Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 25

«Unë i apelohem Cezarit!»

«Unë i apelohem Cezarit!»

Pavli la një shembull për mbrojtjen e lajmit të mirë

Bazuar te Veprat 25:1–26:32

1, 2. (a) Në ç’rrethana u gjend Pavli? (b) Ç’pyetje lind për apelimin e Pavlit te Cezari?

 PAVLI ishte ende nën mbikëqyrje të rreptë në Cezare. Ishte kthyer në Jude dy vjet më parë, dhe brenda disa ditësh judenjtë ishin orvatur ta vritnin të paktën tri herë. (Vep. 21:27-36; 23:10, 12-15, 27) Deri tani armiqtë e tij s’kishin pasur sukses, por nuk dorëzoheshin. Kur e kuptoi se ende rrezikonte të binte në duart e tyre, Pavli i tha guvernatorit romak Fest: «Unë i apelohem Cezarit!»—Vep. 25:11.

2 A e mbështeti Jehovai vendimin e Pavlit që t’i apelohej perandorit të Romës? Përgjigjja është me rëndësi për ne që po japim dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë në këtë kohë të fundit. Kemi nevojë të dimë nëse duhet ta imitojmë Pavlin «në mbrojtjen e në themelimin ligjërisht të lajmit të mirë».—Filip. 1:7.

«Po qëndroj para fronit të gjykimit» (Veprat 25:1-12)

3, 4. (a) Çfarë fshihej pas kërkesës së judenjve që ta sillnin Pavlin në Jerusalem, dhe si i shpëtoi ai vdekjes? (b) Si i mbështet Jehovai shërbëtorët e tij sot, siç veproi me Pavlin?

3 Tri ditë pasi mori detyrën, Festi, guvernatori i ri romak i Judesë, shkoi në Jerusalem. a Atje dëgjoi krerët e priftërinjve dhe të parët e judenjve teksa e akuzonin Pavlin për krime të rënda. Ata e dinin se guvernatori i ri ishte nën presion për të ruajtur paqen me ta dhe me të gjithë judenjtë. Prandaj i kërkuan një favor: ta dërgonte Pavlin në Jerusalem dhe ta gjykonte atje. Mirëpo, pas kësaj kërkese fshihej një plan i lig. Armiqtë e Pavlit po kurdisnin një komplot për ta vrarë rrugës nga Cezarea në Jerusalem. Festi nuk ua plotësoi kërkesën, por u tha: «Ata që janë me pushtet ndër ju, të vijnë bashkë me mua [në Cezare] e ta akuzojnë këtë njeri, nëse vërtet ka bërë ndonjë të keqe.» (Vep. 25:5) Kështu, edhe këtë herë Pavli i shpëtoi vdekjes.

4 Nëpërmjet Zotërisë Jezu Krisht, Jehovai e mbështeti Pavlin gjatë gjithë sprovave. Kujto se, në një vegim, Jezui i kishte thënë apostullit: «Merr zemër.» (Vep. 23:11) Edhe sot shërbëtorët e Perëndisë hasin pengesa e kërcënime. Jehovai nuk na mbron nga çdo vështirësi, por na jep mençurinë dhe forcën e duhur që t’u bëjmë ballë. Mund të mbështetemi gjithnjë te «fuqia përtej asaj që është normale», të cilën na e jep Perëndia ynë i dashur.—2 Kor. 4:7.

5. Si u soll Festi me Pavlin?

5 Disa ditë më pas, Festi «u ul në fronin e gjykimit» në Cezare. b Para Festit qëndronin Pavli dhe paditësit e tij. Si përgjigje ndaj akuzave të tyre pa baza, Pavli tha: «Nuk kam kryer asnjë mëkat, as kundër Ligjit të judenjve, as kundër tempullit e as kundër Cezarit.» Apostulli ishte i pafajshëm dhe e meritonte të lirohej. Çfarë do të vendoste Festi? Ngaqë donte të fitonte pëlqimin e judenjve, e pyeti Pavlin: «A do që të ngjitesh në Jerusalem e të gjykohesh atje para meje për këto gjëra?» (Vep. 25:6-9) Ç’propozim absurd! Nëse Pavlin do ta dërgonin prapë në Jerusalem, paditësit do të ktheheshin në gjykatës të tij dhe e priste vdekja e sigurt. Në këtë rast, Festi po zgjidhte përfitimin politik në vend të drejtësisë. Një guvernator tjetër më përpara, Ponc Pilati, kishte vepruar në mënyrë të ngjashme me një të burgosur shumë më të rëndësishëm. (Gjoni 19:12-16) Edhe sot gjykatësit mund t’i dorëzohen presionit politik. Prandaj, nuk duhet të habitemi nëse gjykatat vendosin në kundërshtim me provat në çështjet ku përfshihen shërbëtorët e Perëndisë.

