Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Udha, e vërteta dhe jeta

Udha, e vërteta dhe jeta

Me siguri të pëlqen të marrësh lajme të mira. A e di se Krijuesi i universit, Perëndia Jehova, ka një lajm shumë të mirë për ty dhe për njerëzit e tu të dashur?

Ky lajm i mirë gjendet në Bibël, një libër që Perëndia Jehova bëri të shkruhej vite më parë. Në këtë botim do të përqendrohemi te katër libra të Biblës, të cilët përmbajnë lajme shumë të mira për të gjithë ne. Ata mbajnë emrat e burrave që i shkruan: Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni.

Mjaft veta i njohin këto katër tregime si katër Ungjijtë. Të katër flasin për ungjillin, pra për lajmin e mirë rreth Jezuit—që ai është mjeti i Perëndisë për shpëtim dhe që, si Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë, do t’u sjellë bekime të përhershme kujtdo që tregon besim tek ai.—Marku 10:17, 30; 13:13.

PSE KATËR UNGJIJ?

Ndoshta ke pyetur veten pse Perëndia frymëzoi katër tregime rreth jetës dhe mësimeve të Jezuit.

Në të vërtetë, nxjerrim goxha dobi ngaqë kemi katër tregime të ndryshme rreth asaj çka tha e bëri Jezui. Për ta ilustruar, imagjino katër burra që rrinë pranë një mësuesi me emër. Burri që ndodhet përballë mësuesit, ka një zyrë taksash. Ai në të djathtë është mjek. Burri në të majtë është peshkatar dhe mik i ngushtë i mësuesit. Ndërsa i katërti, i cili rri pas mësuesit dhe vëzhgon, është më i riu. Të katër janë burra të sinqertë dhe secili përqendrohet te gjëra të ndryshme. Nëse çdonjëri shkruan një tregim për mësimet dhe veprimtaritë e mësuesit, ka të ngjarë që tregimet të mos përfshijnë të njëjtat detaje apo ngjarje. Duke i shqyrtuar të katër tregimet, pa harruar këndvështrimet ose qëllimet e ndryshme, mund të shohim një tablo të plotë të gjërave që tha e bëri mësuesi. Kjo ilustron si nxjerrim dobi ngaqë kemi katër tregime për jetën e Mësuesit të Madh, Jezuit.

Duke vazhduar ilustrimin, taksambledhësi u drejtohet njerëzve me prejardhje judaike, ndaj grupon disa mësime ose ngjarje në atë mënyrë që të ndihmojë kryesisht këtë auditor. Mjeku thekson shërimin e të sëmurëve ose të sakatëve, kështu që nuk përfshin disa prej detajeve që shkroi taksambledhësi, ose i paraqet në një radhë tjetër. Miku i ngushtë i mësuesit nxjerr në pah ndjenjat dhe cilësitë e tij. Kurse i riu shkruan një tregim më të shkurtër e më të përmbledhur. Prapëseprapë, të gjitha tregimet janë të sakta. Kjo ilustron bukur se si të katër tregimet për jetën e Jezuit na e thellojnë kuptueshmërinë për veprimtarinë, mësimet dhe personalitetin e tij.

Zakonisht njerëzit thonë «Ungjilli i Mateut» ose «Ungjilli i Gjonit». Kjo nuk është e gabuar, pasi secili përmban ‘lajmin e mirë për Jezu Krishtin’. (Marku 1:1) Megjithatë, në një kuptim më të gjerë, ekziston vetëm një ungjill, ose lajm i mirë për Jezuin, që e gjejmë në të katër tregimet.

Shumë studiues të Fjalës së Perëndisë i kanë krahasuar e harmonizuar me njëra-tjetrën ngjarjet dhe faktet që gjenden te Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni. Këtë u përpoq të bënte edhe shkrimtari sirian, Taciani, rreth vitit 170 të e.s. Ai i pranoi këta katër libra si të saktë e të frymëzuar dhe përpiloi Diatesaronin, një tregim të harmonishëm për jetën dhe për shërbimin e Jezuit.

Të njëjtën gjë bën edhe libri Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta, por është më i saktë dhe më i plotë. Kjo sepse tani kuptojmë më mirë përmbushjen e shumë profecive dhe ilustrimeve të Jezuit. Falë kësaj kuptueshmërie i kemi më të qarta gjërat që tha e bëri, si edhe radhën e ngjarjeve. Për më tepër, edhe zbulimet arkeologjike kanë hedhur dritë mbi disa detaje dhe mbi mënyrën e të menduarit të shkrimtarëve. Patjetër, askush s’mund të jetë dogmatik për radhën kronologjike të ngjarjeve. Megjithatë, libri Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta i paraqet ato në një mënyrë të arsyeshme dhe logjike.

UDHA, E VËRTETA DHE JETA

Ndërsa kënaqesh duke lexuar këtë libër, përpiqu të mbash ndër mend mesazhin kryesor për ty dhe për njerëzit e tu të dashur. Mos harro se vetë Jezu Krishti i tha apostullit Thoma: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.»—Gjoni 14:6.

Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta do të të ndihmojë të mos kesh fije dyshimi se Jezui është «udha». Vetëm nëpërmjet tij kemi mundësi t’i lutemi Perëndisë Jehova. Për më tepër, Jezui është udha që të pajtohemi me Perëndinë. (Gjoni 16:23; Romakëve 5:8) Ndaj, vetëm me anë të tij mund të gëzojmë një marrëdhënie të miratuar me Perëndinë.

Jezui është «e vërteta». Ai foli dhe jetoi në harmoni me të vërtetën; në njëfarë kuptimi Jezui ishte vetë personifikimi i së vërtetës. Përmbushi plot profeci, të cilat u bënë «‘po’ me anë të tij». (2 Korintasve 1:20; Gjoni 1:14) Profeci të tilla na ndihmojnë të kuptojmë rolin kyç që ka Jezui në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë.—Zbulesa 19:10.

Jezu Krishti është edhe «jeta». Ai dha gjakun dhe jetën e tij të përsosur si shpërblesë, duke bërë të mundur që të fitojmë «jetën e vërtetë», pra «jetën e përhershme». (1 Timoteut 6:12, 19; Efesianëve 1:7; 1 Gjonit 1:7) Ai do të tregojë se është «jeta» edhe për miliona njerëz që kanë vdekur, por që do të ringjallen me perspektivën për të jetuar përgjithmonë në Parajsë.—Gjoni 5:28, 29.

Të gjithë duhet ta çmojmë rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë. Urojmë të kënaqesh teksa e njeh më shumë Jezuin: ‘udhën, të vërtetën dhe jetën’.