Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 27

‘Dha dëshmi të plotë’

‘Dha dëshmi të plotë’

Pavli vazhdoi të predikonte, edhe pse i burgosur në Romë

Bazuar te Veprat 28:11-31

1. Çfarë dinin Pavli e shokët e tij që u dha siguri?

 ISHTE viti 59 i e.s. Një anije e madhe që kishte në bash figurën e gdhendur të Bijve të Zeusit e që ndoshta transportonte grurë, po lundronte nga ishulli mesdhetar i Maltës për në Itali. Në të ndodhej apostulli Pavël—i burgosur dhe i shoqëruar nga ushtarë—dhe të bashkëkrishterët, Luka e Aristarku. (Vep. 27:2) Ndryshe nga ekuipazhi i anijes, këta ungjillëzues nuk kërkuan mbrojtjen e bijve të perëndisë grek Zeus, binjakëve Kastor e Poluks. (Vep. 28:11) Pavli dhe shokët e tij i shërbenin Jehovait, që i kishte bërë të ditur Pavlit se do të jepte dëshmi për të vërtetën në Romë dhe se do të dilte para Cezarit.—Vep. 23:11; 27:24.

2, 3. Cilin itinerar ndoqi anija e Pavlit dhe ç’mbështetje kishte pasur ai që nga fillimi?

2 Tri ditë pasi mbërritën në Sirakuzë, një qytet i bukur sicilian që konkurronte me Athinën dhe Romën, anija u nis për në Regjium, në jug të Italisë. Që atje, me ndihmën e jugës, anija e bëri në kohë rekord udhëtimin prej 200 miljesh detare deri në portin italian të Puteolit (pranë Napolit të sotëm) dhe mbërriti ditën e dytë.—Vep. 28:12, 13.

3 Tani Pavlit i kishte mbetur etapa e fundit e udhëtimit për në Romë, të dilte para perandorit Neron. «Perëndia i çdo ngushëllimi» kishte qenë me të nga fillimi deri në fund të këtij udhëtimi. (2 Kor. 1:3) Siç do ta shohim, Jehovai vazhdoi ta mbështeste, dhe Pavli s’e humbi zellin e tij si misionar.

«Pavli falënderoi Perëndinë dhe mori zemër» (Veprat 28:14, 15)

4, 5. (a) Si i mikpritën në Puteoli Pavlin dhe shokët e tij, dhe përse atij mund t’i jetë dhënë kaq shumë liri? (b) Si mund të nxjerrin dobi të krishterët nga sjellja e tyre e mirë, edhe kur janë në burg?

4 Në Puteoli, Pavli dhe shokët e tij ‘gjetën disa vëllezër që iu përgjëruan të qëndronin me ta shtatë ditë’. (Vep. 28:14) Çfarë shembulli i mrekullueshëm i mikpritjes së krishterë! Pa dyshim, ata vëllezër mikpritës nxorën shumë dobi nga inkurajimi që u dhanë Pavli dhe shokët e tij. Pse iu dha kaq liri veprimi një të burgosuri që ruhej nga ushtarë? Ndoshta sepse apostulli kishte fituar besimin e rojave romake.

5 Edhe në ditët tona, shërbëtorët e Jehovait që kanë qenë në burgje e kampe përqendrimi, shpesh kanë fituar më tepër liri e privilegje falë sjelljes së tyre të krishterë. Për shembull, në Rumani, një burrë që po kryente dënimin me 75 vjet burg për grabitje, nisi të studionte Fjalën e Perëndisë dhe e ndryshoi rrënjësisht personalitetin. Si rezultat, autoritetet e burgut e caktuan të shkonte në qytet i pashoqëruar, që të blinte artikuj të ndryshëm për burgun. Mbi të gjitha, sjellja jonë e mirë i jep lavdi Jehovait.—1 Pjet. 2:12.

6, 7. Si treguan dashuri të jashtëzakonshme vëllezërit romakë?

