KAPITULLI 23
«Dëgjoni tani mbrojtjen time!»
Pavli mbrojti të vërtetën para turmave të zemëruara dhe para Sinedrit
Bazuar te Veprat 21:18–23:10
1, 2. Pse shkoi në Jerusalem apostulli Pavël dhe cilat sfida do të haste atje?
PAVLI po ecte përsëri nëpër rrugët e ngushta e plot njerëz të Jerusalemit. Për qindra vjet, ky qytet kishte qenë qendra e adhurimit të Jehovait në tokë. Në përgjithësi banorët ndiheshin krenarë për të shkuarën e tij të lavdishme. Pavli e dinte se në këtë qytet, shumë të krishterë ishin tepër të lidhur me të kaluarën e nuk po përshtateshin me mënyrën e re të adhurimit që kërkonte Jehovai. Prandaj, kur ishte në Efes kishte planifikuar të vinte këtu që t’i ndihmonte. Ai nuk donte vetëm t’u sillte ndihmën materiale, por edhe t’u ndreqte mënyrën si mendonin. (Vep. 19:21) Ndonëse e nuhati rrezikun, ai nuk hoqi dorë nga qëllimi i tij.
2 Ç’do t’i ndodhte Pavlit në Jerusalem? Një sfidë do t’i vinte nga disa dishepuj të Krishtit, të cilët ishin trazuar nga fjalët që kishin dëgjuar lart e poshtë për të. Por sfida më të mëdha do t’i vinin nga armiqtë e Krishtit. Ata do të ngrinin akuza të rreme kundër tij, do ta rrihnin dhe do ta kërcënonin me vdekje. Gjithashtu, këto ngjarje do t’i jepnin mundësi të mbrohej para tyre. Përulësia, guximi dhe besimi që tregoi përballë këtyre sfidave, janë një shembull i jashtëzakonshëm për të krishterët sot. Le të shohim se si.
«I dhanë lavdi Perëndisë» (Veprat 21:18-20a)
3-5. (a) Cilët takoi Pavli në Jerusalem dhe për çfarë u fol? (b) Ç’mësime nxjerrim nga takimi i Pavlit me pleqtë?
3 Një ditë pasi kishin mbërritur në Jerusalem, Pavli dhe shokët e tij shkuan të takonin vëllezërit përgjegjës të kongregacionit. Në tregim nuk përmendet asnjë nga apostujt që ishin ende gjallë, ndoshta sepse të gjithë kishin shkuar të shërbenin në pjesë të tjera të botës. Por Jakovi, vëllai i Jezuit, ishte ende atje. (Gal. 2:9) Ka mundësi që ta ketë drejtuar ai mbledhjen «ku ishin të pranishëm të gjithë pleqtë» bashkë me Pavlin.—Vep. 21:18.
4 Pavli i përshëndeti pleqtë dhe «filloi t’u tregonte fill e për pe ato që [kishte bërë] Perëndia mes kombeve nëpërmjet shërbimit të tij». (Vep. 21:19) Kushedi sa inkurajuese duhet të kenë qenë fjalët e tij! Edhe ne sot kënaqemi jashtë mase kur dëgjojmë për përparimin e veprës në vende të tjera.—Prov. 25:25.
5 Në njëfarë pike, Pavli përmendi edhe kontributet që kishte sjellë nga Evropa. Interesi që kishin shfaqur vëllezërit nga vende të largëta, me siguri ua ngrohu zemrën dëgjuesve të Pavlit. Madje, tregimi na thotë si reaguan ndaj fjalëve të tij: «Ata [pleqtë] i dhanë lavdi Perëndisë.» (Vep. 21:20a) Edhe sot, shumë vëllezër që durojnë sëmundje të rënda ose katastrofa, preken thellë kur bashkëbesimtarët u japin inkurajim dhe ndihmë në kohën e duhur.
Shumë ishin ende «përkrahës të flaktë të Ligjit» (Veprat 21:20b, 21)
6. Cilin problem mori vesh Pavli?
6 Më pas, pleqtë i treguan Pavlit se në Jude kishte lindur një problem që lidhej drejtpërdrejt me të. I thanë: «Ti e sheh, vëlla, sa mijëra besimtarë ka mes judenjve. Ata janë të gjithë përkrahës të flaktë të Ligjit. Por kanë dëgjuar lart e poshtë për ty se po u mëson të gjithë judenjve mes kombeve të braktisin Ligjin e Moisiut, duke u thënë të mos i rrethpresin djemtë e të mos ndjekin zakonet e të parëve.» a—Vep. 21:20b, 21.
