KAPITULLI 2
«Do të jeni dëshmitarët e mi»
Jezui përgatiti apostujt që të merrnin drejtimin në veprën e predikimit
Bazuar te Veprat 1:1-26
1-3. Përshkruaj momentin e ndarjes së Jezuit me apostujt. Cilat pyetje lindin?
PËR apostujt, kjo periudhë ishte vërtet emocionuese, ndaj nuk donin që të mbaronte. Ringjallja e Jezuit, ua kishte kthyer dëshpërimin e tejskajshëm në një gëzim të pamasë. Për 40 ditë Jezui u ishte shfaqur herë pas here ithtarëve të tij, duke i mësuar dhe duke u dhënë zemër. Por sot, po u shfaqej për herë të fundit.
2 Të mbledhur në Malin e Ullinjve, apostujt përpinë çdo fjalë të Jezuit. Koha fluturoi, dhe papritur Jezui mbaroi së foluri, ngriti duart dhe i bekoi. Pastaj nisi të ngrihej nga toka. Apostujt e vështruan ngultas teksa ngjitej në qiell. Në fund, një re ua fshehu nga sytë. Jezui ishte zhdukur, por ata vazhdonin t’i mbanin sytë ngulur drejt qiellit.—Luka 24:50; Vep. 1:9, 10.
3 Kjo ngjarje shënoi një pikë kthese në jetën e apostujve të Jezuit. Ç’do të bënin tani që Zotëria i tyre, Jezu Krishti, ishte ngjitur në qiell? Me siguri ai i kishte stërvitur që të vazhdonin veprën që nisi. Si i përgatiti për këtë caktim të rëndësishëm dhe si reaguan ata? Si ndikon kjo te të krishterët sot? Kapitulli i parë i Veprave siguron përgjigje zemërdhënëse.
«Shumë prova bindëse» (Veprat 1:1-5)
4. Si e nis Luka librin e Veprave?
4 Luka e nis librin e Veprave duke iu drejtuar Teofilit, të cilit i kishte adresuar më parë edhe Ungjillin. a Gjithashtu e fillon me një përmbledhje të ngjarjeve të dokumentuara në fund të Ungjillit. Meqë përdor shprehje disi më ndryshe dhe jep hollësi të reja, lexuesit mund të arrijnë në përfundimin se do të flasë për ngjarjet pas vdekjes së Jezuit.
5, 6. (a) Çfarë do t’i ndihmonte dishepujt e Jezuit ta mbanin të fortë besimin? (b) Në ç’mënyrë besimi i të krishterëve sot bazohet në «shumë prova bindëse»?
5 Çfarë do t’i ndihmonte dishepujt e Jezuit ta mbanin të fortë besimin? Te Veprat 1:3 lexojmë për Jezuin: «Iu shfaq i gjallë atyre me shumë prova bindëse.» Në Bibël, vetëm «mjeku i dashur» Lukë e përdor fjalën që përkthehet «prova bindëse». (Kolos. 4:14) Ky term përdorej në librat mjekësorë dhe tregonte se provat ishin të qarta e të pakundërshtueshme. Jezui ua dha këto prova dishepujve, duke iu shfaqur shumë herë: disa herë një a dy vetave, nganjëherë të gjithë apostujve dhe në një rast më tepër se 500 vetave. (1 Kor. 15:3-6) Vërtet prova bindëse!
6 Edhe sot besimi i të krishterëve të vërtetë bazohet në «shumë prova bindëse». A ka prova se Jezui ka jetuar në tokë, ka vdekur për mëkatet tona dhe është ringjallur? Patjetër që po. Gjithë provat bindëse të nevojshme, i gjejmë në tregimet e besueshme të dëshmitarëve okularë në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. Kur studiojmë këto tregime dhe lutemi për ndihmë që t’i kuptojmë, na forcohet gjithnjë e më tepër besimi. Të mos harrojmë se provat e forta janë ato që e dallojnë besimin e vërtetë nga ai i verbër. Besimi i vërtetë është thelbësor për të fituar jetën e përhershme.—Gjoni 3:16.
7. Çfarë shembulli u la Jezui dishepujve për predikimin dhe mësimdhënien?
7 Veç kësaj, Jezui fliste «rreth Mbretërisë së Perëndisë». Për shembull, i shpjegonte profecitë që tregonin se Mesia duhej të vuante e të vdiste. (Luka 24:13-32, 46, 47) Kur fliste për rolin e tij si Mesia, Jezui po e vinte theksin te Mbretëria e Perëndisë, meqë ishte Mbreti i saj i emëruar. Mbretëria ishte gjithnjë tema e predikimit të Jezuit, dhe sot e kësaj dite dishepujt e tij predikojnë për të njëjtën gjë.—Mat. 24:14; Luka 4:43.
