Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 3

Libri që përmban një udhëheqje të besueshme

Libri që përmban një udhëheqje të besueshme

«BIBLA është një ndërthurje e civilizimit të njeriut me përvojat e jetës dhe është e pashoqe»,—thotë një gazetë e botuar nga Universiteti Çong Shang në Guanxhou, Kinë. Emanuel Kanti, një filozof me influencë i shekullit të 18-të, citohet të ketë thënë: «Ekzistenca e Biblës, si një libër për njerëzit, është dobia më e madhe që ka përjetuar ndonjëherë njerëzimi. Çdo përpjekje për t’ia ulur vlerën asaj . . . është një krim kundër njerëzimit.» The Encyclopedia Americana thotë: «Ndikimi i Biblës nuk është aspak i kufizuar vetëm te judenjtë dhe te të krishterët. . . . Tani ajo konsiderohet si një thesar etik e fetar, mësimet e pashtershme të së cilës premtojnë të jenë edhe më të vlefshme, ndërsa shpresa për një botë të civilizuar rritet.»

2 Pavarësisht nga përkatësia juaj fetare, a nuk do të ishit të interesuar të dinit diçka rreth një libri të tillë? Deri në fundin e shekullit të 20-të, Bibla ishte përkthyer, në tërësi ose pjesërisht, në më shumë se 2.200 gjuhë. Shumica e njerëzve mund të gjejnë një kopje të saj në një gjuhë që mund ta lexojnë dhe ta kuptojnë. Që nga shpikja e shtypshkronjave me shkronja të lëvizshme, është llogaritur se në të gjithë botën kanë qarkulluar afro katër miliardë kopje të Biblës.

3 Tani, ju lutemi, hapeni Biblën tuaj, nëse keni një kopje, dhe hidhini një vështrim tabelës së përmbajtjes. Do të vëreni emrat e librave, duke filluar me Zanafillën e duke mbaruar me Zbulesën. Në të vërtetë, Bibla është një koleksion prej 66 librash të shkruar nga 40 njerëz të ndryshëm. Pjesa e parë, e përbërë nga 39 libra, së cilës shumë njerëz i referohen me emrin Dhiata e Vjetër, është quajtur me të drejtë Shkrimet Hebraike, sepse ishte shkruar kryesisht në hebraisht. Pjesa e dytë, e përbërë nga 27 libra, së cilës shumë i referohen me emrin Dhiata e Re, është quajtur me të drejtë Shkrimet e Krishtere Greke, sepse u shkrua në greqisht nga shkrimtarë të krishterë. U deshën më shumë se 1.600 vjet, nga viti 1513 p.e.s. deri në vitin 98 të e.s., që të përfundonte së shkruari Bibla. Shkrimtarët nuk zhvilluan asnjëherë ndonjë mbledhje konsultimi dhe disa libra u shkruan njëkohësisht, në vende që ishin mijëra kilometra larg njëri-tjetrit. E megjithatë, Bibla ka një temë të vetme dhe është një e tërë e unifikuar; ajo nuk bie në kundërshtim me vetveten. Është e pamundur të mos pyesim veten: ‘Si mundën më shumë se 40 burra, të cilët kanë jetuar gjatë një periudhe prej 16 shekujsh, të hartojnë një libër që është koherent në një shkallë të tillë?’

«[Perëndia] shtrin veriun në zbrazëti dhe e mban tokën pezull mbi hiçin.»

4 Ndonëse Bibla përfundoi së shkruari më shumë se 1.900 vjet më parë, përmbajtja e saj ngjall interesin e burrave dhe grave të kohëve moderne. Për shembull, hapeni Biblën tuaj te Jobi 26:7. Kini parasysh që ky tekst u shkrua në shekullin e 15-të p.e.s. Atje thuhet: «[Perëndia] shtrin veriun në zbrazëti dhe e mban tokën pezull mbi hiçin.» Tani, kaloni tek Isaia 40:22, duke sjellë ndër mend se ky libër u shkrua në shekullin e tetë p.e.s. Në këtë varg lexojmë: «Ai është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca; ai i shpalos qiejtë si një velo dhe i hap si një çadër ku mund të banosh.» Çfarë ju vjen ndër mend kur lexoni këto dy përshkrime? Imazhi i një objekti sferik që qëndron «pezull» në hapësirë. Ka të ngjarë që ta keni parë një imazh të tillë në fotografitë e dërguara nga anijet kozmike moderne. Mund të pyesni veten: ‘Si mundën të bënin pohime të tilla të sakta nga ana shkencore njerëz që kanë jetuar kaq shumë kohë më parë?’

5 Le të marrim në shqyrtim një pyetje tjetër në lidhje me Biblën. A është e saktë ajo nga ana historike? Disa mendojnë se Bibla është thjesht një përmbledhje legjendash, pa bazë historike. Për shembull, merrni rastin e Davidit, mbretit të famshëm izraelit. Deri pak kohë më parë, e vetmja bazë për të ditur ekzistencën e tij ishte Bibla. Ndonëse historianët, në përgjithësi, e pranojnë atë si personazh autentik, disa skeptikë përpiqen ta hedhin poshtë, duke e konsideruar si një legjendë të sajuar nga propagandistët judenj. Çfarë tregojnë faktet?

