Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 89

Mëson në Pere, rrugës për në Jude

Mëson në Pere, rrugës për në Jude

LUKA 17:1-10 GJONI 11:1-16

  • TË PENGOSH DIKË ËSHTË SERIOZE

  • FAL DHE TREGO BESIM

Jezui ka ndenjur për ca kohë «matanë Jordanit», në Pere. (Gjoni 10:40) Pas pak do të niset drejt jugut, për në Jerusalem.

Bashkë me të janë dishepujt dhe «turma të mëdha», ndër ta taksambledhës dhe mëkatarë. (Luka 14:25; 15:1) Aty ka edhe farisenj e skribë, të cilët kritikojnë gjërat që thotë e bën Jezui. Me siguri kanë mjaft për të menduar pas ilustrimit për delen e humbur, për djalin plëngprishës dhe për të pasurin e Lazarin.—Luka 15:2; 16:14.

Ndoshta duke pasur të freskët në mendje kritikat e përbuzjen e kundërshtarëve, Jezui nis t’u flasë dishepujve për gjëra që ua ka mësuar më parë në Galile.

Ai u thotë: «Shkaqe për pengesë do të ketë se s’bën, por mjerë ai njeri që bëhet gur pengese! . . . Kushtojini vëmendje vetes! Nëse vëllai yt mëkaton, qortoje dhe, nëse pendohet, fale. Edhe nëse mëkaton shtatë herë në ditë kundër teje, e megjithatë kthehet te ti shtatë herë dhe të thotë: ‘Më fal’, ti duhet ta falësh.» (Luka 17:1-4) Shprehja e fundit mbase i sjell në mendje Pjetrit rastin kur e pyeti Jezuin nëse duhet ta falte dikë deri në 7 herë.—Mateu 18:21.

A do t’i zbatojnë dot dishepujt këshillat e Jezuit? Kur ata i thonë «na jep më shumë besim», Jezui i siguron: «Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoshit këtij mani të zi: ‘Shkulu me rrënjë e mbillu në det!’ dhe ai do t’ju bindej.» (Luka 17:5, 6) Po, edhe me një grimcë besimi mund të arrihen gjëra të jashtëzakonshme!

Më pas, Jezui u tregon apostujve sa rëndësi ka të jesh i përulur dhe të kesh një pikëpamje të ekuilibruar për veten: «Kush nga ju, po të kishte një skllav që punon tokën ose që kullot kopenë, do t’i thoshte kur të kthehej: ‘Hajde shpejt dhe ulu që të hash.’ Përkundrazi, a nuk do t’i thoshte: ‘Më bëj gati darkën, vër përparësen dhe më shërbe derisa të kem ngrënë e të kem pirë. Pastaj mund të hash e të pish edhe ti.’ Mos do t’i ishte mirënjohës skllavit thjesht ngaqë bëri atë që kishte për detyrë? S’ma merr mendja. Po njësoj edhe ju, pasi të keni bërë gjithë gjërat që ju ishin caktuar, thoni: ‘Jemi veçse skllevër që nuk meritojmë asgjë. Bëmë vetëm atë që duhej të bënim.’»—Luka 17:7-10.

Çdo shërbëtor i Perëndisë duhet të kuptojë sa rëndësi ka ta vësh adhurimin e Perëndisë në vend të parë. Për më tepër, secili duhet të mbajë në mendje sa i çmuar është privilegji për të adhuruar Perëndinë dhe për të qenë pjesë e popullit të tij.

Pak pas kësaj, te Jezui vjen një lajmëtar që e ka dërguar Maria dhe Marta. Ato janë motrat e Lazarit dhe jetojnë në Betani, që ndodhet në Jude. Lajmëtari i thotë Jezuit: «Zotëri, miku yt i shtrenjtë, që ti e ke për zemër, është sëmurë.»—Gjoni 11:1-3.

Edhe pse merr vesh se miku i tij, Lazari, është sëmurë, Jezuin nuk e paralizon hidhërimi. Përkundrazi thotë: «Kjo sëmundje nuk do të sjellë vetëm vdekje, por do t’i sjellë lavdi Perëndisë, që nëpërmjet saj t’i jepet lavdi Birit të Perëndisë.» Ai rri edhe dy ditë aty ku është dhe pastaj u thotë dishepujve: «Le të shkojmë prapë në Jude.» Mirëpo ata kundërshtojnë: «Rabi, vetëm pak kohë më parë judeasit kërkonin të të vritnin me gurë e ti tani do që të shkosh prapë atje?!»—Gjoni 11:4, 7, 8.

Jezui u përgjigjet: «A nuk ka 12 orë dita? Nëse dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote. Por, nëse ecën natën, ai pengohet, sepse drita nuk është në të.» (Gjoni 11:9, 10) Me sa duket, Jezui po thotë se koha që Perëndia ka caktuar për shërbimin e tij, nuk ka mbaruar ende. Ndaj duhet të shfrytëzojë në maksimum këtë pak kohë që i ka mbetur.

Jezui shton: «Lazari, miku ynë, ka rënë në gjumë, prandaj unë po shkoj atje që ta zgjoj.» Duke menduar se Lazari thjesht po fle e do ta marrë veten, dishepujt i thonë: «Zotëri, nëse po fle, do të bëhet mirë.» Pastaj Jezui u thotë troç: «Lazari ka vdekur . . . Por tani, hajdeni të shkojmë tek ai.»—Gjoni 11:11-15.

Duke e ditur se Jezuin mund ta vrasin në Jude, Thomai dëshiron t’i bëhet krah, ndaj i nxit dishepujt e tjerë: «Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.»—Gjoni 11:16.