Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 4

Autori i librit të pashoq

Autori i librit të pashoq

NDONËSE rreth 96 për qind e amerikanëve pohojnë se besojnë te Perëndia, përqindja është shumë më e ulët në Evropë dhe Azi. Edhe në ato vende ku shumica e njerëzve pohojnë se nuk e besojnë Perëndinë si person, prapëseprapë një numër jo i vogël njerëzish e pranojnë idenë se një forcë e panjohur solli në ekzistencë universin fizik. Mësuesi i mirënjohur japonez Jukiçi Fukuzaua, portreti i të cilit gjendet në kartmonedhën prej 10.000 jenesh, një herë shkroi: «Thuhet se qielli nuk e krijon një njeri më të lartë ose më të ulët se një tjetër.» Duke përdorur fjalën «qielli», Fukuzaua po i referohej një parimi të natyrës, sipas të cilit ai mendonte se krijoheshin njerëzit. Shumë njerëz e pranojnë idenë e një «qielli» të tillë abstrakt, ashtu siç bëri edhe Keniçi Fukui, fitues i çmimit Nobel. Ai shprehu besim në ekzistencën e një strukture madhështore në univers—të barabartë me «Perëndinë» në terminologjinë fetare—por e quajti atë një «veçanti të natyrës».

Majtas: Jukiçi Fukuzaua; Djathtas: Keniçi Fukui

2 Këta intelektualë besonin se diçka e përjetshme ose dikush i përjetshëm vuri në lëvizje gjithçka në univers. Pse? Po ja, shqyrtoni këtë: dielli është një yll kaq i madh, saqë mund të mbajë brenda tij një milion planetë si toka, por ai është vetëm një grimcë e vogël në galaktikën Udha e Qumështit. Nga ana e saj, galaktika Udha e Qumështit është vetëm një ndër miliarda galaktikat që gjenden në univers. Vëzhgimet shkencore duket se tregojnë që këto galaktika po largohen nga njëra-tjetra me një shpejtësi të madhe. Për ta vënë universin në lëvizje, ka qenë e nevojshme një sasi e jashtëzakonshme energjie dinamike. Kush ose çfarë ishte burimi i kësaj energjie? «Ngrijini sytë lart dhe shikoni. Kush i ka krijuar këto gjëra?—pyet Bibla.—Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre, madje, me numër, të cilat i thërret të gjitha, madje, me emër. Falë bollëkut të energjisë dinamike, duke qenë se është edhe energjik në fuqi, asnjë prej tyre nuk mungon.» (Isaia 40:25, 26, BR) Ky shkrim tregon se ka qenë dikush që e ka vënë universin në lëvizje—Burimi i «energjisë dinamike».

Galaktika Sombrero

3 Mendoni edhe për jetën në tokë. A mund të lindte jeta vetvetiu, siç pohojnë evolucionistët? Biokimisti Majkëll Bihi pohon: «Shkenca ka bërë një përparim kolosal në kuptueshmërinë e mënyrës se si zhvillohen proceset kimike në organizmat e gjallë, por saktësia dhe kompleksiteti i sistemeve biologjike në nivelin molekular i kanë paralizuar përpjekjet e shkencës për të shpjeguar origjinën e tyre. . . . Shumë shkencëtarë kanë pohuar në mënyrë të guximshme se shpjegimet tashmë i kanë në dorë ose do t’i gjejnë herët a vonë, por asnjë mbështetje nuk mund të gjendet për këto pohime në literaturën profesionale shkencore. Ç’është më e rëndësishme, ka arsye të forta—bazuar në strukturën e vetë sistemeve [biomolekulare]—për të menduar se shpjegimi darvinian për mekanizmat e jetës do të jetë gjithmonë i pakuptueshëm.»

«Mbështjellja e një proteine të zakonshme . . . mund të krahasohet me një lojë tridimensionale me bashkim pjesësh figure»,—thotë Majkëll Bihi. Megjithatë, trupi i njeriut mund të përmbajë qindra mijë lojëra të tilla. Shkencëtarët po përpiqen të bashkojnë pjesët e tyre, por kush i projektoi?

4 A jeni vërtet të kënaqur me teorinë se jeta njerëzore lindi pa pasur asnjë forcë intelektuale që qëndronte pas saj? Le të marrim si shembull atë që disa e kanë konsideruar «objektin më kompleks të universit», trurin njerëzor, dhe le të shohim se në çfarë përfundimesh mund të arrijmë. «Madje edhe veprimtaria e kompjuterëve më të përparuar me rrjet ngjashëm sistemit nervor,—thotë dr. Riçard M. Restak,—ka rreth një të dhjetëmijtat e kapacitetit . . . të një mize shtëpie.» Truri i një njeriu është shumë herë më i zhvilluar se ai i një mize shtëpie. Ai është i programuar për të mësuar gjuhë. Riparon vetveten, rishkruan programe dhe përmirëson aftësinë e tij. Pa dyshim që do të ishit dakord se edhe një superkompjuter i fuqishëm, vetëm me «një të dhjetëmijtat e kapacitetit . . . të një mize shtëpie» e ka një projektues inteligjent. Po truri njerëzor? *

5 Rreth 3.000 vjet më parë, në një kohë kur njerëzit nuk i kuptonin plotësisht mrekullitë e strukturës së tyre fizike, një shkrimtar i Biblës meditoi rreth ndërtimit të trupit njerëzor dhe tha: «Do të të lavdëroj, sepse jam bërë mrekullisht në një mënyrë që të ngjall frikë. Veprat e tua janë të mrekullueshme, siç shpirti im e di shumë mirë.» Pa pasur aspak njohuri për molekulat e ADN-së, ai shkroi: «Sytë e tu panë madje edhe embrionin tim dhe në librin tënd ishin të shkruara të gjitha pjesët e tij.» (Psalmi 139:14, 16, BR) Për kë e kishte fjalën? Kush e krijoi gjithçka në univers me anë të «bollëkut të energjisë dinamike»?

Kush ka më shumë kapacitet, kompjuterët më të përparuar me rrjet ngjashëm sistemit nervor apo një mizë e thjeshtë shtëpie?

6 Vargu i parë fare i Biblës thotë: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Ai është edhe Autori i Biblës, Ai që frymëzoi përmbajtjen e saj. Ai na shfaqet si një person me të cilin mund të kemi një marrëdhënie domethënëse.

^ par. 4 Do të kënaqeni po të lexoni hollësi të mëtejshme në kapitujt 2 deri 4 të librit A ka një Krijues që interesohet për ju?, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.