Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 51

Vrasje gjatë një feste ditëlindjeje

Vrasje gjatë një feste ditëlindjeje

MATEU 14:1-12 MARKU 6:14-29 LUKA 9:7-9

  • HERODI URDHËRON T’I PRITET KOKA GJON PAGËZORIT

Ndërsa Jezui dhe apostujt e tij predikojnë në Galile, ai që hapi rrugën për Jezuin nuk gëzon të njëjtën liri. Kanë kaluar gati dy vjet dhe Gjon Pagëzori është ende në burg.

Gjoni e kishte dënuar hapur martesën mes mbretit Herod Antipa dhe Herodiadës, që kishte qenë gruaja e gjysmëvëllait të tij, Filipit. Herodi kishte divorcuar gruan e parë që të martohej me Herodiadën. Sipas Ligjit të Moisiut, që Herodi pretendon se e respekton, kjo martesë është kurorëshkelëse dhe e paligjshme. Herodi reagoi ndaj qortimit të Gjonit duke e futur në burg, mbase nën presionin e Herodiadës.

Mirëpo Herodi s’di ç’të bëjë me Gjonin, sepse njerëzit ‘e mbajnë për profet’. (Mateu 14:5) Kurse Herodiada e ka shumë të qartë ç’duhet të bëjë me të. Ajo ‘e ka halë në sy’ dhe, me ngulm, po kërkon rast për ta hequr qafe. (Marku 6:19) Më në fund, vjen rasti i volitshëm.

Pak para Festës së Kalimit të vitit 32 të e.s., Herodi organizon një festë të madhe për ditëlindjen e tij. Vijnë gjithë zyrtarët e lartë, komandantët e ushtrisë dhe njerëzit e rëndësishëm të Galilesë. Gjatë festës, Saloma, vajza e Herodiadës dhe e ish-burrit të saj, Filipit, thirret për të kërcyer para të ftuarve. Performanca e saj magjeps të gjithë burrat.

Tejet i kënaqur nga vajza e gruas së tij, Herodi i thotë: «Më kërko ç’të duash dhe unë do të ta jap.» Madje betohet: «Çfarëdo që të më kërkosh, do të ta jap, po, edhe gjysmën e mbretërisë sime.» Para se të përgjigjet, Saloma shkon të pyesë të ëmën: «Çfarë t’i kërkoj?»—Marku 6:22-24.

Më në fund erdhi rasti i shumëpritur i Herodiadës! «Kokën e Gjon Pagëzorit»,—përgjigjet ajo pa një, pa dy. Menjëherë, Saloma kthehet te Herodi dhe i thotë: «Dua të më japësh tani, në një tabaka, kokën e Gjon Pagëzorit.»—Marku 6:24, 25.

Kjo e shqetëson shumë Herodin, por të ftuarit e tij e dëgjuan betimin që i bëri Salomës. E ka për turp të mos e plotësojë kërkesën, edhe nëse kjo do të thotë të vrasë një njeri të pafajshëm. Prandaj, Herodi dërgon një truprojë në burg me urdhrin makabër. Pa kaluar shumë, truproja kthehet me kokën e Gjonit në tabaka. Ia jep Salomës, e cila ia çon së ëmës.

Kur dishepujt e Gjonit marrin vesh ç’ka ndodhur, shkojnë t’i marrin trupin për ta varrosur. Pastaj ia çojnë lajmin Jezuit.

Më vonë, kur Herodi dëgjon se Jezui po shëron të sëmurë dhe po dëbon demonë, tronditet. Vret mendjen se mos njeriu që po bën gjithë këto, pra Jezui, është në të vërtetë Gjon Pagëzori ‘i ngritur nga të vdekurit’. (Luka 9:7) Ja pse Herod Antipa do me ç’do kusht ta takojë. S’do mend që s’i intereson predikimi i Jezuit, por dëshiron të kuptojë nëse ka arsye për të qenë i frikësuar.