KAPITULLI 6
Perëndia i dha Stefanit «miratimin e tij dhe fuqi të jashtëzakonshme»
Mësime nga dëshmia e guximshme e Stefanit para Sinedrit
Bazuar te Veprat 6:8–8:3
1-3. (a) Në cilën situatë kritike ndodhej Stefani, por si reagoi? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
STEFANI ishte para Sinedrit. Në një sallë hijerëndë, që ndoshta gjendej pranë tempullit të Jerusalemit, ishin ulur 71 burra në formën e një gjysmërrethi të madh. Kjo gjykatë ishte mbledhur të gjykonte Stefanin. Gjykatësit ishin njerëz të fuqishëm e me autoritet dhe shumë prej tyre nuk kishin fare konsideratë për këtë dishepull të Jezuit. Madje, ai që kishte mbledhur gjykatën ishte kryeprifti Kajafa, i cili kishte drejtuar Sinedrin që dënoi me vdekje Jezu Krishtin, disa muaj më parë. A kishte frikë Stefani?
2 Në atë çast, fytyra e tij kishte marrë një pamje të veçantë. Gjykatësit ia ngulën sytë dhe panë se ishte «si fytyra e një engjëlli». (Vep. 6:15) Engjëjt japin mesazhe nga Perëndia Jehova, prandaj me të drejtë janë të patrembur, të qetë e paqësorë. Njësoj ndihej edhe Stefani, e këtë mund ta shihnin edhe ata gjykatës të mbushur me urrejtje. Po si mund të ishte kaq i qetë?
3 Si të krishterë mund të mësojmë shumë nga përgjigjja e kësaj pyetjeje. Por duhet të dimë edhe arsyen pse arriti Stefani në këtë situatë kritike. Si e kishte mbrojtur më parë besimin e tij? Dhe si mund ta imitojmë?
«Trazuan popullin» (Veprat 6:8-15)
4, 5. (a) Pse Stefani ishte kaq i vyer për kongregacionin? (b) Në ç’kuptim Perëndia i kishte dhënë Stefanit «miratimin e tij dhe fuqi të jashtëzakonshme»?
4 Tashmë e kemi parë se Stefani ishte shumë i vyer për kongregacionin e krishterë të sapoformuar. Në kapitullin e mëparshëm të këtij libri, pamë se ishte një nga 7 burrat e përulur që ishin gati t’u dilnin krah apostujve kur u thirrën të jepnin ndihmë. Përulësia e tij të bën edhe më shumë përshtypje kur mendon për dhuratat me të cilat ishte bekuar. Te Veprat 6:8 lexojmë se Stefani bënte «mrekulli dhe shenja të mëdha», njësoj si disa apostuj. Gjithashtu na thuhet se Perëndia i kishte dhënë «miratimin e tij dhe fuqi të jashtëzakonshme». Ç’do të thotë kjo?
5 Fjala greke e përkthyer «miratim», mund të përkthehet edhe «mirësi». Me sa duket, Stefani ishte i butë, i ëmbël dhe i tërhiqte njerëzit me sjelljen e vet. Mënyra si fliste, e bindte pjesën më të madhe të dëgjuesve se ishte i sinqertë dhe se të vërtetat që po u thoshte, ishin për të mirën e tyre. Ishte plot fuqi, pasi me përulësi lejonte që ta drejtonte fryma e Jehovait. Në vend që të krekosej për dhuratat dhe aftësitë e tij, ia jepte gjithë lavdinë Jehovait dhe interesohej me dashuri për njerëzit me të cilët fliste. Ja pse kundërshtarët e konsideronin një kërcënim.
6-8. (a) Cilat ishin 2 akuzat që ngritën kundër Stefanit kundërshtarët e tij dhe përse? (b) Pse është i dobishëm për të krishterët sot shembulli i Stefanit?
6 Disa burra u ngritën të bënin fjalë me Stefanin, por «nuk mundën t’i bënin ballë mençurisë dhe frymës së shenjtë me anë të së cilës fliste ai». a Të inatosur, «fshehtas, ua mbushën mendjen» ca njerëzve që të akuzonin këtë dishepull të pafajshëm të Krishtit. Gjithashtu «trazuan popullin», pleqtë dhe skribët, e kështu Stefanin e çuan me forcë në Sinedër. (Vep. 6:9-12) Kundërshtarët e akuzuan për dy gjëra: ai blasfemonte kundër Perëndisë dhe kundër Moisiut. Në ç’mënyrë?
