Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 11

«Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu»

«Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu»

1, 2. (a) Pse u kthyen duarbosh rojat që u dërguan për të arrestuar Jezuin? (b) Pse ishte mësues i jashtëzakonshëm Jezui?

 FARISENJTË vlojnë nga zemërimi, sepse Jezui është në tempull e po i mëson njerëzit për Atin e tij. Ata që e dëgjojnë janë ndarë në dy grupe: shumë tregojnë besim te Jezui, kurse të tjerë duan që të arrestohet. Udhëheqësit fetarë s’e përmbajnë dot zemërimin, prandaj çojnë disa roja që ta arrestojnë Jezuin. Mirëpo rojat kthehen duarbosh. Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë kërkojnë shpjegim: «Përse nuk e sollët?» Rojat përgjigjen: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.» Mënyra si mësonte Jezui u bëri kaq përshtypje, saqë nuk e arrestuan dot. *Gjoni 7:45, 46.

2 Ato roja nuk ishin të vetmit që u kishte bërë përshtypje mënyra si mësonte Jezui. Turma të mëdha njerëzish mblidheshin rreth tij vetëm që ta dëgjonin teksa mësonte. (Marku 3:7, 9; 4:1; Luka 5:1-3) Përse ishte kaq i jashtëzakonshëm si mësues Jezui? Siç e pamë në kapitullin e tetë, ai i donte të vërtetat që u përcillte të tjerëve dhe i donte njerëzit që mësonte. Gjithashtu ishte mjeshtër për të përdorur metoda të efektshme mësimore. Le të shqyrtojmë tri metoda të efektshme që përdori dhe si mund ta imitojmë.

Thjeshtësi në mësim

3, 4. (a) Pse Jezui përdorte një gjuhë të thjeshtë kur mësonte të tjerët? (b) Pse Predikimi në Mal është një shembull i thjeshtësisë me të cilën mësonte Jezui?

3 A mund ta përfytyrosh sa fjalor të gjerë e të larmishëm mund të kishte përdorur Jezui? Megjithatë, kurrë nuk tha gjëra tepër të vështira ndërsa mësonte dëgjuesit e tij, shumë prej të cilëve ishin «të pashkolluar e të thjeshtë». (Veprat 4:13) I merrte parasysh kufizimet e tyre dhe kurrë nuk i rëndonte me informacione të tepërta. (Gjoni 16:12) Fliste thjesht, por të vërtetat që shprehte ishin shumë të thella.

4 Si shembull, le të shqyrtojmë Predikimin në Mal, që e gjejmë te Mateu 5:3–7:27. Në këtë fjalim, Jezui dha këshilla që shkojnë shumë thellë, gjer në rrënjë të çështjeve. Por nuk ka ide ose fjali të ndërlikuara. Madje nuk ka fjalë që s’i kupton dot me lehtësi edhe një fëmijë! Prandaj nuk habitemi që, kur Jezui mbaroi së foluri, turma që përfshinte shumë bujq, barinj e peshkatarë, «mbeti e mahnitur nga mënyra se si mësonte» ai.​—Mateu 7:28.

5. Jep shembuj të pohimeve të thjeshta, por shumë domethënëse të Jezuit.

5 Kur mësonte të tjerët, shpesh Jezui përdorte fjali të thjeshta e të shkurtra dhe bënte pohime shumë domethënëse. Kështu, në një epokë shumë të largët nga librat e shtypur, ai e nguliti në mënyrë të pashlyeshme mesazhin e tij në mendjen e në zemrën e dëgjuesve. Ja disa shembuj: «Mos i gjykoni më të tjerët, që të mos gjykoheni.» «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët po.» «Fryma është gati, por mishi është i dobët.» «Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» * (Mateu 7:1; 9:12; 26:41; Marku 12:17; Veprat 20:35) Edhe tani që kanë kaluar afro 2.000 vjet nga koha kur u thanë, këto pohime mbeten të paharrueshme.

6, 7. (a) Pse është e rëndësishme të përdorim fjalor të thjeshtë, që të mësojmë me thjeshtësi? (b) Ç’të bëjmë për të mos e rënduar një student biblik me informacione të tepërta?

