Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 102

Mbreti hyn në Jerusalem hipur në një kërriç

Mbreti hyn në Jerusalem hipur në një kërriç

MATEU 21:1-11, 14-17 MARKU 11:1-11 LUKA 19:29-44 GJONI 12:12-19

  • JEZUIN E PRESIN ME BROHORITJE NË JERUSALEM

  • PARATHOTË SHKATËRRIMIN E JERUSALEMIT

Ditën tjetër, të dielën më 9 nisan, Jezui dhe dishepujt e tij lënë Betaninë dhe nisen për në Jerusalem. Teksa i afrohen Betfagës, në Malin e Ullinjve, Jezui u thotë dy prej dishepujve:

«Shkoni në fshatin përballë dhe, sapo të mbërrini atje, do të gjeni një gomaricë të lidhur e një kërriç bashkë me të. Zgjidhini dhe m’i sillni. Po t’ju thotë gjë dikush, i thoni: ‘I duhen Zotërisë.’ Dhe ai do t’jua japë menjëherë.»—Mateu 21:2, 3.

Dishepujve nuk u vete mendja se këto udhëzime kanë lidhje me një profeci të Biblës. Megjithatë, më vonë kuptojnë se po përmbushet profecia e Zakarisë. Ai kishte parathënë se Mbreti i premtuar nga Perëndia do të hynte në Jerusalem ‘i përulur dhe hipur në një gomar, po, në një kërriç, në të voglin e gomaricës’.—Zakaria 9:9.

Kur dishepujt mbërrijnë në Betfagë dhe marrin gomaricën bashkë me kërriçin, njerëzit aty pranë i pyesin: «Ç’po bëni? Pse po e zgjidhni kërriçin?» (Marku 11:5) Megjithatë, sapo mësojnë se i duhen Zotërisë, i lejojnë t’i marrin. Dishepujt vënë mantelet e tyre, edhe mbi gomaricën, edhe mbi kërriçin. Gjithsesi, Jezui zgjedh të hipë mbi kërriç.

Ndërsa Jezui i afrohet Jerusalemit, turma sa vjen e rritet. Shumë njerëz shtrojnë mantelet në rrugë; të tjerë shtrojnë «degët me gjethe që kishin prerë fushave». Ata brohorasin: «Shpëtoje, të lutemi! I bekuar është ai që vjen në emër të Jehovait! E bekuar është Mbretëria që po vjen, e atit tonë David!» (Marku 11:8-10) Farisenjtë që janë në turmë, bezdisen nga këto brohoritje dhe i thonë Jezuit: «Mësues, qortoji dishepujt e tu.» Ai ua kthen: «Unë po ju them: nëse këta do të heshtnin, edhe gurët do të thërritnin.»—Luka 19:39, 40.

Teksa vështron Jerusalemin, Jezuit i shkojnë lot dhe, duke psherëtirë, thotë: «Ah, sikur ti, po, ti të dalloje sot udhën që të çon drejt paqes . . . por tani ajo është fshehur nga sytë e tu.» Jerusalemi do ta paguajë shtrenjtë mosbindjen. Jezui parathotë: «Armiqtë do të ngrenë përreth teje një fortifikatë me hunj të mprehtë, do të të kërcënojnë dhe do të të rrethojnë nga çdo anë. Ata do të të bëjnë copë-copë, ty dhe gjithë fëmijët e tu, dhe nuk do të lënë te ti gur mbi gur.» (Luka 19:42-44) Fjalët e Jezuit dalin të vërteta kur Jerusalemi shkatërrohet, në vitin 70 të e.s.

Kur Jezui hyn në Jerusalem, ‘gjithë qyteti trazohet dhe populli pyet: «Kush është ky?»’ Turmat thonë: «Ky është profeti Jezu, nga Nazareti i Galilesë!» (Mateu 21:10, 11) Disa nga turma që e kishin parë Jezuin të ringjallte Lazarin, u flasin të tjerëve për atë mrekulli. Farisenjtë, duke parë që nuk e ndryshojnë dot situatën, i qahen njëri-tjetrit: «Gjithë bota po shkon pas tij.»—Gjoni 12:18, 19.

Kur është në Jerusalem, Jezui e ka zakon të shkojë në tempull që të mësojë të tjerët. Kështu bën edhe kësaj here: mëson njerëzit e madje shëron të verbrit e të çalët. Krerët e priftërinjve dhe skribët tërbohen fare tek shohin ç’po ndodh dhe dëgjojnë fëmijët që thërrasin në tempull: «Shpëtoje, të lutemi, Birin e Davidit!» Ndaj e pyesin Jezuin: «E dëgjon ç’po thonë këta?» Ai u përgjigjet: «A nuk e keni lexuar kurrë këtë: ‘Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave ke marrë lavdi.’»—Mateu 21:15, 16.

Jezui vë re se ç’ndodh në tempull. Por tani është vonë, ndaj ai dhe apostujt largohen dhe kthehen në Betani para 10 nisanit, dhe aty kalon natën e së dielës.