Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 54

Jezui—«Buka e jetës»

Jezui—«Buka e jetës»

GJONI 6:25-48

  • JEZUI ËSHTË ‘BUKA E VËRTETË NGA QIELLI’

Në bregun lindor të detit të Galilesë, me anë të një mrekullie, Jezui ushqeu mijëra veta dhe pastaj u largua me të shpejtë kur njerëzit donin ta bënin mbret. Atë natë, eci mbi detin e tërbuar dhe shpëtoi Pjetrin, që po ashtu eci mbi ujë, por pastaj nisi të fundosej kur iu lëkund besimi. Gjithashtu Jezui qetësoi erën, mbase duke i shpëtuar kështu dishepujt nga mbytja.

Tani Jezui kthehet përsëri në anën perëndimore të detit, në zonën e Kapernaumit. Ata që ushqeu me anë të një mrekullie e gjejnë dhe e pyesin: «Kur arrite këtu?» Duke i qortuar, Jezui u thotë se ata e kërkojnë me shpresë që t’i ushqejë përsëri. Pastaj i nxit ‘të mos punojnë për ushqimin që prishet, por për ushqimin që nuk prishet dhe të çon në jetë të përhershme’. Prandaj ata e pyesin: «Çfarë duhet të bëjmë që të kemi miratimin e Perëndisë?»—Gjoni 6:25-28.

Mbase u shkon mendja te veprat që duhet të bëjnë sipas Ligjit të Moisiut, por Jezui ua drejton vëmendjen te vepra më me vlerë: «Perëndia miraton këtë: të tregoni besim tek i dërguari i tij.» Ama njerëzit nuk tregojnë besim te Jezui, pavarësisht nga gjithçka që ka bërë. Ata përsëri pretendojnë që ai të bëjë një shenjë, pa t’i besojnë. «Ç’vepër do të bësh pra?—pyesin ata.—Paraardhësit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, tamam siç është shkruar: ‘Ai u dha bukë nga qielli që të hanin.’»—Gjoni 6:29-31; Psalmi 78:24.

Lidhur me kërkesën e tyre për një shenjë, Jezui ua tërheq vëmendjen tek Ai që mund t’i plotësojë nevojat e njerëzve me anë të mrekullive: «Me të vërtetë po ju them: Moisiu nuk ju dha bukën e vërtetë nga qielli, por tani Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli, sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës.» Meqë nuk e kapin pikën, ata i luten: «Zotëri, na e jep gjithmonë këtë bukë.» (Gjoni 6:32-34) Por, për çfarë ‘buke’ e ka fjalën Jezui?

Ai shpjegon: «Unë jam buka e jetës. Kushdo që vjen tek unë, nuk do të ketë më uri dhe kushdo që tregon besim tek unë, nuk do të ketë më etje kurrë. Por siç ju kam thënë, ju më keni parë, e prapëseprapë nuk besoni. . . . Nuk zbrita nga qielli për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi. Vullneti i atij që më dërgoi, është ky: të mos humbas asnjërin nga gjithë ata që më dha, por t’i ringjall në ditën e fundit. Po, ky është vullneti i Atit tim: kushdo që e pranon Birin dhe tregon besim tek ai, të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 6:35-40.

Kjo shkakton goxha rrëmujë, dhe judenjtë fillojnë të murmuritin kundër tij. Si mund të pretendojë ky se është «buka që zbriti nga qielli»?! (Gjoni 6:41) Për ta, Jezui s’është gjë tjetër veçse djali i dy prindërve të thjeshtë nga qyteti galileas i Nazaretit. Ata pyesin: «A nuk është ky Jezui, biri i Jozefit?! A nuk ia njohim të atin dhe të ëmën?!»—Gjoni 6:42.

Por Jezui thotë: «Mos murmuritni më mes jush. Askush s’mund të vijë tek unë po të mos e tërheqë Ati që më dërgoi, dhe unë do ta ringjall në ditën e fundit. Te Profetët është shkruar: ‘Të gjithë do të mësohen nga Jehovai.’ Kushdo që e ka dëgjuar Atin dhe ka mësuar nga ai, vjen tek unë. Jo se ndokush e ka parë Atin, përveç atij që vjen nga Perëndia; ky e ka parë Atin. Me të vërtetë po ju them: ai që beson, ka jetë të përhershme.»—Gjoni 6:43-47; Isaia 54:13.

Më parë, kur kishte folur me Nikodemin për lidhjen mes jetës së përhershme dhe besimit te Biri i njeriut, Jezui kishte thënë: «Kushdo që tregon besim tek ai [Biri i vetëmlindur i Perëndisë], të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:15, 16) Por tani po flet me një auditor më të gjerë dhe po u shpjegon se ai luan rolin kyç në lidhje me jetën e përhershme. Këtë jetë nuk ua jep dot as mana, as buka që hanë çdo ditë në Galile. Atëherë si mund ta fitojnë jetën e përhershme? Jezui u thotë përsëri: «Unë jam buka e jetës.»—Gjoni 6:48.

Diskutimi për bukën nga qielli vazhdon dhe arrin kulmin kur Jezui mëson të tjerët në një sinagogë në Kapernaum.