Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 135

Jezui i ringjallur u shfaqet shumë vetave

Jezui i ringjallur u shfaqet shumë vetave

LUKA 24:13-49 GJONI 20:19-29

  • JEZUI U SHFAQET DISHEPUJVE RRUGËS PËR NË EMAUS

  • AI UA ZBËRTHEN SHKRIMET DISA HERË

  • THOMAI NUK DYSHON MË

Të dielën më 16 nisan, dishepujt ndihen përtokë. Nuk e kuptojnë akoma pse varri i Jezuit është bosh. (Mateu 28:9, 10; Luka 24:11) Më vonë, po atë ditë, Kleopa dhe një dishepull tjetër ikin nga Jerusalemi për në Emaus, rreth 11 kilometra larg.

Rrugës bisedojnë për gjërat që kanë ndodhur. Në një moment, u afrohet një i panjohur që i pyet: «Për çfarë po diskutonit me njëri-tjetrin rrugës?» Kleopa i përgjigjet: «Mos je i ardhur që jeton fillikat në Jerusalem? Si nuk e ditke ç’ka ndodhur atje këto ditë?» I panjohuri i pyet: «Për çfarë e keni fjalën?»—Luka 24:17-19.

«Për ato që ndodhën me Jezuin, nazareasin»,—thonë ata.—«Ne shpresonim që ai të ishte njeriu që do të çlironte Izraelin.»—Luka 24:19-21.

Kleopa dhe shoku i tij i tregojnë më tej për gjërat që kanë ndodhur po atë ditë. I thonë se disa gra e gjetën bosh varrin e Jezuit dhe ishin dëshmitare okulare të një ngjarjeje të mbinatyrshme: iu shfaqën engjëj që u thanë se Jezui është gjallë. Pastaj i shpjegojnë se edhe të tjerë shkuan te varri dhe «e gjetën ashtu si kishin thënë gratë».—Luka 24:24.

Dy dishepujt janë të hutuar dhe nuk kapin kuptimin e asaj që ka ndodhur. I panjohuri u përgjigjet me vendosmëri për t’u ndrequr mënyrën e gabuar si mendojnë, sepse kjo po i pengon të besojnë në zemër se ai është ringjallur: «Pse tregoheni të pamend?! Pse ngurrojnë zemrat tuaja t’u besojnë të gjitha gjërave që thanë profetët? A nuk duhej t’i vuante Krishti të gjitha këto dhe pastaj të merrte lavdinë që meriton?» (Luka 24:25, 26) Pastaj u shpjegon shumë fragmente nga Shkrimet që lidhen me Krishtin.

Në fund, të tre arrijnë afër Emausit. Por dy dishepujt duan të dëgjojnë më shumë, prandaj i luten të panjohurit: «Rri me ne, se tashmë është vonë dhe pas pak do të errësohet.» Ai pranon dhe të tre hanë së bashku. Kur i panjohuri bën një lutje, thyen bukën dhe ua jep, ata e njohin, por ai u zhduket nga sytë. (Luka 24:29-31) Tani s’kanë pikë dyshimi që Jezui është gjallë!

Këta dy dishepuj shprehen plot entuziazëm për atë që sapo përjetuan: «A nuk na digjej zemra kur po na fliste rrugës dhe po na i zbërthente plotësisht Shkrimet?!» (Luka 24:32) Nisen shpejt për në Jerusalem, ku gjejnë apostujt dhe disa të tjerë që janë mbledhur me ta. Para se Kleopa dhe shoku i tij t’u tregojnë ç’u ka ndodhur, të tjerët thonë: «Zotëria është ngritur vërtet nga të vdekurit dhe iu shfaq Simonit!» (Luka 24:34) Atëherë edhe dy dishepujt u tregojnë si iu shfaq Jezui. Po, edhe ata e kanë parë me sytë e tyre.

Tani ndodh diçka që i befason—Jezui shfaqet në dhomë! S’u besojnë syve, sepse i kishin kyçur dyert nga frika e judenjve. E megjithatë, Jezui është pikërisht mes tyre. Me qetësi u thotë: «Paqja qoftë me ju!» Mirëpo ata janë të trembur. Siç kishte ndodhur edhe më parë, ‘kujtojnë se po shikojnë ndonjë frymë’.—Luka 24:36, 37; Mateu 14:25-27.

Që t’u vërtetojë se nuk është një vegim ose thjesht pjellë e imagjinatës së tyre, por që ai ka vërtet trup prej mishi e gjaku, Jezui u tregon duart e këmbët dhe u thotë: «Pse jeni të shqetësuar dhe pse ua kanë pushtuar zemrën dyshimet? Shihni duart dhe këmbët e mia, jam unë. Më prekni dhe shihni, sepse fryma nuk ka mish dhe kocka, siç e shihni që kam unë.» (Luka 24:36-39) Edhe pse dishepujt janë shumë të lumtur e të mahnitur, janë disi skeptikë.

Për t’i ndihmuar akoma që të kuptojnë se është real, i pyet: «A keni ndonjë gjë për të ngrënë?» Ata i japin një copë peshku të pjekur dhe ai e ha. Pastaj thotë: «Kur isha ende me ju [para se të vdisja], ju thashë se duhet të përmbushen të gjitha gjërat e shkruara për mua te Ligji i Moisiut, te Profetët dhe te Psalmet.»—Luka 24:41-44.

Jezui kishte ndihmuar Kleopën dhe shokun e tij të kuptonin Shkrimet, dhe këtë e bën sërish tani për të gjithë ata që janë mbledhur: «Është shkruar se Krishti do të vuante, do të ngrihej nga të vdekurit ditën e tretë dhe, në emër të tij, do të predikohej mesazhi për pendimin dhe për faljen e mëkateve në të gjitha kombet, duke nisur nga Jerusalemi. Ju do të jeni dëshmitarë të këtyre gjërave.»—Luka 24:46-48.

Për ndonjë arsye, apostulli Thoma nuk është i pranishëm. Gjatë ditëve në vijim, të tjerët i thonë tërë gëzim: «Kemi parë Zotërinë!» Thomai përgjigjet: «Po të mos shoh shenjat e gozhdëve në duart e tij, të vë gishtin në shenjën e gozhdëve e të vë dorën në brinjë, nuk do ta besoj kurrë.»—Gjoni 20:25.

Tetë ditë më vonë, dishepujt janë mbledhur përsëri e kanë kyçur dyert. Kësaj here bashkë me ta është edhe Thomai. Jezui u shfaqet përsëri me trup njerëzor dhe i përshëndet: «Paqja qoftë me ju!» Pastaj i drejtohet Thomait me këto fjalë: «Vëre gishtin këtu e shihi duart e mia, zgjate dorën e vëre në brinjën time dhe mos dysho më, por beso.» Thomai thotë me gjithë shpirt: «Zotëria im dhe Perëndia im!» (Gjoni 20:26-28) Po, tani nuk ka më asnjë fije dyshimi që Jezui është gjallë. Kur Thomai thotë: «Perëndia im», nënkupton që Jezui është «një perëndi» i cili përfaqëson të vetmin Perëndi të vërtetë, Jehovain.

«Ngaqë më pe, besove?»—thotë Jezui.—«Lum ata që nuk shohin, e prapëseprapë besojnë!»—Gjoni 20:29.