KAPITULLI 9
«Perëndia nuk është i anshëm»
Vepra e predikimit u përhap te jojudenjtë e parrethprerë
Bazuar te Veprat 10:1–11:30
1-3. Ç’vegim pa Pjetri dhe pse duhet t’ia dimë domethënien?
ISHTE viti 36 i e.s. Dielli i vjeshtës lëshonte rreze të ngrohta ndërkohë që Pjetri lutej në tarracën e një shtëpie pranë detit, në qytetin-port të Jopës. Kishte disa ditë që ishte mysafir në këtë shtëpi. S’e kishte problem të rrinte aty, dhe kjo tregonte deri diku se s’kishte paragjykime. I zoti i shtëpisë, njëfarë Simoni, kishte si zanat regjjen e lëkurëve, dhe jo të gjithë judenjtë do të rrinin në shtëpinë e një njeriu të tillë. a Gjithsesi, pas pak Pjetri do të merrte një mësim jetësor për paanshmërinë e Jehovait.
2 Tek lutej, Pjetri pa një vegim. Ajo që pa, do të kishte turbulluar çdo jude. Nga qielli zbriti një enë si një pëlhurë, në të cilën ndodheshin kafshë të papastra sipas Ligjit. Kur iu tha të therte e të hante, Pjetri u përgjigj: «Asnjëherë nuk kam ngrënë diçka të ndotur a të papastër.» Jo një, por tri herë iu tha: «Mos i quaj më të ndotura gjërat që Perëndia i ka pastruar.» (Vep. 10:14-16) Ai mbeti i hutuar nga ky vegim, por jo për shumë kohë.
3 Ç’domethënie kishte vegimi i Pjetrit? Është e rëndësishme ta dimë, sepse në thelb të vegimit ka një të vërtetë të thellë për mënyrën si i sheh Jehovai njerëzit. Si të krishterë të vërtetë, s’mund të japim dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë, po të mos mësojmë t’i shohim të tjerët siç i sheh ai. Për të zbuluar domethënien e vegimit të Pjetrit, le të analizojmë ngjarjet dramatike që ndodhën në atë kohë.
«I përgjërohej vazhdimisht Perëndisë» (Veprat 10:1-8)
4, 5. Kush ishte Korneli dhe ç’ndodhi ndërsa po lutej?
4 Pjetri nuk e dinte se një ditë më parë, në Cezare, rreth 50 kilometra më në veri, edhe një njeri me emrin Kornel kishte marrë një vegim nga Perëndia. Korneli, një centurion i ushtrisë romake, ishte «njeri i devotshëm». b Ishte edhe kryefamiljar shembullor, sepse «e nderonte thellësisht Perëndinë bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së tij». Korneli nuk ishte prozelit jude, por jojude i parrethprerë. E megjithatë, tregonte dhembshuri për judenjtë e varfër, duke i ndihmuar materialisht. Ky njeri i sinqertë «i përgjërohej vazhdimisht Perëndisë».—Vep. 10:2.
5 Rreth orës 3 pasdite, kur Korneli po lutej, pa një vegim, dhe një engjëll i tha: «Perëndia u kushton vëmendje e nuk i harron lutjet e tua dhe dhuratat e tua për të varfrit.» (Vep. 10:4) Sipas udhëzimeve të engjëllit, Korneli dërgoi njerëz të thërritnin apostullin Pjetër. Si jojude i parrethprerë, Korneli po hynte në një derë që deri në atë moment kishte qenë e mbyllur për të. Pas pak do të dëgjonte lajmin e mirë të shpëtimit.
6, 7. (a) Trego një eksperiencë se si u përgjigjet Perëndia lutjeve të njerëzve të sinqertë që duan të dinë të vërtetën për të. (b) Ç’përfundim nxjerrim nga eksperienca të tilla?
6 A u përgjigjet sot Perëndia lutjeve të njerëzve të sinqertë që duan të mësojnë të vërtetën për të? Të shohim një eksperiencë. Një grua në Shqipëri pranoi një revistë Kulla e Rojës që kishte një artikull për rritjen e fëmijëve. c Më pas, i tha Dëshmitares që e vizitoi: «Të besohet se po i lutesha Perëndisë për ndihmë që të rritja vajzat?! Të ka dërguar ai tek unë! Më preke zemrën! Pikërisht për këtë kisha nevojë.» Gruaja dhe vajzat nisën të studionin, e më vonë me to u bashkua edhe i shoqi.