6 Nga Puteoli, Pavli dhe shokët e tij mund të kenë ecur në këmbë rreth 50 kilometra deri në Kapua, që ndodhej në Rrugën Apia, e cila të çonte në Romë. Kjo rrugë e famshme, e shtruar me blloqe lave të mëdhenj e të sheshtë, kishte pamje mahnitëse të peizazhit italian e, në disa pika gjatë udhëtimit, edhe të detit. Gjithashtu, rruga kalonte përmes Kënetave Pontine, një zonë moçalore rreth 60 kilometra larg Romës, ku ndodhej edhe Pazari Apia. Luka shkruan se «kur dëgjuan për ne», disa nga vëllezërit në Romë erdhën deri te Pazari Apia, kurse të tjerë pritën te Tri Tavernat, një vend ku udhëtarët ndalonin për të pushuar, rreth 50 kilometra larg Romës. Ç’dashuri e jashtëzakonshme!—Vep. 28:15.

7 Pazari Apia nuk ofronte shumë rehati për udhëtarët që kishin nevojë të pushonin nga udhëtimi i gjatë e i lodhshëm. Horaci, poet dhe satirik romak, e përshkruan këtë pazar si «të tejmbushur me marinarë e me hanxhinj harbutë». Ai shkruan se «uji ishte tejet i fëlliqur» ose i ndotur. Madje nuk pranoi as të hante atje! Por, me gjithë këto parehati, vëllezërit nga Roma i pritën me kënaqësi Pavlin dhe shokët e tij, që t’i shoqëronin në pjesën e fundit të udhëtimit.

8. Pse Pavli falënderoi Perëndinë «sa i pa» vëllezërit?

8 Tregimi thotë: «Sa i pa [vëllezërit], Pavli falënderoi Perëndinë dhe mori zemër.» (Vep. 28:15) Po, apostulli u forcua e u ngushëllua edhe vetëm duke i parë vëllezërit e tij të dashur, disa prej të cilëve ndoshta i njihte personalisht. Përse e falënderoi Perëndinë? E dinte se dashuria altruiste është një aspekt i frytit të frymës. (Gal. 5:22) Edhe sot, fryma e shenjtë i nxit të krishterët të bëjnë sakrifica për njëri-tjetrin dhe të ngushëllojnë ata që janë në nevojë.—1 Sel. 5:11, 14.

9. Si të shfaqim frymën e vëllezërve që u takuan me Pavlin?

9 Për shembull, fryma e shenjtë i nxit të krishterët mikpritës të kujdesen për nevojat e mbikëqyrësve qarkorë, të misionarëve dhe të shërbëtorëve të tjerë në kohë të plotë. Shumë prej këtyre kanë bërë sakrifica të mëdha që t’i shërbejnë më plotësisht Jehovait. Pyet veten: «A mund të bëj më tepër për të mbështetur vizitën e mbikëqyrësit qarkor, ndoshta duke i treguar mikpritje atij dhe së shoqes, nëse është i martuar? A mund të lë takim që të dal me ta në shërbim?» Në këmbim mund të marrësh shumë bekime. Për shembull, përfytyro gëzimin që ndienin vëllezërit romakë ndërsa dëgjonin Pavlin dhe shokët e tij që u tregonin disa nga eksperiencat e shumta besimforcuese që kishin pasur.—Vep. 15:3, 4.

«Flitet gjithandej kundër» (Veprat 28:16-22)

10. Cilat ishin rrethanat e Pavlit në Romë dhe çfarë bëri pak pasi mbërriti atje?

10 Kur grupi i udhëtarëve më në fund hyri në Romë, «Pavlit iu lejua të jetonte në një shtëpi më vete, me një ushtar që e ruante». (Vep. 28:16) Ata që ishin në këtë formë arresti të lehtë, zakonisht i lidhnin me një zinxhir me rojën e tyre, që të mos iknin. Mirëpo Pavli ishte lajmëtar i Mbretërisë dhe zinxhirët s’ia mbyllnin dot gojën. Kështu, pasi ndenji vetëm tri ditë që të merrte veten nga udhëtimi, mblodhi të parët e judenjve që ishin në Romë, për t’u prezantuar me ta e për t’u dhënë dëshmi.

