Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 8

«Për këtë u dërgova»

«Për këtë u dërgova»

1-4. (a) Si e mëson me mjeshtëri Jezui një grua samaritane dhe me ç’rezultat? (b) Si reagojnë apostujt e tij?

 JEZUI dhe apostujt kanë orë që ecin. Po udhëtojnë drejt veriut, nga Judea për në Galile. Rruga më e shkurtër, që do tri ditë udhëtim, kalon përmes Samarisë. Ndërsa dielli i afrohet zenitit, ata mbërrijnë pranë një qyteti të vogël të quajtur Sihar, ku ndalojnë për t’u çlodhur.

2 Apostujt shkojnë të blejnë ushqime, kurse Jezui ulet të pushojë pranë një burimi, jashtë qytetit. Aty vjen një grua për të mbushur ujë. Jezui është «i lodhur nga udha», prandaj mund të mos e përfillë, po të dojë. (Gjoni 4:6) Mund të mbyllë sytë e ta lërë këtë samaritane të vijë e të ikë, dhe kjo do të ishte e kuptueshme. Siç e pamë në kapitullin e katërt të këtij libri, me siguri gruaja pret që judenjtë ta trajtojnë me përçmim. Kurse Jezui nis një bisedë me të.

3 Fillon me një ilustrim nga jeta e përditshme e saj, madje nga puna që po bën tani. Ajo ka ardhur të mbushë ujë dhe Jezui flet për ujin jetëdhënës, që do t’i shuajë etjen frymore. Disa herë gruaja bën pyetje që mund të hapnin debate. * Por Jezui me takt i anashkalon këto pyetje dhe e mban nën kontroll bisedën. Ai përqendrohet te gjërat frymore, domethënë tek adhurimi i pastër dhe te Perëndia Jehova. Fjalët e tij nuk ndikojnë vetëm te kjo grua, sepse ajo ua tregon bisedën burrave të qytetit, të cilët duan ta dëgjojnë Jezuin.​—Gjoni 4:3-42.

4 Çfarë mendojnë apostujt kur kthehen, për këtë dëshmi të jashtëzakonshme që po jep Jezui? Nuk shfaqin asnjë shenjë entuziazmi. Madje habiten që Jezui po flet me këtë grua, dhe me sa duket nuk i thonë asnjë fjalë asaj. Pasi gruaja ikën, e nxitin Jezuin të hajë nga ushqimi që kanë sjellë. Por Jezui u thotë: «Unë kam për të ngrënë një ushqim që ju nuk e njihni.» Të habitur, ata fillimisht ia marrin fjalët në kuptim të mirëfilltë. Atëherë ai u shpjegon: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.» (Gjoni 4:32, 34) Kështu, Jezui u mëson se ai ka një vepër kryesore në jetë dhe e konsideron atë më të rëndësishme se të ngrënët. Dëshiron që edhe ata ta konsiderojnë kështu. Po çfarë është kjo vepër?

5. Cila ishte vepra kryesore në jetën e Jezuit dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë kapitull?

5 Një herë, Jezui tha: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë . . . sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:43) Po, Jezui u dërgua që të predikonte dhe t’u mësonte të tjerëve lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. * Sot ithtarët e Jezuit duhet të bëjnë të njëjtën vepër. Prandaj është jetësore të shqyrtojmë pse predikonte Jezui, çfarë predikonte dhe ç’qëndrim kishte ndaj caktimit të tij.

Pse predikonte Jezui?

6, 7. Si donte Jezui që të ndihej «çdo mësues që mëson në publik» për lajmin e mirë që u jep të tjerëve? Ilustrojeni.

6 Le të shqyrtojmë si ndihej Jezui për të vërtetat që u mësonte të tjerëve, pastaj do të shqyrtojmë qëndrimin që kishte ndaj njerëzve që mësonte. Jezui përdori një ilustrim të gjallë për të treguar si ndihej kur u mësonte të tjerëve të vërtetat që i kishte mësuar Jehovai: «Çdo mësues që mëson në publik, kur mëson për mbretërinë e qiejve, është si një zot shtëpie, i cili nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja e të vjetra.» (Mateu 13:52) Pse i zoti i shtëpisë që përmendet në këtë ilustrim nxjerr gjëra nga thesari i tij?