6 Po ne, si të mësojmë me thjeshtësi? Një kërkesë e rëndësishme është të përdorim fjalor të thjeshtë, të cilin mund ta kuptojë me lehtësi shumica e njerëzve. Të vërtetat themelore të Fjalës së Perëndisë nuk janë të ndërlikuara. Jehovai ua ka zbuluar qëllimet e tij atyre që kanë zemër të sinqertë e të përulur. (1 Korintasve 1:26-28) Fjalët e thjeshta, të zgjedhura me kujdes, mund t’i përcjellin më së miri të vërtetat e Fjalës së Perëndisë.

Fol thjesht kur mëson të tjerët

7 Për të mësuar me thjeshtësi, duhet të bëjmë kujdes që të mos e rëndojmë studentin biblik me informacione të tepërta. Pra, kur drejtojmë një studim biblik, s’ka nevojë të shpjegojmë çdo hollësi dhe as është e nevojshme ta studiojmë me nxitim materialin, sikur gjëja kryesore është që të studiojmë një numër të caktuar faqesh. Jo, me mençuri lejojmë që ritmin e studimit ta përcaktojnë nevojat dhe aftësitë e studentit. Kemi si synim ta ndihmojmë studentin që të bëhet ithtar i Krishtit dhe adhurues i Jehovait. Për të arritur këtë, duhet t’i lëmë kohën e nevojshme që ta kuptojë mjaftueshëm çfarë po mëson. Vetëm atëherë e vërteta biblike do t’i prekë zemrën dhe do ta shtyjë të zbatojë atë që ka mësuar.​—Romakëve 12:2.

Pyetjet e duhura

8, 9. (a) Pse bënte pyetje Jezui? (b) Si i përdori Jezui pyetjet për ta ndihmuar Pjetrin të arrinte përfundimin e duhur për pagimin e taksës së tempullit?

8 Jezui i përdori me mjeshtëri pyetjet, edhe atëherë kur do t’i kishte ngrënë më pak kohë t’ia thoshte vetë përfundimin dëgjuesve. Po pse bënte pyetje? Nganjëherë përdorte pyetje zhbiruese për të nxjerrë në pah motivet e këqija të kundërshtarëve të tij, duke ua mbyllur kështu gojën. (Mateu 21:23-27; 22:41-46) Por, në shumë raste i përdorte pyetjet me qëllim që dishepujt të shprehnin ç’kishin në mendje, si dhe që t’u nxiste e t’u stërviste aftësinë për të menduar. Bënte nga këto pyetje: «Si mendoni?» dhe «A e beson këtë?» (Mateu 18:12; Gjoni 11:26) Me pyetje të tilla, Jezui arrinte t’u prekte zemrën dishepujve. Të shohim një rast.

9 Një herë, taksambledhësit e pyetën Pjetrin a e paguante Jezui taksën e tempullit. * Aty për aty, Pjetri u përgjigj: «Po.» Më vonë, Jezui arsyetoi me të: «Ç’mendon ti, Simon? Nga cilët i marrin mbretërit e tokës tatimet ose haraçet për kokë? Nga bijtë e tyre apo nga të huajt?» Pjetri u përgjigj: «Nga të huajt.» Jezui i tha: «Ashtu është, bijtë janë të përjashtuar nga taksat.» (Mateu 17:24-27) Pa dyshim Pjetri e kuptoi ku donte të dilte Jezui me ato pyetje, pasi dihej që familjarët e mbretërve nuk paguanin taksa. Prandaj edhe Jezui, duke qenë Biri i vetëmlindur i Mbretit qiellor që adhurohej në tempull, nuk ishte nën detyrimin për të paguar taksën. Siç e shikon, në vend që t’ia thoshte vetë Pjetrit përgjigjen e saktë, Jezui i përdori me takt pyetjet që ai të nxirrte përfundimin e duhur e ndoshta të kuptonte se herë tjetër duhej të mendohej më me kujdes para se të përgjigjej.