7, 8. (a) Cilën pikëpamje të gabuar kishin shumë të krishterë në Jude? (b) Pse mendimi i gabuar që kishin disa të krishterë judenj nuk përbënte apostazi?
7 Pse kaq shumë të krishterë ishin ende përkrahës të flaktë të Ligjit të Moisiut, ndonëse kishin kaluar mbi 20 vjet që ishte hequr? (Kolos. 2:14) Në vitin 49 të e.s., apostujt dhe pleqtë e mbledhur në Jerusalem, u kishin dërguar një letër kongregacioneve ku shpjegonin se jojudenjtë nuk kishin nevojë të rrethpriteshin e t’i përmbaheshin Ligjit të Moisiut. (Vep. 15:23-29) Gjithsesi, në atë letër nuk përmendeshin të krishterët judenj, shumë prej të cilëve s’e kuptonin se Ligji i Moisiut nuk zbatohej më.
8 A ishin vërtet të krishterë ata judenj që kishin pikëpamje të tilla të gabuara? Po. Zakonet e trashëguara që donin të ndiqnin nuk ishin zakone pagane, si në rastin e të krishterëve që më përpara adhuronin perëndi pagane. Ligjin, që ishte kaq i rëndësishëm për ta, e kishte dhënë vetë Jehovai. Në të s’kishte asgjë demonike ose të gabuar në vetvete. Vetëm se Ligji kishte të bënte me besëlidhjen e vjetër, kurse tani të krishterët ishin nën besëlidhjen e re. Kërkesat e besëlidhjes së Ligjit nuk zbatoheshin më për adhurimin e pastër. Të krishterët judenj që ishin përkrahës të flaktë të Ligjit, nuk i kuptonin plotësisht mësimet e krishtere dhe nuk kishin shumë besim te kongregacioni i krishterë. Duhej të fillonin të përshtateshin me mënyrën e re të adhurimit që u kishte zbuluar Perëndia. b—Jer. 31:31-34; Luka 22:20.
‘Nuk kishte asnjë të vërtetë nga ato që ishin thënë lart e poshtë’ (Veprat 21:22-26)
9. Çfarë mësonte Pavli për Ligjin e Moisiut?
9 Ç’të themi për fjalët e përhapura se Pavli po u mësonte judenjve mes kombeve ‘të mos i rrethpritnin djemtë e të mos i ndiqnin zakonet e të parëve’? Pavli, apostulli i kombeve, e kishte mbështetur vendimin se jojudenjtë nuk kishin pse të ndiqnin Ligjin. Për më tepër, demaskonte ata që përpiqeshin t’i bindnin besimtarët jojudenj të rrethpriteshin në shenjë nënshtrimi ndaj Ligjit të Moisiut. (Gal. 5:1-7) Pavli u predikonte edhe judenjve në qytetet që kishte vizituar. Atyre që reagonin mirë, me siguri u shpjegonte se vdekja e Jezuit i kishte dhënë fund Ligjit dhe se drejtësia arrihej me anë të besimit, jo me anë të veprave të Ligjit.—Rom. 2:28, 29; 3:21-26.
10. Ç’qëndrim të ekuilibruar mbante Pavli në çështjet që lidheshin me Ligjin dhe rrethprerjen?
10 Gjithsesi, Pavli nuk i kritikonte ata që donin të mbanin ende disa zakone judaike, si për shembull të mos punonin në Sabat ose të shmangnin disa ushqime. (Rom. 14:1-6) Veç kësaj, nuk vendoste rregulla për rrethprerjen. Madje e kishte rrethprerë Timoteun, që judenjtë të mos dyshonin për të, pasi e kishte babanë grek. (Vep. 16:3) Rrethprerja ishte një çështje për të cilën secili duhej të vendoste vetë. Pavli u kishte thënë galatasve: «As rrethprerja nuk ka ndonjë vlerë, as parrethprerja, por besimi që vepron nëpërmjet dashurisë.» (Gal. 5:6) Megjithatë, të rrethpriteshe që të ishe nën Ligj ose ta paraqitje këtë praktikë si të domosdoshme për të fituar miratimin e Jehovait, tregonte mungesë besimi.
