Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 12

«Pa ilustrime s’u fliste atyre»

«Pa ilustrime s’u fliste atyre»

1-3. (a) Çfarë privilegji të rrallë kanë dishepujt që udhëtojnë me Jezuin dhe si ua bën më të lehtë ai që t’i mbajnë mend mësimet e tij? (b) Pse ilustrimet e efektshme kujtohen lehtë?

 DISHEPUJT që po udhëtojnë me Jezuin kanë një privilegj të rrallë. Ata po mësojnë drejtpërdrejt nga Mësuesi i Madh. E dëgjojnë me veshët e tyre teksa u zbërthen domethënien e Fjalës së Perëndisë dhe u mëson të vërteta mahnitëse. Tani për tani, duhet t’i mbajnë në mendje e në zemër thëniet e tij të çmuara, sepse nuk ka ardhur ende koha që fjalët e tij të hidhen me shkrim. * Megjithatë, Jezui ua bën më të lehtë që ta mbajnë mend çfarë u mëson. Si e bën këtë? Me mënyrën si i mëson, po sidomos duke përdorur me mjeshtëri ilustrimet.

2 Është e vërtetë se ilustrimet e efektshme nuk harrohen lehtë. Një shkrimtar tha se ilustrimet «i kthejnë tingujt në pamje» dhe «u japin mundësi dëgjuesve që të krijojnë përfytyrime në mendje». Duke qenë se shpesh i kuptojmë më mirë gjërat kur i përfytyrojmë, edhe idetë abstrakte mund të bëhen më të lehta për t’u kuptuar me anë të ilustrimeve. Ilustrimet u japin jetë fjalëve, duke na dhënë mësime që na nguliten në kujtesë.

3 Asnjë mësues në tokë nuk ka qenë më i aftë se Jezu Krishti për të përdorur ilustrime. Ilustrimet e tij kujtohen me lehtësi edhe sot e kësaj dite. Pse u mbështet kaq shumë Jezui te kjo metodë mësimore? Çfarë i bënte kaq të efektshme ilustrimet e tij? Si të mësojmë ta përdorim këtë metodë mësimore?

Pse Jezui mësonte me ilustrime?

4, 5. Pse përdorte ilustrime Jezui?

4 Bibla jep dy arsye të rëndësishme pse përdori ilustrime Jezui. Në radhë të parë, me këtë ai përmbushi profecinë. Te Mateu 13:34, 35, lexojmë: «Gjithë këto gjëra Jezui ua tha turmave me anë të ilustrimeve. Në fakt, pa ilustrime s’u fliste atyre, që të përmbushej kështu ç’ishte thënë nëpërmjet profetit: ‘Do ta hap gojën me ilustrime.’» Profeti që përmendi Mateu ishte shkrimtari i Psalmit 78:2. Fjalët e psalmistit u shkruan nën drejtimin e frymës së Perëndisë, shekuj para se të lindte Jezui. Mendo se çfarë do të thotë kjo. Qindra vjet më përpara, Jehovai përcaktoi se Mesia do të mësonte me ilustrime. Pra, me siguri që Jehovai e vlerëson këtë metodë mësimore.

5 Së dyti, Jezui shpjegoi se i përdorte ilustrimet për t’i veçuar dhe larguar ata që e kishin zemrën ‘të pandjeshme’. (Mateu 13:10-15; Isaia 6:9, 10) Po si i nxirrnin në pah ilustrimet e tij motivet e njerëzve? Në disa raste, ai bënte ilustrime sepse donte që dëgjuesit të kërkonin shpjegime për t’i kuptuar plotësisht fjalët e tij. Njerëzit e përulur ishin të gatshëm të pyesnin, kurse fodullët ose indiferentët jo. (Mateu 13:36; Marku 4:34) Pra, ilustrimet e Jezuit ua zbulonin të vërtetën atyre që dëshironin me zemër ta dinin dhe në të njëjtën kohë ua fshihnin të vërtetën atyre që e kishin zemrën krenare.