7 A është ky i vetmi rast? Aspak! Eksperienca të tilla kanë ndodhur shumë herë përreth botës, aq shpesh sa nuk mund të quhen rastësi. Atëherë, ç’përfundim nxjerrim? Së pari, Jehovai u përgjigjet lutjeve të njerëzve të sinqertë që duan ta njohin. (1 Mbret. 8:41-43; Psal. 65:2) Së dyti, në veprën e predikimit kemi mbështetjen e engjëjve.—Zbul. 14:6, 7.
Veprat 10:9-23a)
«Pjetri po vriste mendjen» (8, 9. Çfarë i zbuloi fryma Pjetrit dhe si reagoi ai?
8 Pjetri ishte ende në tarracë ‘duke vrarë mendjen për domethënien e vegimit’, kur burrat e dërguar nga Korneli iu afruan shtëpisë. (Vep. 10:17) Tri herë Pjetri kishte thënë se nuk do të hante ushqime që konsideroheshin të papastra sipas Ligjit. A do të pranonte tani të shkonte me ata burra në shtëpinë e një jojudeu? Perëndia përdori frymën e shenjtë për t’i zbuluar Pjetrit vullnetin e tij për këtë çështje. Pjetrit iu tha: «Po të kërkojnë tre burra. Ngrihu, pra, zbrit poshtë e shko me ta, pa dyshuar aspak, se i kam dërguar unë.» (Vep. 10:19, 20) Vegimi për kafshët e papastra, pa dyshim e përgatiti Pjetrin t’i bindej drejtimit të frymës së shenjtë.
9 Kur mori vesh se Kornelin e kishte udhëzuar një engjëll që ta thërriste, Pjetri i ftoi burrat jojudenj në shtëpi «dhe i mbajti si mysafirë atë natë». (Vep. 10:23a) Pjetri tashmë kishte filluar të ndryshonte mënyrën e të menduarit kur kuptoi cili ishte vullneti i Perëndisë.
10. Si e drejton Jehovai popullin e tij dhe cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
10 Edhe sot, Jehovai e drejton në mënyrë progresive popullin e tij. (Prov. 4:18) Me anë të frymës së shenjtë, ai po udhëheq ‘skllavin besnik dhe të mençur’. (Mat. 24:45) Nganjëherë mund të ketë qartësime në kuptueshmërinë e Fjalës së Perëndisë ose ndryshime në disa procedura organizative. Duhet të pyesim veten: «Si reagoj ndaj këtyre përmirësimeve? A i nënshtrohem drejtimit të frymës së Perëndisë në këto çështje?»
Pjetri «i urdhëroi të pagëzoheshin» (Veprat 10:23b-48)
11, 12. Ç’bëri Pjetri me të mbërritur në Cezare dhe ç’mësim kishte nxjerrë?
11 Një ditë pasi mori vegimin, Pjetri dhe nëntë të tjerë, tre burrat që dërgoi Korneli dhe «gjashtë vëllezër [judenj]» nga Jopa, u nisën për në Cezare. (Vep. 11:12) Ndërsa priste Pjetrin, Korneli «kishte mbledhur farefisin e miqtë e ngushtë», me sa duket të gjithë jojudenj. (Vep. 10:24) Kur vajti atje, Pjetri bëri diçka që më parë as do ta kishte çuar nëpër mend: hyri në shtëpinë e një jojudeu të parrethprerë. Ai shpjegoi: «Ju e dini mirë se për një jude është e paligjshme të shoqërohet a t’i afrohet një jojudeu. E megjithatë, Perëndia më tregoi se nuk duhet të quaj asnjeri të ndotur ose të papastër.» (Vep. 10:28) Tani kishte arritur të kuptonte se vegimi që kishte marrë, përmbante një mësim që nuk kishte të bënte vetëm me llojet e ushqimeve që mund të hante. Nuk duhej të quante «asnjeri [qoftë edhe një jojude] të ndotur».