«Deri në skajin më të largët të tokës» (Veprat 1:6-12)
8, 9. (a) Cilat ishin dy idetë e gabuara që kishin apostujt e Jezuit? (b) Si ua korrigjoi këto ide Jezui apostujve dhe ç’mësim nxjerrin të krishterët sot?
8 Takimi në Malin e Ullinjve ishte i fundit që patën apostujt me Jezuin në tokë. Me padurim e pyetën: «Zotëri, në këtë kohë do ta rivendosësh mbretërinë e Izraelit?» (Vep. 1:6) Kjo pyetje zbuloi se apostujt kishin 2 ide të gabuara. Së pari, mendonin se Mbretëria e Perëndisë do të rivendosej në Izraelin natyror. Së dyti, pritnin që Mbretëria e premtuar të niste të qeveriste menjëherë, ‘në atë kohë’. Si i ndihmoi Jezui t’i ndreqnin këto ide?
9 Ka mundësi që Jezui ta dinte se ideja e parë do të ndreqej shumë shpejt. Në fakt, vetëm 10 ditë më vonë, dishepujt do të shihnin me sytë e tyre lindjen e një kombi të ri, Izraelit të figurshëm. Edhe pak dhe Perëndia nuk do të merrej më me Izraelin natyror. Sa për idenë e dytë, Jezui u kujtoi me dashamirësi: «Nuk ju takon juve të njihni kohët ose stinët që ka vendosur Ati me autoritetin e vet.» (Vep. 1:7) Afatet kohore i cakton Jehovai. Vetë Jezui, kur ishte në tokë, tha se deri në atë moment as Biri nuk e dinte «ditën ose orën» kur do të vinte fundi, por «vetëm Ati». (Mat. 24:36) Edhe sot, nëse të krishterët fillojnë të shqetësohen së tepërmi se kur do të vijë fundi i këtij sistemi, në të vërtetë po shqetësohen për diçka që nuk u takon.
10. Cilin qëndrim të apostujve duhet të zhvillojmë, dhe përse?
10 Gjithsesi duhet të kemi kujdes të mos i gjykojmë apostujt e Jezuit. Ata ishin burra me besim të jashtëzakonshëm dhe e pranuan me përulësi ndreqjen. Për më tepër, pyetja e tyre, ndonëse u nis nga ide të gabuara, zbuloi se kishin një qëndrim të mirë. Herë pas here Jezui i kishte nxitur dishepujt: «Qëndroni vigjilentë.» (Mat. 24:42; 25:13; 26:41) Ata ishin syçelë dhe pritnin me padurim prova se Jehovai ishte gati të vepronte. Këtë qëndrim duhet të zhvillojmë edhe ne. Në fakt, në këto ‘ditë të fundit’ është edhe më urgjente të jemi të tillë.—2 Tim. 3:1-5.
11, 12. (a) Cilin caktim u dha Jezui dishepujve të tij? (b) Pse Jezui përmendi frymën e shenjtë kur u dha caktimin për të predikuar?
11 Jezui u kujtoi apostujve ku duhej të përqendroheshin. U tha: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Fillimisht lajmi për ringjalljen e Jezuit do të shpallej në Jerusalem, pikërisht aty ku e kishin vrarë. Që aty, mesazhi do të përhapej në mbarë Judenë, pastaj në Samari e më pas gjithandej.
12 Para se Jezui t’i dërgonte dishepujt të predikonin, u kujtoi se do t’u jepte si ndihmës frymën e shenjtë. Ky është një nga më shumë se 40 rastet kur përmendet «fryma e shenjtë» në librin e Veprave. Sa e sa herë ky libër plot ngjarje tregon qartë se nuk e bëjmë dot vullnetin e Jehovait pa ndihmën e frymës së shenjtë. Sa e rëndësishme është të lutemi gjithnjë për të! (Luka 11:13) Tani na duhet më tepër se kurrë.
13. Ç’përmasa ka caktimi i predikimit që i është dhënë popullit të Perëndisë sot dhe përse duhet ta pranojmë me gjithë zemër?
13 Që prej asaj kohe, koncepti për «skajin më të largët të tokës» ka ndryshuar. Por siç e thamë në kapitullin e mëparshëm, Dëshmitarët e Jehovait e kanë pranuar me gjithë zemër caktimin për të dhënë dëshmi, duke ditur se Perëndia dëshiron që njerëz të çdo lloji të dëgjojnë lajmin e mirë për Mbretërinë. (1 Tim. 2:3, 4) A je përfshirë tërësisht në këtë vepër jetëshpëtuese? Vepër më të kënaqshme e më shpërblyese s’gjen. Jehovai do të të japë fuqinë që të nevojitet. Libri i Veprave do të të tregojë më shumë për metodat që duhet të përdorësh e për qëndrimin që duhet të zhvillosh, që të jesh i efektshëm.