11, 12. Si u përpoq Pavli të hiqte paragjykimet që mund të kishin judenjtë?

11 Pavli tha: «Burra, vëllezër, megjithëse nuk bëra asgjë kundër popullit a zakoneve të paraardhësve tanë, më arrestuan në Jerusalem dhe më dorëzuan në duart e romakëve, të cilët, pasi më morën në pyetje, donin të më lironin, se nuk kishin asnjë bazë që të më vritnin. Mirëpo judenjtë ishin kundër lirimit tim, prandaj u detyrova t’i apelohesha Cezarit, por jo se kisha ndonjë akuzë kundër kombit tim.»—Vep. 28:17-19.

12 Duke iu drejtuar dëgjuesve judenj si «vëllezër», Pavli u përpoq të vinte një bazë të përbashkët me ta dhe t’u hiqte ndonjë paragjykim që mund të kishin. (1 Kor. 9:20) Gjithashtu, ua bëri të qartë se nuk ishte atje që të akuzonte judenjtë, por që t’i apelohej Cezarit. Mirëpo, judenjtë e Romës nuk kishin dëgjuar për këtë apelim të Pavlit. (Vep. 28:21) Pse kjo mungesë komunikimi në dukje nga ana e judenjve që jetonin në Jude? Një vepër referimi thotë: «Anija e Pavlit duhet të ketë qenë ndër të parat që mbërriti në Itali pas dimrit, dhe përfaqësuesit e autoriteteve judaike në Jerusalem ndoshta s’kishin ardhur dot e as kishte mbërritur ndonjë letër për këtë çështje.»

13, 14. Si e prezantoi Pavli temën e Mbretërisë e si ta imitojmë shembullin e tij?

13 Më tej Pavli prezantoi temën e Mbretërisë duke bërë një pohim që me siguri u zgjoi kureshtjen mysafirëve të tij judenj. Tha: «Për këtë arsye kërkova t’ju shoh e të flas me ju, sepse jam lidhur me këtë zinxhir për shpresën e Izraelit.» (Vep. 28:20) Natyrisht, kjo shpresë lidhej me Mesinë dhe me Mbretërinë e tij, për të cilat predikonte kongregacioni i krishterë. «Na duket me vend të dëgjojmë nga ti se ç’mendon,—u përgjigjën pleqtë judenj,—sepse e dimë se për këtë sekt flitet gjithandej kundër.»—Vep. 28:22.

14 Kur na jepet rasti të flasim për lajmin e mirë, mund të imitojmë Pavlin duke bërë pyetje ose pohime që zgjojnë interesin e dëgjuesve. Sugjerime të shkëlqyera mund të gjejmë në botime të tilla, si Të arsyetojmë nga Shkrimet, Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe Kushtoju leximit dhe mësimdhënies. A po përfiton nga këto mjete ndihmëse për studimin e Biblës?

‘Dha dëshmi të plotë’, duke na lënë një model (Veprat 28:23-29)

15. Cilat janë katër gjëra që mund të veçojmë nga dëshmia e Pavlit?

15 Ditën që kishin lënë takimin, «një numër edhe më i madh» judenjsh vendas shkuan në banesën ku rrinte Pavli. «Nga mëngjesi deri në mbrëmje, ai ua shpjegoi çështjen, duke u dhënë dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë dhe duke përdorur argumentime bindëse për Jezuin, si nga Ligji i Moisiut, edhe nga Profetët.» (Vep. 28:23) Nga dëshmia e Pavlit mund të veçojmë katër gjëra. Së pari, u përqendrua te Mbretëria e Perëndisë. Së dyti, u përpoq t’i tërhiqte dëgjuesit «duke përdorur argumentime bindëse». Së treti, arsyetoi nga Shkrimet. Së katërti, tregoi një qëndrim vetëmohues, duke dëshmuar «nga mëngjesi deri në mbrëmje». Vërtet një shembull i shkëlqyer për ne! Cili ishte rezultati? «Disa nisën t’i besonin», të tjerë jo. Luka thotë se, meqë nuk ishin në një mendje me njëri-tjetrin, njerëzit «filluan të iknin».—Vep. 28:24, 25a.