12 Të gjithë ata të shtëpisë së Kornelit ishin të gatshëm për ta dëgjuar Pjetrin. «Të gjithë jemi këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që Jehovai të ka urdhëruar të thuash»,—shpjegoi Korneli. (Vep. 10:33) Mendo si do të ndiheshe po të dëgjoje këto fjalë nga dikush që do të donte të mësonte për Jehovain! Pjetri filloi me këtë deklaratë të fuqishme: «Tani e kuptoj fare qartë se Perëndia nuk është i anshëm, por pranon nga çdo komb këdo që e nderon thellësisht dhe që bën atë që është e drejtë.» (Vep. 10:34, 35) Ai kishte mësuar se pikëpamja e Perëndisë për njerëzit nuk përcaktohet nga raca, kombësia ose ndonjë faktor tjetër i jashtëm. Më pas, vazhdoi të jepte dëshmi për shërbimin, vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit.
13, 14. (a) Ç’domethënie kishte fakti që njerëz të kombeve u bënë të krishterë, në vitin 36 të e.s.? (b) Pse s’duhet t’i gjykojmë njerëzit nga paraqitja e jashtme?
13 Në këtë pikë, ndodhi diçka që s’kishte ndodhur kurrë më parë: «Ndërsa Pjetri po fliste», fryma e shenjtë u derdh mbi ata ‘njerëz të kombeve’. (Vep. 10:44, 45) Ky është i vetmi rast i dokumentuar në Shkrime kur fryma e shenjtë u derdh mbi dikë para pagëzimit. Pjetri e dalloi këtë shenjë të miratimit të Perëndisë dhe «urdhëroi [grupin e jojudenjve] të pagëzoheshin». (Vep. 10:48) Kur këta njerëz të kombeve u bënë të krishterë, në vitin 36 të e.s., kjo shënoi fundin e periudhës së favorit të veçantë që u ishte treguar judenjve. (Dan. 9:24-27) Duke marrë drejtimin në këtë rast, Pjetri përdori të tretin dhe të fundit nga «çelësat e Mbretërisë». (Mat. 16:19) Ky çelës u hapi derën jojudenjve të parrethprerë të bëheshin të krishterë të mirosur.
14 Sot lajmëtarët e Mbretërisë e kuptojnë se «Perëndia nuk është i anshëm». (Rom. 2:11) Vullneti i tij është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë». (1 Tim. 2:4) Prandaj, kurrë nuk duhet t’i gjykojmë njerëzit nga paraqitja e jashtme. Detyra jonë është të japim dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë, dhe kjo përfshin t’u predikojmë të gjithëve, pavarësisht nga raca, kombësia, pamja e jashtme ose prejardhja fetare.
«Ata nuk kundërshtuan më dhe i dhanë lavdi Perëndisë» (Veprat 11:1-18)
15, 16. Pse debatuan me Pjetrin disa të krishterë judenj, dhe çfarë arsyesh dha ai për veprimet e tij?
15 Pa dyshim, tërë zell për të treguar ç’kishte ndodhur, Pjetri u nis për në Jerusalem. Por me sa duket lajmi se jojudenjtë e parrethprerë «kishin pranuar fjalën e Perëndisë», kishte mbërritur para tij. Pak pasi mbërriti Pjetri, «përkrahësit e rrethprerjes nisën ta kritikonin». Ishin të shqetësuar që ai kishte hyrë ‘në shtëpinë e të parrethprerëve e kishte ngrënë me ta’. (Vep. 11:1-3) Nuk ishte puna nëse jojudenjtë mund të bëheshin të krishterë apo jo. Në të vërtetë ata dishepuj judenj ngulnin këmbë se jojudenjtë duhej të zbatonin Ligjin, ku përfshihej edhe rrethprerja, që ta adhuronin Jehovain në mënyrë të pranueshme. Dukej qartë se disa dishepuj judenj e kishin të vështirë të shkëputeshin nga Ligji i Moisiut.
16 Çfarë arsyesh dha Pjetri për veprimet e tij? Sipas Veprave 11:4-16, ai paraqiti 4 prova të drejtimit hyjnor: (1) vegimin që kishte marrë nga Perëndia (vargjet 4-10); (2) urdhrin që i kishte dhënë fryma (vargjet 11, 12); (3) vizitën që i bëri engjëlli Kornelit (vargjet 13, 14) dhe (4) derdhjen e frymës së shenjtë mbi jojudenjtë (vargjet 15, 16). Në fund, bëri këtë arsyetim bindës: «Prandaj, nëse Perëndia u dha atyre [jojudenjve që besuan] të njëjtën dhuratë [të frymës së shenjtë] që na dha edhe neve [judenjve] që besuam në Zotërinë Jezu Krisht, kush isha unë që të pengoja Perëndinë?»—Vep. 11:17.
