Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 6

Pse na krijoi Jehovai?

Mbreti Solomon mori në shqyrtim pyetjen lidhur me domethënien e jetës

Pse na krijoi Jehovai?

ÇFARË do të nënkuptojë për ty njohja e Jehovait? Ndër të tjera, do të nënkuptojë gjetjen e përgjigjes së një pyetjeje që ka lënë në mëdyshje miliarda njerëz: ‘Përse jam këtu?’ Ndoshta e keni bërë këtë pyetje ndonjëherë. Një mbret i mençur që ‘ua kaloi për pasuri tërë mbretërve’ të kohës së tij, e shqyrtoi këtë pyetje lidhur me domethënien e jetës. (2 Kronikave 9:22; Predikuesi [Eklisiastiu] 2:1-13) Ky mbret, Solomoni, kishte në dispozicion fuqi të madhe, pasuri të bollshme dhe mençuri të pakrahasueshme. Cili qe rezultati i shqyrtimit që bëri? «Përfundimi i çështjes, pasi është dëgjuar çdo gjë, është: ki frikë Perëndinë e vërtetë dhe zbato urdhërimet e tij. Sepse ky është i gjithë detyrimi i njeriut.» (Eklisiastiu 12:13, BR) Meqenëse përvoja e Solomonit ia kalon asaj të shumicës së njerëzve, përfundimi i tij ia vlen të paktën të shqyrtohet.—Predikuesi 2:12.

2 Frika e Perëndisë, së cilës iu referua Solomoni, nuk është një frikë tmerruese nga ndonjë forcë frymore e panjohur. Përkundrazi, është një frikë e shëndetshme se mos i shkaktoni pakënaqësi dikujt që e doni shumë. Nëse e doni thellësisht një person, sigurisht dëshironi t’i pëlqeni atij në çdo kohë dhe të shmangni bërjen e çdo gjëje që mund ta ofendojë. Ndërsa zhvilloni dashurinë për Jehovain, do të ndiheni po njëlloj edhe në lidhje me të.

3 Duke lexuar Biblën, mund të mësoni çfarë i pëlqen dhe çfarë nuk i pëlqen Krijuesit tonë, si edhe qëllimin për të cilin e krijoi tokën. Duke e përshkruar Jehovain si ai «që ka formuar tokën dhe e ka bërë», Bibla i referohet atij edhe si Ai që «e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej». (Isaia 45:18) Jehovai e përgatiti tokën që të banohej nga njerëzit, të cilët duhej të kujdeseshin për tokën dhe për të gjitha krijesat në të. (Zanafilla 1:28) Por, a ishte ky i vetmi qëllim i Jehovait kur krijoi njerëzit, d.m.th., që të ishin kujdestarë?

Adami dhe Eva kishin një marrëdhënie domethënëse me Perëndinë

4 Jo, ai kishte një qëllim më të lartë. Njeriu i parë, Adami, kishte një marrëdhënie domethënëse me Jehovain. Adami mund të komunikonte drejtpërdrejt me Krijuesin. Ai mund të dëgjonte atë që i thoshte Perëndia dhe njëkohësisht t’i shprehte Jehovait atë që mendonte. (Zanafilla 1:28-30; 3:8-13, 16-19; Veprat 17:26-28) Prandaj, Adami dhe gruaja e tij, Eva, kishin një mundësi të madhe për ta njohur më mirë Jehovain dhe për të zhvilluar një marrëdhënie edhe më të thellë me të. Duke e njohur Jehovain dhe duke e imituar, jeta e tyre do të ishte bërë e kënaqshme, sepse ai është ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) Duke qenë Perëndia «që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë», Jehovai e vendosi njeriun e parë në një parajsë të quajtur kopshti i Edenit, me perspektivën për të jetuar përgjithmonë.—1 Timoteut 6:17; Zanafilla 2:8, 9, 16, 17.

Ç’tregojnë zbulimet e fundit që janë bërë në lidhje me qelizën njerëzore?

5 Përgjithmonë? Ju mund ta hidhni poshtë idenë e jetës së përjetshme, duke e konsideruar absurde, por, a është e tillë? Shkencëtarët besojnë se tani e kanë kuptuar çfarë e shkakton plakjen e qelizave. Disa pjesëza materiali gjenetik të quajtura telomere, që gjenden në skajet e kromozomeve, shkurtohen gjithnjë e më shumë çdo herë që një qelizë ndahet. Pas 50 deri 100 ndarjesh të qelizës, telomeret konsumohen dhe shumica e qelizave nuk ndahen më. Megjithatë, zbulimet e fundit shkencore tregojnë se me ndihmën e një enzime të quajtur telomerazë, qelizat njerëzore mund të vazhdojnë të ndahen pafundësisht. Ndonëse ky zbulim nuk do të thotë se Jehovai e bën të mundur jetën e përhershme me anë të kësaj enzime të veçantë, ai tregon një gjë: ideja e jetës së përhershme nuk është absurde.

6 Po, tregimi i Biblës që thotë se çifti i parë njerëzor u krijua për të jetuar përgjithmonë është i besueshëm. Njerëzit duhej ta thellonin marrëdhënien e tyre me Jehovain deri në kohë të pacaktuar. Duhej të zhvillonin një lidhje të fortë me Atin e tyre qiellor, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm lidhur me qëllimin e tij për njerëzit mbi tokë dhe duke e përmbushur atë. Jeta e tyre nuk duhej të ishte një punë angari. Adami dhe Eva kishin perspektivën e mrekullueshme për ta mbushur tokën me pasardhës të lumtur e të përsosur. Ata do të kishin punë të kënaqshme e domethënëse për gjithë përjetësinë. Kjo jetë do të kishte qenë vërtet një jetë e kënaqshme!—Zanafilla 1:28.