16-18. (a) Pse reagimi negativ i judenjve në Romë nuk e habiti Pavlin? (b) Si duhet të ndihemi kur të tjerët nuk e pranojnë mesazhin tonë?

16 Ky reagim nuk e habiti Pavlin, sepse ishte në përputhje me profecitë e Biblës, dhe ai kishte hasur edhe më parë reagime të tilla. (Vep. 13:42-47; 18:5, 6; 19:8, 9) Prandaj, tek largoheshin, u tha mysafirëve të pandjeshëm: «Mirë u tha fryma e shenjtë paraardhësve tuaj nëpërmjet profetit Isaia: “Shko te ky popull dhe thuaji: ‘Vërtet do të dëgjoni, por kurrsesi nuk do të kuptoni. Vërtet do të shihni, por kurrsesi nuk do të dalloni, sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme.’”» (Vep. 28:25b-27) Termi i gjuhës origjinale i përkthyer «e pandjeshme» tregon se zemra ishte «ngurtësuar» ose «dhjamosur», duke mos e lejuar mesazhin e Mbretërisë të depërtonte. Ç’situatë tragjike!

17 Ndryshe nga dëgjuesit judenj, ‘kombet me siguri do të dëgjojnë’, tha në fund Pavli. (Vep. 28:28; Psal. 67:2; Isa. 11:10) Në fakt, apostulli mund të fliste me siguri për këtë argument, sepse kishte parë me sytë e tij shumë jojudenj që kishin pranuar mesazhin e Mbretërisë.—Vep. 13:48; 14:27.

18 Ashtu si Pavli, nuk duhet ta marrim si personale kur të tjerët nuk e pranojnë lajmin e mirë. Në fund të fundit, ne e dimë se pak veta do ta gjejnë rrugën që të çon në jetë. (Mat. 7:13, 14) Nga ana tjetër, le të gëzojmë e t’i mirëpresim krahëhapur njerëzit e prirur për jetën e përhershme kur vendosin të adhurojnë Jehovain.—Luka 15:7.

«Predikonte për Mbretërinë e Perëndisë» (Veprat 28:30, 31)

19. Si i shfrytëzoi më së miri Pavli rrethanat e tij?

19 Luka e mbyll tregimin me një ton pozitiv e të ngrohtë: «[Pavli] qëndroi plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira dhe i priste përzemërsisht të gjithë ata që shkonin tek ai. Ai u predikonte për Mbretërinë e Perëndisë dhe u mësonte me liri të plotë fjale e pa asnjë pengesë gjërat për Zotërinë Jezu Krisht.» (Vep. 28:30, 31) Një shembull vërtet i jashtëzakonshëm mikpritjeje, besimi dhe zelli!

20, 21. Përmend disa shembuj të atyre që nxorën dobi nga shërbimi i Pavlit në Romë.

20 Një nga ata që Pavli e mirëpriti përzemërsisht, ishte Onesimi, një skllav i arratisur nga pronari i tij në Kolose. Pavli e ndihmoi Onesimin të bëhej i krishterë, dhe ky, nga ana e tij, u bë ‘një vëlla besnik e i dashur’ për të. Madje, Pavli e përshkroi si ‘birin e tij, për të cilin u bë si baba’. (Kolos. 4:9; Fil. 10-12) Sa zemër duhet t’i ketë dhënë Onesimi! a

21 Edhe të tjerë nxorën dobi nga shembulli i shkëlqyer i Pavlit. Ai u shkroi filipianëve: «Ato që më ndodhën mua, në të vërtetë dolën për përparimin e lajmit të mirë, aq sa, në mbarë Gardën Pretoriane e mes gjithë të tjerëve, u bë e ditur gjerësisht se jam në vargonj për hir të Krishtit. E tani pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotërinë po tregojnë edhe më shumë guxim për ta thënë fjalën e Perëndisë pa frikë, ngaqë kanë fituar siguri prej vargonjve të mi.»—Filip. 1:12-14.