6. Për cilat qëllime të dobishme shërbenin ilustrimet e Jezuit?

6 Ilustrimet e Jezuit shërbenin edhe për qëllime të tjera të dobishme. Ato nxitnin interesin, duke i shtyrë njerëzit të dëgjonin. Krijonin përfytyrime që ishin të lehta për t’u kuptuar. Siç u tha në fillim, ilustrimet e Jezuit i ndihmonin dëgjuesit që t’i mbanin mend fjalët e tij. Predikimi në Mal, që e lexojmë te Mateu 5:3–7:27, është një shembull i jashtëzakonshëm se sa shumë i përdori Jezui përshkrimet e gjalla. Sipas një llogaritjeje, ky fjalim përmban më shumë se 50 figura letrare. Për të kuptuar ç’do të thotë kjo, mendo që ky fjalim mund të lexohet me zë për 20 minuta afërsisht. Me këtë ritëm, shqiptohet mesatarisht një figurë letrare çdo 20 sekonda. Pra është e qartë se Jezui e kuptonte vlerën e përdorimit të ilustrimeve.

7. Pse duhet ta imitojmë mënyrën si i përdorte Jezui ilustrimet?

7 Si ithtarë të Krishtit, ne duam të imitojmë mënyrën se si mësonte, duke përfshirë edhe përdorimin e ilustrimeve. Ashtu si erëzat e bëjnë më të shijshme një gjellë, ilustrimet e efektshme mund ta bëjnë mësimin tonë më tërheqës për të tjerët. Ilustrimet e menduara mirë mund t’i bëjnë edhe të vërtetat e rëndësishme më të lehta për t’u kuptuar. Tani le të shohim më nga afër disa faktorë pse ishin kaq të efektshme ilustrimet e Jezuit. Pastaj do të shohim si mund ta përdorim sa më mirë këtë metodë të vlefshme mësimore.

Përdorte krahasime të thjeshta

Si i përdori Jezui zogjtë dhe lulet për të ilustruar se Perëndia kujdeset për ne?

8, 9. Si i përdori Jezui krahasimet e thjeshta dhe çfarë i bënte kaq të efektshme ato?

8 Kur mësonte, Jezui përdorte shpesh krahasime të thjeshta për të cilat mjaftonin vetëm disa fjalë. Megjithatë, ato fjalë të thjeshta krijonin përfytyrime të gjalla dhe mësonin me qartësi të vërteta të rëndësishme frymore. Për shembull, kur po i nxiste dishepujt që të mos ishin në ankth për nevojat e përditshme, ai foli për «zogjtë e qiellit» dhe për «zambakët e fushës». Zogjtë nuk mbjellin e nuk korrin, dhe zambakët as tjerrin e as endin. Megjithatë Perëndia kujdeset për ta. Përfundimi është shumë i qartë: nëse Perëndia kujdeset për zogjtë e për lulet, me siguri do të kujdeset për njerëzit që ‘vazhdojnë të kërkojnë në radhë të parë mbretërinë’.​—Mateu 6:26, 28-33.

9 Jezui përdorte gjerësisht edhe metaforat, që janë krahasime edhe më të fuqishme. Në metaforë flitet për një gjë sikur të ishte një gjë tjetër. Edhe në këtë rast, krahasimet ishin të thjeshta. Një herë, Jezui u tha dishepujve: «Ju jeni drita e botës.» S’ka mundësi që dishepujt të mos e kenë kuptuar domethënien e kësaj metafore, pra që me fjalët dhe me veprat e tyre mund ta linin dritën e së vërtetës frymore të ndriçonte e t’i ndihmonte të tjerët që t’i jepnin lavdi Perëndisë. (Mateu 5:14-16) Ja disa metafora të tjera që përdori Jezui: «Ju jeni kripa e tokës» dhe «Unë jam hardhia, ju jeni degët». (Mateu 5:13; Gjoni 15:5) Këto figura letrare janë të fuqishme pikërisht sepse janë të thjeshta.