11. Ç’këshillë i dhanë Pavlit pleqtë dhe ç’do të përfshinte zbatimi i saj? (Shih edhe shënimin.)
11 Kështu, ndonëse fjalët e përhapura ishin krejtësisht të pavërteta, të krishterët judenj ishin trazuar prej tyre. Për këtë arsye, pleqtë i dhanë këtë këshillë Pavlit: «Me ne janë katër burra që kanë marrë një zotim. Merri, pastrohu me ta ceremonialisht e hiqu shpenzimet, që të rruajnë kokat. Kështu, të gjithë do ta kuptojnë se nuk ka asnjë të vërtetë nga ato që janë thënë lart e poshtë për ty, përkundrazi po jeton në përputhje me Ligjin.» c—Vep. 21:23, 24.
12. Si tregoi Pavli se ishte elastik e bashkëpunues duke iu bindur këshillës së pleqve në Jerusalem?
12 Pavli mund të kishte thënë se problemi i vërtetë nuk ishin fjalët e përhapura lart e poshtë për të, por zelli i atyre të krishterëve judenj për Ligjin e Moisiut. Mirëpo, ishte gati të tregohej elastik, për sa kohë nuk bënte kompromis me parimet e Jehovait. Më parë, kishte shkruar: «Për ata që janë nën Ligj, u bëra sikur të isha nën Ligj—ndonëse vetë nuk jam nën Ligj—që të fitoj ata që janë nën Ligj.» (1 Kor. 9:20) Në këtë rast, Pavli bashkëpunoi me pleqtë në Jerusalem dhe u bë ‘sikur të ishte nën Ligj’. Kështu na la një shembull të shkëlqyer, që të bashkëpunojmë me pleqtë e të mos ngulim këmbë për t’i bërë gjërat sipas mënyrës sonë.—Hebr. 13:17.
«Nuk e meriton të jetojë!» (Veprat 21:27–22:30)
13. (a) Pse disa judenj shkaktuan trazirë në tempull? (b) Si shpëtoi nga vdekja Pavli?
13 Në tempull gjërat nuk shkuan mirë. Ndërsa ditët e zotimit ishin duke mbaruar, judenjtë nga Azia vunë re Pavlin dhe e akuzuan në mënyrë të rreme se kishte sjellë jojudenj në tempull, si dhe shkaktuan trazirë. Po të mos kishte ndërhyrë komandanti ushtarak romak, Pavlin do ta kishin rrahur për vdekje. Prapëseprapë, ai e arrestoi. Që nga ajo ditë, Pavlit do t’i duheshin më shumë se katër vjet të fitonte lirinë. Gjithsesi, rreziku që i kanosej, ende s’kishte kaluar. Kur komandanti pyeti judenjtë pse po e sulmonin Pavlin, ata, duke bërtitur, hodhën akuza të ndryshme. Në rrëmujë e sipër, komandanti s’po kuptonte asgjë. Si përfundim, Pavlin u desh ta hiqnin që andej. Kur ai dhe ushtarët romakë po bëheshin gati të hynin në kazermë, Pavli i tha komandantit: «Të lutem, më lejo t’i flas popullit.» (Vep. 21:39) Komandanti pranoi dhe Pavli e mbrojti me guxim besimin.
14, 15. (a) Çfarë u shpjegoi Pavli judenjve? (b) Çfarë bëri komandanti romak për të marrë vesh arsyen e zemërimit të judenjve?
14 Pavli filloi: «Dëgjoni tani mbrojtjen time!» (Vep. 22:1) Meqë foli në hebraisht, kjo e qetësoi turmën. U shpjegoi hapur përse ishte bërë dishepull i Krishtit. Ndërsa bënte këtë, me mjeshtëri përmendi pika që judenjtë, po të donin, mund t’i verifikonin. Pavli kishte studiuar në këmbët e Gamalielit të famshëm dhe, siç e dinin mirë disa të pranishëm, i kishte përndjekur dishepujt e Krishtit. Mirëpo, rrugës për në Damask, kishte parë në vegim Krishtin e ringjallur, që i kishte folur. Ata me të cilët po udhëtonte, kishin parë një dritë të fortë dhe kishin dëgjuar një zë, por nuk i kishin kuptuar fjalët. (Vep. 9:7; 22:9) Më pas, e kishin çuar në Damask duke e marrë për dore Pavlin, sepse kishte mbetur i verbër nga vegimi. Atje, Anania, të cilin judenjtë e asaj krahine e njihnin, i kishte kthyer shikimin me anë të një mrekullie.