14, 15. (a) Ç’thanë engjëjt për kthimin e Krishtit dhe ku e kishin fjalën? (Shih edhe shënimin.) (b) Në ç’kuptim kthimi i Krishtit do të ishte «në të njëjtën mënyrë» si ikja e tij?
14 Në fillim të kapitullit thamë se Jezui u ngrit nga toka dhe u zhduk nga sytë e njerëzve. Megjithatë, 11 apostujt mbetën atje me sytë ngulur drejt qiellit. Në fund, iu shfaqën 2 engjëj, që i ndreqën me mirëdashje: «Burra të Galilesë, pse rrini e vështroni qiellin? Ky Jezu që u mor nga mesi juaj dhe u ngjit në qiell, do të vijë në të njëjtën mënyrë që e keni parë të shkonte në qiell.» (Vep. 1:11) A donin të thoshin engjëjt se Jezui do të kthehej me të njëjtin trup, siç mësojnë disa fe? Jo, nuk kishin ndër mend këtë. Si e dimë?
15 Engjëjt thanë se Jezui do të kthehej «në të njëjtën mënyrë» siç shkoi në qiell, jo në të njëjtën formë. b Në ç’mënyrë iku ai? Apostujt nuk po e shihnin më Jezuin kur engjëjt u folën. Vetëm këta pak burra e kuptuan se Jezui ishte larguar nga toka dhe po shkonte tek Ati i tij në qiell. Krishti do të kthehej në të njëjtën mënyrë, dhe kështu ndodhi. Sot, vetëm ata që i kuptojnë Shkrimet dhe shquajnë domethënien e kohëve, e dallojnë se Jezui është kthyer me pushtet mbretëror. (Luka 17:20) Prandaj duhet të dallojmë provat se ai është i pranishëm dhe t’ua përcjellim të tjerëve, që edhe ata ta kuptojnë urgjencën e kohëve.
Veprat 1:13-26)
«Na trego cilin . . . ke zgjedhur» (16-18. (a) Ç’mësojmë nga Veprat 1:13, 14 për mbledhjet e krishtere? (b) Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Marisë, nënës së Jezuit? (c) Pse mbledhjet e krishtere janë jetësore sot?
16 Nuk habitemi që apostujt «u kthyen me gëzim të madh në Jerusalem». (Luka 24:52) Por si do të reagonin ndaj udhëheqjes dhe udhëzimeve të Krishtit? Në vargjet 13 dhe 14 të kapitullit të parë të Veprave, tregohet se ata u mblodhën «në dhomën e sipërme», si dhe jepen disa hollësi interesante për mbledhje të tilla. Në Palestinën e asaj kohe, zakonisht shtëpitë kishin një dhomë të sipërme, me shkallë nga jashtë. Mos ndoshta ajo ‘dhomë e sipërme’ ishte në shtëpinë e mamasë së Markut, të përmendur te Veprat 12:12? Sidoqoftë, ka mundësi të ketë qenë një vend i thjeshtë e praktik ku mblidheshin dishepujt e Krishtit. Por cilët ishin mbledhur atje dhe përse?
17 Në këtë mbledhje nuk kishte vetëm apostuj apo vetëm burra. Kishte edhe «disa gra», e ndër to nëna e Jezuit, Maria. Kjo është hera e fundit që ajo përmendet drejtpërdrejt në Bibël. Është me vend ta përfytyrojmë kështu: duke u mbledhur përulësisht për të adhuruar Jehovain me vëllezërit e motrat në besim, jo duke kërkuar të shquhej. Sa ngushëlluese duhet të ketë qenë për të, që 4 djemtë e tjerë, të cilët sa qe gjallë Jezui nuk u bënë të krishterë, tani ishin atje! (Mat. 13:55; Gjoni 7:5) Ata ndryshuan qëndrim që pas vdekjes dhe ringjalljes së gjysmëvëllait të tyre.—1 Kor. 15:7.
18 Shiko pse ishin mbledhur këta dishepuj: «Të gjithë, në një mendje, po ngulmonin në lutje.» (Vep. 1:14) Mbledhjet kanë qenë gjithnjë thelbësore për adhurimin e krishterë. Mblidhemi së bashku që të inkurajojmë njëri-tjetrin, të marrim udhëzime e këshilla dhe, mbi të gjitha, të adhurojmë Atin tonë qiellor, Jehovain. Lutjet dhe këngët e lavdisë që ofrojmë në këto raste, i pëlqejnë shumë atij dhe janë jetësore për ne. Le të mos i braktisim kurrë këto mbledhje të shenjta e inkurajuese!—Hebr. 10:24, 25.
19-21. (a) Ç’mësojmë nga fakti që Pjetri mori drejtimin në zgjidhjen e një çështjeje të rëndësishme në kongregacion? (b) Pse duhej zëvendësuar Juda dhe ç’mësojmë nga mënyra si u trajtua çështja?