Bëj pyetje që u përshtaten interesave të të zotit të shtëpisë

10. Si t’i përdorim me efektshmëri pyetjet kur predikojmë shtëpi më shtëpi?

10 Si t’i përdorim me efektshmëri pyetjet në shërbim? Kur predikojmë shtëpi më shtëpi, mund t’i përdorim pyetjet për të nxitur interesin, ndoshta duke hapur rrugën që të flasim për lajmin e mirë. Për shembull, në qoftë se na del në derë një i moshuar, me respekt mund të bëjmë pyetjen: «Si ka ndryshuar bota gjatë jetës suaj?» Pasi të dëgjojmë përgjigjen, mund ta pyesim: «Si mendoni, çfarë do të duhej për të sjellë një botë më të mirë?» (Mateu 6:9, 10) Nëse na del në derë një nënë me fëmijë të vegjël, mund ta pyesim: «A keni menduar ndonjëherë si do të jetë bota kur të rriten fëmijët tuaj?» (Psalmi 37:10, 11) Duke qenë vëzhgues të mirë kur i afrohemi një shtëpie, mund të gjejmë një pyetje që u përshtatet interesave të të zotit të shtëpisë.

11. Si t’i përdorim me efektshmëri pyetjet kur drejtojmë një studim biblik?

11 Si t’i përdorim me efektshmëri pyetjet kur drejtojmë një studim biblik? Pyetjet e zgjedhura me kujdes na ndihmojnë të nxjerrim nga zemra e studentit ndjenjat e tij. (Proverbat 20:5) Për shembull, ta zëmë se po studiojmë librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe jemi në kapitullin «Të jetojmë në një mënyrë që i pëlqen Perëndisë».  * Në këtë kapitull shqyrtohet pikëpamja e Perëndisë për çështje si: imoraliteti, dehja dhe gënjeshtrat. Nga përgjigjet e studentit mund të shohim se ai e kupton çfarë mëson Bibla, por, a e pranon atë që po mëson? Mund ta pyesim: «A të duket e arsyeshme pikëpamja e Perëndisë për këto çështje?» Ose një pyetje tjetër: «Si mund ta zbatosh në jetën tënde këtë informacion?» Megjithatë, asnjëherë mos harro se duhet të kesh takt dhe ta trajtosh me dinjitet studentin. Asnjëherë nuk duam të bëjmë pyetje që e vënë në siklet kot më kot.​—Proverbat 12:18.

Logjikë e fortë

12-14. (a) Si e përdori Jezui aftësinë e tij për të bërë arsyetime logjike? (b) Cilën logjikë të fortë përdori Jezui kur farisenjtë thanë se e merrte fuqinë nga Satanai?

12 Duke pasur një mendje të përsosur, Jezui ishte mjeshtër për të arsyetuar me të tjerët. Nganjëherë përdorte një logjikë të fortë për të hedhur poshtë akuzat e rreme të kundërshtarëve. Por në shumë raste i përdorte arsyetimet bindëse për t’u përcjellë ithtarëve të tij mësime të vlefshme. Le të shqyrtojmë disa shembuj.

13 Pasi Jezui shëroi një njeri që e kishin zaptuar demonët dhe ishte i verbër e i pagojë, farisenjtë e akuzuan: «Ky i dëbon demonët vetëm me anë të Belzebubit [Satanait], sundimtarit të demonëve.» Ata e pranonin se duhej një fuqi mbinjerëzore për të dëbuar demonët, por thoshin se këtë fuqi Jezuit ia jepte Satanai. Akuza jo vetëm që ishte e rremë, por edhe e palogjikshme. Duke nxjerrë në pah sa gabim mendonin, Jezui u përgjigj: «Çdo mbretëri e përçarë, përfundon në shkretim dhe çdo qytet apo shtëpi e përçarë, nuk qëndron. Po ashtu, nëse Satanai dëbon Satanain, do të thotë që është përçarë. Si do të qëndrojë, pra, mbretëria e tij?» (Mateu 12:22-26) Me fjalë të tjera, Jezui po thoshte: «Po të isha në shërbim të Satanait, duke zhbërë atë që bën Satanai, atëherë ai do të ishte duke punuar kundër interesave të tij dhe shpejt do të rrënohej.» A mund ta hidhnin poshtë ata një logjikë të tillë bindëse?!