10. Cilët janë disa shembuj që tregojnë se si mund t’i përdorësh ilustrimet kur mëson të tjerët?

10 Si mund të përdorësh ilustrime kur mëson të tjerët? S’ka pse të sajosh histori të gjata e të ndërlikuara. Vetëm përpiqu të mendosh disa krahasime të thjeshta. Ta zëmë se po trajton temën e ringjalljes dhe dëshiron të ilustrosh se ngritja e të vdekurve nuk përbën asnjë problem për Jehovain. Ç’krahasim të vjen ndër mend? Bibla e krahason vdekjen me gjumin. Mund të thuash: «Perëndia mund t’i ringjallë të vdekurit po aq lehtë sa mund të zgjojmë ne dikë nga gjumi.» (Gjoni 11:11-14) Ta zëmë se dëshiron të ilustrosh që fëmijët kanë nevojë për dashuri dhe përzemërsi, që të bëhen të mbarë. Çfarë shembulli mund të përdorësh? Bibla përdor këtë krahasim: fëmijët janë «si filizat e ullirit». (Psalmi 128:3) Mund të thuash: «Dashuria dhe përzemërsia janë për një fëmijë njësoj si dielli dhe uji për një bimë.» Sa më i thjeshtë të jetë krahasimi, aq më të lehtë do ta kenë dëgjuesit që ta kuptojnë domethënien.

I merrte nga jeta e përditshme

11. Jep shembuj se si ilustrimet e Jezuit pasqyronin gjëra që me siguri i kishte parë ndërsa rritej në Galile.

11 Jezui ishte mjeshtër për të përdorur ilustrime që lidheshin me jetën e njerëzve. Shumë ilustrime të tij pasqyronin rrethana të përditshme që ndoshta i kishte parë ndërsa rritej në Galile. Mendo një çast për fëmijërinë e tij. Kushedi sa herë e kishte parë mamanë që bluante grurin në miell, i shtonte maja brumit, ndizte llambën ose fshinte shtëpinë! (Mateu 13:33; 24:41; Luka 15:8) Sa e sa herë kishte parë peshkatarë që hidhnin rrjetat në detin e Galilesë! (Mateu 13:47) Kushedi sa shpesh kishte parë fëmijë që luanin në sheshin e pazarit! (Mateu 11:16) Me siguri, Jezui kishte parë edhe gjëra të tjera të zakonshme që përmenden në ilustrimet e tij të shumta: kur mbillej fara, dasmat e gëzueshme dhe arat me grurë që piqej në diell.​—Mateu 13:3-8; 25:1-12; Marku 4:26-29.

12, 13. Pse vlen të veçojmë që, në shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë, Jezui përmendi rrugën që shkonte «nga Jerusalemi për në Jeriko» për të dalë aty ku donte?

12 Në ilustrimet e tij, Jezui përmendte hollësi që dëgjuesit i njihnin mirë. Për shembull, ja si e filloi shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë: «Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko. Rrugës ra në duart e kusarëve, që e zhveshën dhe i hynë në dru . . . dhe e lanë gjysmë të vdekur.» (Luka 10:30) Vlen të veçojmë se, për të dalë aty ku donte, Jezui përmendi rrugën që shkonte «nga Jerusalemi për në Jeriko». Kur po tregonte këtë shëmbëlltyrë, ai ndodhej në Jude, jo larg Jerusalemit, kështu që pa dyshim dëgjuesit e njihnin rrugën në fjalë. Dihej që ajo rrugë ishte e rrezikshme, sidomos për ata që udhëtonin vetëm. Dredhonte nëpër një terren të shkretë, duke krijuar shumë vende të fshehta për kusarët.

13 Jezui përfshiu edhe hollësi të tjera të njohura për rrugën që shkonte «nga Jerusalemi për në Jeriko». Sipas shëmbëlltyrës, nëpër atë rrugë kaloi së pari një prift, pastaj një levit, por asnjë nuk ndaloi për ta ndihmuar të plagosurin. (Luka 10:31, 32) Priftërinjtë shërbenin në tempull në Jerusalem dhe levitët i ndihmonin. Shumë priftërinj e levitë banonin në Jeriko gjatë kohës kur nuk punonin në tempull, pasi ai qytet ishte vetëm 23 kilometra larg Jerusalemit. Prandaj, zakonisht kalonin nëpër atë rrugë. Po të shohësh, Jezui tha se udhëtari «po zbriste», jo që po ngjitej në rrugën «nga Jerusalemi». Kjo kishte kuptim për dëgjuesit. Jerusalemi ishte më lart se Jerikoja. Prandaj, kur vinte «nga Jerusalemi», normalisht që udhëtari «zbriste». * Duket qartë se Jezui mbante parasysh dëgjuesit e tij.

