Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 9

«Shkoni dhe bëni dishepuj»

«Shkoni dhe bëni dishepuj»

Ç’mund të bëjë bujku, nëse të korrat janë shumë të mëdha e nuk i mbledh dot vetëm?

1-3. (a) Çfarë bën një bujk kur të korrat janë shumë të mëdha e nuk i mbledh dot vetëm? (b) Cilën vështirësi hasi Jezui në pranverën e vitit 33 të e.s. dhe si e përballoi?

 NJË bujk është vërtet në hall. Disa muaj më parë, i punoi arat e tij dhe i mbolli. Vrojtoi me kujdes të madh bisqet e para që dolën dhe u gëzua shumë kur bimët u rritën. Tani, i gjithë mundi i tij është shpërblyer, sepse ka ardhur koha e korrjes. Por halli është se të korrat janë shumë të mëdha e nuk i mbledh dot vetëm. Për të dalë nga ky hall, vendos të marrë ca punëtorë me mëditje dhe i dërgon në arat e tij. Nuk ka shumë kohë për të mbledhur të korrat e vyera!

2 Në pranverën e vitit 33 të e.s., Jezui i ringjallur gjendet përpara një vështirësie të ngjashme. Gjatë shërbimit të tij në tokë, i mbolli farërat e së vërtetës. Tani ato duhen korrur dhe të korrat janë me bollëk. Shumë njerëz me zemër të sinqertë duhen mbledhur si dishepuj. (Gjoni 4:35-38) Si e përballon Jezui këtë vështirësi? Në një mal të Galilesë, pak para se të ngjitet në qiell, ai u jep dishepujve urdhrin për të gjetur më shumë punëtorë, duke thënë: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar . . . dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»​—Mateu 28:19, 20.

3 Ky urdhër është thelbi i asaj që do të thotë të jesh ithtar i vërtetë i Krishtit. Atëherë, le të shqyrtojmë tri pyetje. Pse Jezui dha urdhër për të gjetur më shumë punëtorë? Si i stërviti dishepujt që t’i gjenin ata punëtorë? Si përfshihemi ne në këtë urdhër?

Pse duheshin më shumë punëtorë?

4, 5. Pse Jezui nuk do ta mbaronte veprën që kishte nisur dhe kush do ta vazhdonte atë pasi ai të kthehej në qiell?

4 Kur filloi shërbimin në vitin 29 të e.s., Jezui e dinte se po niste një vepër që nuk do ta mbaronte vetë. Në atë kohë të shkurtër që i kishte mbetur në tokë, s’do të arrinte të mbulonte një zonë të madhe e të takonte shumë njerëz për t’u dhënë mesazhin e Mbretërisë. Vërtet që ai e përqendroi predikimin e tij kryesisht te judenjtë dhe te prozelitët, pra «te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». (Mateu 15:24) Por ato ‘dele të humbura’ ishin shpërndarë anembanë Izraelit, një vend që kapte me mijëra kilometra katrorë. Përveç kësaj, me kalimin e kohës, duhej të përhapej lajmi i mirë edhe në pjesën tjetër të arës, pra të botës.​—Mateu 13:38; 24:14.

5 Jezui e kuptonte se një pjesë e mirë e punës do të mbetej për t’u bërë pas vdekjes së tij. Ai u tha 11 apostujve besnikë: «Me të vërtetë po ju them se edhe ai që tregon besim tek unë, do të bëjë veprat që bëj unë. Madje do të bëjë vepra më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.» (Gjoni 14:12) Meqë Biri po kthehej në qiell, veprën e predikimit dhe të mësimdhënies do të duhej ta vazhdonin ithtarët e tij​—jo vetëm apostujt, por gjithë dishepujt e ardhshëm. (Gjoni 17:20) Me përulësi, Jezui e pranoi se veprat e tyre do të ishin «më të mëdha» se të tijat. Si? Në tri drejtime.

6, 7. (a) Në cilat mënyra, veprat e bëra nga ithtarët e Jezuit do të ishin më të mëdha se të tijat? (b) Si mund ta tregojmë se Jezui nuk bëri gabim që u besoi ithtarëve të tij?

