Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 2

«Udha, e vërteta dhe jeta»

«Udha, e vërteta dhe jeta»

«Bëhu ithtari im»

1, 2. Pse do ta kishim të pamundur t’i afroheshim vetë Jehovait, e prandaj çfarë ka bërë për ne Jezu Krishti?

 TË KA ndodhur ndonjëherë të humbësh rrugën? Ndoshta të kujtohet ndonjë rast kur shkove të takoje një mikun a të afërmin tënd, por nuk po gjeje dot rrugën. A ndalove dikë që ta pyetje, ndërsa ecje nëpër një rrugë të panjohur? Mendo si do të ndiheshe në qoftë se një njeri zemërmirë, në vend që thjesht të të tregonte nga të shkoje, do të të thoshte: «Më ndiq, se të çoj unë atje.» Çfarë lehtësimi!

2 Në njëfarë kuptimi, Jezu Krishti bën diçka të ngjashme me ne. Pa ndihmë, do ta kishim të pamundur t’i afroheshim Perëndisë. Për shkak të mëkatit të trashëguar dhe papërsosmërisë, njerëzimi ka humbur rrugën; është ‘i ndarë nga jeta që i përket Perëndisë’. (Efesianëve 4:17, 18) Kemi nevojë për ndihmë që të gjejmë drejtimin e duhur. Jezui, Modeli ynë zemërmirë, nuk na jep vetëm këshilla e udhëzime, por bën më tepër. Siç e pamë në kapitullin e parë, Jezui na bën këtë ftesë: «Eja e bëhu ithtari im.» (Marku 10:21) Veç kësaj, ai na jep edhe arsye bindëse pse duhet ta pranojmë ftesën. Në një rast, Jezui tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Le të shqyrtojmë disa arsye pse mund t’i afrohemi Atit vetëm nëpërmjet Birit. Pastaj, duke mbajtur në mendje këto arsye, do të shqyrtojmë pse Jezui është vërtet «udha, e vërteta dhe jeta».

Një rol jetësor në qëllimin e Jehovait

3. Pse mund t’i afrohemi Perëndisë nëpërmjet Jezuit?

3 Para së gjithash, mund t’i afrohemi Perëndisë nëpërmjet Jezuit, sepse vetë Jehovai e ka parë të përshtatshme t’i japë Birit të tij rolin më të rëndësishëm. * Ati e ka bërë Birin figurën qendrore ose kyçe në plotësimin e të gjitha qëllimeve të Tij. (2 Korintasve 1:20; Kolosianëve 1:18-20) Që të kuptojmë rolin jetësor të Birit, duhet të shqyrtojmë çfarë ndodhi në kopshtin e Edenit, ku çifti i parë njerëzor u bashkua me Satanain dhe u rebelua kundër Jehovait.​—Zanafilla 2:16, 17; 3:1-6.

4. Cila çështje lindi nga rebelimi në Eden? Çfarë vendosi të bënte Jehovai për ta zgjidhur këtë çështje?

4 Nga rebelimi në Eden lindi një çështje e rëndësishme për të gjitha krijesat: A e ushtron siç duhet Perëndia Jehova sundimin mbi krijesat e tij? Për të zgjidhur këtë çështje jetësore, Jehovai pa të nevojshme që të shkonte në tokë një bir frymor i përsosur. Misioni që do të kryente ky bir ishte me rëndësi të jashtëzakonshme: do të jepte jetën që të shfajësonte sovranitetin e Jehovait dhe do të shërbente si shpërblesë për të shpëtuar njerëzimin. Duke qëndruar besnik deri në vdekje, ky bir i zgjedhur do të siguronte zgjidhjen e të gjitha problemeve që shkaktoi rebelimi i Satanait. (Hebrenjve 2:14, 15; 1 Gjonit 3:8) Mirëpo Jehovai kishte miliona e miliona bij frymorë të përsosur. (Danieli 7:9, 10) Kë zgjodhi për të kryer këtë caktim shumë të rëndësishëm? Jehovai zgjodhi «Birin e tij të vetëmlindur», i cili më vonë u bë i njohur si Jezu Krishti.​—Gjoni 3:16.