6, 7. Pse Pavli iu apelua Cezarit dhe ç’precedent vendosi për të krishterët sot?

6 Dëshira e Festit për t’u bërë qejfin judenjve, mund ta vinte në rrezik jetën e Pavlit. Prandaj, ai përdori një të drejtë që gëzonte si qytetar romak. I tha Festit: «Po qëndroj para fronit të gjykimit të Cezarit, ku duhet të gjykohem. Siç e kupton mirë edhe ti, nuk kam bërë asnjë padrejtësi kundër judenjve. . . . Unë i apelohem Cezarit!» Një herë që bëhej një kërkesë e tillë, zakonisht ishte e pakthyeshme. Festi e theksoi këtë me fjalët: «Cezarit i je apeluar, te Cezari do të shkosh!» (Vep. 25:10-12) Duke iu apeluar një autoriteti ligjor më të lartë, Pavli vendosi një precedent për të krishterët sot. Kur kundërshtarët përpiqen të kurdisin «të keqen në emër të ligjit», Dëshmitarët e Jehovait përdorin mjetet ligjore për të mbrojtur lajmin e mirë. cPsal. 94:20.

7 Kështu, pasi kishte kaluar mbi dy vjet në burg për krime që nuk i kishte kryer, Pavlit iu dha mundësia ta paraqiste çështjen në Romë. Por, para se të nisej, edhe një sundimtar tjetër donte ta takonte.

Vendimet gjyqësore të pafavorshme, i apelojmë

«Nuk u tregova i pabindur» (Veprat 25:13–26:23)

8, 9. Pse shkoi në Cezare mbreti Agripa?

8 Disa ditë pasi Pavli i kishte thënë Festit se i apelohej Cezarit, mbreti Agripa dhe motra e tij, Bernika, mbërritën në Cezare për t’i bërë guvernatorit të ri «një vizitë zyrtare në shenjë respekti». d Në kohët romake, ishte zakon që zyrtarët të bënin vizita të tilla te guvernatorët e sapoemëruar. Duke uruar Festin për emërimin, pa dyshim Agripa po përpiqej të forconte lidhjet politike e personale që mund t’i hynin në punë në të ardhmen.—Vep. 25:13.

9 Festi i tregoi mbretit për Pavlin, dhe atij iu zgjua kureshtja. Të nesërmen, të dy sundimtarët u ulën në fronin e gjykimit. Por, pushteti dhe salltanetet e tyre nuk ishin aspak më mbresëlënëse se fjalët që do të thoshte pas pak i burgosuri para tyre.—Vep. 25:22-27.

10, 11. Si tregoi respekt Pavli për Agripën, dhe ç’hollësi i zbuloi për të kaluarën e vet?

10 Me respekt Pavli e falënderoi mbretin Agripa për mundësinë që të mbrohej para tij, duke pranuar se mbreti i njihte mirë të gjitha zakonet dhe polemikat midis judenjve. Pastaj përshkroi jetën që kishte bërë në të kaluarën: «Jetova si farise, sipas sektit më të rreptë të fesë sonë.» (Vep. 26:5) Si farise, Pavli kishte shpresuar në ardhjen e Mesisë. Tani, si i krishterë, me guxim e identifikonte Jezu Krishtin si Mesinë e premtuar. Kështu Pavli i shpjegoi Agripës se po gjykohej për një bindje që ai dhe paditësit e tij e kishin të përbashkët: për shpresën se premtimi i Perëndisë po përmbushej. Tani Agripa u bë edhe më kureshtar për ta dëgjuar më tej Pavlin. e

11 Duke sjellë ndërmend trajtimin e pamëshirshëm që u kishte bërë më parë të krishterëve, Pavli tha: «Edhe unë dikur isha i bindur se duhej t’i kundërvihesha me çdo mënyrë emrit të Jezuit, nazareasit. . . . E meqë isha tej mase i tërbuar kundër tyre [dishepujve të Krishtit], shkova deri aty sa i përndoqa edhe në qytetet e tjera.» (Vep. 26:9-11) Pavli nuk po i zmadhonte gjërat. Shumë njerëz e dinin me ç’tërbim i kishte përndjekur të krishterët. (Gal. 1:13, 23) «Ç’ta ketë ndryshuar këtë njeri?»—mund ta ketë pyetur veten Agripa.