17, 18. (a) Para cilës provë i vuri të krishterët judenj dëshmia e Pjetrit? (b) Pse mund të jetë e vështirë të ruhet uniteti i kongregacionit, dhe cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
17 Dëshmia e Pjetrit i vuri para një prove vendimtare ata të krishterë judenj. A do të arrinin të çliroheshin nga çdo gjurmë paragjykimi e t’i pranonin si të bashkëkrishterë jojudenjtë e sapopagëzuar? Tregimi na thotë: «Kur dëgjuan këto, ata [apostujt dhe të krishterët e tjerë judenj] nuk kundërshtuan më dhe i dhanë lavdi Perëndisë me fjalët: ‘E pra, Perëndia u ka dhënë edhe njerëzve të kombeve mundësinë që të pendohen, e kështu të kenë jetë.’» (Vep. 11:18) Ky qëndrim pozitiv ruajti unitetin e kongregacionit.
18 Edhe sot mund të jetë e vështirë të ruhet uniteti, sepse adhuruesit e vërtetë vijnë «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». (Zbul. 7:9) Prandaj, në shumë kongregacione kemi njerëz të racave, kulturave dhe formimeve të ndryshme. Bëjmë mirë të pyesim veten: «A kam çrrënjosur nga zemra çdo gjurmë paragjykimi? A jam i vendosur të mos i lejoj kurrë veçoritë përçarëse të kësaj bote, si nacionalizmin, krenarinë fisnore, krenarinë për kulturën dhe racizmin, të ndikojnë në mënyrën si i trajtoj vëllezërit e mi të krishterë?» Mos harro ç’i ndodhi Pjetrit (Kefës) disa vjet pasi jojudenjtë e parë u bënë të krishterë. I ndikuar nga paragjykimi i të tjerëve, ai ‘nuk rrinte më’ me të krishterët jojudenj dhe Pavlit iu desh ta qortonte. (Gal. 2:11-14) Të jemi gjithnjë syçelë ndaj kurthit të paragjykimeve.
Veprat 11:19-26a)
«Një numër i madh njerëzish besuan» (19. Kujt nisën t’i predikonin të krishterët judenj në Antioki dhe me ç’rezultat?
19 A nisën t’u predikonin dishepujt e Jezuit jojudenjve të parrethprerë? Shiko ç’ndodhi më vonë në Antiokinë e Sirisë. d Në këtë qytet kishte një komunitet të madh judenjsh. Mes tyre dhe jojudenjve s’kishte fërkime. Prandaj, në Antioki ishte atmosfera e duhur për t’u predikuar jojudenjve. Pikërisht atje, disa dishepuj judenj nisën t’u shpallnin lajmin e mirë «atyre që flitnin greqisht». (Vep. 11:20) Predikimi i tyre nuk u kufizua vetëm te judenjtë që flitnin greqisht, por edhe te jojudenjtë e parrethprerë. Jehovai e bekoi veprën, dhe «një numër i madh njerëzish besuan».—Vep. 11:21.
20, 21. Si tregoi Barnaba modestinë e duhur e si mund ta shfaqim edhe ne këtë cilësi ndërsa kryejmë shërbimin?
20 Për t’u predikuar njerëzve të gatshëm për të dëgjuar, kongregacioni i Jerusalemit dërgoi Barnabën në Antioki. Me sa duket, ai s’mund ta përballonte i vetëm interesin e madh që gjeti. E kush më mirë sesa Sauli mund ta ndihmonte, meqë do të bëhej apostull i kombeve? (Vep. 9:15; Rom. 1:5) A do ta shihte Barnaba si rival Saulin? Përkundrazi, ai tregoi modestinë e duhur. Mori iniciativën dhe shkoi në Tars, e kërkoi dhe e mori me vete në Antioki që ta ndihmonte. Së bashku kaluan një vit duke inkurajuar dishepujt në atë kongregacion.—Vep. 11:22-26a.
