisë! Ne s’kemi kujtesën e përsosur të Jezuit, por kemi shumë mjete që Jezui s’i kishte. Përveç Biblës së plotë, të shtypur në gjithnjë e më tepër gjuhë, kemi mjete të tjera ndihmëse për studimin e Biblës, që na ndihmojnë të gjejmë vargun që po kërkojmë. Le të jemi të vendosur që të vazhdojmë të citojmë nga Bibla dhe t’i drejtojmë njerëzit tek ajo, në çdo rast që na paraqitet!

E mbrojti Fjalën e Perëndisë

11. Pse Jezuit i duhej ta mbronte shpesh Fjalën e Perëndisë?

11 Jezui pa se ndaj Fjalës së Perëndisë bëheshin shumë sulme, por kjo patjetër që nuk e befasoi. «Fjala jote është e vërteta»,—i tha në lutje Atit të vet. (Gjoni 17:17) Veç kësaj, Jezui e dinte mirë se Satanai, «sundimtari i kësaj bote», është «gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës». (Gjoni 8:44; 14:30) Kur iu kundërpërgjigj tundimeve të Satanait, Jezui citoi tri herë nga Shkrimet. Edhe Satanai citoi një varg nga Psalmet, duke e shtrembëruar qëllimisht, por Jezui e mbrojti Fjalën e Perëndisë nga ky shtrembërim.​—Mateu 4:6, 7.

12-14. (a) Si tregonin mungesë respekti udhëheqësit fetarë për Ligjin e Moisiut? (b) Si e mbrojti Jezui Fjalën e Perëndisë?

12 Jezui i mbrojti shpesh Shkrimet e Shenjta nga keqpërdorimi, nga interpretimet e gabuara dhe nga shtrembërimet. Mësuesit fetarë të kohës së tij e paraqitnin në dritë të shtrembër Fjalën e Perëndisë. Ata e vinin shumë theksin te zbatimi i hollësive të imëta të Ligjit të Moisiut, por nuk theksonin zbatimin e parimeve në të cilat mbështeteshin ligjet. Kështu nxitnin te njerëzit një formë sipërfaqësore adhurimi, të përqendruar te gjërat që dukeshin nga jashtë, jo te gjërat më me peshë, si drejtësia, mëshira dhe besnikëria. (Mateu 23:23) Si e mbrojti Jezui Ligjin e Perëndisë?

13 Në Predikimin në Mal, Jezui e përdori shpesh frazën «ju keni dëgjuar se është thënë» para se të përmendte një normë të Ligjit të Moisiut. Pastaj vazhdonte me frazën «por unë po ju them» dhe shtjellonte një parim që shkonte më thellë se zbatimi sipërfaqësor i Ligjit. A po dilte kundër Ligjit? Jo, përkundrazi, po e mbronte. Për shembull, njerëzit e dinin mirë ligjin «mos vrit». Por Jezui u tha se, në rast se urrenin dikë, po shkelnin thelbin e atij ligji. Po kështu, nëse ushqenin pasion për dikë tjetër përveç bashkëshortit, po shkelnin parimin mbi të cilin bazohej ligji i Perëndisë kundër kurorëshkeljes.​—Mateu 5:17, 18, 21, 22, 27-39.

14 Së fundi, Jezui tha: «Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Duaje të afërmin dhe urreje armikun.’ Megjithatë, unë po ju them: vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.» (Mateu 5:43, 44) A ishte marrë nga Fjala e Perëndisë urdhri «urreje armikun»? Jo, këtë urdhër e mësonin udhëheqësit fetarë nga vetja e tyre. Ata e shfuqizonin Ligjin e përsosur të Perëndisë duke futur mendime njerëzore. Pa frikë, Jezui e mbrojti Fjalën e Perëndisë nga ndikimet e dëmshme të traditave njerëzore.​—Marku 7:9-13.