5, 6. Si e tregoi Jehovai se kishte besim te Biri i tij dhe ku bazohej ky besim?

5 A duhet të na habitë zgjedhja që bëri Jehovai? Jo, fare! Ati kishte besim absolut te Biri i tij i vetëmlindur. Shekuj para se Biri i tij të vinte në tokë, Jehovai paratha se ai do të mbetej besnik, pavarësisht nga vuajtjet e shumëllojshme që do të hiqte. (Isaia 53:3-7, 10-12; Veprat 8:32-35) Mendo pak se çfarë përfshin kjo. Biri, ashtu si gjithë krijesat e tjera me aftësi për të arsyetuar, kishte vullnet të lirë dhe ishte në gjendje ta zgjidhte vetë drejtimin e tij. Megjithatë, kaq besim kishte Jehovai te Biri i tij, sa paratha se ai do të qëndronte besnik. Ku e bazonte Jehovai këtë besim? Me një fjalë, te njohuria. Jehovai e njeh shumë nga afër Birin e tij dhe e di sa dëshiron ky Bir që t’i pëlqejë. (Gjoni 8:29; 14:31) Biri e do Atin e tij, por edhe Jehovai e do Birin e Tij. (Gjoni 3:35) Dashuria që Atë e Bir kanë për njëri-tjetrin krijon mes tyre një lidhje të pathyeshme uniteti dhe mirëbesimi.​—Kolosianëve 3:14.

6 A është e çuditshme, pra, që mund t’i afrohemi Perëndisë vetëm nëpërmjet Jezuit, kur shohim rolin e rëndësishëm të Birit, besimin që ka Ati tek ai dhe dashurinë që i lidh të dy?! Por, ka edhe një arsye tjetër se përse vetëm Biri mund të na udhëheqë për tek Ati.

Vetëm Biri e njeh plotësisht Atin

7, 8. Pse Jezui mund të thoshte me të drejtë që asnjë nuk e njeh plotësisht Atin «përveç Birit»?

7 Nëse duam t’i afrohemi Jehovait, duhet të plotësojmë disa kërkesa. (Psalmi 15:1-5) Kush e di më mirë se Biri çfarë duhet për t’i plotësuar normat e Perëndisë dhe për të pasur miratimin e Tij? Jezui tha: «Ati im më ka dhënë gjithçka. Askush s’e njeh plotësisht Birin përveç Atit, dhe askush s’e njeh plotësisht Atin përveç Birit dhe kujtdo që Biri dëshiron t’ia zbulojë.» (Mateu 11:27) Le të shohim pse Jezui mund të thoshte, me të drejtë dhe pa e tepruar, se askush s’e njeh plotësisht Atin, «përveç Birit».

8 Si «i parëlinduri i gjithë krijimit», Biri ka një marrëdhënie të ngushtë e të veçantë me Jehovain. (Kolosianëve 1:15) Mendo ç‘lidhje e ngushtë Atë e Bir u krijua gjatë epokave të panumërta kur ata të dy ishin vetëm​—që nga fillimi i krijimit e deri sa erdhën në ekzistencë krijesat e tjera frymore. (Gjoni 1:3; Kolosianëve 1:16, 17) Mendo edhe për rastin e rrallë që kishte Biri duke qëndruar pranë Atit: mund të mësonte mendimet e Atit të tij për gjërat, si edhe vullnetin, normat dhe udhët e Tij. Vërtet, nuk po e teprojmë aspak duke thënë se Jezui e njeh Atin e tij më mirë se kushdo tjetër. Me siguri që kjo afërsi bëri të mundur që Jezui t’u zbulonte të tjerëve personalitetin e Atit siç nuk do ta bënte dot askush tjetër.

9, 10. (a) Në cilat mënyra e zbuloi Jezui personalitetin e Atit të tij? (b) Çfarë duhet të bëjmë që Jehovai të na miratojë?

