KAPITULLI 13
«Patën një mosmarrëveshje jo të vogël»
Çështja e rrethprerjes iu parashtrua trupit udhëheqës
Bazuar te Veprat 15:1-12
1-3. (a) Çfarë po shkaktonte përçarje në kongregacionin e hershëm të krishterë? (b) Si do të nxjerrim dobi duke studiuar këtë tregim në librin e Veprave?
PAVLI dhe Barnaba sapo ishin kthyer nga udhëtimi i parë misionar në qytetin sirian të Antiokisë dhe ishin tejet të lumtur. Ishin kënaqur jashtë mase që Jehovai «u kishte hapur kombeve derën e besimit». (Vep. 14:26, 27) Edhe vetë Antiokia ziente nga lajmi i mirë dhe «një numër i madh» jojudenjsh po i shtoheshin kongregacionit atje.—Vep. 11:20-26.
2 Shpejt lajmi i gëzueshëm për këtë rritje mbërriti në Jude. Por, në vend që t’i gëzonte të gjithë, ndezi edhe më shumë debatin për rrethprerjen. Si duhej të silleshin me njëri-tjetrin të krishterët judenj dhe jojudenj, e si duhej ta konsideronin këta të fundit Ligjin e Moisiut? Çështja shkaktoi një mosmarrëveshje aq serioze, sa kërcënonte të përçante kongregacionin e krishterë. Si do të zgjidhej?
3 Ndërsa shqyrtojmë këtë tregim në librin e Veprave, do të nxjerrim shumë mësime të vlefshme. Këto mund të na ndihmojnë të veprojmë me mençuri në rast se edhe sot lindin çështje që mund të shkaktojnë përçarje.
«Po të mos rrethpriteni . . . » (Veprat 15:1)
4. Ç’pikëpamje të gabuara nxitnin disa besimtarë, e ç’pyetje lind?
4 Dishepulli Lukë shkroi: «Nga Judea zbritën [në Antioki] ca burra e nisën t’i mësonin vëllezërit: ‘Po të mos rrethpriteni sipas zakonit të Moisiut, nuk shpëtoni dot.’» (Vep. 15:1) Nuk thuhet nëse këta ‘burra nga Judea’ kishin qenë farisenj para se të bëheshin të krishterë. Por duket se ishin ndikuar nga pikëpamja strikte e atij sekti judaik. Gjithashtu, pa të drejtë mund të kenë pretenduar se flitnin në emër të apostujve dhe të pleqve në Jerusalem. (Vep. 15:23, 24) Po pse këta besimtarë judenj ende nxitnin rrethprerjen ndonëse kishin kaluar 13 vjet që kur apostulli Pjetër, i udhëzuar nga Perëndia, kishte mikpritur në kongregacion jojudenj të parrethprerë? a—Vep. 10:24-29, 44-48.
5, 6. (a) Pse disa të krishterë judenj ende këmbëngulnin për rrethprerjen? (b) A ishte besëlidhja e rrethprerjes pjesë e besëlidhjes abrahamike? Shpjego. (Shih shënimin.)
5 Arsyet mund të kenë qenë të shumta. Pikësëpari, rrethprerjen e kishte urdhëruar vetë Jehovai, dhe ishte shenjë e një marrëdhënieje të veçantë me të. Rrethprerja filloi me Abrahamin dhe shtëpinë e tij, pra ekzistonte para besëlidhjes së Ligjit, ndonëse më vonë u bë pjesë e saj. b (Lev. 12:2, 3) Sipas Ligjit të Moisiut, edhe të huajt duhej të rrethpriteshin që të kishin disa privilegje, si për shembull të hanin nga flijimi i Festës së Kalimit. (Eks. 12:43, 44, 48, 49) Pra, në mendjen e një judeu, një burrë i parrethprerë ishte i papastër e i përçmuar.—Isa. 52:1.
6 Prandaj, nevojitej besim e përulësi nga ana e besimtarëve judenj që ta pranonin këtë mësim të ri. Besëlidhja e Ligjit ishte zëvendësuar me besëlidhjen e re, prandaj nëse dikush lindte si jude nuk do të thoshte më se ishte automatikisht pjesëtar i popullit të Perëndisë. Të krishterëve judenj që jetonin në komunitete judaike, siç ishin edhe besimtarët në Jude, u duhej guxim që të jepnin dëshmi për Krishtin dhe të pranonin si bashkëbesimtarë jojudenjtë e parrethprerë.—Jer. 31:31-33; Luka 22:20.
