Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 98

Apostujt kërkojnë sërish pozitë

Apostujt kërkojnë sërish pozitë

MATEU 20:17-28 MARKU 10:32-45 LUKA 18:31-34

  • JEZUI PARATHOTË SËRISH VDEKJEN E TIJ

  • NDIHMON APOSTUJT TË MPOSHTIN DËSHIRËN PËR POZITË

Pasi lënë Perenë, Jezui dhe dishepujt kapërcejnë lumin Jordan, pranë Jerikosë. Ata po udhëtojnë drejt jugut, për në Jerusalem. Me ta po udhëtojnë edhe të tjerë; po shkojnë të kremtojnë Festën e Kalimit të vitit 33 të e.s.

Jezui po u prin dishepujve që të arrijnë në kohë për Festën e Kalimit, por ata i ka mbërthyer frika. Kur Lazari vdiq dhe Jezui do të nisej nga Perea për në Jude, Thomai u tha të tjerëve: «Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.» (Gjoni 11:16, 47-53) Për ta Jerusalemi është një destinacion i rrezikshëm, ndaj s’është çudi që dishepujt janë të frikësuar.

Për t’i përgatitur për atë që i pret, Jezui i merr apostujt mënjanë dhe u thotë: «Ja, ne po ngjitemi në Jerusalem dhe Birin e njeriut do ta dorëzojnë në dorë të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje dhe do t’ua dorëzojnë njerëzve të kombeve, që do ta tallin, do ta fshikullojnë e do ta ekzekutojnë në shtyllë, por ditën e tretë ai do të ngrihet nga të vdekurit.»—Mateu 20:18, 19.

Kjo është hera e tretë që Jezui u flet dishepujve për vdekjen dhe ringjalljen e tij. (Mateu 16:21; 17:22, 23) Por në këtë rast, u tregon diçka më shumë, se do ta ekzekutojnë në shtyllë. Edhe pse dishepujt i dëgjojnë këto fjalë, nuk arrijnë ta kapin kuptimin. Mbase presin që të rivendoset mbretëria e Izraelit dhe dëshirojnë të marrin lavdi e nderim bashkë me Krishtin në këtë mbretëri tokësore.

Mes atyre që po udhëtojnë me Jezuin, është edhe nëna e apostujve Jakov dhe Gjon, me sa duket Saloma. Jezui i ka quajtur këta të dy «bij të bubullimës», pa dyshim për shkak të temperamentit të zjarrtë. (Marku 3:17; Luka 9:54) Prej ca kohësh, dy apostujt kanë shfaqur njëfarë ambicieje për të pasur një pozitë të rëndësishme në Mbretërinë e Krishtit. Meqë nëna e tyre e di këtë, i afrohet Jezuit, përkulet para tij dhe i kërkon një nder. Jezui e pyet: «Më thuaj çfarë dëshiron?» Ajo përgjigjet: «Më jep fjalën që këta dy djemtë e mi do të ulen njëri në të djathtën tënde e tjetri në të majtë, në Mbretërinë tënde.»—Mateu 20:20, 21.

Në të vërtetë, pas kësaj kërkese fshihen Jakovi dhe Gjoni. Meqë sapo u ka folur për turpin dhe poshtërimin që do të provojë, Jezui thotë: «Ju nuk e dini çfarë po më kërkoni. A mund ta pini kupën që do të pi unë?» Ata përgjigjen: «Po, mundemi.» (Mateu 20:22) Me sa duket, s’e kuptojnë plotësisht se çfarë nënkupton kjo për ta.

Megjithatë, Jezui u thotë: «Ju vërtet do të pini kupën time, por nuk më takon mua t’ju ul në të djathtën a në të majtën time. Ai vend u takon atyre që ua ka bërë gati Ati im.»—Mateu 20:23.

Kur marrin vesh për kërkesën e Jakovit dhe të Gjonit, dhjetë apostujt e tjerë indinjohen. Mos ndoshta Jakovi dhe Gjoni e kanë shfaqur hapur ambicien e tyre gjatë debatit të apostujve se kush ishte më i madhi? (Luka 9:46-48) Sido që të jetë, kërkesa e tanishme nxjerr në pah se 12 apostujt nuk e kanë zbatuar këshillën e Jezuit për t’u sjellë si më i vogli. Ata nuk e kanë mposhtur dëshirën për pozitë.

Jezui vendos ta zgjidhë këtë mosmarrëveshje dhe t’i japë fund situatës së pakëndshme që është krijuar. Ai i thërret 12 apostujt dhe i këshillon me dashuri: «Ju e dini se ata që konsiderohen si sundimtarë të kombeve, sillen si zotër me to dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë autoritet mbi kombet. Mirëpo mes jush nuk duhet të jetë kështu. Kushdo që dëshiron të bëhet i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juaj, dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari ndër ju, të jetë skllavi i të gjithëve.»—Marku 10:42-44.

Jezui u kujton se shembulli që duhet të imitojnë, është pikërisht shembulli i tij. Ai shpjegon: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë jetën e vet si shpërblesë për shumë njerëz.» (Mateu 20:28) Për gati tre vjet, Jezui u ka shërbyer të tjerëve. Madje do të japë jetën për njerëzimin. Dishepujt duhet të zhvillojnë të njëjtin qëndrim si të Krishtit. Në vend se të presin nga të tjerët t’u shërbejnë, duhet t’u shërbejnë të tjerëve, dhe në vend që të kërkojnë pozitë, duhet të sillen si më i vogli.