6 Së pari, ithtarët e Jezuit do të përshkonin më shumë territor. Sot dëshmia e tyre ka arritur deri në skajet e tokës, larg kufijve të vendit ku predikoi vetë Jezui. Së dyti, do të takonin më shumë njerëz. Grupi i vogël i dishepujve që la pas Jezui, shpejt u rrit në mijëra veta. (Veprat 2:41; 4:4) Tani ata janë me miliona dhe çdo vit pagëzohen qindra mijë të tjerë. Së treti, do të predikonin për një kohë më të gjatë, deri në ditët tona, pothuajse 2.000 vjet pasi Jezui mbaroi shërbimin e vet prej tre vjetësh e gjysmë.

7 Jezui po shprehte siguri tek ithtarët e tij, kur tha se do të bënin «vepra më të mëdha se këto». Po u linte në duar një vepër që kishte rëndësi parësore për të: predikimin dhe mësimin e ‘lajmit të mirë për mbretërinë e Perëndisë’. (Luka 4:43) Ishte i bindur se do ta kryenin me besnikëri këtë caktim. Ç’do të thotë kjo për ne sot? Kur e vazhdojmë shërbimin me zell e me gjithë zemër, tregojmë se Jezui nuk bëri gabim që u besoi ithtarëve të tij. A nuk është ky një privilegj i veçantë?​—Luka 13:24.

Të stërvitur për të dhënë dëshmi

Dashuria na motivon të predikojmë kudo që ka njerëz

8, 9. Çfarë shembulli la Jezui në shërbim, dhe si mund ta modelojmë shërbimin tonë sipas shembullit të tij?

8 Jezui u dha dishepujve stërvitjen më të mirë të mundshme për shërbimin. Para së gjithash, u la shembullin e përsosur. (Luka 6:40) Në kapitullin e mëparshëm, shqyrtuam qëndrimin që kishte ndaj shërbimit. Mendo pak për dishepujt që e shoqëruan Jezuin në udhëtimet e tij të predikimit. Ata e panë se ai predikonte kudo që gjente njerëz: buzë liqenit, në shpate kodrash, në qytete, në pazare dhe në shtëpitë e tyre. (Mateu 5:1, 2; Luka 5:1-3; 8:1; 19:5, 6) E panë se punonte shumë, ngrihej herët në mëngjes dhe shërbente deri natën vonë. Shërbimin nuk e kishte sa për të kaluar kohën e lirë. (Luka 21:37, 38; Gjoni 5:17) Pa dyshim, dishepujt e kuptonin se ai motivohej nga një dashuri e thellë për njerëzit. Ndoshta e panë se si pasqyrohej në fytyrën e tij dhembshuria që ndiente në zemër. (Marku 6:34) Sipas teje, si ndikoi te dishepujt shembulli i Jezuit? Si do të kishte ndikuar te ti?

9 Si ithtarë të Krishtit, ne e modelojmë shërbimin tonë sipas shembullit të tij. Prandaj s’lëmë gur pa lëvizur me qëllim që të japim «dëshmi të plotë». (Veprat 10:42) Ashtu si Jezui, shkojmë në shtëpitë e njerëzve. (Veprat 5:42) Po të jetë e nevojshme, e përshtatim programin tonë që të shkojmë në një kohë kur ka më shumë mundësi t’i gjejmë në shtëpi. Gjithashtu, kërkojmë dhe u predikojmë me maturi njerëzve në vende publike: në rrugë, në parqe, në dyqane dhe në vendin e punës. Vazhdojmë ‘të mundohemi e të përpiqemi’ në shërbim, sepse e marrim seriozisht këtë vepër. (1 Timoteut 4:10) Dashuria e thellë dhe e sinqertë për të tjerët, na motivon të vazhdojmë të kërkojmë mundësi për të predikuar kudo dhe kurdo që i gjejmë njerëzit.​—1 Selanikasve 2:8.

«Të shtatëdhjetë dishepujt u kthyen të gëzuar»

10-12. Çfarë mësimesh të rëndësishme u dha Jezui dishepujve para se t’i dërgonte të predikonin?