7. Cilat të vërteta s’kishin kuptuar ‘burrat nga Judea’?
7 Natyrisht, normat e Perëndisë nuk kishin ndryshuar. Si provë e kësaj, besëlidhja e re përfshinte frymën e Ligjit të Moisiut. (Mat. 22:36-40) Për shembull, më vonë Pavli shkroi për rrethprerjen: «Është jude kush është i tillë nga brenda, dhe rrethprerja e vërtetë bëhet në zemër, nëpërmjet frymës e jo nëpërmjet një kodi të shkruar.» (Rom. 2:29; Ligj. 10:16) Ata ‘burra nga Judea’ s’i kishin kuptuar këto të vërteta dhe pretendonin pohonin se Perëndia s’e kishte shfuqizuar ndonjëherë ligjin e rrethprerjes. A do të ishin të gatshëm të ndreqnin mënyrën e të menduarit?
«Patën një mosmarrëveshje . . . dhe debatuan» (Veprat 15:2)
8. Pse iu parashtrua trupit udhëheqës në Jerusalem çështja e rrethprerjes?
8 Luka vazhdoi: «Mirëpo Pavli dhe Barnaba patën një mosmarrëveshje jo të vogël me ta [me burrat që zbritën nga Judea] dhe debatuan. Kështu, Pavli, Barnaba dhe disa të tjerë u caktuan të ngjiteshin në Jerusalem tek apostujt dhe pleqtë për këtë çështje.» c (Vep. 15:2) Fakti që ‘patën mosmarrëveshje e debatuan’ tregonte se të dyja palët ishin shumë të bindura e të vendosura në idetë e tyre, dhe se kongregacioni i Antiokisë nuk e zgjidhte dot çështjen. Për të ruajtur paqen dhe unitetin, kongregacioni me mençuri mori masa që çështja t’u parashtrohej ‘apostujve dhe pleqve në Jerusalem’ që përbënin trupin udhëheqës. Ç’mund të mësojmë nga pleqtë e Antiokisë?
9, 10. Si lanë një shembull të shkëlqyer për ne vëllezërit në Antioki? Po Pavli dhe Barnaba?
9 Një mësim i vlefshëm që nxjerrim, është se duhet t’i besojmë organizatës së Perëndisë. Të mendojmë pak: vëllezërit në Antioki e dinin se anëtarët e trupit udhëheqës ishin të gjithë të krishterë me prejardhje judaike. E megjithatë, kishin besim se do ta zgjidhnin çështjen e rrethprerjes në harmoni me Shkrimet. Pse? Kongregacioni ishte i bindur se Jehovai do t’i drejtonte gjërat me anë të frymës së tij të shenjtë dhe Kreut të kongregacionit të krishterë, Jezu Krishtit. (Mat. 28:18, 20; Efes. 1:22, 23) Edhe sot, kur lindin çështje serioze, le të imitojmë shembullin e shkëlqyer të besimtarëve në Antioki, duke i besuar organizatës së Perëndisë dhe Trupit të saj Udhëheqës me të krishterë të mirosur.
10 Kjo na bën të mendojmë edhe për vlerën e përulësisë dhe të durimit. Pavlin e Barnabën i kishte emëruar vetë fryma e shenjtë që të shkonin te kombet. Megjithatë nuk e ushtruan këtë autoritet për ta zgjidhur çështjen e rrethprerjes menjëherë aty në Antioki. (Vep. 13:2, 3) Për më tepër, më vonë Pavli shkroi: «U ngjita [në Jerusalem] se pata një zbulesë», që tregon drejtimin hyjnor në këtë situatë. (Gal. 2:2) Sot, pleqtë përpiqen të shfaqin po këtë lloj përulësie e durimi kur lindin çështje që mund të shkaktojnë përçarje. Në vend që të ngulin këmbë në pikëpamjet personale, ata mbështeten te Jehovai duke konsultuar Shkrimet, si dhe udhëzimet e drejtimin që ka siguruar skllavi besnik.—Filip. 2:2, 3.