Mbishkrim ku flitet për «Shtëpinë e Davidit»

6 Në vitin 1993, në rrënojat e qytetit të lashtë izraelit të Danit, u gjet një mbishkrim që i referohej «Shtëpisë së Davidit». Mbishkrimi ishte pjesë e një përmendoreje të copëtuar që i përkiste shekullit të nëntë p.e.s., dhe që përkujtonte një fitore të armiqve të izraelitëve ndaj këtyre të fundit. Papritur, u gjet një referim i lashtë në lidhje me Davidin jashtë faqeve të Biblës! A ishte domethënës ai? Lidhur me këtë zbulim, Izrael Finkelshtajn, i Universitetit të Tel-Avivit, komentoi: «Nihilizmi i Biblës pësoi një shembje të papritur me zbulimin e mbishkrimit të Davidit.» Në mënyrë interesante, Profesori Uilliam F. Ollbrajt, një arkeolog që kaloi dekada duke bërë gërmime në Palestinë, një herë tha: «Zbulimet e njëpasnjëshme kanë vërtetuar saktësinë e hollësive të panumërta dhe kanë bërë që të pranohet gjithnjë e më shumë vlera e Biblës si një burim historik.» Përsëri mund të pyesim: ‘Si mundi ky libër i lashtë të ishte kaq i saktë nga ana historike, ndryshe nga epopetë dhe legjendat?’ Por nuk mbaron me kaq.

Monedhë me Aleksandrin e Madh

7 Bibla është, gjithashtu, një libër me profeci. (2 Pjetrit 1:20, 21) Fjala «profeci» mund t’ju sjellë menjëherë ndër mend fjalë të pavërtetuara të ndonjë profeti të vetëshpallur. Por lërini paragjykimet mënjanë dhe hapeni Biblën tuaj në kapitullin 8 të Danielit. Këtu Danieli përshkruan një vizion në të cilin një dash me dy brirë ndeshet me një cjap leshtor që ka ‘një bri të spikatshëm’. (BR) Cjapi fiton, por briri i tij i madh thyhet. Në vend të tij dalin katër brirë të tjerë. Ç’kuptim ka vizioni? Tregimi i Danielit vazhdon: «Dashi me dy brirë, që ti ke parë, përfaqëson mbretërit e Medisë dhe të Persisë. Cjapi leshtor është mbreti i Javanit [Greqisë, BR]; dhe briri i madh që ishte në mes të syve të tij është mbreti i parë. Briri i thyer dhe katër brirët që dolën në vend të tij janë katër mbretëri që do të dalin nga ky komb, por jo me të njëjtën fuqi të tij.»—Danieli 8:3-22.

«Zbulimet e njëpasnjëshme kanë vërtetuar saktësinë e hollësive të panumërta dhe kanë bërë që të pranohet gjithnjë e më shumë vlera e Biblës si një burim historik.»​—Profesori Uilliam F. Ollbrajt

8 A u përmbush kjo profeci? Libri i Danielit u përfundua së shkruari rreth vitit 536 p.e.s. Mbreti i Maqedonisë, Aleksandri i Madh, i cili lindi 180 vjet më vonë, në vitin 356 p.e.s., pushtoi Perandorinë Persiane. Ai ishte «briri i madh» në mes të syve të ‘cjapit leshtor’. Sipas historianit jude Jozef, me të hyrë në Jerusalem, para se të fitonte ndaj Persisë, Aleksandrit i treguan librin e Danielit. Ai arriti në përfundimin se fjalët e profecisë së Danielit që i treguan, i referoheshin fushatës së tij ushtarake në të cilën përfshihej Persia. Për më tepër, në librat e historisë botërore, mund të lexoni për ecurinë e perandorisë së Aleksandrit pas vdekjes së tij në vitin 323 p.e.s. Së fundi, kontrollin e perandorisë së tij e morën në dorë katër gjeneralë dhe, aty nga viti 301 p.e.s., «katër brirët» që dolën në vend të ‘bririt të madh’ e ndanë territorin në katër pjesë. Edhe një herë kemi çdo arsye për të pyetur: ‘Si mundi një libër ta parathoshte në mënyrë kaq të gjallë e të saktë atë që do të ndodhte rreth 200 vjet më vonë?’

9 Vetë Bibla u përgjigjet pyetjeve të mësipërme: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm.» (2 Timoteut 3:16) Fjala greke e përkthyer «i frymëzuar nga Perëndia» fjalë për fjalë do të thotë «i fryrë nga Perëndia». Perëndia «fryu» në mendjen e 40 shkrimtarëve informacionin që gjejmë tani në librat e Biblës. Këta pak shembuj​—shkencorë, historikë dhe profetikë—​që kemi shqyrtuar çojnë në mënyrë të qartë në një përfundim të vetëm. Bibla, ky libër i pashoq, nuk është produkt i mençurisë njerëzore, por ka origjinë hyjnore. Megjithatë, shumë njerëz sot janë skeptikë në lidhje me ekzistencën e Autorit të saj, Perëndisë. Po ju?