7 I zoti i shtëpisë nuk po i tregon me krenari zotërimet e tij, për t’u mburrur, siç bëri një herë mbreti i lashtë Hezekia dhe pati pasoja të rënda. (2 Mbretërve 20:13-20) Atëherë, çfarë e shtyn të bëjë këtë gjë? Mendo një ilustrim: ke shkuar për vizitë në shtëpinë e një mësuesi të shquar. Ai hap një sirtar dhe nxjerr dy letra, njëra e zverdhur nga koha, kurse tjetra më e re. Këto letra ia ka dërguar i ati, njërën dhjetëra vite më parë, kur mësuesi ishte djalë i ri, tjetrën kohët e fundit. Sytë i rrezatojnë kënaqësi ndërsa të tregon sa i vlerëson dhe sa ia kanë ndryshuar jetën këshillat që ka aty, të cilat mund të të ndihmojnë edhe ty. Duket qartë se për mësuesin këto letra janë të shtrenjta, zënë një vend të veçantë në zemrën e tij. (Luka 6:45) Nuk t’i lexon për t’u mburrur ose për të nxjerrë ndonjë përfitim, por që ti të nxjerrësh dobi dhe të të përcjellë një ide të vlerës që kanë.

8. Pse kemi shumë arsye për t’i konsideruar si thesare të vërtetat që mësojmë nga Fjala e Perëndisë?

8 Motivet pse Jezui, Mësuesi i Madh, u fliste të tjerëve për të vërtetat e Perëndisë, ishin të ngjashme. Për të, ato të vërteta ishin thesare që s’kishin të çmuar. Ai i donte ato dhe mezi priste t’ua thoshte të tjerëve. Donte që të ndiheshin ashtu të gjithë ithtarët e tij, pra «çdo mësues që mëson në publik». A ndihemi ne ashtu? Kemi shumë arsye për t’i dashur të gjitha të vërtetat që mësojmë nga Fjala e Perëndisë. I konsiderojmë si xhevahire fjalët e çmuara të së vërtetës, qofshin bindje që i vlerësojmë prej kohësh, qofshin rafinime të kohëve të fundit. Kur flasim me një entuziazëm që na buron nga zemra dhe e ruajmë dashurinë për gjërat që na ka mësuar Jehovai, atëherë ua përcjellim të tjerëve atë dashuri, ashtu si edhe Jezui.

9. (a) Si ndihej Jezui për njerëzit që mësonte? (b) Si mund ta imitojmë qëndrimin që kishte Jezui ndaj njerëzve?

9 Jezui i donte edhe njerëzit që mësonte, siç do ta diskutojmë më gjerësisht në pjesën e tretë. Në profeci ishte parathënë se Mesisë ‘do t’i dhimbsej i përvuajturi dhe i varfri’. (Psalmi 72:13) Dhe vërtet, Jezui kujdesej për njerëzit. Ai interesohej për mendimet dhe qëndrimet që ndikonin tek ata; ishte në merak për barrët që i rëndonin dhe për pengesat që nuk i linin të kuptonin të vërtetën. (Mateu 11:28; 16:13; 23:13, 15) Për shembull, mendo për gruan samaritane. Pa dyshim, asaj i bëri shumë përshtypje që Jezui u interesua për të. Kur pa se ai e dinte situatën e saj në jetë, ajo u shty ta pranonte si profet dhe t’u fliste të tjerëve për të. (Gjoni 4:16-19, 39) Kuptohet, sot ne si ithtarë të Jezuit nuk ua lexojmë dot zemrën njerëzve të cilëve u predikojmë. Por, mund të interesohemi për ta, siç bëri Jezui; t’ua bëjmë të qartë se merakosemi për ta dhe t’i përshtatim fjalët tona me interesat, sfidat e nevojat e tyre të veçanta.

Çfarë predikonte Jezui?

10, 11. (a) Çfarë predikonte Jezui? (b) Si lindi nevoja për Mbretërinë e Perëndisë?

