Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 10

Jezui me familjen shkojnë në Jerusalem

Jezui me familjen shkojnë në Jerusalem

LUKA 2:40-52

  • JEZUI 12-VJEÇAR PYET MËSUESIT

  • JEZUI E QUAN JEHOVAIN ‘ATI IM’

Është pranverë dhe si zakonisht, Jozefi me familjen, bashkë me miq e të afërm, përgatiten për udhëtimin e tyre të përvitshëm për në Jerusalem. Po shkojnë të kremtojnë Festën e Kalimit, siç e kërkon Ligji. (Ligji i përtërirë 16:16) Nazareti ndodhet rreth 120 kilometra larg Jerusalemit. Është një periudhë e ngarkuar dhe emocionuese për të gjithë. Jezui, që tani është 12 vjeç, mezi pret të marrë pjesë në festë e të shkojë përsëri në tempull.

Kremtimi i Festës së Kalimit nuk zgjat vetëm një ditë. Pjesë e këtij kremtimi konsiderohet edhe Festa e Bukëve Pa Maja, e cila nis një ditë më pas dhe zgjat shtatë ditë. (Marku 14:1) Ndaj që të shkojnë në Jerusalem, të kremtojnë festat e të kthehen sërish në Nazaret Jezuit dhe familjes së tij u duhen rreth dy javë. Ama këtë vit udhëtimi zgjat ca më shumë për shkak të një situate që përfshin Jezuin. Rrugës për në Nazaret lind një problem.

Ndërsa udhëtojnë për në veri, Jozefi dhe Maria mendojnë se Jezui është mes të afërmve dhe miqve të tjerë. Por, kur ndalojnë për të kaluar natën, nuk arrijnë ta gjejnë. Prandaj shkojnë ta kërkojnë te bashkudhëtarët, por as atje nuk është. Djali s’gjendet gjëkundi! Ndaj Jozefi dhe Maria vendosin të kthehen për ta kërkuar në Jerusalem.

E kërkojnë gjithë ditën, por më kot. Edhe ditën e dytë rezultati është i njëjtë. Më në fund, e gjejnë ditën e tretë në një nga sallat e shumta të tempullit, mes mësuesve judenj. Ai po i dëgjon, po i pyet dhe i lë gojëhapur me kuptueshmërinë e tij.

Maria e pyet: «Bir, ç’na bëre kështu? Babai yt dhe unë të kemi kërkuar si të marrë.»—Luka 2:48.

Jezui habitet që prindërit nuk e dinin ku ta gjenin dhe i pyet: «Pse po më kërkonit? A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?»—Luka 2:49.

Tani që familja ribashkohet, Jezui kthehet në shtëpi me Jozefin dhe Marinë e vazhdon t’u nënshtrohet. Teksa rritet, fiton gjithnjë e më shumë mençuri. Ndonëse i ri, ka pëlqimin e Perëndisë dhe të njerëzve. Që në vogëli, Jezui lë një shembull të shkëlqyer përkushtimi ndaj Jehovait dhe respekti ndaj prindërve.