9 Në mësimet e Jezuit del qartë se ai e dinte fare mirë si mendon dhe çfarë ndien Jehovai, si edhe çfarë kërkon nga adhuruesit e Tij. * Jezui ua zbuloi njerëzve personalitetin e Atit të tij edhe në një mënyrë tjetër thelbësore. Tha: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Jezui e imitoi me përsosmëri Atin e tij në çdo gjë që tha e që bëri. Prandaj, kur lexojmë në Bibël për Jezuin​—për fjalët e fuqishme dhe tërheqëse që përdorte kur mësonte, për dhembshurinë që e shtyu të shëronte të tjerët dhe për empatinë që e bëri të derdhte lot,—​mund të përfytyrojmë fare mirë Jehovain tek thoshte e bënte po ato gjëra. (Mateu 7:28, 29; Marku 1:40-42; Gjoni 11:32-36) Udhët dhe vullneti i Atit janë zbuluar në mënyrë të përsosur në fjalët dhe veprimet e Birit. (Gjoni 5:19; 8:28; 12:49, 50) Kështu, për të pasur miratimin e Jehovait, duhet t’ua vëmë veshin mësimeve të Jezuit dhe të ndjekim shembullin e tij.​—Gjoni 14:23.

10 Meqë Jezui e njeh nga afër Jehovain dhe e imiton përsosmërisht, nuk është çudi që Jehovai ka vendosur që Biri i tij të jetë mjeti për t’iu afruar Atit. Me këtë bazë për të kuptuar pse mund t’i afrohemi Jehovait vetëm nëpërmjet Jezuit, le të shqyrtojmë tani domethënien e fjalëve të Jezuit: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.»​—Gjoni 14:6.

«Unë jam udha»

11. (a) Pse vetëm nëpërmjet Jezuit mund të kemi një marrëdhënie të miratuar me Perëndinë? (b) Si e theksojnë fjalët që lexojmë te Gjoni 14:6 se pozita e Jezuit është unike? (Shih shënimin.)

11 Kemi mësuar që s’ka mënyrë tjetër për t’iu afruar Perëndisë përveçse nëpërmjet Jezuit. Tani le të shqyrtojmë në mënyrë më specifike çfarë do të thotë kjo për ne. Jezui është «udha» në kuptimin që vetëm nëpërmjet tij mund të kemi një marrëdhënie të miratuar me Perëndinë. Përse? Duke qëndruar besnik deri në vdekje, Jezui dha jetën si flijim shpërblyes. (Mateu 20:28) Pa këtë shpërblesë, do ta kishim të pamundur t’i afroheshim Perëndisë. Mëkati krijon një pengesë mes njerëzve dhe Perëndisë, pasi Jehovai është i shenjtë dhe nuk mund ta tolerojë kurrë mëkatin. (Isaia 6:3; 59:2) Por flijimi i Jezuit e hoqi këtë pengesë dhe siguroi shlyerjen e nevojshme për mëkatin. (Hebrenjve 10:12; 1 Gjonit 1:7) Nëse e pranojmë flijimin shpërblyes që ka siguruar Perëndia me anë të Krishtit dhe tregojmë besim në të, mund të fitojmë miratimin e Jehovait. Nuk ka asnjë rrugë tjetër ‘për t’u pajtuar me Perëndinë’. *​—Romakëve 5:6-11.

12. Në cilat kuptime Jezui është «udha»?

12 Jezui është «udha» për sa u përket lutjeve. Vetëm nëpërmjet Jezuit mund t’i afrohemi në lutje Jehovait, të sigurt se përgjërimet tona të përzemërta do të dëgjohen. (1 Gjonit 5:13, 14) Vetë Jezui tha: «Po t’i kërkoni Atit ndonjë gjë, ai do t’jua japë në emrin tim. . . . Kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të bëhet i plotë.» (Gjoni 16:23, 24) Pra është shumë e përshtatshme që në emër të Jezuit t’i afrohemi Jehovait në lutje dhe ta quajmë «Ati ynë». (Mateu 6:9) Jezui është «udha» edhe në një kuptim tjetër: me anë të shembullit të tij. Siç e thamë më lart, Jezui e imitoi në mënyrë të përkryer Atin. Kështu, shembulli i Jezuit na tregon si të jetojmë në një mënyrë që i pëlqen Jehovait. Pra, për t’iu afruar Jehovait, duhet të ecim në gjurmët e Jezuit.​—1 Pjetrit 2:21.