12, 13. (a) Çfarë përshkrimi i bëri Pavli mënyrës si u bë i krishterë? (b) Në ç’kuptim Pavli ‘u kishte gjuajtur me shqelm hostenëve’?

12 Fjalët e mëtejshme të Pavlit i dhanë përgjigje: «Ndërsa shkoja në Damask me autoritetin dhe autorizimin e krerëve të priftërinjve, në kohën e drekës, o mbret, rreth meje dhe rreth atyre që ishin me mua, pashë të vetëtinte në rrugë një dritë nga qielli që shkëlqente më shumë se drita e diellit. Të gjithë ramë përtokë, dhe unë dëgjova një zë të më thoshte në gjuhën hebraike: ‘Saul, Saul, pse po më përndjek? Nëse u gjuan vazhdimisht me shqelm hostenëve, do të dëmtosh veten.’ Por unë e pyeta: ‘Kush je ti, Zotëri?’ Dhe Zotëria më tha: ‘Jam Jezui, të cilin ti po e përndjek.’» fVep. 26:12-15.

13 Para se të ndodhnin gjithë këto gjëra, në kuptim të figurshëm, Pavli ‘u kishte gjuajtur me shqelm hostenëve’. Ashtu si një kafshë barre dëmtohej më kot duke i gjuajtur me shqelm majës së mprehtë të hostenit, Pavli kishte dëmtuar miqësinë e tij me Jehovain duke iu kundërvënë vullnetit të Perëndisë. Shfaqja e Jezuit të ringjallur rrugës për në Damask, bëri që ky njeri i sinqertë, por që po ndiqte një drejtim të gabuar, të ndryshonte mendje.—Gjoni 16:1, 2.

14, 15. Ç’tha Pavli për ndryshimet që kishte bërë në jetë?

14 Pavli kishte bërë vërtet ndryshime të jashtëzakonshme në jetë. Ai i tha Agripës: «Nuk u tregova i pabindur ndaj mesazhit që mora nga ky vegim qiellor, por ua çova lajmin se duhej të pendoheshin e të ktheheshin te Perëndia me vepra të denja për pendim, në fillim atyre në Damask, e më pas atyre në Jerusalem, si edhe mbarë Judesë e kombeve.» (Vep. 26:19, 20) Për vite me radhë, Pavli kishte përmbushur detyrën që i kishte dhënë Jezu Krishti në atë vegim rrugës për në Damask. Cilat ishin rezultatet? Ata që e pranuan lajmin e mirë që predikonte Pavli, u penduan për sjelljen e tyre imorale e të pandershme dhe u kthyen te Perëndia. U bënë qytetarë të mirë, duke mbështetur ligjin dhe rendin e duke treguar respekt për ta.

15 Mirëpo, gjithë ato dobi s’kishin asnjë vlerë për kundërshtarët judenj të Pavlit. Ai tha: «Ja pse judenjtë më kapën në tempull dhe u përpoqën të më vritnin. Por falë ndihmës që mora nga Perëndia, vazhdoj deri më sot t’u jap dëshmi si njerëzve të thjeshtë, edhe të mëdhenjve.»—Vep. 26:21, 22.

16. Si ta imitojmë Pavlin kur flasim për bindjet tona me gjykatës dhe qeveritarë?

16 Si të krishterë të vërtetë, duhet të jemi ‘gjithnjë gati të mbrojmë’ besimin. (1 Pjet. 3:15) Kur flasim me gjykatës dhe qeveritarë për bindjet tona, mund të na vijë në ndihmë metoda që përdori Pavli me Agripën dhe Festin. Duke u treguar me respekt se si të vërtetat e Biblës kanë përmirësuar jetën tonë edhe të atyre që e kanë pranuar mesazhin, mund t’u prekim zemrën këtyre zyrtarëve të lartë.