10 Një mënyrë tjetër se si i stërviti Jezui dishepujt ishte duke u dhënë udhëzime të hollësishme. Para se t’i dërgonte për të predikuar, së pari 12 apostujt e më pas 70 dishepujt, Jezui bëri mbledhje me ta, duke u dhënë udhëzime të hollësishme për veprën e predikimit. (Mateu 10:1-15; Luka 10:1-12) Stërvitja dha fryte të mira, sepse te Luka 10:17 lexojmë: «Të shtatëdhjetë dishepujt u kthyen të gëzuar.» Le të shqyrtojmë dy nga mësimet e rëndësishme që u dha Jezui, duke pasur ndër mend se, për të kuptuar fjalët e tij, duhet të marrim parasysh zakonet e judenjve në kohët biblike.

11 Jezui i mësoi dishepujt të kishin besim te Jehovai. U tha: «Mos merrni as ar, as argjend, as bakër në qeset tuaja, as trastë për udhën, as dy veshje të poshtme, as sandale, as shkop, sepse punëtori e meriton ushqimin e vet.» (Mateu 10:9, 10) Në atë kohë, udhëtarët e kishin zakon të merrnin me vete një qese me para, një trastë me ushqime dhe një palë sandale rezervë. * Duke i udhëzuar dishepujt që të mos merakoseshin për këto gjëra, në të vërtetë Jezui po u thoshte: «Besojini tërësisht Jehovait, sepse ai do të kujdeset për nevojat tuaja.» Jehovai do t’ua siguronte gjërat, duke i nxitur ata që pranonin lajmin e mirë të tregoheshin mikpritës, siç ishte zakon në Izrael.​—Luka 22:35.

12 Jezui i mësoi dishepujt që të shmangnin shpërqendrimet e panevojshme. Ai tha: «Mos rrini të përqafoheni me të tjerët kur të përshëndeteni rrugës.» (Luka 10:4) Mos po u thoshte të ishin të ftohtë ose indiferentë? Aspak. Vetëm se, në kohët biblike, shpesh përshëndetjet përfshinin shumë më tepër se një mirëdita e mirupafshim. Sipas zakonit, përshëndetjet përfshinin disa formalitete dhe një bisedë mjaft të gjatë. Një dijetar biblik thotë: «Ndër banorët e Lindjes, përshëndetjet nuk ishin si te ne, thjesht një përkulje e lehtë e kokës ose një zgjatje dore, por bëheshin me shumë përqafime e përkulje, madje deri në tokë. E gjithë kjo kërkonte shumë kohë.» Duke u thënë dishepujve të mos i bënin përshëndetjet siç ishte zakoni, Jezui po thoshte me fjalë të tjera: «Duhet ta shfrytëzoni sa më mirë kohën, sepse mesazhi që keni është urgjent.» *

13. Si mund ta tregojmë se i marrim për zemër udhëzimet që u dha Jezui dishepujve të tij në shekullin e parë?

13 Ne i marrim për zemër udhëzimet që u dha Jezui dishepujve të tij në shekullin e parë. Ndërsa kryejmë shërbimin, i besojmë plotësisht Jehovait. (Proverbat 3:5, 6) E dimë se gjërat e nevojshme të jetës nuk do të na mungojnë kurrë, në qoftë se ‘vazhdojmë të kërkojmë në radhë të parë mbretërinë’. (Mateu 6:33) Anembanë botës, predikuesit e Mbretërisë në kohë të plotë mund të dëshmojnë se, edhe në kohë të vështira, dora e Jehovait nuk është kurrë e shkurtër. (Psalmi 37:25) Kuptojmë edhe nevojën që të shmangim shpërqendrimet. Po të mos bëjmë kujdes, ky sistem mund të na shmangë me lehtësi nga rruga e duhur. (Luka 21:34-36) Por kjo nuk është koha për t’u shpërqendruar. Mesazhi ynë është urgjent, pasi është në lojë jeta e njerëzve. (Romakëve 10:13-15) Duke mbajtur të gjallë në zemër ndjenjën e urgjencës, nuk do të lejojmë që shpërqendrimet e kësaj bote të na marrin kohën dhe energjinë që do të përdorej më mirë në shërbim. Të mos harrojmë se koha që ka mbetur është e shkurtër dhe të korrat janë të mëdha.​—Mateu 9:37, 38.

Një urdhër që na përfshin edhe ne

14. Çfarë tregon se urdhri që gjendet te Mateu 28:18-20 zbatohet për të gjithë ithtarët e Krishtit? (Shih edhe shënimin.)