22. Si e shfrytëzoi Pavli izolimin e tij në Romë?

22 Pavli e shfrytëzoi izolimin në Romë që të shkruante disa letra të rëndësishme, të cilat tani janë pjesë e Shkrimeve të Krishtere Greke. b Të krishterët e shekullit të parë, për të cilët u shkruan letrat, nxorën dobi prej tyre. Edhe ne nxjerrim dobi nga letrat e Pavlit, sepse këshillat e tij të frymëzuara janë po aq praktike sot, sa në kohën kur u shkruan.—2 Tim. 3:16, 17.

23, 24. Si kanë shfaqur një qëndrim pozitiv si Pavli shumë të krishterë sot, ndonëse janë burgosur pa të drejtë?

23 Në kohën kur u lirua (që nuk përmendet në librin e Veprave), Pavli kishte kaluar katër vjet në arrest: dy në Cezare e dy në Romë. c (Vep. 23:35; 24:27) Por mbajti një qëndrim pozitiv, duke bërë ç’të mundte në shërbim të Perëndisë. Po kështu, shumë shërbëtorë të Jehovait sot, ndonëse janë burgosur pa të drejtë për shkak të besimit, e kanë ruajtur gëzimin dhe kanë vazhduar të predikojnë. Mendo për shembullin e Adolfos, i cili u burgos në Spanjë për shkak të asnjanësisë së krishterë. Një oficer i tha: «Ti na ke mahnitur. Ta kemi nxirë jetën dhe, sa më shumë të keqtrajtonim, aq më shumë buzëqeshje dhe na thoshe ndonjë fjalë të mirë.»

24 Pas njëfarë kohe, nëpunësit e burgut i besonin aq shumë Adolfos, saqë ia linin hapur derën e qelisë. Ushtarët shkonin tek ai dhe i bënin pyetje rreth Biblës. Një gardian madje shkonte në qelinë e Adolfos që të lexonte Biblën, kurse Adolfoja bënte rojë. Pra, i burgosuri «ruante» rojën! Le të na nxitë shembulli i shkëlqyer i këtyre Dëshmitarëve besnikë që të tregojmë «edhe më shumë guxim për ta thënë fjalën e Perëndisë pa frikë» edhe në rrethana të vështira.

25, 26. (a) Cilën profeci mahnitëse kishte parë të përmbushej Pavli në më pak se 30 vjet? (b) Si po ndodh diçka e ngjashme sot?

25 Mbyllja e librit dinamik të Veprave vërtet të ngroh zemrën: një apostull i Krishtit në arrest shtëpie ‘që u predikon për Mbretërinë e Perëndisë’ të gjithë atyre që e vizitojnë. Në kapitullin e parë, lexuam për caktimin që u dha Jezui dishepujve të tij: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) As 30 vjet më vonë, mesazhi i Mbretërisë ‘u ishte predikuar të gjitha krijesave nën qiell’. d (Kolos. 1:23) Ç’dëshmi e gjallë e fuqisë së frymës së Perëndisë!—Zak. 4:6.

26 Sot, e njëjta frymë u ka dhënë fuqi vëllezërve të Krishtit në tokë, si dhe shokëve të tyre nga ‘delet e tjera’, që të vazhdojnë ‘të japin dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë’ në 240 vende. (Gjoni 10:16; Vep. 28:23) A po merr pjesë plotësisht në këtë vepër?

a Pavli donte ta mbante Onesimin, por kjo do të ishte shkelje e ligjit romak dhe do t’i cenonte të drejtat pronarit të Onesimit, të krishterit Filemon. Prandaj, Onesimi u kthye te Filemoni, duke i çuar një letër nga Pavli që e inkurajonte ta priste përzemërsisht skllavin, si një vëlla në besim.—Fil. 13-19.