15 Më tej Pavli tregoi se, pasi ishte kthyer në Jerusalem, Jezui i ishte shfaqur në tempull. Në këtë pikë, judenjtë u trazuan dhe nisën të thërritnin: «Zhdukeni nga faqja e dheut këtë njeri, se nuk e meriton të jetojë!» (Vep. 22:22) Për të shpëtuar Pavlin, komandanti e çoi në kazermë. I vendosur të zbulonte pse judenjtë ishin kaq të zemëruar me Pavlin, e urdhëroi të përgatitej për ta marrë në pyetje duke e fshikulluar. Mirëpo, duke përdorur mbrojtjen ligjore që kishte në dispozicion, Pavli i tregoi se ishte qytetar romak. Edhe në kohën tonë, adhuruesit e Jehovait kanë përdorur mjetet ligjore që kanë në dispozicion për të mbrojtur besimin. (Shih kutitë « Ligji romak dhe qytetarët romakë» dhe « Beteja ligjore të ditëve tona».) Kur dëgjoi se Pavli ishte qytetar romak, komandanti kuptoi se duhej të gjente një mënyrë tjetër për të marrë më shumë informacion. Të nesërmen e çoi para një mbledhjeje speciale të Sinedrit, gjykatës së lartë të judenjve.
«Jam farise» (Veprat 23:1-10)
16, 17. (a) Përshkruaj ç’ndodhi kur Pavli foli para Sinedrit. (b) Si la një shembull përulësie Pavli kur e goditën?
16 Pavli e filloi kështu mbrojtjen para Sinedrit: «Burra, vëllezër, gjer më sot kam vepruar me një ndërgjegje krejt të pastër para Perëndisë.» (Vep. 23:1) Por s’arriti të vazhdonte më tej. Tregimi thotë: «Kryeprifti Anania i urdhëroi ata që ishin afër tij ta goditnin në buzë.» (Vep. 23:2) Ç’fyerje e rëndë! Ç’veprim paragjykues ta quaje Pavlin gënjeshtar pa ia dëgjuar provat! Nuk habitemi që Pavli ia ktheu: «Perëndia do të të godasë ty, o mur i zbardhur me gëlqere! Ulesh për të më gjykuar sipas Ligjit e në të njëjtën kohë e shkel Ligjin duke urdhëruar të më godasin?!»—Vep. 23:3.
17 Për çudi, disa të pranishëm u shprehën të indinjuar ndaj reagimit të Pavlit, jo ndaj atij që e goditi. Pyetën: «Si guxon ta fyesh kryepriftin e Perëndisë?!» Me mënyrën si u përgjigj, Pavli shfaqi përulësi dhe respekt për Ligjin. U tha: «Nuk e dija, vëllezër, që ai ishte kryeprift, sepse është shkruar: ‘Mos fol me përbuzje për një qeveritar të popullit tënd.’» d (Vep. 23:4, 5; Eks. 22:28) Tani Pavli përdori një strategji tjetër. Duke e ditur se Sinedri përbëhej nga farisenj e saducenj, tha: «Burra, vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh, dhe po gjykohem për shkak të shpresës së ringjalljes së të vdekurve.»—Vep. 23:6.