10 Çfarë predikonte Jezui? Nëse do ta kërkosh përgjigjen te mësimet e kishave të shumta që thonë se e përfaqësojnë atë, ndoshta do të arrish përfundimin se predikimi i tij përqendrohej në zgjidhjen e problemeve shoqërore. Ose ndoshta do të të krijohet përshtypja se përkrahte reformën politike a se theksonte shpëtimin personal mbi të gjitha. Por, siç e vumë re më sipër, Jezui tha thjesht: ‘Duhet të shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë.’ Çfarë përfshinte kjo?

11 Sill ndër mend që Jezui ishte i pranishëm në qiell kur Satanai vuri në dyshim të drejtën e Jehovait për të qenë Sovran. Sa duhet t’i ketë dhembur Jezuit kur dëgjoi atë shpifje për Atin e tij të drejtë dhe akuzën se ishte Sundimtar i padrejtë, që u mban të mirën krijesave të Tij! Sa duhet të jetë lënduar Biri i Perëndisë kur Adami dhe Eva, prindërit e ardhshëm të njerëzimit, e besuan shpifjen e Satanait! Biri e pa kur familja njerëzore u infektua me mëkatin e me vdekjen, si pasojë e atij rebelimi. (Romakëve 5:12) Por, sa shumë duhet të jetë gëzuar kur ka marrë vesh se një ditë Ati i tij do t’i ndreqte gjërat!

12, 13. Cilat padrejtësi do të ndreqë Mbretëria e Perëndisë dhe si e vuri Jezui Mbretërinë në qendër të shërbimit të tij?

12 Çfarë duhej ndrequr para së gjithash? Duhej shenjtëruar emri i shenjtë i Jehovait dhe duhej pastruar nga çdo gjurmë e sharjes që i kanë bërë Satanai dhe të gjithë ata që kanë marrë anën e tij. Duhej shfajësuar e drejta e Jehovait si Sovran, mënyra se si sundon. Jezui i kuptonte më mirë se çdo njeri tjetër këto çështje jetike. Në lutjen model, ai i mësoi ithtarët të kërkonin në radhë të parë që të shenjtërohej emri i Atit të tij, pastaj që të vinte Mbretëria e Atit dhe që vullneti i Perëndisë të bëhej në tokë. (Mateu 6:9, 10) Mbretëria e Perëndisë, me Krishtin Jezu si Sundimtar, së shpejti do ta pastrojë tokën nga sistemi i korruptuar i Satanait dhe do të vendosë një herë e mirë sundimin e drejtë të Jehovait.​—Danieli 2:44.

13 Kjo Mbretëri ishte tema e shërbimit të Jezuit. Çdo fjalë e çdo veprim i tij e qartësoi më tepër se çfarë është Mbretëria dhe si do ta plotësojë qëllimin e Jehovait. Jezui nuk lejoi asgjë ta shmangte nga misioni i tij për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Në kohën e tij ekzistonin çështje të ngutshme shoqërore dhe padrejtësi të panumërta, e megjithatë ai u përqendrua te mesazhi dhe te vepra e tij. Por, a do të thotë kjo se, ngaqë ishte i përqendruar aty, Jezui ishte mendjengushtë, i mërzitshëm dhe përsëriste të njëjtat gjëra? Aspak!

14, 15. (a) Si e tregoi Jezui se ishte «më i madh se Solomoni»? (b) Si mund ta imitojmë Jezuin për sa i përket mesazhit që predikojmë?