11, 12. Pse është e rëndësishme të presim Jehovain?
11 Në disa raste, ndoshta duhet të presim që Jehovai të hedhë dritë për një çështje. Të mos harrojmë se vëllezërve në kohën e Pavlit iu desh të pritnin deri rreth vitit 49 të e.s.—gati 13 vjet që kur u miros Korneli në vitin 36 të e.s.—para se Jehovai ta zgjidhte çështjen e rrethprerjes së jojudenjve. Pse kaq gjatë? Ndoshta Jehovai donte t’u linte mjaft kohë judenjve të sinqertë të përshtateshin me këtë ndryshim kaq të madh në pikëpamje. Tekefundit, përfundimi i besëlidhjes së rrethprerjes 1.900-vjeçare, që ishte bërë me paraardhësin e tyre të dashur, Abrahamin, s’ishte gjë e vogël.—Gjoni 16:12.
12 Ç’privilegj të na mësojë e të na modelojë Ati ynë qiellor i dashur e i duruar! Rezultatet janë gjithnjë të mira e përherë për dobinë tonë. (Isa. 48:17, 18; 64:8) Prandaj, asnjëherë të mos ngulim këmbë me krenari në idetë tona ose të reagojmë keq ndaj ndryshimeve organizative a ndaj shpjegimeve të reja të disa shkrimeve. (Ekl. 7:8) Nëse vëren te vetja qoftë edhe një gjurmë të kësaj prirjeje, pse të mos lutesh për drejtim e të meditosh për parimet specifike që gjejmë në kapitullin 15 të Veprave? d
13. Si ta pasqyrojmë në shërbim durimin e Jehovait?
13 Mund të kemi nevojë për durim kur studiojmë Biblën me njerëz që e kanë të vështirë të heqin dorë nga bindjet e rreme ose nga zakonet e ngulitura prej kohësh që bien ndesh me Shkrimet. Në këto raste, ndoshta duhet të lëmë të kalojë një kohë e arsyeshme, me qëllim që fryma e Perëndisë të veprojë në zemrën e studentit. (1 Kor. 3:6, 7) Gjithashtu, duhet të lutemi për këtë gjë. Në një mënyrë a në një tjetër dhe në kohën e duhur, Perëndia do të na ndihmojë të kuptojmë cila është rruga më e mençur.—1 Gjon. 5:14.
Ata treguan «me hollësi» eksperienca inkurajuese (Veprat 15:3-5)
14, 15. Si i nderoi kongregacioni i Antiokisë Pavlin, Barnabën e udhëtarët e tjerë, dhe si i inkurajuan të bashkëkrishterët që takuan rrugës?
14 Luka vazhdoi më tej: «Kongregacioni i përcolli një copë rrugë, dhe ata burra vazhduan udhën përmes Fenikisë dhe Samarisë. Ata u tregonin me hollësi vëllezërve se si njerëz nga kombet ktheheshin në besim, dhe kështu u sollën gëzim të madh të gjithëve.» (Vep. 15:3) Përcjellja e Pavlit, Barnabës dhe udhëtarëve të tjerë ishte një akt dashurie e krishterë që i nderonte ata dhe u tregonte se kongregacioni po u uronte bekimin e Perëndisë. Ja edhe një shembull tjetër i shkëlqyer nga vëllezërit e Antiokisë! A tregon nderim për motrat dhe vëllezërit e tu në besim, ‘sidomos për pleqtë që punojnë pa u lodhur për të na folur e për të na mësuar’?—1 Tim. 5:17.
15 Gjatë rrugës, udhëtarët i inkurajuan të bashkëkrishterët në Feniki e Samari, duke u treguar «me hollësi» se si shumë jojudenj u bënë të krishterë. Mes dëgjuesve mund të ketë pasur edhe besimtarë judenj që kishin ikur në ato rajone pas martirizimit të Stefanit. Edhe sot, inkurajohemi kur dëgjojmë raporte si Jehovai po bekon veprën e predikimit, sidomos kur jemi duke kaluar sprova. A nxjerr dobi plotësisht nga këto raporte, duke ndjekur mbledhjet, asambletë dhe kongreset e krishtere, si dhe duke lexuar historitë personale e jetëshkrimet që gjenden në botimet tona në sit apo në formatin e shtypur?