7 Akuzuesit e rremë thanë se Stefani blasfemonte kundër Perëndisë, sepse fliste kundër «këtij vendi të shenjtë», domethënë tempullit në Jerusalem. (Vep. 6:13) Sipas tyre, blasfemonte edhe kundër Moisiut, sepse fliste kundër Ligjit të Moisiut, duke ndryshuar zakonet që kishte lënë ai. Këto ishin akuza tepër të rënda, pasi në atë kohë judenjtë i kushtonin shumë rëndësi tempullit, hollësive të Ligjit të Moisiut dhe traditave të shumta gojore që i ishin shtuar atij Ligji. Prandaj, akuzat nënkuptonin se Stefani ishte njeri i rrezikshëm dhe meritonte vdekjen.
8 Mjerisht, nuk është e pazakontë që njerëz fetarë të përdorin taktika të tilla për t’u shkaktuar telashe shërbëtorëve të Perëndisë. Edhe sot e kësaj dite, ka raste kur kundërshtarët fetarë i shtyjnë udhëheqësit politikë t’i përndjekin Dëshmitarët e Jehovait. Si duhet të reagojmë përballë akuzave të shtrembëra ose të rreme? Mund të mësojmë shumë nga Stefani.
Dëshmon me guxim për ‘Perëndinë e lavdisë’ (Veprat 7:1-53)
9, 10. Ç’kanë thënë kritikët për fjalimin e Stefanit para Sinedrit, por çfarë s’duhet të harrojmë?
9 Siç u përmend në fillim të kapitullit, ndërsa dëgjonte akuzat që i bëheshin, fytyra e Stefanit ishte e qetë, engjëllore. Kajafa u kthye nga ai dhe e pyeti: «A është vërtet kështu?» (Vep. 7:1) Tani e kishte radhën Stefani të fliste. E ç’të folur që bëri!
10 Disa kritikë e kanë sulmuar fjalimin që mbajti Stefani, duke pretenduar se, sado i gjatë, nuk u përgjigjet akuzave që i bënë. Por në të vërtetë Stefani na la një shembull të shkëlqyer se si ‘të mbrojmë’ lajmin e mirë. (1 Pjet. 3:15) Të mos harrojmë, atë e akuzuan se blasfemonte kundër Perëndisë duke folur keq për tempullin dhe se blasfemonte kundër Moisiut duke folur keq për Ligjin. Përgjigjja e Stefanit është një përmbledhje e tri fazave të historisë së Izraelit, në të cilën ai thekson me kujdes disa pika kryesore. Le t’i shqyrtojmë një më një këto tri faza.
11, 12. (a) Si e përdori me mjeshtëri Stefani shembullin e Abrahamit? (b) Pse e përmendi Jozefin Stefani gjatë fjalimit?
11 Epoka e patriarkëve. (Vep. 7:1-16) Fillimisht Stefani foli për Abrahamin, të cilin judenjtë e respektonin për besimin e tij. Duke u nisur nga kjo bazë e përbashkët e rëndësishme, Stefani theksoi se Jehovai, «Perëndia i lavdisë», së pari iu shfaq Abrahamit në Mesopotami. (Vep. 7:2) Në fakt, ai ishte banor i ardhur në Tokën e Premtuar. S’kishte as ndonjë tempull, as Ligjin e Moisiut. Atëherë, si mund të ngulte këmbë dikush se besnikëria ndaj Perëndisë duhej të varej patjetër nga një tempull a nga një kod rregullash?
12 Edhe Jozefin, pasardhës të Abrahamit, ata e respektonin shumë, por Stefani u kujtoi se pikërisht vëllezërit e atij njeriu të drejtë, pra etërit e fiseve të Izraelit, e përndoqën dhe e shitën si skllav. E megjithatë, ai ishte mjeti që përdori Perëndia për të shpëtuar Izraelin nga zia e bukës. Pa dyshim, Stefani i dallonte ngjashmëritë e qarta mes Jozefit dhe Jezu Krishtit, por u përmbajt dhe nuk e bëri këtë krahasim, pasi donte që ata ta dëgjonin sa më gjatë.
