Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 33

Përmbush profecinë e Isaisë

Përmbush profecinë e Isaisë

MATEU 12:15-21 MARKU 3:7-12

  • TURMA SHTYHET PAS JEZUIT

  • AI PËRMBUSH PROFECINË E ISAISË

Kur merr vesh se farisenjtë dhe përkrahësit e partisë së Herodit po thurin plane për ta vrarë, Jezui bashkë me dishepujt shkojnë në detin e Galilesë. Tek ai grumbullohen plot njerëz nga shumë vende—nga Galilea, nga qytetet bregdetare të Tirit dhe të Sidonit, nga pjesa lindore e lumit Jordan, nga Jerusalemi dhe nga Idumea që gjendet më në jug. Jezui shëron shumë veta, ja pse mjaft nga ata që kanë sëmundje të rënda shtyhen drejt tij. Ata dëshirojnë me zjarr të shërohen, prandaj nuk presin që Jezui t’i prekë, por zgjatin duart ta prekin.—Marku 3:9, 10.

Meqë ka shumë njerëz, Jezui u thotë dishepujve t’i bëjnë gati një varkë të vogël, që të largohet pak nga bregu dhe nga turma që po shtyhet pas tij. Përveç kësaj mund t’i mësojë nga varka ose të zhvendoset përgjatë bregut për të ndihmuar më shumë njerëz.

Dishepulli Mate tregon se, me anë të veprimtarisë së tij, Jezui përmbush «çfarë ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia». (Mateu 12:17) Cilën profeci po përmbush Jezui?

«Ja shërbëtori im që zgjodha, Biri im i dashur që kam miratuar! Unë do të vë tek ai frymën time, dhe ai do t’u bëjë të qartë kombeve ç’është drejtësia. Ai nuk do të grindet, as do të bërtasë fort dhe askush nuk do t’ia dëgjojë zërin rrugëve kryesore. Ai nuk do ta dërrmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë fitilin që ende nxjerr tym, derisa t’i sigurojë fitoren drejtësisë. Vërtet, kombet do t’i varin shpresat tek emri i tij.»—Mateu 12:18-21; Isaia 42:1-4.

S’ka dyshim se Jezui është shërbëtori i dashur që Perëndia e miraton. Jezui bën të qartë se çfarë është drejtësia e vërtetë, të cilën e kanë mjegulluar traditat e rreme fetare. Farisenjtë e interpretojnë sipas qejfit Ligjin e Perëndisë dhe e zbatojnë në mënyrë të padrejtë, ja pse nuk do ta ndihmonin një të sëmurë në Sabat. Teksa nxjerr në pah drejtësinë e Perëndisë dhe tregon se fryma e Perëndisë është mbi të, Jezui i çliron njerëzit nga barra e traditave të padrejta. Për këtë arsye krerët fetarë duan ta vrasin. Është vërtet për të ardhur keq!

Çfarë do të thotë që «ai nuk do të grindet, as do të bërtasë fort dhe askush nuk do t’ia dëgjojë zërin rrugëve kryesore»? Kur shëron njerëzit, Jezui nuk i lejon as ata, as demonët ‘të tregojnë se kush është’. (Marku 3:12) Ai nuk do që njerëzit të mësojnë për të nga lajmërimet e bujshme nëpër rrugë ose nga lajmet e shtrembëruara të përcjella me entuziazëm gojë më gojë.

Për më tepër, Jezui u jep mesazhin e tij ngushëllues atyre që, në mënyrë të figurshme, janë si kallam i thyer, i këputur dhe i shkelur me këmbë. Ata i ngjajnë një fitili që nxjerr tym, dhe gati po u shuhet edhe shkëndija e fundit e jetës. Jezui nuk do ta dërrmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë fitilin që ende nxjerr tym. Përkundrazi, plot butësi e dashuri, ai i rigjallëron zemërbutët. Vërtet, Jezui është ai tek i cili mund t’i varin shpresat kombet!