14 Siç do ta shohim gjatë gjithë kësaj pjese, Jezui e bënte tërheqës dhe të larmishëm mësimin e tij. Përpiqej t’u prekte zemrën njerëzve. Kjo na sjell ndër mend mbretin e mençur Solomon, i cili kërkoi të gjente fjalë të këndshme dhe fjalë të sakta të së vërtetës, për të përcjellë mendimet që Jehovai e frymëzoi të shkruante. (Eklisiastiu 12:10) Jehovai i dha «gjykim të thellë» zemrës së atij njeriu të papërsosur, me qëllim që të fliste për shumë gjëra, që nga zogjtë e peshqit deri te pemët e bishat. Njerëzit vinin që nga larg për të dëgjuar Solomonin. (1 Mbretërve 4:29-34) E megjithatë, Jezui ishte «më i madh se Solomoni». (Mateu 12:42) Ai ishte shumë më i mençur dhe kishte në zemër shumë më tepër «gjykim të thellë». Kur mësonte njerëzit, Jezui përdorte njohurinë e tij të pashoqe për Fjalën e Perëndisë, si edhe për zogjtë, kafshët, peshqit, bujqësinë, motin, ngjarjet e fundit, historinë dhe kushtet shoqërore. Në të njëjtën kohë, Jezui asnjëherë nuk shiste mend me njohurinë e tij, për t’u bërë përshtypje të tjerëve. Mesazhi i tij ishte gjithnjë i thjeshtë dhe i qartë. S’është çudi që njerëzit e dëgjonin me ëndje!​—Marku 12:37; Luka 19:48.

15 Sot të krishterët përpiqen të ndjekin drejtimin e Jezuit. Nuk kemi mençurinë dhe njohurinë e tij të paanë, por ama që të gjithë kemi njëfarë njohurie dhe përvoje që mund ta përdorim kur u flasim të tjerëve për të vërtetat e Fjalës së Perëndisë. Për shembull, për të ilustruar dashurinë që ka Jehovai për fëmijët e Tij, prindërit mund të përdorin përvojën e tyre për rritjen e fëmijëve. Të tjerë mund të përdorin shembuj ose ilustrime nga puna e tyre, nga shkolla, përvojën e tyre në marrëdhëniet njerëzore ose njohurinë për ngjarjet e fundit. Në të njëjtën kohë, bëjmë kujdes që asgjë të mos i shpërqendrojë njerëzit nga mesazhi ynë, nga lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë.​—1 Timoteut 4:16.

Qëndrimi i Jezuit ndaj shërbimit

16, 17. (a) Ç’qëndrim kishte Jezui ndaj shërbimit? (b) Si e tregonte Jezui se shërbimi ishte qendra e jetës së tij?

16 Jezui e konsideronte shërbimin e tij si një thesar të çmuar. Kënaqej kur i ndihmonte njerëzit ta shihnin Atin e tij qiellor siç është në të vërtetë, të pamjegulluar nga doktrinat dhe traditat pështjelluese njerëzore. Jezuit i pëlqente shumë t’i ndihmonte njerëzit që të fitonin një marrëdhënie të mirë me Jehovain, miratimin e Tij dhe shpresën e jetës së përhershme. Kënaqej kur u sillte njerëzve ngushëllim dhe gëzim me anë të lajmit të mirë. Si i shfaqte ndjenja të tilla? Të shohim tri mënyra.

17 Së pari, Jezui e bëri shërbimin qendrën e jetës së tij. Vepra parësore për të, puna kryesore në jetë, interesi i tij më të madh ishte të fliste për Mbretërinë. Ja pse, me mençuri, Jezui e mbante të thjeshtë jetën, siç pamë në kapitullin e pestë. Në përputhje me këshillën që u dha të tjerëve, ai vetë i mbante sytë të përqendruar tek ajo që kishte më shumë rëndësi. Nuk shpërqendrohej nga gjëra të shumta që pastaj duhej t’i paguante, t’i mirëmbante dhe t’i riparonte a t’i zëvendësonte me kalimin e kohës. Jetonte thjesht, me qëllim që asgjë të mos e shpërqendronte më kot nga shërbimi.​—Mateu 6:22; 8:20.

18. Në ç’mënyrë Jezui e sakrifikoi veten në shërbim?

18 Së dyti, Jezui nuk e kurseu veten në shërbim. Ia kushtoi gjithë energjitë shërbimit dhe bëri me qindra kilometra në këmbë rreth e qark Palestinës, duke kërkuar njerëz të cilëve mund t’u fliste për lajmin e mirë. Fliste me ta nëpër shtëpi, në sheshe, në pazar dhe në vende të hapura. Fliste me ta edhe kur kishte nevojë për pushim, për ushqim, për ujë ose për pak kohë që të rrinte vetëm me miqtë e tij të ngushtë. Edhe kur po vdiste, vazhdoi të fliste për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë!​—Luka 23:39-43.