13. Si e përdori Stefani shembullin e Moisiut për t’iu përgjigjur akuzave kundër tij, dhe cila temë u zhvillua si pasojë?
13 Koha e Moisiut. (Vep. 7:17-43) Stefani foli shumë për Moisiun. Kjo ishte e mençur sepse mjaft pjesëtarë të Sinedrit ishin saducenj e nuk pranonin asnjë libër të Biblës përveç atyre që kishte shkruar Moisiu. Nuk duhet harruar as akuza se Stefani blasfemonte kundër Moisiut. Fjalët e Stefanit i përgjigjeshin drejtpërdrejt kësaj akuze, pasi tregonin se i respektonte jashtëzakonisht Moisiun dhe Ligjin. (Vep. 7:38) Ai theksoi se edhe vëllezërit e Moisiut e hodhën poshtë, edhe pse u përpoq t’i shpëtonte. Kur ishte 40 vjeç, iu kundërvunë. Mbi 40 vjet më vonë, disa herë me radhë e vunë në diskutim pozitën e tij si udhëheqës. b Kështu, gradualisht Stefani zhvilloi një temë kryesore: populli i Perëndisë vazhdimisht i kishte hedhur poshtë ata që Ai i kishte caktuar për t’i udhëhequr.
14. Cilat pika të fjalimit mbështeti Stefani duke përdorur shembullin e Moisiut?
14 Stefani u kujtoi dëgjuesve të tij se Moisiu kishte parathënë se nga Izraeli do të dilte një profet si Moisiu. Kush do të ishte ai dhe si do ta pritnin? Stefani i ruajti përgjigjet për në fund. Zhvilloi edhe një pikë tjetër kryesore: Moisiu kishte kuptuar se çdo truall mund të bëhej i shenjtë, si në rastin e truallit të shkurres që digjej, nga ku i kishte folur Jehovai. Kështu, a mund të kufizohej adhurimi i Jehovait në një ndërtesë të vetme siç ishte tempulli në Jerusalem? Le të shohim.
15, 16. (a) Pse tabernakulli ishte i rëndësishëm për temën që po zhvillonte Stefani? (b) Si e përdori Stefani tempullin e Solomonit në fjalimin e tij?
15 Tabernakulli dhe tempulli. (Vep. 7:44-50) Stefani i kujtoi gjykatës se kohë para se të ndërtohej një tempull në Jerusalem, Perëndia e kishte urdhëruar Moisiun të ndërtonte një tabernakull adhurimi, një strukturë portative si tendë. Nëse vetë Moisiu kishte adhuruar në tabernakull, kush do të guxonte të thoshte se qëndronte më poshtë se tempulli?
16 Më vonë, kur Solomoni ndërtoi tempullin në Jerusalem, Jehovai e frymëzoi të përcillte një mësim jetik gjatë lutjes. Siç e shprehu Stefani, «Më i Larti nuk banon në shtëpi të bëra me dorë». (Vep. 7:48; 2 Kron. 6:18) Jehovai mund të përdorë një tempull për të përmbushur qëllimet e tij, por nuk kufizohet atje. Atëherë, pse adhuruesit e tij duhet të mendojnë se adhurimi i pastër varet nga një ndërtesë e bërë nga njerëzit? Stefani i bëri një mbyllje të fuqishme fjalimit të tij, duke cituar nga libri i Isaisë: «‘Qielli është froni im, dhe toka është stoli im i këmbëve. Çfarë shtëpie do të më ndërtoni?!—thotë Jehovai.—Ku është vendbanimi im?! A nuk i bëri dora ime tërë këto?!’»—Vep. 7:49, 50; Isa. 66:1, 2.
17. Në ç’mënyrë fjalimi i Stefanit (a) zbuloi qëndrimet e gabuara të dëgjuesve të tij dhe (b) iu përgjigj akuzave kundër tij?
