Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 55

Shumë veta skandalizohen nga fjalët e Jezuit

Shumë veta skandalizohen nga fjalët e Jezuit

GJONI 6:48-71

  • TË HANË MISHIN DHE TË PINË GJAKUN E TIJ

  • SHUMË PENGOHEN DHE NUK E NDJEKIN MË

Në një sinagogë në Kapernaum, Jezui po u tregon të tjerëve se ai është buka e vërtetë nga qielli. Duket se tani po shpjegon më tej fjalët që u tha njerëzve që erdhën nga bregu lindor i detit të Galilesë, atyre që hëngrën bukët dhe peshqit.

Jezui vazhdon: «Paraardhësit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë, e prapëseprapë vdiqën.» Pastaj bën këtë kontrast: «Unë jam buka e jetës që zbriti nga qielli. Nëse dikush ha nga kjo bukë, do të jetojë përgjithmonë, sepse buka që do të jap, faktikisht është mishi i trupit tim, që bota të jetojë.»—Gjoni 6:48-51.

Në pranverën e vitit 30 të e.s., Jezui i kishte thënë Nikodemit se Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij si Shpëtimtar. Tani Jezui thekson se, për të marrë jetën e përhershme, duhet të hanë nga mishi i tij, pra të tregojnë besim në flijimin që do të bëjë.

Mirëpo, njerëzve s’u pëlqejnë hiç fjalët e tij. Ata pyesin: «Si mund të na japë ky njeri të hamë mishin e tij?!» (Gjoni 6:52) Jezui do që ta kuptojnë se po flet në mënyrë të figurshme, jo literale, prandaj shton:

«Po të mos hani mishin e Birit të njeriut e po të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete. Kushdo që ushqehet me mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përhershme, . . . sepse mishi im është ushqim i vërtetë dhe gjaku im është pije e vërtetë. Kushdo që ushqehet me mishin tim dhe pi gjakun tim, qëndron në unitet me mua.»—Gjoni 6:53-56.

Imagjino sa ofenduese mund t’u tingëllojë kjo dëgjuesve judenj! Mbase mendojnë se Jezui po u sugjeron të bëhen kanibalë ose të shkelin ligjin e Perëndisë që ndalon konsumimin e gjakut. (Zanafilla 9:4; Levitiku 17:10, 11) Por Jezui nuk po thotë të hanë mishin ose të pinë gjakun në kuptimin e mirëfilltë. Po u tregon se të gjithë ata që duan jetën e përhershme duhet të tregojnë besim te flijimi që do të bëjë ai kur të sakrifikojë trupin e përsosur njerëzor dhe të derdhë gjakun e tij. Megjithatë, edhe shumë nga dishepujt nuk e kuptojnë këtë mësim. Disa thonë: «Ky i folur është skandaloz! Kush mund ta dëgjojë?»—Gjoni 6:60.

Meqë e nuhat se disa nga dishepujt po murmuritin, Jezui i pyet: «A ju skandalizon kjo? Atëherë, çfarë do të ndodhte sikur ta shihnit Birin e njeriut të ngjitej atje ku ishte më parë? . . . Fjalët që ju thashë, burojnë nga fryma dhe japin jetë. Por disa nga ju nuk besojnë.» Me të dëgjuar këto fjalë, shumë dishepuj largohen dhe nuk e ndjekin më.—Gjoni 6:61-64.

Prandaj Jezui u bën këtë pyetje 12 apostujve: «Mos doni të ikni edhe ju?» Pjetri ia kthen: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë që të çojnë në jetën e përhershme dhe ne besojmë dhe e dimë se ti je i Shenjti i Perëndisë.» (Gjoni 6:67-69) Çfarë besnikërie e jashtëzakonshme, kur merr parasysh se as Pjetri dhe as apostujt e tjerë nuk e kuptojnë plotësisht këtë mësim të Jezuit!

Ndonëse i kënaqur me përgjigjen e Pjetrit, Jezui pohon: «A nuk ju zgjodha unë, ju të Dymbëdhjetë? Megjithatë, njëri nga ju është shpifës.» (Gjoni 6:70) Jezui po flet për Judë Iskariotin. Ka mundësi që pikërisht në këtë moment Jezui dallon se Juda po fillon të devijojë nga rruga e drejtë.

Por s’do mend, Jezui është i lumtur që asgjë s’ua ka prishur mendjen Pjetrit dhe apostujve të tjerë që të largohen dhe të heqin dorë nga vepra jetëshpëtuese që po bën.