16. Nga duket se rrethprerja ishte bërë një problem serioz?
16 Pasi udhëtoi rreth 550 kilometra drejt jugut, delegacioni nga Antiokia më në fund mbërriti në Jerusalem. Luka shkroi: «Si mbërritën në Jerusalem, kongregacioni, apostujt dhe pleqtë i pritën përzemërsisht e ata u treguan sa shumë gjëra kishte bërë Perëndia nëpërmjet tyre.» (Vep. 15:4) Por si përgjigje, «disa nga sekti i farisenjve, të cilët ishin bërë besimtarë, u çuan e thanë: ‘Ata duhen rrethprerë dhe duhen urdhëruar që të zbatojnë Ligjin e Moisiut.’» (Vep. 15:5) Qartë, çështja e rrethprerjes së të krishterëve jojudenj ishte bërë një problem serioz dhe duhej zgjidhur.
«Apostujt dhe pleqtë u mblodhën së bashku» (Veprat 15:6-12)
17. Nga cilët përbëhej trupi udhëheqës në Jerusalem, dhe pse mund të jenë përfshirë edhe «pleqtë»?
17 Te Proverbat 13:10 thuhet: «Mençuria u përket atyre që kërkojnë këshilla.» Në përputhje me këtë parim, «apostujt dhe pleqtë u mblodhën së bashku për ta parë [çështjen e rrethprerjes]». (Vep. 15:6) «Apostujt dhe pleqtë» vepronin si përfaqësues të të gjithë kongregacionit të krishterë, siç bën sot Trupi Udhëheqës. Pse shërbenin edhe «pleqtë» bashkë me apostujt? Të mos harrojmë se apostulli Jakov ishte ekzekutuar dhe, të paktën për njëfarë kohe, apostulli Pjetër kishte qenë në burg. Po sikur t’u ndodhnin gjëra të tilla edhe apostujve të tjerë? Prania e burrave të tjerë të mirosur dhe të kualifikuar, do të ndihmonte që mbikëqyrja e veprës të vazhdonte pa ndërprerje.
18, 19. Ç’fjalë të fuqishme tha Pjetri, dhe në cilin përfundim duhej të arrinin dëgjuesit e tij?
18 Luka vazhdoi: «Pas një diskutimi të gjatë e të zjarrtë, Pjetri u ngrit e tha: ‘Burra, vëllezër, ju e dini mirë se kohë më parë Perëndia më zgjodhi mua nga mesi juaj, që njerëzit e kombeve të dëgjonin lajmin e mirë nga goja ime dhe të besonin. Perëndia që njeh zemrat, dha dëshmi se i pranoi duke u dhënë atyre frymën e shenjtë, siç bëri edhe me ne. Ai nuk bëri asnjë lloj dallimi mes nesh dhe atyre, por ua pastroi zemrat me anë të besimit.’» (Vep. 15:7-9) Sipas një vepre referimi, fjala greke e përkthyer ‘diskutim i zjarrtë’ në vargun 7, do të thotë edhe «të kërkosh; të pyesësh». Me sa duket, vëllezërit kishin pikëpamje të ndryshme, por të sinqerta, të cilat i shprehën lirshëm.
19 Fjalët e fuqishme të Pjetrit u sollën ndër mend të gjithëve se ai kishte qenë i pranishëm kur jojudenjtë e parë të parrethprerë, Korneli dhe ata të shtëpisë së tij, u mirosën me frymë të shenjtë në vitin 36 të e.s. Pra, nëse Jehovai nuk po bënte më dallime mes judenjve dhe jojudenjve, ç’autoritet kishin njerëzit për të vepruar ndryshe? Për më tepër, zemrën e një besimtari e pastron besimi te Krishti, jo veprat e Ligjit të Moisiut.—Gal. 2:16.
