Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 126

E mohon në shtëpinë e Kajafës

E mohon në shtëpinë e Kajafës

Kur Jezuin e arrestojnë në kopshtin e Getsemanisë, apostujt e braktisin dhe ia mbathin nga frika. Mirëpo dy prej tyre, Pjetri «dhe një dishepull tjetër», me siguri apostulli Gjon, kthejnë rrugë dhe fillojnë të ndjekin Jezuin. (Gjoni 18:15; 19:35; 21:24) Mbase e arrijnë kur Jezui është rrugës për në shtëpinë e Hanait. Kur Hanai e dërgon te kryeprifti Kajafa, Pjetri dhe Gjoni e ndjekin nga larg. Me siguri i torturojnë lloj-lloj ndjenjash. Nga njëra anë kanë frikë për jetën e tyre, nga ana tjetër kanë merak se ç’do të bëhet me Zotërinë.

Gjoni është një i njohur i kryepriftit, prandaj hyn pa problem në oborrin e shtëpisë së Kajafës. Pjetri qëndron jashtë te dera, derisa Gjoni kthehet dhe i flet një vajze që shërben si portiere. Pastaj ajo e lejon Pjetrin të hyjë brenda.

Është një natë e ftohtë, ndaj ata që janë në oborr, janë mbledhur rreth një zjarri bubulak me qymyr. Pjetri ulet bashkë me ta për t’u ngrohur ndërkohë që pret ‘të shohë si do të shkojë puna’ me gjyqin e Jezuit. (Mateu 26:58) Tani, nën dritën e zjarrit, portierja që e futi Pjetrin brenda, arrin ta shohë më mirë dhe e pyet: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e këtij njeriu?» (Gjoni 18:17) Ajo nuk është e vetmja që e njeh Pjetrin dhe që e akuzon se ishte me Jezuin.—Mateu 26:69, 71-73; Marku 14:70.

Kjo e mërzit shumë Pjetrin. Ai po përpiqet të mos bjerë në sy, e madje veçohet e shkon te porta e oborrit. E mohon që ishte me Jezuin dhe, në një moment, arrin deri aty sa thotë: «As atë nuk e njoh, as ty s’po të marr vesh ç’po thua.» (Marku 14:67, 68) Gjithashtu fillon ‘të mallkojë veten e të betohet’, domethënë është gati të zërë be që po thotë të vërtetën dhe të pësojë fatkeqësi nëse gënjen.—Mateu 26:74.

Ndërkohë, gjyqi i Jezuit po vazhdon, me sa duket në një pjesë të shtëpisë së Kajafës që ndodhet mbi oborr. Mbase Pjetri dhe të tjerët që presin poshtë, shohin njerëzit e ndryshëm që shkojnë e vijnë për të dëshmuar.

Theksi galileas i Pjetrit është provë se mohimi i tij nuk qëndron. Veç kësaj, një nga të pranishmit aty është farefis i Malkut, atij që Pjetri i preu veshin, dhe akuza ndaj Pjetrit ngrihet përsëri: «Unë të pashë në kopsht me të, apo jo?» Kur Pjetri e mohon për të tretën herë, një gjel këndon, siç ishte parathënë.—Gjoni 13:38; 18:26, 27.

Në atë çast, duket se Jezui është në një ballkon me pamje nga oborri. Zotëria kthehet dhe e shikon Pjetrin drejt e në sy. Ky shikim e shpon Pjetrin në zemër. I vijnë ndër mend fjalët që Jezui i tha pak orë më parë në dhomën e sipërme. Imagjino si ndihet Pjetri kur kupton çfarë ka bërë! Ai del përjashta dhe qan me dënesë.—Luka 22:61, 62.

Si ka mundësi?! Si arriti të mohonte Zotërinë e tij Pjetri, ky burrë kaq i sigurt se besimi dhe besnikëria e tij s’do të lëkundeshin kurrë?! E vërteta po shtrembërohet dhe Jezuin po e paraqesin si një kriminel të poshtër. Pjetri mund ta kishte mbrojtur këtë njeri të pafajshëm, por tani i kthen shpinën Atij që ka «fjalë që të çojnë në jetën e përhershme».—Gjoni 6:68.

Përvoja tragjike e Pjetrit tregon se edhe një njeri me besim të fortë e përkushtim mund ta humbë ekuilibrin nëse nuk është i përgatitur siç duhet për sprovat ose tundimet e papritura. Qoftë një paralajmërim për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë ajo që kaloi Pjetri!