17 Me sa ke parë deri tani nga fjalimi i Stefanit, a s’je dakord se i demaskoi me mjeshtëri qëndrimet e gabuara të akuzuesve të tij? Ai tregoi se Jehovai është elastik dhe mund ta realizojë qëllimin e tij në mënyra të ndryshme. Nuk e kufizon asgjë, as traditat. Ata që ishin të përkushtuar pas asaj ndërtese të bukur në Jerusalem e pas zakoneve dhe traditave të krijuara rreth Ligjit të Moisiut, s’e kishin kuptuar fare qëllimin pse ishin dhënë Ligji dhe tempulli. Tërthorazi, fjalimi i Stefanit ngriti pyetjen jetësore: a nuk nderohen më mirë Ligji dhe tempulli duke iu bindur Jehovait? Në fakt, fjalimi i Stefanit ishte një mbrojtje e shkëlqyer e veprimeve të tij, sepse kishte bërë çmos t’i bindej Jehovait.
18. Në cilat mënyra duhet të përpiqemi të imitojmë Stefanin?
18 Ç’mund të mësojmë nga fjalimi i Stefanit? Kuptojmë se i njihte shumë mirë Shkrimet. Edhe ne duhet të jemi studiues të zellshëm të Biblës, nëse duam ‘ta përdorim drejt fjalën e së vërtetës’. (2 Tim. 2:15) Nga Stefani mund të mësojmë diçka edhe për taktin dhe mirësinë. Auditor më armiqësor s’mund të kishte! E megjithatë ai mbajti një bazë të përbashkët me ta sa më gjatë që mundi, duke u përqendruar në gjëra që ata i vlerësonin. Veç kësaj, iu drejtua me respekt, duke i quajtur «etër» burrat e moshuar që ishin të pranishëm. (Vep. 7:2) Edhe ne duhet t’i paraqitim të vërtetat e Fjalës së Perëndisë «me butësi dhe respekt të thellë».—1 Pjet. 3:15.
19. Si tregoi guxim Stefani kur i shpalli Sinedrit mesazhin e gjykimit të Jehovait?
19 Gjithsesi, nuk ngurrojmë të flasim për të vërtetat e Biblës nga frika se mos fyejmë të tjerët dhe as i zbutim mesazhet e gjykimit të Jehovait. Stefani la një shembull të mirë në këtë aspekt. Me siguri, ai e kuptoi se gjithë ato prova që solli para Sinedrit, s’patën fare efekt tek ata gjykatës krenarë. Prandaj, i shtyrë nga fryma e shenjtë, e mbylli fjalimin duke u thënë pa frikë se ishin tamam si paraardhësit e tyre që kishin hedhur poshtë Jozefin, Moisiun e gjithë profetët. (Vep. 7:51-53) Në fakt, ata gjykatës të Sinedrit kishin vrarë Mesinë, ardhjen e të cilit e kishin parathënë Moisiu dhe të gjithë profetët. Pra, e kishin shkelur Ligjin e Moisiut me të dyja këmbët!
«Zotëri Jezu, pranoje frymën time» (Veprat 7:54–8:3)
20, 21. Si reagoi Sinedri ndaj fjalëve të Stefanit dhe si e forcoi Jehovai atë?
20 E vërteta e pamohueshme në fjalët e Stefanit, i tërboi ata gjykatës. Pa pikë dinjiteti, filluan të kërcëllinin dhëmbët kundër tij. Stefani besnik duhet ta ketë kuptuar se s’do t’i tregonin mëshirë, ashtu siç nuk i treguan Zotërisë së tij, Jezuit.
21 Stefanit i duhej guxim të përballonte ç’do t’i ndodhte dhe pa dyshim mori zemër nga vegimi që i dha Jehovai me dashuri. Ai pa lavdinë e Perëndisë, dhe Jezuin që rrinte në të djathtë të Jehovait. Teksa Stefani përshkruante këtë vegim, gjykatësit zunë veshët me duar. Përse? Ca kohë më parë, po asaj gjykate Jezui i kishte thënë se ishte Mesia dhe se së shpejti do të ishte në të djathtë të Atit të tij. (Mar. 14:62) Vegimi që pa Stefani, tregoi se Jezui kishte thënë të vërtetën. Me pak fjalë, ai Sinedër kishte tradhtuar e vrarë Mesinë. Të gjithë në një mendje, u turrën ta vritnin me gurë Stefanin. c
22, 23. Si ngjante vdekja e Stefanit me atë të Zotërisë së tij dhe çfarë sigurie mund të kenë sot të krishterët, ashtu si Stefani?