14 Por Jezui s’e kishte mbaruar ende arsyetimin me ta. Duke ditur se edhe disa dishepuj të farisenjve kishin dëbuar demonë, u bëri një pyetje të thjeshtë, por të fuqishme: «Nëse unë i dëboj demonët me anë të Belzebubit, me anë të kujt i dëbojnë bijtë [ose dishepujt] tuaj?» (Mateu 12:27) Thelbi i arsyetimit të Jezuit ishte ky: «Nëse unë i dëboj demonët me fuqinë e Satanait, atëherë edhe dishepujt tuaj duhet të jenë duke përdorur të njëjtën fuqi.» E ç’mund të thoshin farisenjtë? Ata s’do ta pranonin kurrë se dishepujt e tyre vepronin nën pushtetin e Satanait. Kështu Jezui përdori arsyetimin e tyre të gabuar për të nxjerrë një përfundim aspak të pëlqyeshëm për ta. A nuk mahnitesh edhe vetëm duke lexuar se si arsyetoi Jezui me ta? Atëherë përfytyro si duhet të jenë ndier turmat që e dëgjuan vetë të fliste, pasi prania e tij dhe toni i zërit me siguri do t’ia kenë shtuar forcën fjalëve që tha.

15-17. Trego një shembull se si e përdori Jezui arsyetimin me krahasimin «aq më shumë» për të mësuar të vërteta inkurajuese rreth Atit të tij.

15 Jezui i përdori arsyetimet logjike e bindëse edhe për t’u mësuar njerëzve të vërteta pozitive e inkurajuese për Atin e tij. Për këtë, shpesh përdorte arsyetimin me krahasimin «aq më shumë», dhe i ndihmonte dëgjuesit të kalonin nga një e vërtetë që njihnin në një bindje edhe më të fortë. * Ky lloj arsyetimi i bazuar në krahasim, mund të lërë mbresa të thella. Le të shqyrtojmë vetëm dy shembuj.

16 Kur iu përgjigj kërkesës së dishepujve që t’i mësonte të luteshin, Jezui foli për gatishmërinë e prindërve njerëzorë që ‘t’u jepnin dhurata të mira’ fëmijëve të tyre. Pastaj përfundoi me fjalët: «Nëse ju, edhe pse të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, aq më shumë Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!» (Luka 11:1-13) Përfundimi që nxori Jezui bazohet në krahasimin. Nëse prindërit e papërsosur njerëzorë kujdesen për nevojat e fëmijëve të tyre, aq më shumë Ati ynë qiellor, i cili është i përsosur dhe i drejtë në çdo kuptim, do t’u japë frymë të shenjtë adhuruesve të tij besnikë që i afrohen përulësisht në lutje!

17 Jezui përdori një arsyetim të ngjashëm kur po jepte këshilla të mençura se si të përballohej ankthi. Ai tha: «Vëreni korbat, që as mbjellin, as korrin dhe nuk kanë as hambar e as depo, e megjithatë Perëndia i ushqen. Sa më shumë vleni ju se zogjtë? Vëreni se si rriten zambakët: ata as robtohen, as tjerrin. . . . Nëse Perëndia e vesh kështu bimësinë e fushës, që sot është e nesër hidhet në furrë, aq më shumë do t’ju veshë ju, o besëpakë!» (Luka 12:24, 27, 28) Kur Jehovai kujdeset për zogjtë e për lulet, aq më shumë do të kujdeset për njerëzit që e duan dhe e adhurojnë! Me këtë arsyetim, me siguri që Jezui u preku zemrën dëgjuesve të tij.

18, 19. Si mund të arsyetojmë me dikë që thotë se nuk e beson dot një Perëndi që s’e sheh?

18 Edhe ne duam të përdorim në shërbim një logjikë të shëndoshë për të hedhur poshtë bindjet e rreme. Gjithashtu duam të përdorim arsyetime bindëse për t’u mësuar njerëzve të vërteta pozitive për Jehovain. (Veprat 19:8; 28:23, 24) Mos duhet të përdorim ndonjë logjikë të ndërlikuar? Aspak. Nga Jezui mësojmë se janë më të efektshme argumentet logjike të paraqitura thjesht.