14. Si mund ta mbajmë parasysh auditorin kur përdorim ilustrime?

14 Kur përdorim ilustrime, edhe ne duhet të mbajmë parasysh auditorin tonë. Cilat gjëra rreth dëgjuesve tanë mund të ndikojnë në ilustrimet që zgjedhim? Ndoshta duhen marrë parasysh faktorë të tillë, si: mosha, formimi kulturor e familjar dhe puna. Për shembull, një ilustrim që përmend hollësi për bujqësinë mund të kuptohet më mirë në një zonë bujqësore, sesa në një qytet të madh. Si bazë për ilustrime të përshtatshme mund të marrim edhe jetën e përditshme dhe veprimtaritë e dëgjuesve tanë, fëmijët e tyre, shtëpinë, kohën e lirë, ushqimin, etj.

I merrte nga krijimi

15. Pse nuk është çudi që Jezui e njihte mirë krijimin?

15 Shumë ilustrime të Jezuit nxjerrin në pah njohurinë e tij për natyrën, bimët, kafshët dhe për dukuritë natyrore. (Mateu 16:2, 3; Luka 12:24, 27) Ku e mori këtë njohuri? Ndërsa rritej në Galile, pa dyshim kishte mjaft mundësi të vërente krijimin. Por, ç’është më e rëndësishmja, Jezui është «i parëlinduri i gjithë krijimit» dhe Jehovai e përdori si «kryemjeshtër» kur krijoi të gjitha gjërat. (Kolosianëve 1:15, 16; Proverbat 8:30, 31) A është ndonjë çudi që Jezui e njihte mirë krijimin?! Le të shohim si e përdori me mjeshtëri këtë njohuri.

16, 17. (a) Nga duket se Jezui i njihte shumë mirë tiparet e deleve? (b) Cili shembull tregon se vërtet delet e dëgjojnë zërin e bariut të tyre?

16 Nëse të kujtohet, Jezui e quajti veten «bariu i shkëlqyer» dhe ithtarët e tij «dele». Fjalët e Jezuit tregojnë se i njihte shumë mirë tiparet e deleve. E dinte se mes bariut dhe deleve ka një lidhje të veçantë. Kishte vënë re se këto krijesa të bindura lejojnë t’i drejtosh dhe e ndjekin me besnikëri bariun. Pse e ndjekin delet bariun e tyre? «Sepse e njohin zërin e tij»,​—tha Jezui. (Gjoni 10:2-4, 11) A e njohin vërtet delet zërin e bariut?

17 Nga vëzhgimet që kishte bërë vetë, Xhorxh A. Smithi shkroi në librin e tij Gjeografia historike e Tokës së Shenjtë (anglisht): «Nganjëherë pushonim në mesditë afër ndonjë pusi në Jude, tek i cili vinin tre ose katër barinj me kopetë e tyre. Kopetë përziheshin me njëra-tjetrin dhe ne pyetnim veten se si do t’i merrte secili bari delet e tij. Por, pasi delet mbaronin së piri ujë e së luajturi, barinjtë një nga një shkonin në anë të ndryshme të luginës dhe secili thërriste në mënyrën e vet të veçantë; delet e secilit shkëputeshin nga tufa e shkonin te bariu i tyre dhe kopetë largoheshin po aq me rregullsi sa edhe kishin ardhur.» Jezui kishte gjetur vërtet një ilustrim të shkëlqyer për të shprehur atë që donte, domethënë që po t’i njohim e t’u bindemi mësimeve të tij dhe po të ndjekim drejtimin e tij, mund të përfitojmë kujdesin e ‘bariut të shkëlqyer’.

18. Ku mund të gjejmë informacione për krijimet e Jehovait?

18 Si të mësojmë të përdorim ilustrime nga krijimi? Tiparet dalluese të kafshëve mund të jenë bazë për krahasime të thjeshta, por të efektshme. Ku të gjejmë informacione për krijesat e Jehovait? Bibla është një burim i pasur njohurish për kafshë të ndryshme dhe disa herë i përdor tiparet e kafshëve në ilustrime. Aty përdoren krahasime të tilla, si: të jesh i shpejtë si gazela ose si leopardi, i kujdesshëm si gjarpri dhe i pafaj si pëllumbi. * (1 Kronikave 12:8; Habakuku 1:8; Mateu 10:16) Burime të tjera të vlefshme informacioni janë Kulla e Rojës, Zgjohuni! dhe botime të tjera të Dëshmitarëve të Jehovait. Mund të mësosh shumë duke parë se si përdoren në këto botime krahasimet e thjeshta, të marra nga krijimet e shumta e të mrekullueshme të Jehovait.