22 Stefani vdiq pak a shumë si Zotëria i tij, me një zemër të qetë, plot besim te Jehovai e pa mëri kundër vrasësve të tij. Ndoshta fjalët «Zotëri Jezu, pranoje frymën time» i tha sepse ende shihte në vegim Birin e njeriut bashkë me Jehovain. Pa dyshim, ai i njihte fjalët inkurajuese që kishte thënë Jezui: «Unë jam ringjallja dhe jeta.» (Gjoni 11:25) Në fund, iu lut drejtpërdrejt Perëndisë me zë të lartë: «O Jehova, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!» Si tha këto fjalë, ra në gjumin e vdekjes.—Vep. 7:59, 60.
23 Kështu Stefani u bë martiri i parë i dokumentuar në Bibël nga dishepujt e Krishtit. (Shih kutinë « ‘Martir’, në ç’kuptim?».) Por mjerisht s’do të ishte i fundit. Deri sot e kësaj dite, disa shërbëtorë besnikë të Jehovait janë vrarë nga fanatikë fetarë, ekstremistë politikë dhe kundërshtarë të tjerë të egër. Megjithatë kemi arsye të jemi po aq të sigurt te përmbushja e premtimit të Jezuit për ringjalljen, sa Stefani. Tani Jezui po mbretëron dhe po përdor pushtetin e jashtëzakonshëm që i ka dhënë Ati i tij. Asgjë s’mund ta pengojë të ringjallë shërbëtorët e tij besnikë.—Gjoni 5:28, 29.
24. Ç’kontribut dha Sauli në vrasjen e Stefanit, e cilat ishin disa efekte afatgjata të vdekjes së atij njeriu besnik?
24 Gjithë këtë po e vërente një i ri me emrin Saul. Ai e miratoi vdekjen e Stefanit, e madje ruajti rrobat e atyre që e vranë me gurë. Pak më pas, do të udhëhiqte një përndjekje të dhunshme. Por vdekja e Stefanit do të linte gjurmë për një kohë të gjatë: shembulli i tij vetëm sa do t’i forconte të krishterët e tjerë të qëndronin besnikë e të arrinin fitore të ngjashme. Për më tepër, Sauli, që më vonë u njoh kryesisht si Pavli, do ta kujtonte me keqardhje të thellë rolin e tij në vdekjen e Stefanit. (Vep. 22:20) Ai kishte kontribuar në vrasjen e tij, por më vonë do të arrinte në këtë përfundim: «Isha blasfemues, përndjekës dhe arrogant.» (1 Tim. 1:13) Qartë, Pavli s’e harroi më kurrë Stefanin dhe fjalimin e fuqishëm që mbajti atë ditë. Madje, disa nga fjalimet e nga shkrimet e tij shtjelluan tema që i preku Stefani në fjalimin e vet. (Vep. 7:48; 17:24; Hebr. 9:24) Me kalimin e kohës, Pavli mësoi të ndiqte në çdo aspekt shembullin e guximit e të besimit që la Stefani, të cilit Perëndia i kishte dhënë «miratimin e tij dhe fuqi të jashtëzakonshme». Pyetja është: po ne, a do të mësojmë?
a Disa nga këta kundërshtarë ishin nga «Sinagoga e Libertinëve». Ndoshta ishin zënë robër nga romakët e më pas ishin liruar, ose ndoshta ishin skllevër të liruar që ishin bërë prozelitë judenj. Disa ishin prej Kilikisë, rajonit nga vinte Sauli nga Tarsi. Tregimi nuk thotë nëse Sauli ishte ndër ata burra të Kilikisë që nuk mundën t’i bënin ballë mençurisë së Stefanit.
b Fjalimi i Stefanit përmban të dhëna që nuk i gjejmë askund tjetër në Bibël, si për shembull të dhëna për arsimimin egjiptian të Moisiut, moshën e tij kur u arratis nga Egjipti dhe sa gjatë qëndroi në Midian.
c Nuk dihet me siguri nëse, nën ligjin romak, Sinedri kishte autoritet të urdhëronte një ekzekutim. (Gjoni 18:31) Gjithsesi, duket se vdekja e Stefanit ka qenë një vrasje e kryer nga një turmë e zemëruar, jo një vendim gjyqësor.