19 Për shembull, si të përgjigjemi kur dikush thotë se nuk beson dot te një Perëndi që s’e sheh? Mund të arsyetojmë për një ligj të natyrës, ligjin shkak-pasojë. Kur shohim një pasojë, e pranojmë se duhet të ketë një shkak. Mund të themi: «Po të ishit në një zonë të shkretë e të shihnit përpara jush një shtëpi të ndërtuar mirë dhe të mbushur me ushqime (pasoja), a nuk do ta pranonit menjëherë se e ka bërë dikush (një shkak)? Po kështu, kur shohim në natyrë projektin e qartë, si dhe bollëkun e ushqimit që ka në ‘dollapët’ e tokës (pasoja), a nuk duket e logjikshme të mendojmë se e ka bërë Dikush (një Shkak)? Edhe vetë Bibla bën këtë arsyetim: ‘Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.’» (Hebrenjve 3:4) Natyrisht, sado i fortë të jetë arsyetimi ynë, jo të gjithë do të binden.​—2 Selanikasve 3:2.

Përdor arsyetime që do t’i prekin zemrën atij me të cilin po flet

20, 21. (a) Si mund të përdorim arsyetimin me krahasimin «aq më shumë» për të theksuar cilësitë e Jehovait dhe mënyrën si vepron? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në kapitullin tjetër?

20 Kur mësojmë të tjerët, qoftë në shërbim, qoftë në kongregacion, mund të përdorim edhe ne arsyetimin me krahasimin «aq më shumë», për të theksuar cilësitë e Jehovait dhe mënyrën si vepron. Për shembull, për të treguar se doktrina e mundimit të përjetshëm në ferr, në të vërtetë e njollos emrin e mirë të Jehovait, mund të themi: «Cili është ai baba i dashur që do ta ndëshkonte fëmijën e vet duke ia mbajtur dorën në zjarr? Aq më shumë duhet të jetë e neveritshme për Atin tonë të dashur qiellor edhe vetëm ideja e ferrit!» (Jeremia 7:31) Për ta siguruar një bashkëbesimtar të dëshpëruar se Jehovai e do, mund t’i themi: «Nëse për Jehovain ka vlerë edhe një harabel i vogël, aq më shumë do të kujdeset dhe do ta dojë secilin nga adhuruesit e tij në tokë, përfshirë edhe ty!» (Mateu 10:29-31) Ky arsyetim mund të na ndihmojë t’u prekim zemrën të tjerëve.

21 Pasi kemi shqyrtuar vetëm tri metoda mësimore që përdorte Jezui, e kuptojmë fare lehtë se rojat që nuk e arrestuan, nuk po e tepronin kur thanë: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.» Në kapitullin vijues, do të shqyrtojmë një metodë mësimore për të cilën Jezui ndoshta njihet më shumë​—përdorimin e ilustrimeve.

^ Ka të ngjarë që rojat të ishin në shërbim të Sinedrit, nën autoritetin e krerëve të priftërinjve.

^ Këtë pohim të fundit, që gjendet te Veprat 20:35, e përmend vetëm apostulli Pavël. Ai mund ta ketë marrë gojarisht (ose nga dikush që e kishte dëgjuar prej Jezuit, ose nga vetë Jezui i ringjallur) ose ia ka zbuluar Perëndia.

^ Judenjve u kërkohej të paguanin dy drahma si taksë vjetore për tempullin, pak a shumë pagën e dy ditëve. Në një vepër referimi thuhet: «Kjo taksë përdorej kryesisht për të mbuluar shpenzimet e blatimit të djegur që bëhej përditë dhe të të gjitha flijimeve që bëheshin në përgjithësi në emër të popullit.»

^ Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ Ky lloj arsyetimi disa herë quhet «a fortiori», një frazë latine që do të thotë «për një arsye edhe më të fortë; edhe më e sigurt; aq më tepër».