19 Ata dishepuj të Krishtit tani gjendeshin para një çështjeje të rëndësishme organizative, dhe apostulli Pjetër mori drejtimin për zgjidhjen e saj. (Vargjet 15-26) A nuk ngushëllohemi kur shohim sa kishte përparuar Pjetri në krahasim me disa javë më parë, kur kishte mohuar tri herë Zotërinë? (Mar. 14:72) Të gjithë kemi prirjen të mëkatojmë dhe kemi nevojë për përkujtues se Jehovai ‘është i mirë dhe mezi pret të falë’ ata që pendohen sinqerisht.—Psal. 86:5.
20 Pjetri kuptoi se Juda, apostulli që tradhtoi Jezuin, duhej zëvendësuar. Por kush do t’ia zinte vendin? Ai që do të zgjidhej si apostull i ri, duhej ta kishte ndjekur Jezuin gjatë gjithë shërbimit të tij dhe të kishte qenë dëshmitar i ringjalljes së tij. (Vep. 1:21, 22) Kjo ishte në përputhje me premtimin e vetë Jezuit: «Ju që më keni ndjekur, do të uleni në 12 frone dhe do të gjykoni 12 fiset e Izraelit.» (Mat. 19:28) Duket se Jehovai kishte si qëllim që 12 apostujt që ndoqën Jezuin gjatë shërbimit në tokë, të përbënin ‘12 gurët e themelit’ të Jerusalemit të Ri. (Zbul. 21:2, 14) Ja pse Perëndia e ndihmoi Pjetrin të kuptonte se profecia që thoshte «tjetërkush ia marrtë detyrën e mbikëqyrjes», i referohej Judës.—Psal. 109:8.
21 Si u bë zgjedhja? Duke hedhur short, një praktikë e zakonshme e kohëve të lashta. (Prov. 16:33) Ama kjo është hera e fundit që Bibla përmend përdorimin e shortit. Me sa duket, pas derdhjes së frymës së shenjtë, kjo metodë nuk u përdor më. Gjithsesi, shiko pse u përdor shorti. Apostujt u lutën: «Ti, o Jehova, që njeh zemrat e të gjithëve, na trego cilin prej këtyre dy burrave ke zgjedhur.» (Vep. 1:23, 24) Pra donin që zgjedhjen ta bënte Jehovai. Shorti i ra Matias, i cili mund të ketë qenë një nga 70 dishepujt që Jezui i dërgoi të predikonin. Kështu, Matia u bë një nga «të Dymbëdhjetët». c—Vep. 6:2.
22, 23. Pse duhet t’u nënshtrohemi e t’u bindemi atyre që marrin drejtimin sot në kongregacion?
22 Kjo ngjarje na sjell ndër mend rëndësinë e organizimit në popullin e Perëndisë. Edhe sot e kësaj dite, burra të besueshëm zgjidhen që të shërbejnë si mbikëqyrës në kongregacion. Pleqtë i shqyrtojnë me kujdes kualifikimet që ka Bibla për emërimin e këtyre mbikëqyrësve dhe luten për drejtimin e frymës së shenjtë. Prandaj, kongregacioni i konsideron ata si të emëruar nga fryma e shenjtë. Secili nga ne i nënshtrohet dhe i bindet gjithnjë drejtimit të tyre, duke nxitur frymën e bashkëpunimit në kongregacion.—Hebr. 13:17.
23 Tani që u forcuan ngaqë panë Jezuin të ringjallur dhe nga ndryshimet që ndihmuan organizimin e veprës, dishepujt ishin plotësisht të përgatitur për atë që i priste, siç do të shohim në kapitullin vijues.
a Në Ungjillin e tij, Luka i drejtohet këtij njeriu si «o fort i shkëlqyer Teofil». Kjo ka bërë që disa të mendojnë se Teofili mund të ketë qenë një njeri i shquar që ende nuk ishte i krishterë. (Luka 1:3) Kurse te Veprat, Luka i drejtohet thjesht «o Teofil». Disa studiues mendojnë se Teofili u bë i krishterë pasi lexoi Ungjillin e Lukës, prandaj, sipas tyre, Luka nuk e përdor më titullin nderues dhe i shkruan atij si një vëllai në besim.
b Këtu Bibla përdor fjalën greke trópos, që do të thotë «mënyrë», jo morfé, që do të thotë «formë».
c Më vonë, Pavli u emërua «apostull i kombeve», por nuk u llogarit kurrë ndër të Dymbëdhjetët. (Rom. 11:13; 1 Kor. 15:4-8) Nuk kualifikohej për këtë privilegj të veçantë sepse s’e kishte ndjekur Jezuin gjatë shërbimit të tij në tokë.