19, 20. Si e ilustroi Jezui urgjencën e veprës së predikimit?

19 Së treti, Jezui e konsideroi shërbimin e tij si diçka urgjente. Sill ndër mend bisedën me gruan samaritane te burimi afër Siharit. Me sa duket, apostujt e Jezuit nuk panë në atë situatë ndonjë nevojë urgjente për t’u folur të tjerëve për lajmin e mirë. Jezui u tha: «A nuk thoni ju se duhen ende edhe katër muaj para se të vijnë të korrat? Unë po ju them: ngrini sytë dhe shihni fushat. Ato janë të bardha për korrje.»​—Gjoni 4:35.

20 Këtë ilustrim Jezui e nxori nga stina në të cilën ishin. Nga sa duket, ishte muaji kislev (nëntor-dhjetor). Për korrjen e elbit duheshin edhe katër muaj, aty nga koha e Pashkës, që ishte më 14 nisan. Prandaj, bujqit nuk ndienin ndonjë urgjencë në atë çast për sa i përket korrjes. Kishin ende shumë kohë. Po në lidhje me korrjen figurative? E pra, shumë ishin gati të dëgjonin, të mësonin, të bëheshin dishepuj të Krishtit dhe të fitonin shpresën e mrekullueshme që u ofronte Jehovai. Ishte sikur Jezui të vërente ato ara të figurshme dhe të shihte se ishin të bardha, me grurin e pjekur që valëvitej butë nga flladi, duke sinjalizuar se ishte gati për t’u korrur. * Tani ishte koha! Vepra ishte urgjente! Si pasojë, kur njerëzit në një qytet u përpoqën ta mbanin Jezuin që të mos ikte, ai u përgjigj: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.»​—Luka 4:43.

21. Si ta imitojmë Jezuin?

21 Ne mund ta imitojmë Jezuin në të tria mënyrat që sapo shqyrtuam. Në radhë të parë, duke e bërë shërbimin e krishterë qendrën e jetës sonë. Edhe pse mund të kemi familje dhe detyrime të tjera, e tregojmë se për ne shërbimi vjen në radhë të parë, duke marrë pjesë me zell dhe rregullisht në të, siç bëri Jezui. (Mateu 6:33; 1 Timoteut 5:8) Në radhë të dytë, duke mos e kursyer veten në shërbim, duke shpenzuar me bujari kohën, energjitë dhe gjërat tona materiale për ta mbështetur atë. (Luka 13:24) E në radhë të tretë, duke mbajtur gjithnjë në mendje se vepra jonë është urgjente. (2 Timoteut 4:2) Duhet të përfitojmë nga çdo mundësi për të predikuar!

22. Çfarë do të shqyrtohet në kapitullin vijues?

22 Jezui tregoi se e kuptonte rëndësinë e veprës edhe duke u siguruar se ajo do të vazhdonte pas vdekjes së tij. U dha ithtarëve të tij urdhrin që ta vazhdonin veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. Ky urdhër do të jetë tema e kapitullit vijues.

^ Për shembull, kur pyet si ka mundësi që një jude po flet me një samaritane, ajo hap temën e armiqësisë shekullore mes këtyre dy popujve. (Gjoni 4:9) Gjithashtu, ajo pohon se populli i saj e ka prejardhjen nga Jakobi, por judenjtë e kësaj kohe e mohojnë me forcë këtë. (Gjoni 4:12) Ata i quajnë samaritanët kuteanë, për të theksuar se e kanë prejardhjen nga popuj të huaj.

^ Të predikosh do të thotë të përhapësh ose të shpallësh një mesazh. Të mësosh ka kuptim të ngjashëm, por përfshin ta përcjellësh një mesazh me më shumë hollësi. Të mësosh mirë do të thotë të gjesh mënyra për t’i prekur zemrën studentit, që ta motivosh të veprojë në përputhje me atë që dëgjon.

^ Një vepër referimi thotë për këtë varg: «Gruri, kur piqet, kthehet nga i gjelbër në të verdhë ose në ngjyrë të hapur, duke treguar se është koha për ta korrur.»