Përdorte shembuj të njohur

19, 20. (a) Si e përdori me efektshmëri Jezui një ngjarje të kohëve të fundit për të demaskuar një besim të rremë? (b) Si mund të përdorim shembuj dhe përvoja reale kur mësojmë të tjerët?

19 Në ilustrimet e efektshme mund të përdoren shembuj realë. Një herë, Jezui përdori një ngjarje që kishte ndodhur ato kohë, për të demaskuar besimin e rremë se tragjeditë u bien atyre që e meritojnë. Ai tha: «Mos vallë kujtoni se ata tetëmbëdhjetë njerëz mbi të cilët ra kulla në Siloam dhe i vrau, ishin më shumë mëkatarë se gjithë banorët e tjerë të Jerusalemit?» (Luka 13:4) Po, ata 18 veta nuk vdiqën për shkak të ndonjë mëkati që kishte provokuar zemërimin e Perëndisë. Vdekja e tyre tragjike ishte pasojë e ‘kohës dhe e ngjarjeve të paparashikuara’. (Eklisiastiu 9:11) Kështu, Jezui hodhi poshtë një mësim të rremë duke përdorur një ngjarje që dëgjuesit e tij e njihnin mirë.

20 Si mund të përdorësh shembuj dhe përvoja të jetës reale kur mëson të tjerët? Ta zëmë se po shqyrton përmbushjen e profecisë së Jezuit për shenjën e pranisë së tij. (Mateu 24:3-14) Mund të përdorësh lajme të kohëve të fundit për luftëra, zi buke ose tërmete, për të treguar që po përmbushen aspekte specifike të shenjës. Ose ta zëmë se dëshiron të përdorësh një përvojë, për të ilustruar ndryshimet që përfshin veshja e personalitetit të ri. (Efesianëve 4:20-24) Ku të gjesh një përvojë të tillë? Mund të mendosh për të kaluarën e disa bashkëbesimtarëve ose të përdorësh një përvojë që ka dalë në një botim të Dëshmitarëve të Jehovait.

21. Çfarë shpërblimesh vijnë kur jemi mësues të efektshëm të Fjalës së Perëndisë?

21 Vërtet, Jezui ishte Mësuesi më i jashtëzakonshëm! Siç e kemi parë në këtë pjesë, vepra kryesore në jetën e tij ishte ‘të mësonte dhe të predikonte lajmin e mirë’. (Mateu 4:23) Edhe për ne është kështu. Kemi shumë shpërblime kur jemi të efektshëm si mësues. Kur mësojmë, u japim të tjerëve, dhe kjo na sjell lumturi. (Veprat 20:35) Kjo lumturi vjen ngaqë dimë se po u japim diçka me vlerë reale e të përhershme: të vërtetën për Jehovain. Mund të kemi edhe kënaqësinë që vjen kur dimë se po ndjekim shembullin e Jezuit, Mësuesit më të madh që ka ekzistuar në tokë.

^ Dokumentimi i parë i frymëzuar i jetës së Jezuit në tokë, me sa duket ishte Ungjilli sipas Mateut, që u shkrua rreth tetë vjet pas vdekjes së Jezuit.

^ Gjithashtu, Jezui tha se prifti dhe leviti po vinin «nga Jerusalemi», pra po largoheshin nga tempulli. Kështu, askush nuk mund ta justifikonte indiferencën e tyre duke thënë se e shmangën njeriun sepse dukej si i vdekur dhe nuk donin të ishin përkohësisht të papërshtatshëm për të shërbyer në tempull.—Levitiku 21:1; Numrat 19:16.

^ Për një listë më të plotë se si janë përdorur në mënyrë figurative në Bibël tiparet e kafshëve, shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 1, faqet 268, 270, 271, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.