14 Duke thënë «shkoni dhe bëni dishepuj», Jezui i ringjallur u la një përgjegjësi të madhe ithtarëve të tij. Ai s’kishte ndër mend vetëm dishepujt e pranishëm atë ditë pranvere në malin e Galilesë. * Vepra që urdhëroi ai do të arrinte «njerëz nga të gjitha kombet» dhe do të vazhdonte «deri në përfundimin e sistemit». Është e qartë se ky urdhër zbatohet për të gjithë ithtarët e Krishtit, duke na përfshirë edhe neve sot. Le t’i shohim më nga afër fjalët e Jezuit që janë dokumentuar te Mateu 28:18-20.

15. Pse bëjmë mirë t’i bindemi urdhrit të Jezuit për të bërë dishepuj?

15 Para se të japë këtë urdhër, Jezui thotë: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.» (Vargu 18) A ka vërtet Jezui kaq shumë autoritet? Po, ka. Ai është kryeengjëlli dhe urdhëron mijëra e mijëra engjëj. (1 Selanikasve 4:16; Zbulesa 12:7) Si «kreu i kongregacionit», Jezui ka autoritet mbi ithtarët e tij në tokë. (Efesianëve 5:23) Që nga viti 1914, ai po sundon si Mbret mesianik në qiell. (Zbulesa 11:15) Madje ka autoritet mbi vdekjen, meqë ka fuqinë për të ringjallur të vdekurit. (Gjoni 5:26-28) Duke thënë që në fillim se sa shumë autoritet ka, Jezui po tregon se fjalët që do të vijojnë nuk janë një sugjerim, por një urdhër. Bëjmë mirë të bindemi, sepse atë autoritet ai nuk e ka marrë vetë; ia ka dhënë Perëndia.​—1 Korintasve 15:27.

16. Çfarë po na urdhëron të bëjmë Jezui, duke na thënë «shkoni» dhe si e përmbushim këtë aspekt të urdhrit?

16 Tani Jezui tregon cili është urdhri, duke filluar me një fjalë të vetme: «Shkoni.» (Vargu 19) Kështu, ai na urdhëron të marrim iniciativën që të shkojmë te të tjerët e t’u flasim për mesazhin e Mbretërisë. Për të përmbushur këtë aspekt të urdhrit, mund të përdorim një shumëllojshmëri metodash. Predikimi shtëpi më shtëpi është një mënyrë shumë e efektshme për t’i takuar njerëzit tek e tek. (Veprat 20:20) Gjithashtu, kërkojmë mundësi që të dëshmojmë në mënyrë joformale. Në jetën e përditshme, jemi gati të nisim një bisedë për lajmin e mirë sa herë që është e përshtatshme. Metodat specifike që përdorim për të predikuar mund të jenë të ndryshme, në varësi të nevojave dhe rrethanave të vendit. Por një gjë mbetet e njëjtë: ne ‘shkojmë’ dhe kërkojmë ata që e meritojnë.​—Mateu 10:11.

17. Si ‘bëjmë dishepuj’?

17 Më tej Jezui shpjegon cili është synimi i këtij urdhri, duke thënë: «Bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» (Vargu 19) Si ‘bëjmë dishepuj’? Kryesisht dishepulli është një nxënës, një që mëson nga dikush. Por të bësh dishepuj nuk do të thotë thjesht t’u japësh njohuri të tjerëve. Kur studiojmë Biblën me njerëzit e interesuar, synimi ynë është t’i ndihmojmë të bëhen ithtarë të Krishtit. Sa herë që është e mundur, theksojmë shembullin e Jezuit, kështu që studentët tanë mësojnë të shohin atë si Mësuesin dhe Modelin e tyre, duke jetuar siç jetoi ai dhe duke bërë veprën që bëri ai.​—Gjoni 13:15.

18. Pse pagëzimi është ngjarja më e rëndësishme në jetën e një dishepulli?

18 Një pjesë e rëndësishme e urdhrit shprehet me këto fjalë: «Duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë.» (Vargu 19) Pagëzimi është ngjarja më e rëndësishme në jetën e një dishepulli, sepse është simbol i përshtatshëm i kushtimit të tij me gjithë zemër ndaj Perëndisë. Prandaj është thelbësor për shpëtimin. (1 Pjetrit 3:21) Po, nëse vazhdon të bëjë më të mirën në shërbim të Jehovait, një dishepull i pagëzuar mund të presë i sigurt bekimet e pafundme në botën e re që do të vijë. A ke ndihmuar dikë që të bëhet dishepull i pagëzuar i Krishtit? Në shërbimin e krishterë, nuk ka shkak tjetër më të madh për gëzim.​—3 Gjonit 4.