«Unë jam . . . e vërteta»

13, 14. (a) Në ç’kuptim Jezui thoshte të vërtetën me fjalët e tij? (b) Çfarë duhej të bënte Jezui që të ishte «e vërteta» dhe përse?

13 Jezui tha gjithnjë të vërtetën për fjalën profetike të Atit të tij. (Gjoni 8:40, 45, 46) Në gojën e Jezuit nuk u gjet kurrë ndonjë mashtrim. (1 Pjetrit 2:22) Edhe kundërshtarët e tij e pranonin se e mësonte «udhën e Perëndisë në përputhje me të vërtetën». (Marku 12:13, 14) Megjithatë, kur Jezui tha «unë jam . . . e vërteta», nuk po tregonte thjesht se e bënte të njohur të vërtetën me fjalët, me predikimin dhe me mësimdhënien e tij. Në fakt, ishin përfshirë shumë më tepër se fjalët.

14 Sill ndër mend që, shekuj më parë, Jehovai kishte frymëzuar shkrimtarë të Biblës që të dokumentonin me dhjetra profeci për Mesinë ose Krishtin. Këto profeci parathoshin hollësi për jetën, shërbimin dhe vdekjen e tij. Përveç kësaj, në Ligjin e Moisiut kishte hije ose modele profetike, që e drejtonin vëmendjen te Mesia. (Hebrenjve 10:1) A do të tregohej besnik deri në vdekje Jezui, duke përmbushur kështu të gjitha gjërat që ishin profetizuar për të? Vetëm atëherë Jehovai do të dilte si Perëndia i profecive të vërteta. Kjo peshë shumë e madhe ishte mbi supet e Jezuit. Me mënyrën si jetoi, domethënë me çdo fjalë që tha e me çdo gjë që bëri, Jezui i ktheu në realitet modelet profetike. (2 Korintasve 1:20) Prandaj, Jezui ishte «e vërteta». Ishte sikur e vërteta e fjalës profetike të Jehovait kishte ardhur e mishëruar te Jezui.​—Gjoni 1:17; Kolosianëve 2:16, 17.

«Unë jam . . . jeta»

15. Ç’do të thotë të tregosh besim te Biri dhe ku mund të çojë kjo?

15 Jezui është «jeta», sepse vetëm nëpërmjet tij mund të marrim jetën, domethënë «jetën e vërtetë». (1 Timoteut 6:19) Bibla thotë: «Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme, kurse ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi të.» (Gjoni 3:36) Ç’do të thotë të tregojmë besim te Biri i Perëndisë? Do të thotë të kemi bindjen se nuk e fitojmë dot jetën pa të. Për më tepër, do të thotë ta tregojmë besimin tonë me vepra, të vazhdojmë të mësojmë nga Jezui dhe të bëjmë çmos t’i ndjekim mësimet dhe shembullin e tij. (Jakovi 2:26) Kështu, besimi që tregojmë te Biri i Perëndisë çon në jetën e përhershme: në jetën e pavdekshme frymore në qiell për «kopenë e vogël» me të krishterë të mirosur nga fryma dhe në jetën e përsosur njerëzore në një tokë parajsore për «shumicën e madhe» të ‘deleve të tjera’.​—Luka 12:32; 23:43; Zbulesa 7:9-17; Gjoni 10:16.

16, 17. (a) Si do të jetë Jezui «jeta» edhe për ata që kanë vdekur? (b) Për çfarë mund të jemi të sigurt?

