KAPITULLI 49
Predikon në Galile dhe stërvit apostujt
MATEU 9:35–10:15 MARKU 6:6-11 LUKA 9:1-5
-
JEZUI BËN NJË TJETËR UDHËTIM PREDIKIMI NË GALILE
-
DËRGON APOSTUJT TË PREDIKOJNË
U bënë dy vjet që Jezui po predikon pa u lodhur. Mos është koha tani që ta marrë shtruar? Përkundrazi, Jezui e intensifikon veprën e predikimit duke nisur ‘një udhëtim nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, që të mësojë në sinagogat e tyre, të predikojë lajmin e mirë për Mbretërinë dhe të shërojë çdo lloj lëngate e sëmundjeje’. (Mateu 9:35) Ajo që sheh e bind se duhet ta zgjerojë veprën e predikimit. Po si ta bëjë këtë?
Gjatë rrugës, Jezui vëren se njerëzit kanë nevojë të gjejnë prehje dhe ngushëllim te Perëndia. Janë si dele pa bari, të keqtrajtuar e të hallakatur. U vjen keq për ta, ndaj u thotë dishepujve: «Po, të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj përgjërojuni Zotërisë së të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.»—Mateu 9:37, 38.
Jezui e di çfarë u nevojitet. Prandaj thërret 12 apostujt, i ndan dy e nga dy dhe i dërgon për të predikuar. Gjithashtu, u jep këto udhëzime të qarta: «Mos shkoni te njerëzit e kombeve të tjera dhe mos hyni në asnjë qytet samaritan, por shkoni vazhdimisht te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. Teksa shkoni, predikoni: ‘Mbretëria e qiejve është afruar.’»—Mateu 10:5-7.
Mbretëria për të cilën do të predikojnë, është ajo që përmendi Jezui në lutjen model. ‘Mbretëria është afruar’ në kuptimin që Mbreti i caktuar nga Perëndia, Jezu Krishti, është mes tyre. Por si do të provohet se dishepujt e tij janë vërtet përfaqësues të kësaj Mbretërie? Jezui u jep fuqi të shërojnë të sëmurët e madje të ringjallin të vdekurit. Gjithçka do ta bëjnë falas. Por, si do t’i sigurojnë gjërat e nevojshme apostujt, për shembull, bukën e përditshme?
Jezui u thotë dishepujve të mos bëjnë asnjë përgatitje materiale për këtë udhëtim predikimi. Nuk duhet të marrin në çantat e tyre ar, argjend ose bakër. Nuk do t’u duhet të marrin as trastë me ushqim dhe as veshje a sandale shtesë. Pse? Jezui i siguron: «Punëtori e meriton ushqimin e vet.» (Mateu 10:10) Njerëzit që do ta çmojnë mesazhin e tyre, patjetër do të kujdesen për nevojat bazë të dishepujve. Jezui thotë: «Në cilëndo shtëpi që të hyni, qëndroni atje derisa të ikni nga ai qytet.»—Marku 6:10.
Jezui i mëson edhe si të fillojnë bisedat për mesazhin e Mbretërisë: «Kur të hyni në ndonjë shtëpi, përshëndetini ata të shtëpisë, dhe nëse shtëpia është e denjë për mesazhin, paqja që i uroni, le të bjerë mbi të, por nëse nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet te ju. Atje ku nuk ju pranojnë ose nuk i dëgjojnë fjalët tuaja, me të dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët.»—Mateu 10:12-14.
Por mund të ndodhë edhe që një qytet a një fshat i tërë të mos e pranojë mesazhin e tyre. Çfarë do të ndodhë me këtë vend? Jezui tregon gjykimin e rëndë që do të bjerë mbi të: «Vërtet po ju them: Sodoma dhe Gomorra do ta kenë më të lehtë Ditën e Gjykimit se ai qytet.»—Mateu 10:15.