15. Si e mbrojti Jezui Ligjin e Perëndisë nga përpjekjet për ta nxjerrë si tepër të rreptë, madje të ashpër?

15 Udhëheqësit fetarë e sulmonin Ligjin e Perëndisë edhe duke e nxjerrë si tepër të rreptë, madje të ashpër. Kur dishepujt e Jezuit këputën ca kallinj gruri tek po kalonin përmes një are, farisenjtë pohuan se ata po shkelnin sabatin. Jezui përdori një shembull biblik për të mbrojtur Fjalën e Perëndisë nga kjo pikëpamje jo e drejtpeshuar. Ai citoi të vetmin rast në Shkrime kur buka e paraqitjes u përdor jashtë shenjtërores, rastin kur hëngri Davidi dhe njerëzit e tij të uritur. Jezui u tregoi atyre farisenjve se nuk kishin kuptuar asgjë për mëshirën e dhembshurinë e Jehovait.​—Marku 2:23-27.

16. Si e kishin shtrembëruar udhëheqësit fetarë urdhrin e Moisiut për divorcin dhe si u përgjigj Jezui?

16 Veç kësaj, udhëheqësit fetarë kishin shpikur kleçka ligjore për ta anashkaluar Ligjin e Perëndisë, që ta shfuqizonin. Për shembull, sipas Ligjit, një burrë lejohej që të ndahej nga gruaja nëse gjente tek ajo «ndonjë gjë të turpshme», me sa duket ndonjë problem të rëndë që i sillte turp familjes. (Ligji i përtërirë 24:1) Por, në kohën e Jezuit, udhëheqësit fetarë e përdornin faktin që Ligji bënte këtë lëshim, si një justifikim që një burrë ta linte gruan për çfarëdolloj shkaku, madje edhe pse i kishte djegur gjellën! * Jezui tregoi se ata i kishin shtrembëruar keqas fjalët e frymëzuara të Moisiut. Pastaj rivendosi normën fillestare që kishte dhënë Jehovai për martesën, domethënë monogaminë, duke lënë si të vetmen bazë të ligjshme për divorc imoralitetin seksual.​—Mateu 19:3-12.

17. Si mund ta imitojnë sot të krishterët Jezuin për të mbrojtur Fjalën e Perëndisë?

17 Sot, ithtarët e Krishtit ndihen të shtyrë njësoj si ai që t’i mbrojnë Shkrimet e Shenjta nga sulmet. Kur udhëheqësit fetarë pohojnë tërthorazi se normat morale të Fjalës së Perëndisë janë vjetëruar, në të vërtetë po sulmojnë vetë Biblën. Kjo ndodh edhe kur fetë mësojnë trillime dhe i paraqitin si doktrina biblike. Për ne është privilegj të dalim në mbrojtje të Fjalës së pastër e të vërtetë të Perëndisë, duke treguar, për shembull, se Perëndia nuk është pjesë e një Triniteti. (Ligji i përtërirë 4:39) Në të njëjtën kohë, këtë mbrojtje e bëjmë me hir, me butësi të vërtetë dhe me respekt të thellë.​—1 Pjetrit 3:15.

E shpjegoi Fjalën e Perëndisë

18, 19. Cilët shembuj tregojnë se Jezui kishte një aftësi të jashtëzakonshme për të shpjeguar Fjalën e Perëndisë?

18 Jezui ishte në qiell kur u shkruan Shkrimet Hebraike. Sa duhet të jetë kënaqur që iu dha mundësia të vinte në tokë e të ndihmonte për ta shpjeguar Fjalën e Perëndisë! Për shembull, mendo për atë ditë të paharrueshme, pas ringjalljes së tij, kur u takua me dy dishepuj rrugës për në Emaus. Para se ta kuptonin kush ishte, ata i treguan sa ishin hidhëruar e pështjelluar nga vdekja e Zotërisë së tyre të dashur. Si reagoi ai? «Duke nisur që nga Moisiu deri te gjithë profetët, u shpjegoi në të gjitha Shkrimet gjërat që kishin të bënin me të.» E si u ndien ata? Më vonë, i thanë njëri-tjetrit: «A nuk na digjej zemra kur ai na fliste rrugës dhe na i zbërthente plotësisht Shkrimet?!»​—Luka 24:15-32.