21 Si mund të tregojmë edhe ne modesti ndërsa kryejmë shërbimin? Kjo cilësi përfshin të pranojmë kufizimet. Të gjithë kemi aftësi e pika të forta. Për shembull, disa mund të jenë të aftë në dëshminë joformale ose shtëpi më shtëpi, por e kanë të vështirë të bëjnë rivizita ose të nisin studime të Biblës. Pse të mos kërkosh ndihmë, nëse do që të përmirësosh ndonjë aspekt të shërbimit? Duke marrë iniciativën, mund të bëhesh më i frytshëm e të ndiesh më shumë gëzim në shërbim.—1 Kor. 9:26.
«Ndihmë për vëllezërit» (Veprat 11:26b-30)
22, 23. Si e shprehën vëllezërit në Antioki dashurinë e tyre vëllazërore, dhe si bën të njëjtën gjë sot populli i Perëndisë?
22 «Në Antioki, me anë të drejtimit hyjnor, dishepujt u quajtën për herë të parë ‘të krishterë’.» (Vep. 11:26b) Ky emër i miratuar nga Perëndia përshkruan më së miri ata që duan të ndjekin Krishtin. Kur njerëzit e kombeve u bënë të krishterë, a filloi të shtohej dashuria mes tyre dhe judenjve? Shqyrto ç’ndodhi kur ra një zi buke e madhe rreth vitit 46 të e.s. e Në kohët e lashta, zia e bukës prekte më tepër të varfrit, që s’kishin as para mënjanë, as ushqime rezervë. Gjatë kësaj zie, të krishterët judenj që jetonin në Jude (shumë prej të cilëve me sa duket ishin të varfër), kishin nevojë për ushqim e furnizime të tjera. Me ta marrë vesh këtë, vëllezërit në Antioki, duke përfshirë edhe të krishterët jojudenj, u dërguan ‘ndihmë vëllezërve që jetonin në Jude’. (Vep. 11:29) Sa shprehje e sinqertë e dashurisë vëllazërore!
23 Njësoj ndodh edhe sot me popullin e Perëndisë. Kur marrim vesh se vëllezërit tanë, qoftë në zonën tonë, qoftë në një vend tjetër, janë në nevojë, me gatishmëri gjejmë mënyra që t’i ndihmojmë. Komitetet e Degëve menjëherë organizojnë Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash, që kujdesen për vëllezërit tanë që mund të jenë prekur nga katastrofa natyrore, si uragane, tërmete dhe tsuname. Të gjitha këto përpjekje për t’u ardhur në ndihmë, tregojnë se kemi një vëllazëri të vërtetë.—Gjoni 13:34, 35; 1 Gjon. 3:17.
24. Si tregojmë se e marrim seriozisht domethënien e vegimit të Pjetrit?
24 Si të krishterë të vërtetë, e marrim seriozisht domethënien e vegimit që iu dha Pjetrit në tarracën e shtëpisë në Jopë, në shekullin e parë. Adhurojmë një Perëndi të paanshëm. Vullneti i tij është të japim dëshmi të plotë për Mbretërinë e tij, që përfshin t’u predikojmë të tjerëve pavarësisht nga raca, kombi ose pozita shoqërore. Pra, le të jemi të vendosur që kujtdo që do të na dëgjojë, t’i japim mundësinë t’i përgjigjet lajmit të mirë!—Rom. 10:11-13.
a Disa judenj i shihnin me përçmim regjësit e lëkurëve, sepse ky zanat kërkonte prekjen e lëkurëve dhe të kufomave të kafshëve, si dhe të lëndëve të neveritshme për përpunimin e tyre. Regjësit konsideroheshin të padenjë të hynin në tempull dhe biznesi i tyre duhej të pozicionohej të paktën 50 kubitë ose pak më shumë se 22 metra larg qytetit. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht pse shtëpia e Simonit ishte «pranë detit».—Vep. 10:6.
b Shih kutinë « Korneli dhe ushtria romake».
c Artikulli me titull «Këshilla të besueshme për rritjen e fëmijëve», doli në Kullën e Rojës, 1 nëntor 2006, faqet 4-7.
d Shih kutinë « Antiokia e Sirisë».
e Historiani jude Jozef Flavi, flet për këtë ‘zi buke të madhe’ gjatë mbretërimit të perandorit Klaud (41-54 të e.s.).