19. Çfarë u mësojmë të interesuarve dhe përse ky mësim mund të vazhdojë edhe pas pagëzimit?

19 Jezui e shpjegon pjesën tjetër të urdhrit me fjalët: «Mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Vargu 20) Ne i mësojmë të interesuarit të zbatojnë urdhrat e Jezuit, duke përfshirë urdhrin që të duan Perëndinë, të duan të afërmin e të bëjnë dishepuj. (Mateu 22:37-39) I mësojmë hap pas hapi që të shpjegojnë të vërtetat e Biblës dhe të mbrojnë besimin që po fitojnë. Kur kualifikohen për të marrë pjesë në predikim, dalim bashkë me ta në shërbim, duke i mësuar me fjalë e me shembullin tonë se si të kenë një pjesëmarrje domethënëse në këtë vepër. Mësimi i dishepujve të rinj nuk mbaron medoemos para pagëzimit të tyre. Të sapopagëzuarit mund të kenë nevojë për udhëzime të mëtejshme, për të përballuar sfidat që do t’u dalin ndërsa ndjekin Krishtin.—Luka 9:23, 24.

«Unë jam me ju gjithë ditët»

20, 21. (a) Pse nuk duhet të kemi frikë, ndërkohë që përmbushim caktimin që na dha Jezui? (b) Pse nuk është tani koha për t’u ngadalësuar dhe për çfarë duhet të jemi të vendosur?

20 Fjalët e fundit të urdhrit të Jezuit na japin shumë siguri: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mateu 28:20) Jezui e di se ky caktim është shumë serioz. E di edhe se përmbushja e tij do të shkaktojë nganjëherë reagime të ashpra nga kundërshtarët. (Luka 21:12) Por, s’ka pse të kemi frikë. Udhëheqësi ynë nuk pret që këtë caktim ta përmbushim vetëm, pa asnjë ndihmë. A nuk ngushëllohemi kur dimë se Ai që ka «çdo autoritet në qiell dhe në tokë» është me ne për të na mbështetur teksa përmbushim këtë urdhër?

21 Jezui i siguroi dishepujt se do të ishte me ta në shërbim, gjatë gjithë shekujve deri në «përfundimin e sistemit». Derisa të vijë fundi, duhet të vazhdojmë të zbatojmë urdhrin që dha Jezui. Nuk është tani koha për t’u ngadalësuar. Po vazhdon ende një korrje frymore shumë e bollshme! Po mblidhet një numër i madh njerëzish me zemër të sinqertë. Si ithtarë të Krishtit, le të jemi të vendosur ta përmbushim caktimin serioz që na është besuar! Të jemi të vendosur që të shpenzojmë kohën, energjitë dhe të ardhurat tona për të përmbushur urdhrin e Krishtit: «Shkoni dhe bëni dishepuj!»

^ Qesja për paratë ishte një lloj traste e vogël për të mbajtur monedhat. Trasta për ushqimet ishte më e madhe, zakonisht prej lëkure, vihej në sup dhe mbante ushqime ose gjëra të tjera.

^ Një herë, profeti Elise dha udhëzime të ngjashme. Kur e dërgoi shërbëtorin e vet, Gehazin, në shtëpinë e një gruaje së cilës i kishte vdekur i biri, Eliseu i tha: «Nëse të del dikush përpara, mos e përshëndet.» (2 Mbretërve 4:29) Detyra që i ishte caktuar ishte urgjente, prandaj s’kishte kohë për të humbur me vonesa të panevojshme.

^ Meqë shumica e ithtarëve të tij ishin në Galile, mund të ketë qenë ky rast i përshkruar te Mateu 28:16-20 kur Jezui i ringjallur iu shfaq «më shumë se pesëqind» vetave. (1 Korintasve 15:6) Pra, qindra veta mund të kenë qenë të pranishëm kur Jezui dha urdhrin për të bërë dishepuj.