18. Pse Pavli e quajti veten farise dhe si mund të përdorim një arsyetim të ngjashëm në rrethana të caktuara?
18 Pavli e quajti veten farise, sepse ishte «bir farisenjsh» nga një familje që i përkiste atij sekti. Prandaj shumë veta ende e shihnin si të tillë. e Po si mund ta quante veten farise përderisa bindjet e tij për ringjalljen binin ndesh me ato të farisenjve? Sipas të dhënave, farisenjtë besonin se shpirti mbijetonte pas vdekjes dhe se shpirtrat e të drejtëve do të jetonin përsëri në trupa njerëzorë. Pavli nuk i besonte këto gjëra. Ai besonte ringjalljen që mësoi Jezui. (Gjoni 5:25-29) Gjithsesi, ishte dakord me farisenjtë se, pas vdekjes, kishte shpresë për një jetë në të ardhmen, në kundërshtim me saducenjtë që nuk besonin fare te kjo gjë. Mund të përdorim një arsyetim të ngjashëm kur diskutojmë me katolikë, protestantë ose ortodoksë. Mund të themi se ne besojmë te Perëndia, njësoj si ata. Kuptohet, ata mund të besojnë te Triniteti, kurse ne besojmë te Perëndia i Biblës. Megjithatë, kemi të përbashkët besimin se ka një Zot.
19. Pse u përça mbledhja e Sinedrit?
19 Pohimi i Pavlit e përçau Sinedrin. Tregimi thotë: «Shpërthyen të bërtitura, dhe disa skribë nga partia e farisenjve u ngritën e filluan të kundërshtonin me forcë: ‘Ne nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri, por nëse një krijesë qiellore a një engjëll i foli, atëherë . . . ’» (Vep. 23:9) Mirëpo saducenjtë nuk besonin tek engjëjt, prandaj kur dëgjuan këtë, u tërbuan. (Shih kutinë « Saducenjtë dhe farisenjtë».) Kaq shumë u acarua gjendja, saqë komandantit ushtarak iu desh përsëri ta shpëtonte apostullin. (Vep. 23:10) Por Pavli ishte ende në rrezik. Ç’do t’i ndodhte tani? Për këtë do të mësojmë më tepër në kapitullin vijues.
a Ka të ngjarë që në shtëpitë e vëllezërve të mblidheshin shumë kongregacione, meqë aty kishte shumë të krishterë judenj.
b Disa vjet më vonë, apostulli Pavël u shkroi një letër hebrenjve, ku tregoi me prova epërsinë e besëlidhjes së re. Në atë letër tregoi qartë se besëlidhja e re e kishte zëvendësuar besëlidhjen e vjetër. Arsyetimi i Pavlit, përveçse dha argumente bindëse që të krishterët judenj t’i përdornin për t’iu përgjigjur atyre që u kundërviheshin, pa dyshim ua forcoi besimin edhe disa të krishterëve që po e vinin theksin së tepërmi te Ligji i Moisiut.—Hebr. 8:7-13.
c Studiuesit sugjerojnë se burrat kishin bërë një zotim nazireu. (Num. 6:1-21) Vërtet, Ligji i Moisiut nën të cilin ishte bërë ky zotim, nuk ishte më në fuqi. Po gjithsesi, Pavli mund të ketë arsyetuar se s’do të ishte e gabuar që burrat të plotësonin një zotim që kishin marrë para Jehovait. Pra, nuk do të ishte e gabuar t’u paguante shpenzimet dhe t’i shoqëronte. Nuk e dimë me saktësi ç’lloj zotimi ishte, por sido që të ketë qenë, s’ka mundësi që Pavli të ketë mbështetur flijimin e një kafshe (siç bënin nazirejtë), duke besuar se do t’i pastronte burrat nga mëkati. Falë flijimit të përsosur të Krishtit, flijime të tilla nuk kishin më vlerë shlyese. Çfarëdo që të ketë bërë, jemi të sigurt se Pavli nuk do të kishte pranuar asgjë që do t’i cenonte ndërgjegjen.
d Disa kanë hedhur idenë se Pavli nuk e dalloi kryepriftin, ngaqë kishte shikim të dobët. Ose ndoshta kishte kaq shumë kohë që s’kishte qenë në Jerusalem, saqë nuk e dinte kush ishte kryeprifti aktual. Ose thjesht Pavli nuk arriti ta shihte përmes turmës atë që urdhëroi ta goditnin.
e Në vitin 49 të e.s., kur apostujt dhe pleqtë po shqyrtonin nëse judenjtë duhej t’i nënshtroheshin Ligjit të Moisiut, për disa të krishterë të pranishëm thuhet se ishin «nga sekti i farisenjve, të cilët ishin bërë besimtarë». (Vep. 15:5) Me sa duket, në njëfarë mase këta besimtarë ende i identifikonin me prejardhjen fariseje.