16 Po për ata që kanë vdekur? Jezui është «jeta» edhe për ta. Pak para se të ringjallte mikun që i kishte vdekur, Lazarin, Jezui i tha Martës, motrës së Lazarit: «Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që tregon besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të kthehet në jetë.» (Gjoni 11:25) Jehovai i ka besuar Birit të tij «çelësat e vdekjes dhe të Hadesit», duke i dhënë fuqinë për të ringjallur njerëzit. (Zbulesa 1:17, 18) Me këta çelësa, Jezui në pozitën e tij të lartësuar do të hapë portat e Hadesit e do të çlirojë të gjithë ata që janë në varre.​—Gjoni 5:28, 29.

17 «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.» Me këtë pohim të thjeshtë, Jezui përmblodhi synimin e jetës dhe të shërbimit të tij në tokë. Ato fjalë janë plot domethënie për ne sot. Të mos harrojmë që pas kësaj, Jezui tha: «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Fjalët e Jezuit janë po kaq të rëndësishme sot, sa edhe në kohën kur i tha. Kështu, mund të jemi plotësisht të sigurt se, po të ndjekim Jezuin, nuk do të humbim kurrë rrugën. Ai dhe vetëm ai do të na tregojë udhën për «tek Ati».

Si do të përgjigjesh?

18. Çfarë e tregon nëse jemi ithtarë të vërtetë të Jezuit?

18 Tani që pamë rolin thelbësor të Jezuit dhe njohurinë e tij të thellë për Atin, kemi arsye të forta për ta ndjekur Birin. Siç e pamë në kapitullin e mëparshëm, nëse dikush është ithtar i vërtetë i Jezuit, e tregon me veprime, jo thjesht me fjalë ose me ndjenja. Të ndjekim Krishtin do të thotë ta modelojmë jetën tonë sipas mësimeve dhe shembullit të tij. (Gjoni 13:15) Ky botim ndihmës për studim, që ti po lexon tani, mund të të ndihmojë për këtë.

19, 20. Çfarë përmban ky botim ndihmës për studim, që mund të të ndihmojë të ndjekësh Krishtin?

19 Në kapitujt që vijojnë, do të studiojmë me kujdes jetën dhe shërbimin e Jezuit. Këta kapituj janë ndarë në tri pjesë. Së pari, do të krijojmë një tablo të përgjithshme të cilësive të Jezuit dhe të mënyrës si vepronte. Së dyti, do të shqyrtojmë shembullin e tij të zellshëm në predikim e në mësimdhënie. Së treti, do të shqyrtojmë si tregoi dashuri. Që nga kapitulli i tretë e më tej, ka një kuti me titull: «Si mund ta ndjekësh Jezuin?» Shkrimet dhe pyetjet që gjenden aty, janë vënë që të na ndihmojnë të meditojmë se si mund ta imitojmë Jezuin në fjalë e në vepra.

20 Falë Perëndisë Jehova, nuk ke pse të ndihesh i humbur, i ndarë nga ai për shkak të mëkatit të trashëguar. Me dashuri Jehovai dërgoi Birin e tij që të na tregonte udhën për të pasur një marrëdhënie të miratuar me Të, edhe pse kjo i kushtoi shumë. (1 Gjonit 4:9, 10) Urojmë që të ndihesh i nxitur, madje i shtyrë, t’i përgjigjesh kësaj dashurie të madhe që të është treguar, duke pranuar dhe duke vepruar sipas ftesës së Jezuit: «Bëhu ithtari im.»​—Gjoni 1:43.

^ Kaq i rëndësishëm është roli i Birit, sa Bibla i jep atij disa emra profetikë dhe tituj.​—Shih  kutinë në faqen 23.

^ Shih, për shembull, fjalët e Jezuit te Mateu 10:29-31; 18:12-14, 21-35; 22:36-40.

^ Te Gjoni 14:6, përdorimi i përemrit pronor «unë» bashkë me trajtën e shquar të fjalës «udha», thekson se pozita e Jezuit është unike, pra që ai është e vetmja udhë nëpërmjet së cilës mund t’i afrohemi Atit.