20. Si ‘po e vinin në provë Perëndinë’ përkrahësit e rrethprerjes?
20 Në bazë të dëshmisë së pakundërshtueshme të fjalës së Perëndisë dhe të frymës së shenjtë, Pjetri përfundoi: «Prandaj, pse po e vini tani në provë Perëndinë, duke u vënë në qafë dishepujve një zgjedhë që as paraardhësit tanë, as ne nuk ishim në gjendje ta mbanim? Përkundrazi, ne kemi besim se shpëtojmë nëpërmjet mirësisë së pamerituar të Zotërisë Jezu, ashtu si edhe ata.» (Vep. 15:10, 11) Në fakt, përkrahësit e rrethprerjes ‘po e vinin në provë Perëndinë’. Po ia sosnin durimin. Donin t’u impononin jojudenjve një kod që as vetë judenjtë s’e zbatonin dot plotësisht e që si pasojë i dënonte me vdekje. (Gal. 3:10) Në vend të kësaj, duhej të kishin qenë mirënjohës për mirësinë e pamerituar të Perëndisë, të shprehur nëpërmjet Jezuit.
21. Si kontribuan në diskutim Barnaba e Pavli?
21 Me sa duket, fjalët e Pjetrit goditën në shenjë, sepse «i gjithë grupi heshti». Më pas, Barnaba dhe Pavli treguan se «sa shumë shenja e mrekulli bëri Perëndia me anë të tyre mes kombeve». (Vep. 15:12) Tani, më në fund, apostujt dhe pleqtë mund të peshonin të gjitha dëshmitë e të merrnin një vendim që pasqyronte qartësisht vullnetin e Perëndisë për çështjen e rrethprerjes.
22-24. (a) Si e ndjek sot Trupi Udhëheqës shembullin e trupit udhëheqës të shekullit të parë? (b) Si mund të tregojnë respekt për rregullin teokratik të gjithë pleqtë?
22 Edhe sot, kur anëtarët e Trupit Udhëheqës mblidhen, kërkojnë drejtim nga Fjala e Perëndisë dhe luten me ngulm për frymën e shenjtë. (Psal. 119:105; Mat. 7:7-11) Për këtë qëllim, çdo anëtari të Trupit Udhëheqës i jepet që më përpara një listë me temat që do të shqyrtohen, që të mendojë e të lutet për to. (Prov. 15:28) Në mbledhje, këta vëllezër të mirosur shprehen lirshëm e me respekt. Gjatë bisedave përdoret shpesh Bibla.
23 Pleqtë e kongregacionit duhet të imitojnë këtë shembull. E nëse një çështje e rëndësishme nuk zgjidhet edhe pasi shqyrtohet në një mbledhje me pleqtë, trupi i pleqve mund të këshillohet me zyrën e degës vendëse ose me përfaqësuesit e saj të emëruar, siç janë mbikëqyrësit qarkorë. Dega, nga ana e vet, po të jetë e nevojshme i shkruan Trupit Udhëheqës.
24 Po, Jehovai i bekon ata që respektojnë rregullin teokratik dhe që shfaqin përulësi, besnikëri e durim. Siç do ta shohim në kapitullin vijues, shpërblimet që jep ai kur veprojmë kështu, janë paqja e vërtetë, drejtimi i qartë dhe uniteti i krishterë.
a Shih kutinë « Mësimet e judaizuesve».
b Besëlidhja e rrethprerjes nuk ishte pjesë e besëlidhjes abrahamike, e cila është në fuqi edhe sot e kësaj dite. Besëlidhja abrahamike hyri në fuqi në vitin 1943 p.e.s., kur Abrahami (atëherë Abrami) kapërceu lumin Eufrat rrugës për në Kanan. Në atë kohë ishte 75 vjeç. Kurse besëlidhja e rrethprerjes u bë më vonë, në vitin 1919 p.e.s., kur Abrahami ishte 99 vjeç.—Zan. 12:1-8; 17:1, 9-14; Gal. 3:17.
c Titi, një i krishterë grek që më vonë u bë shok i besuar dhe përfaqësues i Pavlit, duket se ka qenë pjesëtar i atij delegacioni. (Gal. 2:1; Titit 1:4) Ai ishte një shembull i shkëlqyer i një jojudeu të parrethprerë që u miros nga fryma e shenjtë.—Gal. 2:3.
d Shih kutinë « Dëshmitarët e Jehovait i mbështetin bindjet e tyre në Bibël».