Letër nga Trupi Udhëheqës
I dashur lajmëtar,
Përfytyro sikur je një nga apostujt që po rri në Malin e Ullinjve. Papritur të shfaqet Jezui. Para se të ngjitet në qiell, thotë: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Si do të reagoje?
Ndoshta, ky caktim do të të dukej tepër i vështirë. Mund të pyesje veten: «E si do të mundemi ne, një grusht dishepujsh, të japim dëshmi ‘deri në skajin më të largët të tokës’?» Ndoshta do të të kujtohej paralajmërimi që dha Jezui një natë para se të vdiste: «Skllavi nuk është më i madh se zotëria. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju. Nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën. Por të gjitha këto do t’i bëjnë kundër jush për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin Atë që më dërgoi.» (Gjoni 15:20, 21) Duke menduar për këto fjalë, mund të pyesje veten: «Si mund të jap dëshmi të plotë përballë një kundërshtimi e përndjekjeje të tillë?»
Edhe sot ngrihen të njëjtat pyetje. Caktimi ynë si Dëshmitarë të Jehovait kërkon që të japim dëshmi të plotë «deri në skajin më të largët të tokës», te «njerëz nga të gjitha kombet». (Mat. 28:19, 20) Si ta kryejmë këtë vepër, sidomos përballë kundërshtimit të parathënë?
Veprat e Apostujve përshkruan ngjarje emocionuese se si apostujt dhe të krishterët e tjerë në shekullin e parë të e.s., me ndihmën e Jehovait, arritën ta përmbushnin caktimin e tyre. Botimi që po lexon tani, është përgatitur që të të ndihmojë të shqyrtosh e të ndiesh emocionet e këtyre ngjarjeve dramatike. Do të habitesh nga ngjashmëritë e shumta që ekzistojnë mes shërbëtorëve të Perëndisë në shekullin e parë dhe popullit të tij sot. Do të shohësh se këto ngjashmëri s’lidhen vetëm me veprën që kryejmë, por edhe me mënyrën si jemi të organizuar për të kryer këtë vepër. Me siguri, meditimi për këto ngjashmëri do të të forcojë bindjen se Perëndia Jehova po vazhdon ta drejtojë pjesën tokësore të organizatës së tij.
Shpresojmë dhe lutemi që shqyrtimi i librit të Veprave të të forcojë besimin se Jehovai do të të ndihmojë dhe se fuqia e frymës së tij të shenjtë do të të mbështetë. Urojmë që ky libër të të nxitë të vazhdosh ‘të japësh dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë e të ndihmosh të tjerë të kenë shpresën për të jetuar përgjithmonë!—Vep. 28:23; 1 Tim. 4:16.
Vëllezërit e tu,
Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait