Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 87

Të veprojmë me mençuri praktike

Të veprojmë me mençuri praktike

LUKA 16:1-13

  • ILUSTRIMI I KUJDESTARIT TË PADREJTË

  • «BËNI MIQ» ME ANË TË PASURIVE TUAJA

Jezui sapo ka treguar ilustrimin e djalit plëngprishës. Skribët, farisenjtë dhe taksambledhësit, duhej të kishin kuptuar se Perëndia është gati t’i falë mëkatarët e penduar. (Luka 15:1-7, 11) Tani Jezui u tregon dishepujve një ilustrim për një burrë të pasur, i cili merr vesh se administruesi i shtëpisë, ose kujdestari, nuk ka vepruar siç duhet.

Këtë kujdestar e akuzojnë se ka shpërdoruar pasurinë e zotërisë. Prandaj zotëria i thotë se do ta pushojë nga puna. Atëherë kujdestari thotë me vete: «Ç’të bëj tani që zotëria im do të më heqë nga detyra si kujdestar? S’jam aq i fortë sa të punoj tokën dhe më vjen turp të lyp.» Duke menduar për të ardhmen, gjen këtë zgjidhje: «E di unë ç’të bëj që të tjerët të më mirëpresin në shtëpitë e tyre kur të mos jem më kujdestar.» Ndaj thërret menjëherë borxhlinjtë e zotërisë dhe i pyet: ‘Sa i detyroheni zotërisë tim?’—Luka 16:3-5.

I pari përgjigjet: «Njëqind bato vaj ulliri», afërsisht 2.200 litra. Ky borxhli mbase ka një ullishtë të madhe ose tregton vaj, dhe kujdestari i thotë: «Ja dokumenti i marrëveshjes sate, merre, ulu dhe shkruaj shpejt 50 [1.100 litra].»—Luka 16:6.

Pastaj pyet një tjetër: «Po ti, sa i detyrohesh?» Ai i përgjigjet: «Njëqind korë grurë», rreth 22.000 litra. Atëherë kujdestari i thotë borxhliut: «Ja dokumenti i marrëveshjes sate, merre dhe shkruaj 80.» Kështu ia ul borxhin me 20 për qind.—Luka 16:7.

Meqë kujdestari është ende përgjegjës për çështjet financiare të zotërisë, e ka në dorë të ulë borxhet. Në këtë mënyrë po bën miq ata që mund ta ndihmojnë pasi të humbasë punën.

Më vonë, zotëria merr vesh ç’ka ndodhur. Megjithëse ka pësuar humbje, i bën përshtypje veprimi i kujdestarit dhe e lavdëron, pasi «edhe pse i padrejtë, veproi me mençuri praktike». Jezui vazhdon: «Bijtë e këtij sistemi janë më të mençur e më praktikë se bijtë e dritës kur bëjnë marrëveshje me bashkëkohësit e tyre.»—Luka 16:8.

Më këto fjalë Jezui nuk po miraton veprimet e kujdestarit dhe as po nxit pandershmërinë në çështjet e biznesit. Atëherë çfarë do të thotë? Ai i nxit dishepujt: «Bëni miq me anë të pasurive të padrejta, që, kur këto të shterojnë, t’ju mirëpresin në vendbanimet e përhershme.» (Luka 16:9) Jezui po na mëson të jemi largpamës dhe të veprojmë me mençuri praktike. Shërbëtorët e Perëndisë, «bijtë e dritës», duhet t’i përdorin të mirat materiale me mençuri, duke mbajtur ndër mend të ardhmen e përhershme.

Vetëm Perëndia Jehova dhe Biri i tij mund të mirëpresin dikë në Mbretërinë qiellore ose në parajsën në tokë nën qeverisjen e kësaj Mbretërie. Prandaj, duhet të përpiqemi fort t’i bëjmë miq, duke përdorur të mirat materiale për të mbështetur veprën e Mbretërisë. Kështu, e ardhmja jonë e përhershme do të jetë e sigurt kur ari, argjendi dhe të mirat e tjera materiale të mos kenë pikë vlere.

Jezui thotë edhe se kush është i besueshëm kur administron zotërimet e veta, do të jetë i besueshëm kur të administrojë gjëra më me peshë. Ai thekson: «Nëse nuk keni qenë të besueshëm me pasuritë e padrejta, kush do t’jua besojë pasuritë e vërteta [si veprën e Mbretërisë]?»—Luka 16:11.

Jezui po u shpjegon dishepujve se duhet të përpiqen fuqimisht nëse duan që të mirëpriten «në vendbanimet e përhershme». Ata s’mund të jenë shërbëtorë të vërtetë të Perëndisë e njëkohësisht skllevër të pasurive të padrejta. Jezui përfundon me fjalët: «Asnjë shërbëtor s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të qëndrojë besnik ndaj njërit e do të përçmojë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.»—Luka 16:9, 13.