Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 29

A mund të kryhen vepra të mira në Sabat?

A mund të kryhen vepra të mira në Sabat?

GJONI 5:1-16

  • JEZUI PREDIKON NË JUDE

  • AI SHËRON NJË TË SËMURË PRANË NJË REZERVUARI

Jezui ka bërë plot vepra të mira gjatë shërbimit të tij në Galile, por nuk po mendon të rrijë vetëm aty. Ai thotë: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera.» Ndaj shkon ‘të predikojë nëpër sinagogat e Judesë’. (Luka 4:43, 44) Është tamam koha e duhur, sepse është pranverë dhe në Jerusalem po afrohet një festë.

Ungjijtë flasin më tepër për shërbimin e Jezuit në Galile, se për veprën e tij në Jude. Apatia që ndesh Jezui në Jude, nuk e pengon të predikojë në mënyrë aktive e të bëjë kudo vepra të mira.

S’kalon shumë dhe Jezui niset drejt Jerusalemit, qyteti kryesor i Judesë, për të marrë pjesë në Festën e Kalimit të vitit 31 të e.s. Pranë Portës së Deleve që është plot me njerëz, ndodhet Betzata, një rezervuar i madh i rrethuar me kolonada. Aty vijnë shumë të sëmurë, të verbër e të çalë. Pse? Sepse besohet gjerësisht se, nëse njerëzit hyjnë në rezervuar kur trazohet uji, mund të shërohen.

Është Sabat dhe Jezui sheh pranë rezervuarit një burrë që ka 38 vjet i sëmurë. Jezui e pyet: «A dëshiron të shërohesh?» Burri i përgjigjet: «Imzot, unë nuk kam njeri që të më futë në rezervuar kur trazohet uji. Sapo vij unë, një tjetër zbret përpara meje.»—Gjoni 5:6, 7.

Pastaj Jezui thotë diçka që duhet ta habitë burrin dhe të tjerët që po dëgjojnë: «Ngrihu, merr shtrojën dhe ec.» (Gjoni 5:8) Dhe ai bën pikërisht kështu. Burri shërohet menjëherë, merr shtrojën dhe nis të ecë!

Në vend se të gëzojnë për mrekullinë që sapo ka ndodhur, judenjtë i drejtohen burrit me ton gjykues: «Është Sabat dhe nuk është e ligjshme të mbash shtrojën.» Burri u përgjigjet: «Ai që më shëroi, më tha: ‘Merr shtrojën dhe ec.’» (Gjoni 5:10, 11) Këta judenj nuk janë dakord që të bëhen shërime në Sabat.

Ata e pyesin se kush i tha të merrte shtrojën e të ecte. Pse i bëjnë këtë pyetje? Sepse Jezui është «larguar pa u ndier mes turmës», dhe burri nuk i mori vesh emrin. (Gjoni 5:12, 13) Gjithsesi, më vonë, ai e takon Jezuin në tempull dhe i mëson emrin.

Pas kësaj burri shkon të takojë judenjtë që e kishin pyetur se kush e shëroi dhe u thotë se ishte Jezui. Sapo e marrin vesh, judenjtë shkojnë të takojnë Jezuin. Mos vallë duan të dinë si arrin ai të bëjë vepra kaq të mrekullueshme? Aspak. Duan ta kritikojnë për gjërat e mira që Jezui bën në Sabat. E madje nisin ta përndjekin.