Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 5

Të arrijmë të njohim Perëndinë

Të arrijmë të njohim Perëndinë

KUR kërkoni ndonjë këshillë, a nuk shkoni te dikush që është i besueshëm? Nëse këshilla vjen nga një burim të cilit i besoni, sigurisht që do të jeni më të prirur për ta zbatuar atë, pavarësisht nëse nxirrni dobi të menjëhershme apo jo. Nëse dëshironi të nxirrni vërtet dobi nga këshillat praktike që gjenden në Bibël, duhet të njiheni me Autorin e saj. Madje, mund të arrini të konsideroheni ‘miq’ të tij!—Isaia 41:8.

Emri hyjnor që shfaqet në tekstin hebraik të librit të Isaisë

2 Nëse dëshironi të miqësoheni me dikë, pa dyshim, do të doni të dini emrin e tij. A ka një emër Perëndia i Biblës? Ai deklaroi: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im dhe nuk do t’ia jap lavdinë time askujt tjetër, as lëvdimin tim shëmbëlltyrave të gdhendura.» (Isaia 42:8, BR) Emri i tij është «Jehova», që në gjuhën hebraike shkruhet יהוה (dhe lexohet nga e djathta në të majtë). Ky emër shfaqet rreth 7.000 herë në Shkrimet Hebraike të Biblës. Emri hyjnor do të thotë «Ai shkakton të bëhet» dhe nënkupton se Jehovai shkakton që ai vetë të bëhet çfarëdo gjëje që është e nevojshme, me qëllim që të përmbushë qëllimet e tij ose që shkakton të ndodhë me krijimin i tij çfarëdo që nevojitet për të përmbushur qëllimin e tij. Në hebraisht emri i tij është në një formë gramatikore e cila përshkruan një veprim që është në kryerje e sipër. Çfarë do të thotë kjo? Na tregon se Jehovai ka shkaktuar dhe ende po shkakton që të përmbushen qëllimet e tij. Ai është një Perëndi i gjallë, jo një forcë abstrakte.

3 Jehovai u bë Krijuesi. (Zanafilla 1:1) Ai është «Perëndia i gjallë, që bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta». (Veprat 14:15) Jehovai krijoi gjithçka, duke përfshirë edhe çiftin e parë njerëzor, Adamin dhe Evën. Prandaj, Perëndia është «burimi i jetës». (Psalmi 36:9) Ai u bë edhe Mbështetësi i jetës. Kështu «nuk e la veten pa dëshmi, meqë bëri mirë, duke ju dhënë shira nga qielli dhe stinë të frytshme, duke i mbushur zemrat tuaja plot e përplot me ushqim dhe hare». (Veprat 14:17) Në Afrikë dhe Azi, shumë njerëz adhurojnë të parët e tyre pasi ata u kanë dhënë jetën. A nuk duhet të ndihen edhe më shumë borxhlinj ndaj Krijuesit dhe Mbështetësit të jetës, Atij që krijoi çiftin e parë njerëzor dhe u dha aftësinë riprodhuese? Meditimi rreth këtij fakti mund t’ju shtyjë të thërritni: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.»—Zbulesa 4:11.

4 Nëpërmjet faqeve të Biblës mund të arrini të njihni Krijuesin tuaj, Jehovain, dhe të mësoni se ç’lloj Perëndie është. Ajo na zbulon se «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:16; Eksodi [Dalja] 34:6, 7) Ndërsa lexoni Biblën nga Zanafilla te Zbulesa, do të gjeni shumë tregime që dëshmojnë se ai është vërtet një Perëndi i dashur. Pse të mos e bëni zakon ta lexoni Fjalën e Perëndisë çdo ditë, me qëllim që të njihni Krijuesin tuaj? Studiojeni Biblën me kujdes, me ndihmën e atyre që e njohin mirë përmbajtjen e saj. (Veprat 8:26-35) Duke bërë kështu do të vëreni që ai është edhe një Perëndi i drejtë, i cili nuk do ta tolerojë ligësinë përgjithmonë. (Ligji i përtërirë 32:4) Ruajtja e ekuilibrit ndërmjet dashurisë dhe drejtësisë nuk është një gjë e lehtë për njeriun, por me mençuri Jehovai i mban ato në ekuilibër të përsosur. (Romakëve 11:33; 16:27) Duke qenë Perëndia i Plotfuqishëm, ai ka fuqi të bëjë çfarëdo gjëje që dëshiron, me qëllim që të përmbushë qëllimet e tij. (Zanafilla 17:1) Përpiquni të zbatoni këshillat e mençura që gjeni në Bibël dhe do ta çmoni Krijuesin edhe më shumë, duke kuptuar se këshillat e tij veprojnë gjithmonë në dobinë tonë.

Pse të mos i afroheni Jehovait në lutje?

5 Ka edhe një mënyrë tjetër për t’iu afruar Perëndisë. Kjo mënyrë është nëpërmjet lutjes. Jehovai është ‘Dëgjuesi i lutjes’. (Psalmi 65:2, BR) Ai mund «të bëjë shumë më tepër nga sa kërkojmë ose konceptojmë ne». (Efesianëve 3:20) Megjithatë, ç’do të mendonit për një «mik» që vjen te ju vetëm kur dëshiron t’i bëni ndonjë nder? Ka mundësi që të mos kishit një mendim shumë të mirë për të. Po njëlloj, pa dyshim do të dëshironit ta përdornit privilegjin e lutjes jo vetëm për t’i kërkuar Perëndisë atë që ju nevojitet, por edhe për ta falënderuar e për ta lavdëruar.—Filipianëve 4:6, 7; 1 Selanikasve 5:17, 18.