«Do të ma mbushje mendjen të bëhesha i krishterë» (Veprat 26:24-32)

17. Si reagoi Festi ndaj mbrojtjes së Pavlit dhe cilin qëndrim të ngjashëm shohim sot?

17 Dy sundimtarët s’mund të mos reagonin ndaj dëshmisë bindëse të Pavlit. Ja ç’ndodhi: «Ndërsa Pavli po fliste në mbrojtje të vetes, Festi tha me zë të lartë: ‘Po luan mendsh, Pavël! Mësimet e shumta po të bëjnë të luash mendsh!’» (Vep. 26:24) Ky shpërthim i Festit nxori në pah një qëndrim që mund të shihet edhe sot. Shumë veta i konsiderojnë fanatikë ata që u mësojnë të tjerëve çfarë thotë vërtet Bibla. Shpesh njerëzit e mençur sipas botës e kanë të vështirë të pranojnë mësimin e Biblës për ringjalljen e të vdekurve.

18. Si iu përgjigj Pavli Festit dhe si reagoi Agripa?

18 Por Pavli kishte një përgjigje për guvernatorin: «Nuk po luaj mendsh, Shkëlqesia juaj Fest, por po them të vërtetën me mendje të shëndoshë. Sigurisht, mbreti, të cilit po i flas pa druajtje, i njeh mirë këto gjëra. . . . A i beson Profetët, ti, o mbret Agripa? Unë e di se i beson.» Agripa ia ktheu: «Brenda pak kohe do të ma mbushje mendjen të bëhesha i krishterë.» (Vep. 26:25-28) Këto fjalë, të sinqerta apo jo, treguan se dëshmia e Pavlit kishte ndikuar thellë te mbreti.

19. Ç’përfundim nxorën Festi dhe Agripa për Pavlin?

19 Atëherë Agripa dhe Festi u ngritën, shenjë kjo që seanca kishte mbaruar. «Ndërsa largoheshin, i thoshin njëri-tjetrit: ‘Ky njeri s’ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen a vargonjtë.’ Agripa i tha Festit: ‘Po të mos i ishte apeluar Cezarit, ky njeri do të ishte liruar.’» (Vep. 26:31, 32) E dinin se para tyre kishte qenë një njeri i pafajshëm. Ndoshta tani do t’i shihnin me sy më të mirë të krishterët.

20. Ç’rezultate solli dëshmia e Pavlit para zyrtarëve të lartë?

20 Asnjëri nga sundimtarët e fuqishëm të këtij tregimi, nuk duket se e pranoi lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. A ishte gjë e mençur që apostulli Pavël doli para tyre? Përgjigjja është po. Duke dalë «para guvernatorëve e mbretërve» në Jude, Pavli u dha dëshmi disa zyrtarëve të lartë romakë që s’kishin si ta dëgjonin ndryshe lajmin e mirë. (Luka 21:12, 13) Gjithashtu, eksperiencat dhe besnikëria e tij në sprova, u dhanë zemër vëllezërve dhe motrave në besim.—Filip. 1:12-14.

21. Ç’rezultate të mira mund të shohim duke ngulmuar në veprën e Mbretërisë?

21 E njëjta gjë ndodh sot. Duke ngulmuar në veprën e Mbretërisë, pavarësisht nga sprovat dhe kundërshtimet, mund të shohim rezultate të mira. Ndoshta arrijmë t’u dëshmojmë zyrtarëve që përndryshe s’do ta dëgjonin dot lajmin e mirë. Qëndrueshmëria jonë mund të jetë burim inkurajimi për vëllezërit e motrat në besim, duke i nxitur të tregojnë edhe më tepër guxim ndërsa japin dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë.

a Shih kutinë « Guvernatori romak Porc Festi».

b ‘Froni i gjykimit’ ishte një karrige e vendosur mbi një podium. Mendohej se vendosja në pozicion të ngritur, u jepte peshë dhe i bënte të pakthyeshme vendimet e gjykatësit. Pilati ishte ulur në një fron të tillë gjykimi kur shqyrtoi akuzat kundër Jezuit.

d Shih kutinë « Mbreti Herod Agripa II».

e Si i krishterë, Pavli e pranonte se Jezui ishte Mesia. Judenjtë që nuk e pranonin Jezuin, e konsideronin Pavlin apostat.—Vep. 21:21, 27, 28.

f Për fjalët e Pavlit se po udhëtonte «në kohën e drekës», një studiues i Biblës u shpreh: «Gjatë kohës së drekës, kur ishte nxehtë, udhëtarët pushonin, përveç rasteve kur e kishin me shumë nxitim. Pra, kuptojmë me sa zjarr e kishte marrë Pavli misionin e tij të përndjekjes.»