19 Më vonë, po atë ditë, Jezui u takua me apostujt e tij dhe me të tjerë. Shiko se ç’bëri për ta: «Ua hapi plotësisht mendjet, që të kapnin domethënien e Shkrimeve.» (Luka 24:45) Pa dyshim, ai rast i lumtur u solli ndër mend rastet e shumta kur Jezui kishte bërë të njëjtën gjë për ta e për këdo tjetër që donte të dëgjonte. Shpeshherë, ai citonte shkrime shumë të njohura dhe i shpjegonte në mënyrë të tillë, që në mendjen e dëgjuesve lindte diçka e mrekullueshme​—një kuptueshmëri e re dhe më e thellë e Fjalës së Perëndisë.

20, 21. Si i shpjegoi Jezui fjalët që i kishte thënë Jehovai Moisiut te kaçuba që digjej?

20 Në një nga këto raste, Jezui po fliste me një grup saducenjsh. Këta ishin një sekt i judaizmit që kishte lidhje me priftërinjtë judenj dhe nuk besonin në ringjallje. Jezui u tha: «Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar çfarë ju kishte thënë Perëndia: ‘Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.’ Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.» (Mateu 22:31, 32) Ja një shkrim që ata e njihnin mirë, i shkruar nga Moisiu të cilin saducenjtë e respektonin shumë. Por, a e dallon se ç’argument të fortë kishte në shpjegimin e Jezuit?

21 Këtë bisedë Moisiu e kishte bërë me Jehovain te kaçuba që digjej, rreth vitit 1514 p.e.s. (Dalja 3:2, 6) Në atë kohë, Abrahami kishte 329 vjet që kishte vdekur, Isaku 224 vjet dhe Jakobi 197 vjet. Por, Jehovai prapëseprapë tha «unë jam» Perëndia i tyre. Ata saducenj e dinin se Jehovai nuk është si ndonjë perëndi pagan i të vdekurve, që sundon ndonjë botë të nëndheshme përrallash. Jo, siç tha Jezui, ai është Perëndia «i të gjallëve». Ç’do të thotë kjo? Përfundimi që nxori Jezui ishte shumë i fuqishëm: «Për të, të gjithë ata jetojnë.» (Luka 20:38) Shërbëtorët e dashur të Jehovait që kanë vdekur, janë të sigurt në kujtesën e Tij të pakufishme që nuk dobësohet kurrë. Qëllimi i Jehovait për t’i ringjallur është kaq i sigurt, sa për ta flitet sikur jetojnë. (Romakëve 4:16, 17) A nuk është ky një shpjegim i mrekullueshëm i Fjalës së Perëndisë?! Ja pse ‘turma mahnitej’!​—Mateu 22:33.

22, 23. (a) Si ta imitojmë Jezuin për të shpjeguar Fjalën e Perëndisë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në kapitullin tjetër?

22 Sot, të krishterët kanë privilegjin të imitojnë mënyrën se si e shpjegonte Jezui Fjalën e Perëndisë. Kuptohet, nuk kemi një mendje të përsosur, po gjithsesi, shpesh na bie rasti të flasim me njerëzit për një shkrim që e njohin dhe t’u shpjegojmë disa aspekte të tij që ndoshta s’i kanë menduar kurrë. Për shembull, mund ta kenë përsëritur gjithë jetën shprehjen «u shenjtëroftë emri yt» dhe «ardhtë mbretëria jote», pa e ditur emrin e Perëndisë ose çfarë është Mbretëria e tij. (Mateu 6:9, 10) Sa mundësi të mrekullueshme kemi kur dikush na lejon t’i japim shpjegime të qarta e të thjeshta për këto të vërteta biblike!

23 Që të imitojmë mënyrën se si e përcillte Jezui të vërtetën, është thelbësore të citojmë nga Fjala e Perëndisë, ta mbrojmë dhe ta shpjegojmë atë. Më tej do të shohim disa metoda të efektshme që përdori Jezui për t’u prekur zemrën dëgjuesve me të vërtetat biblike.

^ Jozefi, historian i shekullit të parë që edhe vetë ishte një farise i divorcuar, më vonë tha se divorci lejohej «për çfarëdolloj shkaku (dhe shumë shkaqe të tilla i kanë burrat)».